Editorial
Arben Llalla: Tetova në prag të zgjedhjeve për Kryetar Komune
E hene, 16.03.2009, 11:23 PM
Tetova në prag të zgjedhjeve për Kryetar Komune
Arben Llalla
“Faji për gjendjen e rëndë në qytetin e Tetovës bie vetëm mbi një grusht njerëzish me një gjysmë diplome në xhep, që u qëndrojnë të tjerëve me kobure prapa veshit dhe që koburja do t’ua hajë kokën njëri pas tjetrit një ditë.”
Nga Arben LLALLA
Prej disa vitesh jetoj dhe punoj në qytetin e Tetovës, në qytetin universitar, në qytetin e kulturës shqiptare të Maqedonisë, në qytetin ku ndodhen qendrat e partive politike shqiptare. Pra Tetova me plot gojë mund të quhet kryeqendra e shqiptarëve të Maqedonisë. E dua Tetovën reale, me të këqijat dhe të mirat, e dua si një vend të vërtetë dhe jo të pavërtetë. Por Tetova dhe tetovarët si janë në prag të zgjedhjeve për Kryetar Komune?
Njëra nga rrugët kryesore hyrëse për në qendrën e qytetit të Tetovës quhet Ilinden. Është një rrugë e rindërtuar rreth dy viteve më parë. Në sy të parë të duket se kjo rrugë është e përfunduar me standardet e kohës, por në të vërtetë kësaj rruge i mungojnë shenjat treguese siç janë vijat ndarëse në mes të rrugës, vijat e lejimit për ndalimin e automjeteve, etj. Shumë shpejtë në këtë rrugë kanë filluar të duken shenjat e para të një pune me cilësi të dobët dhe askush nga mbas përgjegjësi. Disa herë u panë që bagerët të gërmonin në rrugën e re duke e arnuar më tej asfaltin. Rruga veç ka filluar të lakohet dhe të shtrembërohet duke bërë qarkullimin e vështirë të automjeteve.
Duke hyrë nga rruga e Gostivarit e deri tek Xhamia e Pashës shikojmë pallate të reja, të ndërtuara vitet e fundit, pallate që janë të ngjitura njëra me tjetrën. Këto pallate duken sikur shtyjnë njëra-tjetrën dhe shpeshherë i ngjajnë murit kinez ose një autobuzi firzamonik. Ndërmjet këtyre pallateve të reja ka disa tunele që kalojnë njerëzit për të hyrë në ndërtesat e pasme që u janë zënë edhe vështrimi diellor. Në rast zjarresh a do munden automjetet e mëdha të zjarrfikësve të hyjnë në tunelet e ngushta të pallateve firzamonik për tu ardhur në ndihmë qytetarëve? Këto ndërtesa të larta që janë ndërtuar pas viteve 2000, nuk janë të kohës, nuk i përshtaten kërkesave të viteve që jetojnë. Ato pallate më shumë na ngjajnë si tablo ngjyrash që i ka pikturuar ndonjë piktor amator, sepse janë të pa suvatuara, të palyera, të papërfunduara. Me lartësi jo të harmonizuara mirë njëra me tjetrën që e shëmtojnë arkitekturën e qytetit. Ndërtuesit e këtyre pallateve nuk kanë paraparë parking për automjetet e qytetarëve që do ti blejnë këto banesa, pa folur edhe për lulishtet që mungojnë rreth tyre. Diku afër varrezave u prishën garazhet prej llamarine. Të gjithë banorët e banesave aty pranë u gëzuan sepse më në fund do të ndërtohej ndonjë park lojërash, ndonjë lulishte pushimi, po befasia ndodhi dhe në vend të tyre u ndërtuan dy pallate të mëdhenj duke ua zënë rrezen hapësinore pallateve të tjera.
Për kaq vite që jetoj nuk pash asnjë lulishte të re të ndërtohet në Tetovë, ndonjë park lojrash siç ka në të gjitha qytetet evropiane. Duke kërkuar lulishten e gjelbërimit këmbët më shpinen tek Lumi Shkumbin. Duke shijuar rrjedhjen e lumit rrëmujshëm dhe me zhurmë mbi shtratin e tij më duket sikur ai kërkon diçka të na thotë. Shtrati i tij është i mbushura plot e përplot me mbeturina të hedhura nga njerzit e pandërgjegjshëm. Edhe pse u bë një ndërhyrje e vogël për rehabilitimin e tij për ta kthyer në një shëtitore ende nuk kanë mbaruar punimet, ende nuk është përfunduar, por është lënë në harresë. Për kaq vite asnjë Kryetar që e udhëhoqi Komunën e Tetovës nuk ndërtoji një park për fëmijët e qytetarëve. Nuk u ndërtuar asnjë shëtitore ku qytetarët do të kalonin orët e lira. Tetova u kthye në një kantier ndërtimi ku patjetër është themeluar edhe MAFIA ndërtimore, por askush nuk flet, askush nuk e ngre zërin e drejtësisë
Ecim mbi urën e lumit, por mbi urë ndeshim taksi të ndaluara. Me ligjet rrugore mbi ura është e ndaluar të parkohen automjete. Por automjetet nuk kanë ndaluar vetëm mbi urë, shumë mjete transporti fugona rinë me orë të tëra mbi tortuarin e rrugës që të çon në drejtim të spitalit të qytetit. Këta fugona presin nxënësit e shkollave për t’i dërguar pas mbarimit të mësimit në fshatrat e rrethinës së Tetovës. Por ndalesat e tyre me orë të gjata pengojnë ecjen e qytetarëve në tortuare.
Tetova ka shumë shkolla të ciklit të ulët dhe të mesme në të cilat mësojnë mijëra nxënës, janë të tej mbushura plot. Këto shkolla janë kthyer në ,,geto,, që vetëm mësim i rregullt nuk zhvillohet. Kaq vite, me kaq shumë fonte nuk është ndërtuar asnjë shkollë e re, asnjë shkollë nuk u ndërtuar në Reçicë të Vogël, nuk u ndërtua asnjë gjimnaz i ri. Gjimnazi i Tetovës që dikur kishte emër të madh në Ish-Jugosllavinë është kthyer në një shkollë nate, ku nxënësit mësojnë deri në orët e vona. Në këtë gjimnaz mësojnë rreth 3 mijë nxënës dhe për nga numri i madh do ta kishte zili çdo Universitet.
Qyteti i dy Universiteteve, qyteti i krenarisë shqiptare, qyteti i ministrit të parë të mbrojtjes së shteti shqiptar po vdes dal ngadalë. Dhe që të gjithë heshtim duke shikuar qytetin që po betonohet, po vdes natyra e bukur tetovare, po privatizohet nga njerëzit e paditur, të pashkolluar. Tetova ka humbur çdo kënaqësi jetese, çdo gjë e bukur ka vdekur, kanë vdekur ndjenjat edhe emocionet e jetës. Rinia tetovare përpiqet me çdo formë për tu larguar nga ky qytet, përpiqet për ta harruar vendlindjen dhe për të humbur diku në Europë, për të mos e kthyer kokën prapa.
Por Tetova nuk e meriton këtë gjendje të keqe dhe të rëndë. Tetova ka kulturë, Tetova ka heronj, por Tetova nuk ka udhëheqës. Tetova po udhëhiqet nga çobanët që në emër të lirisë dhe çlirimit mashtrues përfituan diploma në rrugë të përshpejtuar dhe të pamerituar, përfituan në emër të gjakut të dëshmorëve pasuri, toka, pallate. Por dihet se një ditë ZOTI do tju marrë dritën e syve, ashtu siç ua ka marrë disa bashkëpunëtorëve të tyre. Vetëm mallkimit dhe hakmarrjes së ZOTIT këta shkatërrues të Tetovës nuk do ti shpëtojnë.
Pra, faji për gjendjen e rëndë në qytetin e Tetovës bie vetëm mbi një grusht njerëzish me një gjysmë diplome në xhep, që u qëndrojnë të tjerëve me kobure prapa veshit dhe që koburja do t’ua hajë kokën njëri pas tjetrit një ditë.