E diele, 13.10.2024, 10:48 AM (GMT+1)

Editorial

Dorian Koçi: 70 Vjet (Pa)Siguri Kombëtare

E hene, 27.04.2009, 11:00 PM


70 Vjet (Pa)Siguri Kombëtare

Nga Dorian Koçi

Shtatëdhjetë vjet më parë , në të premten e zezë të 7 Prillit 1939, Shqipëria u sulmua në mënyrën më të pabesë nga Italia Fashiste, një vend i cili sipas marrëveshjes së pranimit të Shqipërisë ne Lidhjen e Kombeve më 1921 (pararendëses së OKB së sotme) ishte vendi garant për pavarësinë e Shqipërisë. Si rezultat Shqipëria humbi pavarësinë e saj dhe nëpërmjet një akti djallëzor të quajtur “Bashkim Personal” vetëm 5 ditë më vonë u bë një apendiks i Mbretërisë Italiane. Bashkimi kurorave të Shqipërisë dhe Italisë asnjeherë nuk u mor parasysh seriozisht, dhe në literaturën e së drejtës ndërkombëtare zë shembullin e një bashkimi fals.
Shqipëria ishte një nga viktimat e para të të ashtëquajturit të rendit ri fashist dhe konfigurimit të hartës gjeopolitike që fuqitë e boshtit dëshironin ti jepnin botës. Pushtimi i saj nuk solli kundërshtime të ashpra diplomatike. Kryeminstri anglez Charmberlen u shpreh në dhomën e komuneve se “Anglia nuk kishte interesa në Shqipëri” dhe shkoi ta kalonte fundjavën për peshkim. Po kështu dhe fuqitë e tjera të mëdha e njohën pushtimin fashist, me përjashtim të Sh.B.A, Turqisë dhe Egjiptit, shtete të cilat vazhduan të mbajnë hapur ambasadat e vjetra të shtetit shqiptar dhe nuk njohën shtetin e ri kuisling shqiptar të përfaqësuar nga Mëkëmbësi i mbretit të Italisë Jakomoni dhe kryeministri shqiptar Shevqet Vërlaci.Mund të imagjinohet sa i madh ishte zhgënjimi i nacionalistëve shqiptarë të cilët disa muaj më vonë panë se agresioni ndaj një vendi tjetër siç ishte Polonia , do të sillte reagim të fortë diplomatik dhe akoma më tepër të futeshin në luftë kundër Boshtit ato fuqi që e kishin braktisur Shqipërinë në fatin e vet.Principet e Konferencës së Paqes dhe së Lidhjes së Kombeve, u shkelën me të dyja këmbët në rastin e Shqipërisë dhe u respektuan tërësisht në rastin e Polonisë.Barazia midis shteteve që ishte një nga parimet bazë të themelimit të  Lidhjes së Kombeve, rezultoi të ishte më tepër një qendrim retorik, dhe se nuk përfaqësonte aspak një vullnet të fortë politik.
Dhjetë vjet më vonë në 4 prill 1949, në Uashington fuqitë e mëdha dhe vendet demokratike të dala nga lufta e dytë botërore do të themelonin traktatin e Atlentikut të Veriut ose NATO-n, një organizatë ushtarake demokratike e cila merrte përsipër mbrojten e çdo shteti pjesëmarrës të aleancës. Karta themeluese e OKB e miratuar 4 vjet më parë tashmë kishte një instrument mbrojtës për ato shtete që aderonin në NATO ndaj agresioneve të paprincipta siç kish qenë ai ndaj Shqipërisë më 1939.
Për ironi të fatit, Shqipëria një nga viktimat e para të agresionit fashist nuk ishte në mbledhjen themeluese pasi, ai agresion jo vetëm që i kish shkaktuar mosekzistencën si shtet i pavarur por i kish ndryshuar dhe rrjedhën e historisë. Vetëm dy vjet më vonë se pushtimi do të themelohej PKSH, dhe komunistët shqiptarë nga një realitet pothuajse i papërfillshëm para pushtimit në politikën shqiptare do të shndrroheshin në një faktorët vendimtarë në  Shqipërinë e pas lufte.
