E shtune, 27.07.2024, 02:35 AM (GMT+1)

Editorial

Mërgim Korça: Engjëlli ''Kristo Frashëri'' dhe Satanai i vonuar

E premte, 24.07.2009, 09:59 PM


ENGJËLLI  “KRISTO FRASHËRI”  DHE  SATANÁI  I  VONUAR                                  

Mërgim Korça :  Polemik’ e fundit me “Të përzgjedhurin e Satanáit”.  

Dëgjomë o profesor Kristua, kam lexuar shumë shkrime prej teje po si ky i fundit, ku e ke sqaruar Mërgim Korçën si edhe shokët e tij, nuk kisha par’e as dëgjuar !  Më të lumtë penda,  ose më saktë ... ajo mëndje e ndritur q’e drejtoi pendën tënde.   Po, po, ai truri yt i veçant’e i betontë pa ashtu, si i thoni ju, cir-con-volu-cio-ne mbase, por beton i sheshtë safí !   
Tek e lexoja shkrimin tënd të përfytyroja ashtu siç je, babaxhan, me atë fytyrë prej ëngjëlli edhe atë buzëqeshjen tënde të sinqertë thuajse prej të mituri, tek e gozhdoje Mërgim Korçën që pas gjashtëdhjetë vitesh akoma nuk e ka gjetur një dëshmitar rreth mallkimit që të paska bërë jot’ëmë !   E di, e di se çdo të më thuash ... se u lëkunde shumë derisa e vure këtë pohim se mbase i vete mëndja njeriu e thotë ... “po ç’ne që 60 vite të shkuara z.Mërgim Korça të jetë interesuar të gjejë bashkëdëshmitarë të asaj ndodhíje ... ai tani, vitet e fundit, qëkur t’a shikon fytyrën tënde të sinqertë e bindëse në intervista televizive që shikohen edhe në Sh.B.A., ka filluar edhe interesohet për atë ngjarje !   Besomë mua o profesor, asnjeriu nuk i vete mëndja kësisoji, kushdo ty të beson.  Ti i imponohesh cilitdo !   
Mjaft të shikosh se si ti, me një mjeshtërí të veçantë, duke i thënë botës se z.Mërgim Korça nuk sjell asnjë fakt lidhur me Gjyqin Special, jo që e bind lexuesin, por duke i bërë edhe një paraqitje elegante e mbushur me sofizma lidhur me krahasimin mes procedurave juridike komuniste dhe atyre demokratike jo që e nxjerr M.Korçën të mbarsur me mentalitetin e procedurës komuniste akoma sot, në një kohë që lexuesi ty automatikisht të radhit me pararojën demokrate !  Ja, kjo mjeshtërija jote e pashëmbulltë !   Të lumtë !   Ku ke të drejtë e ke.  Unë në fakt u entuziazmova edhe tek lexoja kur e vije me shpatulla pas muri atë klysh kolaboracionisti e tradhëtari tek i a përplas dyshimin rreth broçkullave që i paska pasë thënë i ati Kadri Hazbiut  :  “Këto i paska thënë Xhevat Korça në mars apo në prill të vitit 1945 Kadriut, kur Enver Hoxha ende nuk ishte bërë diktator (!)... As nuk na njofton  se kush i a ka thënë atij bisedën midis Kadri Hazbiut dhe Xhevat Korçës.”   Mirëpo kur e lexova së dyti, tamam që u tërbova e ti e di se çdo të thotë inat Satanái !   Po si e bëre këtë gafë more profesor i nderuar ?   Takimi me Kadri Hazbinë qé ditët e para të grevës urisë Xhevat Korçës, (e ajo nuk ish si grevat që bëjnë tani në Shqipëri), që përfundoi me vdekjen e tij.   E ajo daton vitin 1959 more i uruar Kristo !   Le që ai i kishte cilësuar edhe ata q’e dëshmuan bisedën.   Ktheju e lexoje shkrimin e M.Korçës !   Nuk të lejohet ty të gabosh kësisoji, pikërisht ti që  di të shfytyrosh faktet thuajse si unë vetë !   Lere, nuk duhej kurrsesi t’a kishe bërë atë gafë.  E kupton ti që edhe vetë proces-verbali i gjyqit ata dëshmitarët, (që ti i quan të vdekur, i sjell të gjallë), sot !   Pa le ai dokumenti i gjeneral Dalmazzo-s që M.Korça t’a tregon edhe pozicioin në arkiv.  Këtu ke shkarë ti edhe unë bashkë me ty.  
Që t’a mësosh se unë nuk rrëmbehem, po të tregoj nga ana tjetër se sa jam entuziazmuar tek e thua troç kur i drejtohesh M.Korçës “... ç’qëndrim mbajti Xhevat Korça kur u parashtrua për ekzekutim dënimi me vdekje i Hamit Shijakut, Hamdi Mëzezit, Nikolla Tupes, etj., etj. ... Nëse nuk ishte dakord me dënimin e tyre me varje, përse nuk kundërshtoi, madje përse nuk dha dorëheqjen ? ... Q.Stafa, J. Misja, P.Rexhepi dhanë jetën në luftë me milicët fashistë të  Mustafa Krujës dhe të Xhevat Korçës, të Hasan Dostit dhe të Mark Gjonmarkajt”. Ta them sinqerisht, je madhështor !   Im bir të kishe qenë nuk do të manovroje më djallëzisht !   Doemos mua nuk ma hedh dot, por unë të vlerësoj në djallëzinë tënde të cilën e kuptoj dhe e njoh si xhepat e mij !   Shiko pse të vlerësoj o mëndje e ndritur djallëzore.  Mustafa Kruja, Xhevat Korça si edhe Mark Gjonmarkaj nuk e dhanë dorëheqjen, (ndonëse, të thuash të vërtetën, vendimet gjyqësore nuk kalojnë në qeveri, po kjo as i vete njeriu në mëndje kur ka të bëjë me pohim tëndin që imponohesh me autoritetin tënd shkencor).  E me që u konformuan me atë vendim, ti automatikisht u vendos vulën si kolaboracionistë tradhëtarë !   Bukur fort.   Ngelet problemi i Hasan Dostit edhe Jup Kazazit.   Jupin ti e kalon pa e zënë në gojë.  Tamam mjeshtrí nga ana e jote.  Mirëpo Hasan Dosti me gjithë Jup Kazazin, që të dy ministra në qeverinë Kruja, e dhanë dorëheqjen.  E këtu rritet në kulm së rishmi mjeshtërija e jote se këtë fakt kush e di ?   E di ti me shokët historianë, po ju jo që e kini lënë në harresë e nuk e kini zënë në gojë në asnjerin prej teksteve historike të hartuara nga ju, por Hasan Dostit edhe Jup Kazazit që atëhere i a kini vënë vulën e tradhëtisë e doemos edhe sot e kësaj dite ti një vulë edhe Hasanin dëng në thes me M.Krujën, Xh.Korçën edhe Mark Gjonmarkajn !   Po për Jup Kazazin i vete njeriu mëndja të pyesë se ç’u bë ?  Asnjeriu, ndonëse ti e di se partija ku militoje edhe ti, plumbin ballit i a dha Jupit ndonëse e dha dorëheqjen me Hasan Dosin në shënjë proteste !  Je i madh Kristo.  Shkurt fjala, je historian djallëzor i madh !  
Sa i takon gjyqeve ku ka dëshmuar jot’ëmë, prap ke shkarë.   Zbardhi.   M.Korçës i thua se nuk ka sjellë fakte, (kur ai ka sjellë), për gjyqin Special, kurse ti vetëm një pohim të përgjithshëm ... e hidhesh matanë.   
T’a mbyllim edhe këtë vlerësim timin të sotëm, o profesor duke të treguar një sekret timin, sekret të thellë.  E di se cila qe pika q’e mbushi kupën që të të vija gishtin ty si të përzgjedhurin tim ?   Ja ai, ai Mërgim Korça.  Po, po, se qe ai rrugaç*, siç e quan ti me plot edukatë familjare, intelektuale si edhe formacion etike shoqërore që, pavarësisht se ti i a veshe dyshimin lexuesve se ai nuk ka sjellë jo fakte, por asnjë fakt ndaj atyre që thotë për të të kundërshtuar ty, por un’e lexova me vëmëndje se ç’ka pohuar e ndritura mëndja jote në faqen 240 të librit Historia e Shqipërisë (botim i vitit 1984) : “Lëvizja kundra fesë ishte një lëvizje që për nga karakteri, përpjesëtimet dhe rezultatet konkrete nuk e ka njohur historia botërore ... Fetë në vëndin tonë e kanë pasë lidhur fatin e tyre me atë të pushtuesve të huaj ... Feja dhe shërbëtorët e saj dolën para gjyqit të historisë e të popullit ”.    Ja, ai rrugaçi e bir tradhëtari qé që e solli punën t’a përqëndroja mëndjen tek ti si të përzgjedhurin (beniamin) timin !   Pa le kur lexova atë tjetrën se ç’ke shkruar ti, e zezë mbi të bardhë, në faqen 174 :  “Me formimin e P.K.Sh. populli ynë kishte, për herë të parë në historinë e tij, një udhëheqje besnike e të sigurtë të luftonte deri në fund për mbrojtjen e interesave të tij”.  Ose në faqe 197 :  “P.K.Sh. i siguroi popullit aleatë të shumtë e të fuqishëm.  Ajo e edukoi popullin shqiptar me frymën e internacionalizmit proletar, të miqësisë e të vëllazërimit me të gjithë popujt e në radhë të parë me popullin sovjetik”. ... “Gjatë vitit 1946 u zbuluan komplotet e grupeve të fshehta politike të organizuara nga misionet angleze dhe amerikane.  Qëllimi i tyre ishte përmbysja e pushtetit popullor me ndihmën e ndërhyrjes ushtarake anglo – amerikane ... Siç vërtetoi gjyqi i deputetëve fijet e komplotit të tyre çonin gjithashtu te misionet anglo- amerikane”.
Tashti doemos të lind e drejta ty, o profesor shum’i nderuar, të më pyesësh se si me kaq pak informacion e informacion të marrë nga një rrugaç, që ti gjithë etiket’e mirësjellje e ke cilësuar M.Korçën, unë nxjerr përfundime të themelta sa për të marr’edhe një vendim me kaq rëndësi për mua si edhe sektorin që drejtoj.   Po, miku im i dashur, por duhet të dish se unë e kam edhe një vetí që pak kush e ka, atë të nxjerrjes përfundimeve me bashkëshoqërim informacionesh, (ndonëse edhe ti, mos kujto se je më pak djallëzor se unë kur kapesh pas maje degësh e veç kur bën përgjithësime të gënjeshtërta e bombastike).  Shiko si e kam nxjerrë unë përfundimin se ti, me karakterin tënd, je tipi aktualisht më i përshtatshëm t’a kesh nderin të jesh i përzgjedhuri im.   Gjatë gjithë periudhës diktaturës, me një 250 lekësh, e shpëtove veten nga terrori komunist i Enver Hoxhës.  Mos ma moho, së paku mua, se e kam intervistën kur e ke pohuar se me të, (250 lekëshin), bleve një “tutius” me të cilin e kyçe gojën.   Dakord.  Mund t’a dijnë edhe të tjerë këtë gjë po ... nuk u bën përshtypje se edhe ata e patën kyçur gojën.   Po çfar tjetër shoh unë tek qëndrimi yt, i cili t’a jep të drejtën me plot gojën që të shkëlqesh e të shquhesh në syt’e mij prej Satanái e që të tjerët nuk e shquajnë dot ?   Ti nga njera anë i a vure kyçin gojës, por nga ana tjetër shkrove e shkrove, (ato që ai rrugaçi e bir tradhëtari Mërgim Korça i quan fakte kurse ti me plot të drejtë thua se ai nuk paraqit asnjë fakt), e kësisoji unë tek ti vlerësoj tri cilësi tuajat themelore :  
1- E mbylle gojën me kyç “tutius” e nuk fole.  Kjo të dallon nga ata të cilët  flisnin e shanin e pastaj akuzoheshin për agjitacion e propagandë, apo jo ?   Cili ësht’i fituari ?
2- Ti vërtet jo me një karakter të fortë si p.sh. profesori i shquar Eqrem Çabej me shokë të cilin e denonconte publikisht në sesionin e parë të Institutit të Shkencave në 26 – 29 janar 1952 Dhimitër Shuteriqi “për mënyrë apatriotike” në studimet e tij edhe e thellonte Stefanaq Pollua “... ne duhet t’i luftojmë ata që pa asnjë thërrime patriotizmi përulen verbërisht përpara t’ashtuquajturve autoritete të gjuhësisë borgjeze të Perëndimit edhe pas daljes në dritë të veprave të Stalinit”.   E mbas gjithë kësaj furtune e tufani, prof.E.Çabej, në sesionin e shtatorit të Institutit të Shkencave del edhe ngul këmbë :  “Si do të vemë ne për bazë njerin nga të dy dialektet, kur nuk janë studiuar mirë as njëri as tjetri?”.  Ti ç’bëre në fushën tënde ?  Tutiusin gojës, pse i çmëndur ishe ti ?  Po rezultati praktik ?  Pavarësisht lidhjeve familjare, ama u bëre edhe i përzgjedhur i udhëheqjes të Institutit Historisë !
3- Kurse sot, me ato metoda të mësuara atëhere, teksa ai rrugaçi Mërgim Korça sjell fakte se si dëshmitarët në gjyqin e Xhevat Korçës hidhnin poshtë akuzat e kapterrit akuzues edhe teneqexhiut marrës vendimesh e vetë Xhevat Korça thosh se t’i gjenin një frazë të shkruar pro fashizmit ai pranonte dënimin maksimal e pra me vdekje, ti nga njera anë këto fakte që janë në protokollin e gjykatës në arkiva i hedh poshtë me një bombë tymse se nuk ka më dëshmitarë të gjallë e pra Mërgim Korça nuk ka fakte, edhe nga ana tjetër, e kjo ësht’edhe më e rëndësishmja, i a jep vetes të drejtën edhe sot t’a ndikosh historinë që ata të mos i reabilitojë e gjithashtu edhe klerik’e priftërinj të pushkatuar si edhe deputët e 1947-ës pas tyre !  
Më të lumtë o profesor Kristua që kolaboracionistët me pushtuesit vazhdon dhe i dënon.  Ata tradhëtarët e Partisë, duke filluar që nga Riza Dani, Shefqet Beja e Islam Radovicka që i luftuan kolaboracionistët e u bënë me partinë, prap ke fuqi edhe i dënon (siç e ke shkruar në librin e historisë që ai rrugaçi i quan gjoja fakte).   Vazhdon pastaj edhe me më të vonëshmit “kolaboracionistë” Koçi Xoxin, Bedri Spahiun e kë të zë në gojë më parë.  E në fund ?   Edhe sot gjykatës !   Ja, prandaj unë Satanái, sinqerisht befasohem nga këto vlera e virtyte që ke e vazhdon t’i zhvillosh duke patur në qëndrën e qëndrës vëmëndjes metodat e mia djallëzore !  
E po t’a them copë, profesor i dashur.   Që në këtë çast Karonti e ka urdhërin që me të të parë, të të kalojë n’anën tjetër të Akerontit me rrugën e hapur drejtë qëndrës së Selisë Zjarrit tim !   Edhe Cerberusi trikokësh, kur të të shohë, do të të ledhatohet e të t’i lëpijë këmbët, (nën shëmbullin tënd ndaj ish eprorëve tuaj).   
Vetëm një gjë kije parasysh :  sakën se në vijim, siç i a the në mllef e sipër atij rrugaçit, do të merresh me Mustafa Krujën si personazh me veprimtarí tepër komplekse dhe tepër të ndërlikuar !   (Ndonëse unë e kuptoj se edhe ai pohim i yti është përgjatë hullísë djallëzisë q’e ke mësuar nga unë).   Shiko profesor Kristua, nuk e ka keq ndonjëherë ai Mërgim Korça që sjell veç fakteve edhe kujtime në shkrimet e tij.   Kujtimet e pasurojnë historinë.  Ky është nga rregullat themelore të historisë.  Un’e mbaj mënd mirëfilli se si Koçua, (jo Tashkua e as Theodhosi që i pushkatuat), po ai q’e kalbët në burg ti edhe shokët tuaj se qe nga nismëtarët e prurjes komunizmit në Shqipëri, ai Kosta Boshnjaku, kur ti e kishe edhe drejtor të përgjithshëm të Bankës Kombëtare, me shaka t’a kujtonte siç të ledhatonte Miladini, dritë pastë, kur e ndanit shtëpizën me të edhe i vlerësonte virtytet tuaja të karakterit e të thërriste djalli im !      
Të shkuara e të harruara këto more profesor po ti shiko e tymi të të ecë drejtë derisa të strehohesh, mendoj se jo edhe me vonesë, në Mbretërinë Time të Zjarrit !


* Ti, profesor i nderuar, shkrimin tënd replikues e fillon me  “Ndonëse me vonesë, zoti Mërgim Korça ndërhyn në pamfletin që unë i drejtohesha zonjës Ledi Shamku ... dhe në vazhdim, mirë se e quan rrugaç, po së paku cilësorin mjeran mos t’ia vije.  Nuk t’a merr mëndja në botë përse e kam fjalën.  Un’e hetova çështjen sepse ti çdo fjal’e peshon me kandar farmacie.  Por ai fshikullim që i bëre ti pse u përgjigj z.M.Korça me vonesë, (bota mbase nuk e vlerësojnë, po un’e kuptova “kamxhikun” tënd), bije në kundërshtim me cilësorin “mjeran”, që i ngjite ti.  T’a kishe lënë me “rrugaç”.   E di pse ?  Kur ti e publikove “pamfletin” tënd, z.M.Korça sapo kishte filluar një udhëtim me anije 100.000 tonëshe nëpër detin Balltik dhe e kish nisur nga Copenhageni, edhe e kishte vazhduar në Keel, Tallin, Shën Peterburg, (ku kishte admiruar edhe shtatoren gjigande të idhullit tënd edhe timin, shokut LENIN), Helsinki, Stockholm etj. e kësisoji nuk kish se si t’a lexonte shkrimin tënd para se të kthehej në Sh.B.A.  Kjo sa i takon hershmërisë replikës.  Sa i takon tashti cilësorit “mjeran” nuk do të doja, unë si Sataná, që ti t’a kishe përdorur.  E di pse ?  Mjeran ke qen’edhe ti gjatë gjithë periudhës diktaturës se i vure “tutius” gojës e jetoje si miu prapa poçes, ndonëse nga ana tjetër, shkruaje historinë e politizuar, provë kjo e një karakteri vërtet stoik.  Por edhe sot, po t’i bësh krahasimet, ti rri i strukur e veç merresh duke shkruar, a folur, (vërtet jo më i prirë nga ideollogjit’e partisë), por nga ideollogjia e ime, e Satanáit, në një kohë që z.Mërgim Korça e gëzon jetën duke bërë turné nëpër botë, gjë që ti edhe sistemi im nuk i a lejonim, jo, në të kaluarën.  Prandaj nuk doja t’ia kishe vënë as cilësorin “mjeran” e as t’a kishe ngacmuar atë punën se sa u vonua në replikë.  Ja, kjo e gjitha.


(Vota: 7 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora