Editorial
Agron Tufa: Kur logosi degradon në lloqe
E marte, 03.03.2009, 10:00 PM
Kur logosi degradon në lloqe
Agron Tufa
Nga Agron TUFA
1. Dështimi i dekomunistizimit
Shqipëria këtë vit po hyn në në raundin e shtatë të sprovës së demokracisë së saj. Kjo është hera e shtatë që shoqëria jonë provon shansin të zbusë paksa fizionominë e përçudnuar e të tjetërsuar nga një diktaturë e dhunshme gjakatare, të ndahet nga e një e kaluar, që për gjysëm shekulli e gjymtoi dhe e denatyroi trup-e-shpirt. Është hera e shtatë që njeriu ynë përpiqet për të qenë i qartë para kutive të votimit, të vetëdijësohet për vullnetin e vet, me shpresë se nga kjo zgjedhje, do ta zbusë paksa pamjen e acaruar të portretit të vet, të shlyejë njollat dhe gjurmët e dhunës dhe sakatimit. Përvoja e mëparshme nuk ka qenë aq kurajuese. Zgjedhjet për gjashtë herë rresht nuk ia kanë shlyer aspak vurratat e plagët. Përkundrazi, shpesh ata janë malcuar nëpërmjet kontrastesh e paradoksesh të shëmtuara. Nuk dua të them se në atdheun tonë kanë ndodhin e ndodhin veçse gjera të shëmtuara. Nuk jam aq pesimist që të shoh vetëm të zezën. Por duhet të jesh esëll për t’u trishtuar me arsye, për faktin se misioni ynë demokratik në këto 19 vite ka pësuar dështime të dhimbshme në gjerat më kryesore. Sepse edhe pas 19 viteve zhulin tonë mendor e shpirtëror nuk paska det ta shplajë. Sepse pas çdo fushata zgjedhore dalin elita politike udhëheqëse, të cilat nuk na kanë dhënë asnjë garanci, asnjë shpresë, asnjë bindje, se ky vend po ndahet me hijet dhe fantazmat e urryera të komunizmit. Të krijohet përshtypja e pashqitshme, se sa herë vijnë zgjedhjet e reja, trazohet, tollovitet e përzihet edhe një herë kazani i flligësht i historisë sonë, për të dalë sërish në sipërfaqe i njëjti produkt antisanitar, me të njëjtën shkallë ndotje. Mungesa e higjenës mendore, shtirjet, kompromiset e turpshme të së djathtës dominuese, përkundër retorikës monotone, bëjnë sërish e sërish të njëjtën gjë: hapin, nëpërmjet retorikës patetike, një horizont tundues shpresash e premtimesh, që kurrë e askurrë nuk u realizuan.
Ç’të presësh nga e majta, trashëguese e drejtëpërdrejtë e komunizmit, kur vetë e djathta jonë nuk ka përmbushur asnjë mision të sajin thelbësor? Rethi vicioz sillet e përsillet për t’u përmbyllur në fund të mandatit, pa realizuar as edhe një mision, çka të bën të mendosh se postkomunizmi ynë është thjesht një vazhdim i enverizmit, përderisa edhe sot, pas gati dy dhjetëvjeçarësh i ka të freskëta e të pranishme gjithkund gjurmët dhe simbolet e diktaturës.
Le ta hedhim një vështrim të shpejtë, një guidë të shkurtër mbi diktaturën dhe simbolet, me gjithë vështirësinë e klasifikimit të tyre, ngase jemi të rrethuar dhe të zhytur brenda saj në të gjitha kontekstet e përditshmërisë sonë.
Gjurmë dhe simbole verbale dhe joverbale.
2. Gjurmët dhe simbolet
Le t’i ndajmë në dy klasa: në gjurmë të dukshme, që kapen me sy dhe në gjurmë të padukshme. Të dukshme janë, së pari, fytyrat: ish-udhëheqës, ish-kryetarë Komitetesh, - shkurt – ish-shërbetorë të pasosur që kanë qenë e sërish kanë një prezencë e protagonizëm të fortë në politikën e sotme, në parlament, qeveri e administrata shtetërore, kryesisht, politikanë, ish-ministra, ish-hetues, prokurorë apo gjykatës, ish-spiunë apo specialistë ekspertizash për të kryqëzuar të ngjashmin brenda llojit apo rivalin e talentuar; janë pikërisht ata që dekorohen, përbëjnë “nderin e kombit” dhe ne, duhet të krenohemi, madje fort, për këto simbole të vetëdijës sonë qytetare; mandej vijojmë lodhshëm, varg e vistër: ish-shkrimtarë, ish-piktorë, ish-kineastë, ish-akademikë me vijim në faqen e sotme të realitetit, por dhe ish-profesorë, ish-gazetarë, ish-filozofë, ish-historianë, prapë me vijim në faqen paskomuniste. Bekimi dhe epifania e politikës dhe shtypit tonë ua ka mbarështruar shëndetin fizik me ekonominë, famën dhe veneracionin publik. Tani, kur i shohim nëpër studio, vërejmë se ka ndëruar politesa e të sjellurit me ta: nuk u drejtohemi më me “shoku...”, por me “zoti...”. Mandej vijnë të burgosurit, të internuarit, të pushkatuarit, edhe ata, me të njëjtin vijim në faqen e sotme – të gjithë – personazhe dostojevskianë Ana tjetër e fytyrave: ish-sagën e re: “Të poshtëruar dhe të fyer”. Ja gjithë evolucioni i antropoidit tonë të diktaturës.
Forma të tjera të gjurmëve të dukshme: arkitektura socialiste që shtjellet me tërë ngjyrat e bishtit të palloit – një eklektizëm midis estetikës së kazermave afrymore dhe katrahurës bashkëkohore, duke krijuar pejsazhe të gjalla urbane si nga Rrypi i Gazës. Eksterjeri ynë gjëllin nëpër rrugë e sheshe publike me emra institucionesh e shkollash, që mbajnë emra mitesh komuniste. Janë tekstet e shkollave dhe universiteteve, etj. Gjurmë apo vurrata?
Ndër gjurmët e padukshme: mentaliteti, nostalgjia, egërsia, forma e arsyetimit dhe drejtimit, fryma e sekteve, monopolizimi dhe shantazhi, servilizmi dhe hipokrizia. Nuk e lëmë tjetrin të flasë, të shtjellojë argumentin. Nuk e lëmë as të na përgjigjet, sepse nuk e dëgjojmë dhe me përgjigjet tona të vrazhda, ia presim vetë mundësinë vetes të marrim përgjigje. Kësisoj vetë goja jonë, vetë zëri ynë shndërrohet në armikun tonë më të madh.
3. Provokimi kulturor
Një aspekt i dytë i qëndresës dhe mbijetesës së komunizmit është provokimi nëpërmjet “nostalgjisë”, depërtimit dhe pranisë këmbëngulëse të shkrimtarëve dhe artistëve socrealistë dhe, sidomos, aradhës së shtuar dukshëm kohët e fundit, me “interpretë” të rinj, të cilët kanë marrë përsipër të justifikojnë dhe të ndërtojnë një alibi të re në lidhje me vlerat e artit socrealist, vlera, të cilat ne “s’i paskëshim ditur”!
Në fakt, provokative janë përpjekjet për të justifikuar gjoja “vlerat” e artit skematik socrealist. Dalin ca avokatë nihilistë dhe po i ringrenë edhe njëherë veprat e arteve vizuale apo kinematografike, duke “zbuluar” ndoca “sekrete”. Lloji i provokacionit tashmë është shpërngulur në receptimin estetik, sipas paravolisë së qershive: “edhe kjo nuk është lagur, po edhe kjo i ka shpëtuar... etj”. Në kinematografi puna shkon dhe më keq: përveç mbrojtjes me xhelozi të gjithë asaj sage turpi dhe ndohti esetik, kemi projektime dhe epigonizma të po atyre protagonistëve të kinamasë me vepra të dobëta, që japin shpirt në atë rreth idesh socrealiste. Me letërsinë puna është pak a shumë e ngjashme. Por aspektin kryesor të propagandës komuniste e përbën shtypi i shkruar dhe televiziv, i ndarë në kampe. Studiot tona, për të diskutuar temat e gjithmundshme, që nga ngjarja e ditës, deri tek misteret e universit, mbledhin vetëm një urdhër murgjëror çkoqitësish, përherë të njëjtit: kësisoj fjalë-mendimi nga logos, degradon në lloqe.
Letërsia dhe artet tona pas luftës së Dytë, ashtu si dhe tekstet bazë të shkencave humane, duhet të kalojnë nëpërmjet një purifikimi dhe dizinfektimi të rreptë sanitar, çka do të thotë, të dekomunistizohen. Shqipëria duhet të purifikojë Kujtesën e saj, që është e mbingarkuar plot me plehëra toksike.
4. Kujtesa
Një ndër aspektet e rizgjimit të mitit nostalgjik për “parajsën e humbur” komuniste është kujtesa. Përrenj të tërë nostalgjikë të krimbur në kujtime vërshojnë e përmbytin gazetat e përditshme, ekranet e studiot, mitingjet e festat kalendarike komuniste.
Ne kemi nevojë, që me kujtesën tonë të kridhemi në ujërat mitike të Lethës, për t’u shpëlarë nga ato gjëra që meritojnë të harrohen, e kurrësesi jo përvojat tona, individuale a kolektive, sado të hidhura qofshin. Ne flasim shpesh për traumat që pëson një njeri nga fëmijëria, dhe mblidhen kapicë psikoanalistë e psikiatër ta ndreqin këtë qenie fatkeqe e të çartallosur. Ne flasim e diskutojmë hollësisht për shtypje instinktesh e trauma përjetimesh dashurore, për privime e përjetime fatale nga dhuna e prindërve. Ndërsa shtiremi indiferentë kur nuk marrim parasysh çka ka ndodhur me një psikikë të tërë nacionale, me strukturën etnosociale të rracës, me degjenerimin dhe zvetënimin e arketipit tonë kolektiv përgjatë 50 vjetësh stalinizëm!
Çështjet tona të mëdha janë në udhëkryq, të pazgjidhura. Atëherë çfarë kërkojmë? Çfarë kërkon bashkëkohësi ynë? Kontradiksionet e veta? Mospërputhjen, ndërprerjen dhe falsifikimin që i është bërë qenies së tij historike? Nëse nuk kemi garanci për sinqeritetin dhe garantuesit e operacionit mbi tumorin tonë të brendshëm, që është kujtesa e falsifikuar dhe nostalgjia e lidhur me rrenën, atëherë bashkëkohësi ynë nuk ka për të ditur se çfarë kërkon, anipse ai e di mirë se “diçka” duhet kërkuar. Dhe ne, në vend që të vihemi në kërkim të të vërtetave tona të përbashkëta, rrezikojmë të përfundojmë duke kërkuar gishtin e madh. Në këtë rast “zgjidhjet me ligj” janë më të mira, por nga ana tjetër shteti ynë përfaqëson një mendësi burokratike ish-komuniste: ose e banalizon, duke ua dhënë dorëzaninë njerëzve vulgarë, ose shfrytëzon rastin për të hapur fronte e forma të reja abuzimesh.
Çështjet e raporteve historike me kujtesën, dekomunistizimin, gjenocidin komunist dhe memorialet, nuk duhet të bëhen me aksion politik shtetëror sa për sy e faqe, pa u konsultuar me ata që i kanë vuajtur në lëkurën e tyre. Ekspertiza duhet bazuar ndër ata njerëz që e kanë ndjeshmëri e çështjeve të tilla dhe kanë bërë vazhdimisht përpjekje konkrete për sensibilizimin e tyre. Çështja e raporteve të kujtesës me hsitoriken, të dokumentit dhe falsifikimit, të persekucionit komunist dhe dekomunistizimit janë kontekste organike. Nuk zgjidhen me këshilltarë çunakër apo profesorë të prodhuar në epruveta, e mos e dhashtë Zoti, nga pinjoj familjesh të kuqe në karrierë politike të majtë apo të djathtë.