Me papërgjegjësinë historike që i  karekterizoi gjatë gjithë sundimit të pamoralshëm të tyre, komunistët do të vendosnin gjithmonë në plan të parë fatet e atdheut të madh proletar dhe të ashtëquajturit “revolucion botëror” dhe pastaj ato të atdheut të mirrëfilltë të shqiptarve.Kështu shumë shpejt ata do ta shihnin veten pjesë e një konflikti sic ishte lufta civile greke 1946-1949, ku Shqipëria jo vetëm që nuk do të kishte asnjë përfitim, por në kuadrin e rikonfigurimit të hartës së Ballkanit nëse komunistët grekë do të fitonin, mund ti cedoheshin dhe territore.
Aderimi i mëvonshëm i Shqipërisë në Traktatin e Varshavës, do të ishte aventura e rradhës ku sërish fatet e vendit do ishin të rrezikuara në krizën shqiptare-sovjetike të vitit 1960. Rreziku i ndërhyrjes ushtarake nga forcat e Traktatit, për të shpëtuar “revolucionin botëror” do të qëndronte për një kohë të gjatë si shpata e Demokleut mbi fatin e Shqipërisë dhe pavarësisë kombëtare të saj. Retorika boshe e diktatorit komunist se Shqipëria mund të përballonte një “sulm në të njëjtën kohë nga të dyja aleancat” ishte përrallë për konsum të brendshëm politik. Shqipëria ashtu si dhe në 1939 nuk i kishte as forcat as mundësitë për të përballuar një agresion dhe përveç sakrifikimit të gjithë “popullit ushtar” nuk do të sillte asnjë gjë të re në për fatin e saj.
Do të duheshin vitet 90’ për të ndryshuar dhe konceptin në strategjinë kombëtare të Shqipërisë. Partneriteti për Paqe me NATO-n hapi një horizont të ri. Parimi bazë i Aleancës, ai i sigurimit kolektiv ku çdo shtet kontribuon në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit të shteteve të tjera aleate, i përshtatet më mirë vendeve të vogla si Shqipëria. Lufta e Kosovës dhe ndërhyrja e NATO-s në  ish-Jugosllavi tregoi shumë qartë se Serbia edhe pse ishte në gjendje lufte me Shqipërinë nuk guxoi fillimin e një fushate ushtarake ashtu siç pat bërë në fillimet e shekullit.
Gjashtë dhjetë më vonë themelimit të NATO-s, flamuri i Shqipërisë do të ngrihej krenar përkrah flamujve të tjerë të aleancës në Samitin përkujtimor të saj. Shqipëria tashmë është vend anëtar i NATO-s, por si mund të përkthehet ky fakt historik në strategjinë kombëtare të shqiptarëve? Ballkani është një vend që ka prodhuar vazhdimisht konflikte dhe shqiptarët duhet të jetë e gatshëm për të përballuar çdo rivendikim ndaj tyre në të ardhmen. Konflikti greko-turk në Qipro tregon se edhe mes vendeve të aleancës mund të ketë konflikte të ngrira. Nesër pas nesër në aleancë mund të trokasë dhe të pranohet dhe Serbia dhe ruajtja e statukosë në Mitrovicë mund të ushqejë një konflikt të padëshiruar. Elita politike shqiptare në Ballkan duhet të ndërtojë sa më shpejtë platformën e strategjisë kombëtare të bazuar në principet e aleancës dhe ashtu si Greqia kontribuoi në futjen e Qipros në Bashkimin Evropian duke e bërë problemin qipriot pjesë të sigurisë evropiane, ashtu dhe Shqipëria duhet të kontribuojë në integrimin e Kosovës dhe komuniteteve të tjera shqiptare në rajon në NATO dhe B.E. Shekulli i ri ka nisur mbarë për shqiptarët dhe ne duhet të dimë të shfrytëzojmë shanset historike.

*Pedagog/ UFO University



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora