Editorial
Shqipëria anëtare e NATO-s
E merkure, 01.04.2009, 10:32 PM
Shqipëria dhe Kroacia u bënë sot vendet e 27 dhe 28 të aleancës së NATO-s. Dokumentet përfundimtare të anëtarësimit u dorëzuan paradite në Departamentin e Shtetit nga ambasadorët e të dy vendeve në Uashington. Dy vendet do të marrin pjesë për here të parë si anëtare në takimin e nivelit të lartë me rastin e 60 vjetorit të aleancës që do të mbahet këtë javë në Francë dhe Gjermani.
Në orën 9:48 të mëngjesit të ditës së sotme, Shqipëria dhe Kroacia u bënë anëtaret e reja të organizatës më të fuqishme ushtarake në botë. Me ceremoninë e sotme në Departamentin e Shtetit merr fund një proces që për Shqipërinë filloi në vitin 1992 kur ajo aplikoi për anëtarësim. Ambasadori i Shqipërisë Aleksandër Sallabanda dhe ambasadorja e Kroacisë Kolinda Grabar-Kitarovic i dorëzuan instrumentat e anëtarësimit Nënsekretarit amerikan të Shtetit Xhejms Stainberg duke plotësuar kështu procesin e anëtarësimit.
Zoti Stainberg i përshëndeti të dyja vendet për këtë arritje duke thënë se ishte një ngjarje jo vetëm për qeveritë por edhe për popujt e tyre.
“Ky është një moment i rëndësishëm, sepse shënon vlerësimin e arritjeve të mëdha, jo vetëm për qeveritë e Kroacisë dhe Shqipërisë, por popujt e këtyre dy vendeve dhe vendosmërinë për të bërë punën e duhur për anëtarësim. NATO-ja i shikon me shumë seriozitet plotësimin e kushteve të anëtarësimit sepse ato janë shumë të rendësishme për funksionimin e Aleancës”.
Ai shtoi se aleanca kërkon standarde të larta nga vendet anëtare dhe pranimi i sotëm në NATO është një shenjë respekti që tegohet për përpjekjet e vendeve të reja anëtare.
Duke vazhduar më tej zëvendëssekretari i shtetit tha se aleanca është e kënaqur me punën e madhe që kanë bërë këto dy vende për nxitjen e sigurisë rajonale por edhe për kontributin në misionin tejet të rendësishëm të NATO-s në Afganistan.
“Misioni i NATO-s ka mbetur që nga themelimi... mbrojtja e përbashkët e të gjitha vendeve anëtare, por sot ajo luan një rol më të gjerë për të mbështetur stabilitetin përtej kufijve të saj. Një nga përfitimet e rendësishme të zgjerimit të NATO-s gjatë viteve ka qënë përmbysja e historisë së Luftës së Ftohtë dhe sjellja e stabilitetit për tërë Evropën dhe ne jemi tejet të kënaqur nga ky ndikim”
Zoti Stainberg theksoi se fakti që këto vende po anëtarësohen në 60 vjetorin e NATO-s tregon se sa kumbuese dhe e gjallë vazhdon të jetë NATO-ja dhe reflekton vendosmërinë e NATOS për t’i mbajtur “Dyert të Hapura”. Ky tha zoti Stainberg, është një sinjal jo vetëm për këto dy vende dhe popujt e tyre, por edhe për vendet e tjera që kanë të njëjtat aspirata.
Aleanca e NATO-s, shtoi zyrtari amerikan, është e vendosur për integrimin e mëtejshëm të të gjithë Evropës, ndërkohë që vendet demonstrojnë aftësitë e tyre për të plotësuar kushte për anëtarësim. Maqedonia, tha ai, duhet të anëtarësohet në NATO sapo të zgjidhet çështja e emrit.
Anëtarësimi i Shqipërisë dhe Kroacisë, tha zyrtari i lartë amerikan, është shumë i rendësishme për stabilitetin afatgjatë të Ballkanit, ku Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të angazhuara. Ambasadori i Shqipërisë, Sallbanda shprehu mirënjohjen ndaj aleancës për mbështetjen që i ka dhënë vendit të tij në procesin e anëtarësimit.
“Kjo është një arritje vërtet historike që shënon fundin e luftës sonë shekullore për liri dhe siguri. Më lejoni të shpreh gjithashtu një mirënjohje të veçantë për qeverinë e Shteteve të Bashkuara. Politika e dyerve të hapura e NATO-s dhe anëtarësimi i Shqipërisë në NATO nuk do të kishte qenë e susksesshme pa angazhimin e patundur të Shteteve të Bashkuara për të zgjeruar zonën e lirisë dhe sigurisë pas fundit të Luftës së Ftohtë, duke konosliduar vizionin e një Evrope të bashkuar dhe të lirë”.
Zoti Sallabanda shprehu gadishmërinë e Shqipërisë për përballimin e sfidave dhe përgjegjësive si vend anëtar i NATO-s.
Anëtarësimi është një ngjarje historike për Shqipërinë, që shënon fundin e një rruge të gjatë nga një vend me një histori të dhimbshme për mbijetesë, për të flakur izolimin afro 50 vjeçar të regjimit komunist dhe për të konsoliduar një shtet demokratik këto dy dekadat e fundit.
Shqipëria nga një vend që kishte nevojë për siguri në një vend që prodhon siguri. Mbështetja e shqiptarëve për anëtarësim ështe e fuqishme me 96 për qind. Ajo u rrit jashtë mase pas ndërhyrjes së aleancës për të ndalur fushatën e Millosheviçëit në Kosovë në vitin 1999.
Më 3 dhe 4 prill të dyja vendet do të marrin pjesë si anëtare të aleancës në takimin e nivelit të lartë në Francë dhe Gjermani. Shqipëria dhe Kroacia u bënë anëtare pasi plotësuan standardet e duhura.
Dhe kur flamujt e tyre të rreshtohen përkrah atyre të anëtarëve të tjerë, një hap tjetër do të jetë hedhur drejt sigurisë dhe integrimit të Ballkanit Perëndimor. Një hap që me të drejtë i bën krenarë popujt e dy vendeve ballkanike. //rd//