E premte, 29.03.2024, 10:03 AM (GMT)

Editorial

Kallet shtëpia e familjes Mehaj dhe tentohet të kallet edhe shtëpia e vëllait të Gjergj-Bajram Kabashit

E shtune, 22.08.2009, 06:30 PM


NJË VIT PAS PAGËZIMIT NË KISHËN "GJON PAGËZUESI" NË ZALLKUQ TË KLINËS, NË ORËT E HERSHME TË MËNGJESIT TË 20 GUSHTIT, KALLET SHTËPIA E FAMILJES MEHAJ NË PRIGODË DHE TENTOHET TË KALLET AJO E VËLLAIT TË GJERGJ-BAJRAM KABASHIT, TAHIR KABASHIT NË GURRAKOC TË ISTOGUT

* SHTËPIA E FAMILJES 21 ANËTARËSHE MEHAJ U KALL NË ORËN 03:10 MINUTA, NDËRSA SHTËPISË SË VËLLAIT TË GJERGJ KABASHIT,TAHIR KABASHIT,POLIC I POLICISË RAJONALE NË PEJË, IU VU FLAKA NË ORA 5 E 50 MINUTA, POR ZJARRI NË KATIN E DYTË TË SHTËPISË U HETUA SHPEJT NGA TAHIRI DHE U SHUA NË SHPEJTËSI PA U PËRFSHIRË NGA FLAKËT PJESË TË TJERA TË SHTËPISË SË TIJ


Më 20 gusht në ora 03 e 10 minuta në Prigodë të Istogut u kall në tërësi shtëpia e familjes 21 anëtarëshe të Jusuf, Gjon, Skënder, Nard dhe Ylber Mehaj, familje kjo që iu rikthye fesë katolike të të parëve në një ceremoni pagëzimi në Kishën "Gjon Pagëzuesi" në Zallkuq(Zllakuqan) të Klinës në fillim të gushtit të vitit të kaluar. Ndërkaq, në ora 5 e 50 minuta, iu vu flaka shtëpisë së vëllait të Gjergj-Bajram Kabashit, Tahir Kabashit, polic në rajonin e Pejës, duke ia vënë zjarrin katit të dytë të shtëpisë së tij porse në saje të gjeturisë së Tahirit, zjarrri u shua me shpejtësi duke mos lejuar që të përfshinte pjesë të tjera të shtëpisë dykatëshe. Sado që nuk na lejohet të paragjykojmë për faktin se kush ishin zjarrvënësit e motivet e tyre që i shtin të ndërmerrnin një akt të tillë barbar, gjithnjë përderisa Policia e Kosovës dhe organet hetuese ta thonë fjalën e vet meritore, ne si pjesëtarë të familjeve Mehaj nga Prigoda dhe Kabashi nga Gurrakoci, këto veprime terroriste i shohim si mirë të planifikuara dhe të organizuara  me qëllim të përhapjes së frikës për aktin tonë legjitim për të zgjedhur besimin të cilit i takojmë me bindje, shpirt dhe zemër. Vendimet tona për t'u pagëzuar në katolicizëm kanë qenë të menduara mirë, të bëra me dashuri dhe vendosmëri, andaj janë të kota përpjekjet e të gjithë atyre që me frikë e terror mendojnë të na shmangin nga rruga jonë për ta pasur besimin fetar që e duam. Për neve është tepër shqetësuese që në Kosovën shqiptare mund të planifikohen veprime të tilla terroriste nga, siç duket, pozitat e një fundmentalizmi islamik i cili kurrë nuk ka ekzistuar në këtë formë në trojet tona. Duke qenë se kësaj rradhe gjithçka përfundoj pa pasoja në jetërat njerëzore, por me vetëm dëme të konsiderueshme materiale, ne si familje Mehaj nga Prigoda e Istogut dhe Kabashi nga Gurrakoci, i bëjmë thirrje policisë së Kosovës që menjëherë e pashtyeshëm të vihet gjurmëve të krimit jo aq për atë se janë kërcënuar e kanosur jetërat dhe shtëpitë tona, porse në këtë mënyrë është duke u kanosur Kosova, shqiptarësia e vendit tonë! Pas këtyre akteve terroriste të piromanëve të tillë, politika e Kosovës nuk ka më të drejtë që ta fshehi kokën në rërë si struci, por t'i deshifrojë problemet me të cilat po ndeshet Kosova e re, ku përpos rreziqeve e provokimeve të parreshtura të Serbisë, është duke vepruar edhe një fundmentalizëm islamik i llojit të vet, i lidhur me qarqet më antishqiptare i cili ka paralajmëruar luftë ndaj neshë që nga akti ynë i pagëzimit dhe jo vetëm ndaj neshë, por ndaj ekzistencës mijëvjeçare të krishterizmit në Kosovë. Lojaliteti ynë ndaj ruajtësve të rendit, policisë së Kosovë në rradhë të parë, sikurse edhe ndaj politikës vendëse është absolut; mirëpo ne kërkojmë që policia e Kosovës dhe politika e saj, të zgjohen nga kllapia që i ka zënë se provokimet ndaj sigurisë së vendit janë të çdollojshme dhe ato porositen nga kahe e anë të ndryshme, siç janë porositur konfliktet e tilla nga Serbia në fillim të shekullit të kaluar, e siç mund të porositen edhe tash nga Serbija dhe shërbime të tjera të fshehta me disponim armiqësor ndaj Kosovës dhe kombit tonë në përgjithësi. Detyrimi me dhunë i banorëve të Lugut të Baranit e shumë pjesëve të tjera të Kosovës sonë të dashur në të kaluarën jo aq të largët, për ta pranuar me çdo kusht e mjet fenë islame përmes djegjeve nga disa herë të shtëpive të banorëve të pafajshëm, flet për një traditë dhune të nxitur nga të tjerët për interesat e tyre antishqiptare. Kjo traditë e keqe, kjo mbjellje e nxitje e kobshme antishqiptare duhet të përfundojë për hirë të Kosovës, për hirë të qytetërimit shqiptar!

Ne para së gjithash mendojmë se është me rëndësi jetike për Kosovën që ata që ndërmorrën veprime të tilla terroriste të zbulohen dhe të vihen para organeve të drejtësisë, në mënyrë që populli shqiptar ta shof fytyrën e vërtetë të këtyre antishqiptarëve dhe t'a kuptojë se nga kush është duke i ardhur e keqja. Këto veprime pa dilemë janë mirë të organizuara dhe sipas koordinimit duket sheshit se janë të natyrës operative, që do të thotë se ekziston njëfarë shërbimi i fshehur që planifikon rrezikimin e jetës dhe pasurisë së të tjerëve. Prodekani i Fakultetit të Kulturës Islame në Prishtinë, Qemal Morina, vetëm se e kemi zgjedhur fenë e zemrës pati paralajmëruar për atë që mendjes së tij i qe dukur si "lojë e rrezikshme", ndërsa kryetari i Forumit të të Rinjve Musliman të Kosovës, Behar Beqiri, na qe kërcënuar se i ka qitur "forcat në terren"! Ne i sugjerojmë policisë së Kosovës që Behar Beqiri të kalllxojë deri në imtësi se ku janë ato forca dhe cilët janë ata që janë në kuadër të këtyre "forcave" se, sipas deklaratës së tij, kjo duhet të jetë një polici religjioze islamike e Kosovës! Historikisht dihet se është Serbia ajo që ka derdhur mund e para për ta futur Kosovën në luftë vëllavrasëse ndërshqiptare, por për forca të organizuara ushtarake a policore, për të cilat foli publikisht ky far Behar Beqiri, kurrë nuk mund të dëshmohet të ketë pasur... Dhunë propagandistike ndaj pagëzimit tonë në mediat elektronike ka ushtruar edhe grupi i islamistëve të mëdhenj politik  nga Shqipëria, e sidomos njëfarë Artan Mehaj nga Lushnja. Ne i kërkojmë policisë së Kosovës dhe asaj shqiptare vëmendje shumë më të theksuar, jo aq për ne sa për Kosovën dhe Shqipërinë, të cilat në asnjë mënyrë nuk duhen lejuar të shndërrohen në vatra të konflikteve religjioze të porositura nga armiqtë e kombit tonë. Të keqën mund ta parandalojmë vetëm tashti kur ende ka kohë që islamizmi politik shqiptar(!)të mos lejohet për t'u shndërruar në faktor determinues me pasoja shkatërrimtare për ndërgjegjën kombëtare shqiptare, se, për fat të keq, së paku në Kosovë, islamistët politik kanë zënë vende të pamerituara e të palejueshme në institucionet vendimmarrëse të shtetit. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, Kryeministri Hashim Thaçi,Kryeparlamntari, Jakup Krasniqi etj, së bashku me krerët e policisë së Kosovës dhe me pjesëtarë ende të pakonsoliduar të shërbimit të fshehtë të Kosovës, do të ishte dashur që këtë çeshtje ta trajtonin me seriozitetin që e meriton. Parlamenti i Kosovë, madje, do të ishte e udhës që një seancë t'ia kushtojë kësaj dukurie kobndjellëse për Kosovën.

Ne presim të na ndihmoni në ruajtjen e pasurisë dhe jetës sonë dhe kjo mund të bëhet para së gjithash përmes zbulimit dhe vënies para organeve të drejtësisë së këtyre kriminelëve, përndryshe, nëse nuk gjejmë mbështetje nga organet legjitime të vendit tonë, ne do të jemi të detyruar të  kërkojmë mbrojtje nga KFORi, vendet evropiane dhe SHBAtë, në mbrojtje të jetës sonë, pasurisë sonë, besimit tonë fetar që s'paraqet rrezik për askend, për mbrojtjen para së gjithash të shqiptarësisë së vendit tonë.

Shqiptarësia e vendit tonë është e paprekshme dhe atë s'do të lejojmë ta cenojë askush; kushdo qoftë ai, me maska a pa maska qoftë ai...  

Kjo është një hakmarrje e njerëzve të errësirës që duan të na mbajnë me dhunë në fenë që nuk i përkasim dhe që duan t'i trembin qindra e mijëra shqiptarë tjerë  që janë në rrugën e pagëzimit. Për ç'farë hakmarrje dhe verbërie joshqiptare është fjala tregon edhe tentim kallja e shtëpisë së vëllait të gazetarit të njohur Gjergj-Bajram Kabashit, policit Tahir Kabashit, i cili në asnjë mënyrë dhe në asnjë çast nuk e ka vënë në dyshim e peshojë dëshirën e vëllait e familjes së tij, por përkundrazi e ka miratuar pa as më të voglin dyshim. Vëllai i vërtetë kurrë nuk e mohon vëllain e vet pa marrë parasysh bindjet fetare a politike të tij, botëkuptimin dhe vizionin e tij jetësor...

Me nderime:
Familja Mehaj nga Prigoda e Istogut & Familja Kabashi nga Gurrakoci i Istogut


(Vota: 22 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora