E shtune, 27.07.2024, 03:12 AM (GMT+1)

Editorial

Engjëll Koliqi: Presidenti i Republikës së Kosovës i hapi udhë një politike të mirë të shqiptarëve në Maqedoni

E hene, 01.06.2009, 07:57 PM


PRESIDENTI I REPUBLIKËS SË KOSOVËS I HAPI UDHË NJË POLITIKE TË MIRË TË SHQIPTARËVE NË MAQEDONI
 
Shkruan Engjëll KOLIQI

Që prej rrëzimit të komunizmit (1990) na u duk se shqiptarët mësuan të bëjnë politikë dhe të kultivojnë demokracinë parimore shumëpartiake, me të drejta të të gjithëve barabar dhe me respektimin e të gjitha palëve nga të gjithë barabar. U krijuan shumë parti politike, në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Serbi. Përveç në Shqipëri dhe në Kosovë, shqiptarët u bënë deputetë dhe u futën në parlamente, edhe në Maqedoni dhe në Mal të Zi. Ata bile u bënë edhe ministra. Kjo nuk ndodhi në Serbi, ku nuk lejohet kurrëfarë forme e demokracisë për ata që nuk janë serbë.

Në këtë fushë, partitë shqiptare në shtetet sllave, sidomos në Maqedoni dhe në Mal të Zi kanë bërë shumë gabime. Dhe, pikërisht falë atyre gabimeve, nuk ka qenë i mundësuar përfaqësimi i drejtë dhe i merituar i shqiptarëve në parlamentet dhe në qeveritë e atyre vendeve. Në vend se të dalin në koalicione kombëtare dhe të gjithë shqiptarët të votojnë për kandidatë të përbashkët, votat e tyre ndahen në baza partiake (në shumë pjesë) dhe duke luftuar vetëm për interesa e karriera personale e të partive të tyre, shqiptarët kurrë nuk përfaqësohen mirë dhe aq sa duhet. Po të kishin votuar shqiptarët në Maqedoni për një kandidat të përbashkët për president republike, mbase për president të atjeshëm do të zgjidhej një shqiptar dhe nuk do të ndodhnin këto që po ndodhin sot me presidentin nacionalist-shvenist të atij vendi – Ivanov. Por, ata votuan për disa kandidatë partiakë dhe asnjëri prej tyre nuk arriti as të shkojë në balotazh.

Hapi i Presidentit të Republikës së Kosovës – Dr Fatmir Sejdiu për anullimin e vizitës së të enjtes në Maqedoni, pas ndryshimit të karakterit dhe përmbajtjes së saj në çastet e fundit, sipas tekeve dhe “këshillave” të vëllait të madh nga Beogradi, ishte një gjest shumë i mirë dhe i përshtatshëm për politikën mbarëshqiptare, dhe sidomos një ndihmë e madhe dhe shumë konstruktive për politikën e shqiptarëve në Maqedoni. Besoj se politikanët shqiptarë dhe sidomos liderët e partive politike shqiptare në Maqedoni, më në fund do t’i çelin sytë dhe do të marrin vendime e do të veprojnë koform intereseve kombëtare atje e assesi konform intereseve personale – karrieriste. E ppërkrahja publike e këtij vendimi të Presidentit, nga Kryeministri i Republikës së Kosovës – Z. Hashim Thaçi e ka domethënien e vet dhe është një leksion i mirë e një mësim i fortë për liderët dhe për përfaqësuesit e partive shqiptare në atë republikë sllave.

Le të shpresojmë se këto mësime të liderëve të institucione të Republikës së Kosovës kanë tingëlluar mirë në veshët e politikanëve shqiptarë në Maqedoni dhe i kanë zgjuar ata nga gjumi pakuptimtë dhe i panevojshëm.

Me reagimin e fundit kundër argatëve të përvuajtur të Beogradit në Shkup, duke anulluar vizitën e 28 majit atje, Presidenti  i Republikës së Kosovës – Dr Fatmir Sejdiu u ka dhënë politikanëve shqiptarë të atjeshëm një leksion, por edhe një ndihmë të mirë politike. Ai, me këtë gjest trimëror dhe shumë të menqur e të nevojshëm, atyre u ka hapur rrugë për një politikë adekuate, çfarë moti e ka merituar Shkupi zyrtar. Por, kryetari i partisë shqiptare në pushtet atje – i Bashkimit Demokratik për Integrim – Ali Ahmeti tregoi se nuk e ka kuptuar mirë partia e tij dhe ai këtë porosi dhe, si të tillë, ata nuk e kanë ndërmend të dalin nga qeveria. Sa të këndshme këto kolltuqet e pushtetit. Me këtë hap të Presidentit të Republikës së Kosovës, shqiptarët në Maqedoni do të duhej që menjëherë të tërhiqeshin nga qeveria e Shkupit dhe nga parlamenti i atjeshëm. Kështu në Maqedoni do të shkaktohej një tërmet i fuqishëm dhe i merituar politik, që do t’i detyronte sllavo-maqedonasit të ndryshojnë shumë rregulla politike dhe shqiptarët, përfundimisht do të fitonin shumë më shumë pushtet atje, vërtetë ashtu siç e meritojnë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora