E shtune, 13.07.2024, 10:50 AM (GMT+1)

Editorial

Imami Shefqet Krasniqi: Nënë Tereza e ka vendin në ferr!

E hene, 23.02.2009, 10:45 PM


Shefqet Krasniqi
Shefqet Krasniqi
Gjykimi i Imamit

Nënë Tereza e ka vendin në ferr, sepse nuk ka qenë myslimane. Ky është gjykimi që ka dhënë për figurën më të njohur shqiptare, Imami i Xhamisë më të madhe të Prishtinës, Shefqet Krasniqi. Ai nuk ka kursyer as fyerje. Prifti Dom Lush Gjergji thotë se Nënë Tereza është figurë botërore dhe duhet të jemi krenarë për të. Bashkësia Islame, hesht.

Nga Express

Imami i Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqi, në një ligjëratë të tij, të mbajtur kohë më parë, ka bërë një deklarim që mund të konsiderohet skandaloz, për Nënën Terezë.

“Ajo e ka vendin midis xhehenemit”.

Ky është gjykimi i Hoxhës, për “fatin” e figurës më të njohur shqiptare, i cili është shpërndarë në internet.

Me faktin se ajo ka qenë jo myslimane, sipas Hoxhë Shefqet Krasniqit, e bëjnë atë të padenjë për ta fituar parajsën.
Në këtë incizim, dëgjohet qartë zëri i tij.

Këto komente, ai i ka bërë, duke iu përgjigjur pyetjes se - çfarë mendon ai për Nënë Terezën, e cila gjatë jetës së saj ka ndihmuar shumë të varfër, dhe se ku e ka vendin ajo në botën tjetër?
Përgjigja e Imamit që në fillim është e prerë.

“Midis xhehenemi, thellë. Midis xhehenemi e ka vendin, sepse ajo nuk ka besuar Allahun, nuk e ka besuar Pejgamberin, nuk e ka besuar Kuranin... Edhe nëse e ka besuar Allahun, ajo e ka besuar me të meta, jo të plotë. Allahu nuk ka të meta. Të thuash se Allahu ka djalë, ajo është e metë. Allahu nuk e pranon atë adhurim”.

Sipas tij, me punët e mira që Nëna Terezë i ka bërë, Allahu e ka shpërblyer në këtë botë, por këtë nuk do ta bëjë në atë botën tjetër.

“Siç ka thënë Pejgamberi në hadith, Allahu nuk i bënë zullum myslimanit. Kur bënë punë të mirë myslimani, Allahu i jep në këtë dynja dhe e shpërblen në ahiret. I jep në këtë dynja, e ruan prej kaderreve, prej të këqijave, i jep evladë, fëmijë, ia shton pasurinë dhe të tjera të mira në këtë dynja myslimanit...” është shprehur Shefqet Krasniqi.

Hoxha dëgjohet të thotë se edhe atyre, jo myslimanëve, nëse bëjnë mirë në këtë botë, Zoti ua kthen ato të mira, por vetëm në këtë botë, duke mos ua numëruar ato në atë botën tjetër.

“Ndërsa qafirit thotë a.s s. Allahu ia kthen të mirën në këtë dynja, në mënyrë që kur të del para Allahut del duarthatë, dhe s’ka kurgjë. Pra, në këtë dynja ia ruan shëndetin, ia shton pasurinë, i jep evladë, i jep qetësi shpirtërore, i jep autoritet, pozitë, është deri diku i lumtur... Tana këto i ka pasur Tereza. Ka pas derën çelë, ku ka dashtë me shku, pa pare në këtë dynja, me hëngër çfarë ka dashtë, me pi çfarë të dojë, burra kënd të don me i ndërru. Pra, ka pas të mira në këtë dynja plotë ajo, autoritet sa të dush, vetëm se ata e kanë të ndaluar fenë normalisht, pra ia ka dhënë Allahu në këtë dynja të gjitha. Dhe kur të del para Allahut, në ditën e kiametit, nuk ka kurrgjë...”.

I kontaktuar të dielën nga Express, për të dhënë më shumë sqarime lidhur me këto deklarime, Hoxhë Shefqet Krasniqi ka pohuar se një ligjëratë të tillë ka kohë kur e ka mbajtur.
“Janë ligjërata të kamotshme”, ka pohuar ai.

Të dielën ai ka përsëritur se Terezës iu kanë mbyllë dyert e xhenetit. Sepse, ka shpjeguar ai, është parim i Zotit, kush vdes që është mysliman ka shans të shkojë në xhenet, e kush nuk është mysliman, vdes pra jo në Islam, xhenetin s’mund ta shohë kurrë.

“Kjo është punë e kryeme, e preme është ajo. Qysh mendon ti se katolikët apo të tjerët do të shkojnë në xhenet, a e ke lexua Kuranin”, ka thënë ky Imam, të dielën, për Express.
Ai ka mohuar të ketë thënë në atë ligjëratë se Nënë Tereza ka mundur të ndërroja edhe burra.
“Unë nuk kam thanë ashtu për burra. Ku e di unë a ka ndërru burra a s’ka ndërru”, është shprehur ai.

Por, incizimi është fakt.
Ai mund të dëgjohet në youtube.

Studiuesi i veprës së Nënë Terezës, Dom Lush Gjergji nga Kisha Katolike e Kosovës, i ka pohuar të dielën për Express se një qëndrim i tillë i Imamit është përjashtues dhe që nuk ka asgjë të bëjë me parimet njerëzore por as parimet e krishtera.

“Si prift i Kishës Katolike, si intelektual dhe njeri me tri fakultete dhe doktor i shkencave të psikologjisë shoqërore, askush nuk është i dënuar dhe Zoti është Ati i të gjithëve dhe Ai i do të gjithë njerëzit dhe i ka krijuar jo për dënim”, thotë Lush Gjergji për Express.

Sipas tij, qëndrime të tilla nuk i shërbejnë as Bashkësisë Islame, e aq më pak Kishës Katolike, e cila kurrë nuk ka pasur dhe nuk pëlqen qëndrime të tilla, sidomos kur bëhet fjalë për një personalitet si Nënë Tereza, të cilën mbarë bota e njeh dhe e do.

“Sa bota e do, kjo është dëshmuar edhe me varrimin e saj që ishte një plebishit botëror, pa dallime kombëtare, fetare, sikurse ishte lumturimi i saj në 2003, sikurse është jeta dhe vepra e saj në të mirë dhe dobi të Zotit dhe njerëzimit”, ka thënë Dom Gjergji.

Ai deklaron se për Nënë Terezën kurrë s’ka pasur njeri që nuk e ka merituar mirësinë, kujdesin, dashurinë dhe shërbimin.
“Aq më tepër kur ajo tek çdo njëri e ka kërkuar Zotin dhe Zotin e ka gjetur përmes njeriut. Mos të jemi kundër vetvetes dhe të vërtetës, por të dimë t’i çmojmë thesaret”.
Sipas Dom Lush Gjergjit, bota e ka zbuluar atë shumë më herët se ne.

“Unë jam munduar që me 13 vepra ta ndriçoj jetën dhe veprën e saj. E përmes saj ta ndriçoj traditën, kulturën, qytetërimin, krishterimin tonë 2 mijë vjeçar. Tash të mos ndahemi e përçahemi në asgjë, sidomos rreth një personaliteti si Nënë Tereza kur tërë bota e quan Nënë, aq më tepër bota shqiptare”, ka deklaruar kleriku katolik, për Express.
“Vëllanë tim Imam e çmoj dhe e nderoj, i pranoj qëndrimet që mund t’i ketë, por mendoj se ato qëndrime nuk vlejnë sidomos për Nënë Terezën”, ka shtuar Dom Lush Gjergji.

Zyrtarisht të gjitha xhamitë e Kosovës, janë nën juridiksionin e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) si institucioni më i lartë fetar islam në vend.
BIK-u e ka një program vjetor të cilin ia shpërndan imamëve të xhamive se çfarë duhet të flasin ata gjatë lutjeve të së premteve (xhumave).
Nga videoja nuk kuptohet qartë nëse këto deklarime Hoxhë Shefqeti i ka thënë në xhaminë e Madhe në Prishtinë, imam i së cilës është, apo si mysafir në ndonjë medium elektronik.
Por, si i punësuar në kuadër të BIK-ut, ky institucion do të duhej të dinte se çfarë flet para masës një nëpunës i vet.

Megjithëkëtë, edhe kësaj radhe, zyrtarët e BIK-ut hezitojnë të thonë diçka konkrete në lidhje me këtë rast, duke u arsyetuar se nuk kanë informacione.
“Nuk kam një informatë të tillë, nuk mund të deklaroj lidhur me rastin konkret. Ato janë deklarata të tij dhe ai është i lirë në deklarata e tij, nuk mund t’i imponojmë atij asgjë”, ka thënë të dielën për Express, Ahmet Sadriu, njëri nga zyrtarët e lartë të BIK-ut.

Për këtë gjë, ai ia hedh fajin Këshillit të Bashkësisë Islame në Prishtinë, sipas të cilit, në rast se i punësuari është në kuadër të këtij këshilli, është ai organ që duhet të merret me këtë çështje.
“Hoxhallarët i kanë ligjëratat veta që i zgjedhin, dhe varet prej rastit që nëse është nëpunës i Këshillit të Prishtinës, njëherë kalon në Prishtinë, mandej në instanca më të larta, mirëpo ne nuk kemi asnjë informatë”.

Nënë Tereza

Në vitin 2003, Nënë Tereza është lumturuar nga Vatikani. Selia të cilën besimtarët katolikë e cilësojnë si të shenjtë, ka vendosur që kjo figurë t’i hyjë rrugës së shenjtërimit. Madje, si asnjëherë më parë, kjo është bërë me procedurë të përshpejtuar nga Papa Gjon Pali II. Kjo seli ka arritur t’i gjejë dy nga tri mrekullitë që kërkohen si kusht për hapin tjetër që është shenjtërimi. Gonxhja shqiptare e cila jetën e vet ia kishte kushtuar humanizimit dhe ndihmës së të varfërve prej më të varfërve, në këtë botë është vlerësuar edhe me çmimin më prestigjioz- Nobel. Ajo është personi i parë në botë, fytyra e së cilës është vendosur në pullë postare në kohën kur ajo ishte e gjallë. Jetën e vet ajo ia dedikoi skamnorëve të Kalkutës në Indi, por pa e harruar origjinën dhe prejardhjen e saj.



(Vota: 4 . Mesatare: 2/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora