E enjte, 18.04.2024, 11:31 PM (GMT+1)

Editorial » Ukaj

Ndue Ukaj: Libri është i shenjtë

E enjte, 23.04.2009, 08:36 PM


Libri është i shenjtë

Shoqëritë demokratike, të emancipuara, civilizuese dhe përparimtare i kushtojnë vëmendje të posaçme çështjes së librit, fjalës së shkruar dhe fjalës publike. Për këto fusha bëhen analiza të thuktë. Më këto segmente merren institute të tëra. Sepse nga këtu fusha fillojnë të ndërtohen konturat e mirëfillta të shoqërisë stabile...

Nga Ndue Ukaj

Së këndejmi, për ne shtrohet çështja: si është gjendja e këtyre fushave në kontekstin tonë kombëtar, në kohën kur sfidat e konsolidimit janë të mëdha, në kohën kur ndjehet ankthshëm një krizë morale dhe krizë intelektuale? Shkrimtari i madh Hose Luis Borhes në eseun Lumturia e librit, flet për rëndësinë dhe përgjegjësinë që ka libri për njerëzimin në gjitha nivelet. Andaj për të sforcuar diskursin për temën në fjalë, për peshën dhe njëherit përgjegjësinë e madhe të librit, ky shkrimtar brilant i referohet një mendimi të rëndësishëm të Shën Anselmit: "Të vësh një libër në duart e një injoranti, është po aq e rrezikshme sa të vësh një shpatë në duart e një fëmije. Ja pra se çfarë mendohej atëherë për librin"- thotë Borhesi. Në këtë mendim përmblidhet esencialiteti i botëkuptimeve Borehesiane. Për autorin e përmendur, libri është i shenjtë, është kult para secilit njeriu, sikurse para një objekti kulti, ulet dhe merr modelin për ta bërë pjesë funksionale të botëkuptimit, ngase libri ka fuqinë e shpirtit, funksionon nga shpirti. Andaj, ata që shkruajnë libra kanë përgjegjësi të mëdha, ngase prekin ndjenjat dhe shpirtin e njeriut dhe njerëzimit. Aty ku funksionon shpirti, ka delikatësi. Në gjendjen e tonë kombëtare, kur çdo ditë, shohim degradime morale dhe sistem vlerash të përçudnuara, për këto fusha nuk ekziston përgjegjësia e duhur. Madje, as debati. Në mënyrë që shumë procese kombëtare ta marrin fizionominë e duhur, duhet të hapet një debat i domosdoshëm në kulturën e shkrimit shqip, për fushat e lartëshkruara dhe influencën që kanë këto në segmentet tjera, që nga politika, ekonomia, arti, religjioni etj. Libri, fjala publikë ka influencë predominante në çdo shoqëri. Andaj t'i lejohet çdo kujt të merret më këtë fushë, është aq e rrezikshme, sa të lihet shpata në duar të fëmijët. Pesha e librit dhe e fjalës publike në formësimin e një shoqërie është e një rëndësie të posaçme, Sui Generis. Sidomos kur shoqëria është në ndërtim e sipër, në konsolidim e sipër, siç ngjet me kombin tonë. Në kaosin dhe mjerimin që na ka mbërthyer (a nuk mjafton fakti se shqiptarët gjenden në listën e fundit në te sondazhi perëndimor në europë), përgjegjësia e intelektualeve është e zbehtë, në mos s'ekziston fare. Në Kosovë, intelektualët janë shtresa më e nëpërkëmbur. Andaj edhe përgjegjësia e tyre karshi zhvillimeve i ngjason zërit të cjerrur që bërtet në shkretinë. Jo se kemi intelektual oportunist, por kemi liri të kufizuar; kemi abuzime me media dhe libra, me fjalën e thënë dhe fjalën e shkruar: në Kosovë shkruan çdo kush, ndërsa më së paku mund të dëgjohen zëra intelektualësh nëpër media. Ndërsa në Shqipëri, gjendja paraqitet diç më mirë. Falë edhe disa mediave që kanë arritur një stad të mirë të emancipimit dhe kultivimit të debatit intelektual. Ne mungese te ketij debati, kemi nje vetëkënaqësinë që ka mbërthyer, si qeverisjen e Tiranës, ashtu edhe të Prishtinës. Shoqëria shqiptare e gjendur në tranzicion të gjithanshëm, para këtyre përgjegjësive ndihet disi e përjashtuar. Intelektualët e mirëfilltë ndjehen të harruar, të vetmuar, të pa përfillur. Andaj qendrat kulturore, politike të shqiptarëve janë bërë arena, ku vërshojnë me dhjetëra fjalëshkrues, që shfrejnë pa mëshirshëm emocionet, paragjykimet, idetë indoktrinuese, dhe çkado tjetër- çdo kush, dhe, atë për çdo gjë. Nga ky fakt, brenda jetës politike, kulturore si të Tiranës ashtu edhe të Prishtinës, gjithnjë e më shumë po defilojnë matrapazë, diletantë dhe kamuflues. Mbesin, çuditërisht, gjithmonë jashtë këtij "sistemi" njerëzit që ndjekin parimet e shkruara, qëndrimet e thëna; shkurt, ata që i qëndrojnë besnik një ideali dhe përcaktimi intelektual. Dhe nga kjo rrëmujë arrijnë të "përfitojnë" gjithherë ata që kanë sensin të mashtrojnë, shkatërrojnë dimensionet e shëndosha dhe parimet intelektuale. Një mendësi kjo që po degjeneron kombin. Gjithë ky mjerim që na ka kapluar, të cilin nuk kemi guxim ta themi, ka pikënisjen nga libri dhe nga fjala e shkruar, ose, e thënë publike: shumë intelektual të quajtur, kudo hapësirave shqiptare, përpos ca librave të ideologjisë së kaluar tragjike, s'lexojnë tjetër. Ato i mbajnë model, nga to frymëzohen. Madje shumë sosh (më shumë në Kosovë), si këpurdha pas shiu dalin dhe quhen intelektual, prijës. Marrin pozicionin e orakujve. Këta të mjerë ndërtohen mbi thashetheme politikë, kulturë odash e rajonesh. Nëpër çajtore të shumta të çarshive dhe odave të tymosura, dhe jo bibliotekave. Ndërkohë që bota përparimtare, në të cilën synojmë të integrohemi merret me galaksitë dhe harton projekte tridhjetëvjeçare për qytetarët e saj. Një fjalë latine thotë: "A verbis, ad verbera" - "Nga fjalët, tek kamxhiku". Ndryshe, nga fjalët dhe librat deri te dhuna. Ky mendim më së miri definon problematikën në fjalë. Nëse për çdo gabim kombëtar ka mundësi përmirësimi, për këso veprimtarish, pasojat gjithherë janë të mëdha, dhe si të këtilla afatgjate. Madje vështirë të riparueshme. Andaj kjo veprimtari assesi nuk guxon të abuzohet, sepse është pikënisja prej ku fillon formësimi i njeriut, i gjitha kategorive: nga këtu fillon formësimi i prijëseve politikë, ekonomik, ushtarak, kulturor, etj. Nëse do kemi libra të mbështetura në parimet e dijës universale, fjalë të shkruar dhe fjalë publike të shëndoshë, tolerante, të bazuar në sistem vlerash intelektuale, do të kemi edhe qeverisje të përgjegjshme, ekonomi të qëndrueshme, mirëqeni të përgjithshme. Andaj librat dhe fjala publike, siç sugjeron Borhesi, duhet të jenë në frymën e shenjtë, një simbolikë kuptimplote. Librat duhet të kenë frymën e tolerancës, mirëkuptimit dhe përparimit; assesi të indoktrinimit, kamuflimit të së vërtetesës, paragjykimit, improvizimeve. Vetëm atëherë kur të vetëdijesohemi për këto fusha, do të kemi predispozitat e një kombi të shëndoshë, të emancipuar për të kundruar të tashmen dhe të ardhmen në relacione të qarta dhe reale, pa abuzime dhe kamuflime. Libri prodhon opinione. Libri bëhet udhërrëfyes për shoqëri, kombe, civilizime dhe botën në përgjithësi. Çdo popull përfaqësohet përmes librit (librave). Të nisemi nga një fakt i njohur dhe i pranuar si i këtillë: çdo popull përfaqësohet nëpërmjet intelektualëve, vlerësohet për aq sa ka bërë veprimtari intelektuale, pranohet për aq sa i ka dhënë njerëzimit figura të mëdha, të cilat sublimojnë në shkallë universale dëshirat e njeriut për përparim, për fisnikërim. Është kjo dëshirë e kahershme, e cila nuk fashitet në asnjë kohë dhe nga asnjë popull. Është kjo dëshira dhe sakrifica që ka prototipin te Promotheun antik, kjo figurë mitologjike greke, që për të mirën e njerëzimit sakrifikon vetën. Është kjo dëshira për përparim dhe për vlera sublime, që është kalitur me mijëra shekuj në skuta të errëta të shpirtit t njeriut dhe çdo herë qon kokën në kërkim të sublimes. E gjithë bota jonë kulturore dhe civilizuese është produkt i librave të mëdhenj, që kanë në esencë një shpirt fisnik, një shpirt hyjnor. Nuk do të mund të paramendohej civilizimi ynë, pa literaturën e madhe antike, pa përkthimet e Biblës, që i dhanë një shtytje marramendëse kulturës dhe artit perëndimor. Janë grekët ata që përfaqësohen përmes Platoni, Aristoteli, Homeri, Sofokliu, Eskili, Euripidit, e shumë të tjerë. Më tej, janë italianët ata që janë ngritur në piedestalin e popujve të çmuar përmes Virgjilit, Dantes, Petrarkës, etj. Janë Gjermanet ata që krenohen me të madhin Gëte, Spanjollët me Servantesin, Anglezet me Shekspirin, Rusët me Dostojevskin, Francezët me Hygon, Balzakun. Ka në këtë aks një regjistër emrash që i dhanë përmbajtje botës sonë. Pra, janë këto personazhe historike dhe aktuale, që ende jetojnë me shpirtin e gjallë, sepse idetë dhe shpirti i tyre synonin përparimin. Gjithnjë përmes ideve fisnike dhe vlerave sublime. Ndërsa ne shqiptarët, ende luhatemi në tehun e thepisur të dilemave absurde, të vlerësimit të heronjve: ne dimë të shpikim heronj të gjitha kategorive, të krijojmë mite të rrejshme, por shumë pak heronj të shkrimit, pra intelektual. Prandaj, sot çuditërisht kemi ndërtuar sa e sa heronj të fushave tjera, që për vlerat perëndimore, pa përçmim, përfaqësojnë minimumin e mundshëm, me të cilët ata vetëm tallen. Kultura shpirtërore shqiptare, sidomos ajo intelektuale po cungohet nga disa intelektualeca, që për motive të ulëta kanë ndërmarrë një fushatë kundër Gjergj Kastriotit, kundrejt formulës së parë të shkruar shqipe, kundrejt autorit të parë dhe librit të parë shqip, Mesharit të Buzukut, kundër të madhit Pjetër Bogdanit, kundrejt Gjergj Fishtës, kundrejt Faik Konicës, Ernest Koliqit, Ismail Kadaresë, Martin Camajt dhe Anton Pashkut. Dhe ku shkon më tragjikja, kundër Nënës më të madhe të dymijë viteve të civilizimit tonë: Nënës Terezë. Në këtë amulli që e përshkon gjendjen tonë nacionale, duhet të diskutojmë për rolin e intelektualit në shoqëri, me bindjen se pa këtë rol mjerimi vetëm do të thellohet. Ndërsa këtij kaosi vështirë do t'i gjendet fundi. Funksioni i intelektualit brenda një shoqërie, kombi apo shteti është fundamental, është shpirti që i jep gjallëri dhe dinamik çdo qelize shoqëror dhe konstrukton fizionominë reale të saj. Janë pikërisht intelektualët e mëdhenj që i japin vulën zhvillimeve shoqërore, emancipimit dhe ngritjes së mendjes për të kundruar të ardhmen në mënyrë më të mirë. Janë shtresat intelektuale ato që i japin konturat e shëndoshë të një shoqërie. Njëherit orientojnë popullin drejtë vlerave përparimtare. Mbase, mund të themi pa hamendje, janë intelektualët e shumtë perëndimor, që kanë përparuar demokracitë perëndimore në stadin e shkëlqyeshëm në të cilin gjendet sot perëndimi. Intelektualët e përgjigjeshim, në këtë tranzicion kur po ribëhen shumë gjëra që në të kaluarën janë bërë mbrapsht duhet të japin përgjigje për shumë aspekte: të definohet qartë roli dhe përgjegjësia intelektuale karshi të sotshmes, të analizohet cila është përgjegjësia e intelektualeve për të analizuar të djeshmen e kombit, pa emocione, ngarkesa dhe euforizma, cila është përgjegjësia për të ardhmen e kombit, dhe më tutje, cila është përgjegjësia për këtë mjerim që na mbizotëron si një përbindësh, cila është përgjegjësia e intelektualeve për të përmirësuar gabime që kemi trashëguar? Janë këto pyetje që kërkojnë përgjigje, përmes një debati të shtruar drejtë. Nga respektimi i sotmes, varet e ardhmja. Ndaj elitat e mirëfillta intelektuale duhet të ngritën në nivel të përgjegjësive që kanë: jo vetëm për të demaskuar segmentet e këqija, por për të ofruar rrugët dhe modelet e kundërta. Përndryshe edhe shumë kohë do të vajtojmë mjerimin tonë dhe të shtrojmë pyetjet-dilemat: cili është atdheu ynë, ai që e jetojmë çdo ditë në kaos, apo ai që na proklamohet në formë të një parajse, nga retorika demagogjike politik?



(Vota: 16 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora