E hene, 29.04.2024, 07:34 AM (GMT+1)

Editorial

Mërgim Korça: Rreth akuzave që më drejton z. Kristo Frashëri...

E premte, 10.07.2009, 10:00 PM


Mërgim Korça
Mërgim Korça
Rreth akuzave që më drejton z. Kristo Frashëri,        

për të cilat sinqerisht e falënderoj.  
                     
Nga Mërgim Korça

Nuk kam ndërmënd t’a analizoj shkrimin, me pretendimin “kritik” të historianit Kristo Frashëri, rreth një analize të gjuhëtares zonjës Ledi Shamku për “Formulën e Pagëzimit” të Pal Engjëllit.   Megjithatë nuk hesht dot pa e pohuar se kritika ësht’e shkruar tej’e ndanë me një leksik që nuk ka se si t’a nderojë një njeri që mendohet se është intelektual.   Unë personalisht kam mbetur i befasuar  e prandaj shpresoj që edhe gjuhëtarja t’i hedhë pas shpine fyerjet edhe insinuatat,  mos të ndalet të merret me to por të vazhdoj’e të merret me punën e saj të vyer shkencore në lëmin e gjuhësisë.
Kurse unë do të ndalem rreth akuzave që më drejtohen, jo për t’i u përgjigjur z.Frashëri.   Në asnjë mënyrë.  Do të qé humbje kohe për mua.  Por do të ndalem rreth tyre vetëm me pikësynimin se si mendoj unë se duhet të thuhet e vërteta.  Nga ana tjetër sadopak dua  t’u a sqaroj se si historianët prodhimtarë në shkrime tekstesh përgjatë periudhës diktaturës, mundohen t’i përligjin edhe sot e kësaj dite shtrembërimet që i kanë bërë historisë nëpërmjet deformimeve të fakteve ose, ç’ësht’edhe më e dënueshmja, duke i pasë fshehur faktet si edhe dokumentat kryekëput.  Kurse momenti tjetër i rëndësishëm sipas meje, gjë edhe për të cilën e falënderoj sinqerisht z.Kristo Frashëri, është se dashur padashur po më detyron t’i a paraqis lexuesit biografin’e të ndjerit babait tim Xhevat Korçës, gjë që deri më sot nuk e kam bërë i ndrojtur mos merret si mungesë modestíe.     
Me që një analizë e mbështetur në drejtpeshim faktesh kërkon kritere shkencore të hartohet, po i a paraqis fillimisht integralisht si i formulon z.K.Frashëri akuzat ndaj meje që pastaj, jo në mënyrë evazive por pikë për pikë edhe hap pas hapi të argumentoj këndvështrimin tim dhe lexuesi të ketë mundësinë t’i gjykojë pa asnjë paragjykim.   Ja se si shprehet z.Kristo Frashëri :
Kristo Frashëri
Kristo Frashëri
“Dy fjalë për akuzën që zonja Ledi Shamku më drejton sikur unë paskam “ndihmuar në rrënimin e Lef Nosit” dhe se paskam “përgatitur platformën, të cilën e përdori Enver Hoxha për ta vlerësuar politikisht lëvizjen e Haxhi Qamilit të viteve 1914-1915”.  Për këto akuza, zonja Shamku thotë se i ka lexuar në një shkrim të Mërgim Korçës.  Unë nuk di se ku i ka gjetur Mërgim Korça këto njoftime, të cilat, me thënë të drejtën, po i dëgjoj për të parën herë nëpërmjet Ledi Shamkut.  Di që këto nuk janë të vërteta.  Di gjithashtu se Mërgim Korça nuk është historian dhe se, në mos gabohem, është biri i Xhevat Korçës.  Di gjithashtu se Xhevat Korça u dënua me vdekje nga gjyqi special i vitit 1945 si kolaboracionist i okupatorëve fashistë, i cili, përveçse e përkrahu politikisht Benito Mussolinin të pushtonte ushtarakisht Shqipërinë më 7 prill 1939, u bë anëtar (ministër i Arsimit) në qeverinë e formuar në dhjetor 1941 nën kryesinë e Mustafa Krujës.  Për shkak të kohës tashmë të largët nuk ruaj mëri për këtë kolaboracionist, i cili e pranoi fajësinë e tij si kolaboracionist fashist dhe për këtë shkak u dënua mbase më tepër se ç’duhej.  Duke lënë mënjanë fajin që ai kreu gjatë okupacionit fashist, Xhevat Korça ka për mua anën tjetër të curriculum-it të tij – është autor i monografisë së parë studimore kushtuar Skënderbeut nga një historian shqiptar, botuar më 1923 – një monografi me vlera shkencore.  Veprën e tij si historian skënderbegian e kam vlerësuar si në monografinë “Skënderbeu,  Jeta dhe vepra”, që kam botuar më 2002, ashtu dhe në pamfletin studimor me titull “Skënderbeu i shpërfytyruar”, botuar këtë vit.  Duket se Mërgim Korça është ngarkuar aq tepër me mllefe, sa ose nuk di kë të godasë për turpin që i kreu i ati, ose kërkon të nxjerrë nga ky turp përfitime tani që kjo periudhë tranzicioni karakterizohet nga shpërthimi i mllefeve.  Unë nuk habitem me të.  Përkundrazi, habitem me zonjën Ledi Shamku që kapet si i mbyturi pas fijes së kashtës.  Sigurisht që ky akt nuk e nderon zonjën Shamku, e cila për të mbrojtur veten e saj nga gafat që ka bërë ndaj “Formulës së Pagëzimit” shfrytëzon mllefet e bijve të kolaboracionistëve fashistë dhe pa u siguruar nëse janë ose jo të vërteta, i përdor ndaj atyre që kanë luftuar kundër okupatorëve fashistë në një përplasje që nuk ka fare të bëjë me “Formulën e Pagëzimit”.  Akuza  që më bën për Lef Nosin është shpifje.  Për Lef Nosin kam patur dhe e kam shprehur me shkrim pikëpamjen se ai ka qenë një patriot i shquar, se ka përballuar të gjitha tallazet tendencioze politike, se nuk u përzie në jetën politike as në periudhën e Zogut, se nuk mori pjesë as në administratën e okupatorëve fashistë italianë, vetëm se gaboi, kur pranoi emërimin si anëtar i Regjencës së periudhës së okupacionit hitlerian.  Madje, si anëtar i Regjencës nuk u shqua për egërsinë që treguan Mehdi Frashëri dhe Patër Anton Harapi ndaj Lëvizjes Nacionalçlirimtare.  Si rrjedhim, nuk kam qenë dakord me dënimin e rëndë, që atij i dha gjyqi special i Pasluftë.  Vetëm kaq !”

Nuk ka nevojë për thellim fakti që, akuzat e z.Kristo Frashëri ndaj meje, përshkohen nga tendenciozitet i theksuar.  Kjo bije në sy dukshëm.   Kjo më ndihmon nga ana tjetër të ve në dukje se si gjuha e përdorur prej tij e mbushur me fyerje, insinuata si edhe shtrembërime, ka qenë metoda tipike e përdorur nga  shkencëtarët e shkencave shoqërore të kohës diktaturës.  
Që në fillim, tek i referohet akuzës ndaj tij nga ana e z. Ledi Shamku, z.K.Frashëri  i shtrembëron faktet.   Zonja L. Shamku citon faqen e librit tim “Hedhje Drite Rreth Shtrembërimesh Historike” ku i referohem z.K.Frashëri.  Kurse ky i fundit insinuon sikur unë veç problemit “Lef Nosi” qenkam shprehur edhe rreth platformës të cilën, të përgatitur nga profesori, e paska përdorur Enver Hoxha lidhur me vlerësimin politik ndaj Haxhi Qamilit.   Nuk është aspak e vërtetë.  Haxhi Qamilin as e kam zënë në gojë.  Për rigorozitet saktësor i kujtoj lexuesit se në një letër timen dërguar miqve të mij, bashkëshortëve të ndjerë tashmë, zz.Nermin (Vlora) si edhe Renzo Falaschi, duke shprehur pakënaqësinë time rreth komisionit hartues të Historisë ripunuar të Shqipërisë e duke i analizuar të gjithë hartuesit, kur vij tek z.K.Frashëri shprehem :  “.   Lidhur me të, një kujtim personal i imi.   (Fatkeqësisht këtë kujtim t’imin nuk kam mundur akoma t’a bëj botërisht të njohur sepse nuk kam ndeshur në ndonjë person që të ma vërtetojë ... kur kanë kaluar jo pak po thuajse 60 vite nga ngjarja).   Dhjetra vite të shkuara, koh’edhe ngjarje thuajse të mbuluara nga tisi i harresës, ke parë që thuajse për ironi të fatit, u zhvillua gjyqi përgjatë të cilit u dënua me vdekje me pushkatim si kolaboracionist e tradhëtar i atdheut, një farë Lef Nosi.   Ndërmjet dëshmitarëve të akuzës ishte edhe një djalosh i zjarrtë i cili vetëm vrer i shtoi kupës tashmë plot’e përplot me akuza të pavërteta kundra të shkretit të hamendësuarit fajtor.   Dhe a mundeni ju të kuturisni e t’a gjeni se kush kishte qenë ky bukëshkalë ?   Asnjeri tjetër veçse ky dijetar i sotëm i shkencave historike, Kristo Frashëri !   Megjithatë mos u shtendosni, miqt’e mi të dashur.   Ka edhe më.   Mbajuni tani fort mbas mbështetëseve të kolltukëve tuaj, në se të vërtetën t’a dëgjoni do të dëshironi :  Ndërsa profesori i ardhshëm po dëshmonte u dëgjua një zë femre nga radhët e publikut që bërtiti :   “ Shokë të trupit gjykues, mos i kushtoni vëmëndje gënjeshtrave të thëna nga im bir.  Ai është një shpërbetár, (dëshmues i rremë – shënim i M.K.).   Për dhjetra familje elbasanase që e ngrysnin ditën të pangrënë, Lef Nosi ka qenë mirbërësi i mbijetesës tyre ...!   
Ky teksti të cilit z.Ledi Shamku i është referuar.   Ndonëse ky fakt asokohe diskutohej në familjet tona të përndjekura nga regjimi, unë e kam shtruar dyshimin tim se koha shum’e gjatë e kaluar si edhe mosgjetja e ndonjë personi që t’a mbante mënd të njajtin fakt, më ndrydh dhe më bën të stepem t’a quaj fakt historik e në vazhdim t’a trajtoja siç i takon.  Shtoj se në se z.K.Frashëri ësht’i bindur se pohimi im nuk i përgjigjet së vërtetës historike dhe sjell fakte duke zbardhur protokollin gjyqësor të Lef Nosit të ndjerë, sinqerisht do t’i kërkoja ndjesë.   Nga ana tjetër, ndonëse nuk jam historian, nuk e besoj se lexuesi do të ma ndalonte, siç mëton historiani i indoktrinuar, të drejtën t’i referohem një historiani të mirënjohur siç është prof.B.Russel i cili thotë “Problemi i njerëzimit qëndron në faktin se ata që shiten si të ditur e paraqesin veten e tyre si të tejsigurtë në ato që thonë, ndërsa të mënçurit e ditur janë vazhdimisht plot me mëdyshje !”  (Për këtë përqasje i kërkoj ndjesë lexuesit se mund të duket si mungesë modestíe, por unë e paraqita vetëm për të treguar se ndonëse nuk jam historian, me aq aparat shkencor sa kam në dorë si edhe pesë gjuhët e huaja të cilat i flas edhe i shkruaj veç shqipes),  mundohem të mësoj nga njerëzit e shquar të asaj disipline edhe të veproj sipas mësimeve të tyre.
Vijmë tashti tek metodat e përdorura nga aradha e shkencëtarëve të periudhës diktaturës të cilët çirreshin duke i shtrembëruar faktet historike konform ideologjisë partisë e vazhdojnë akoma të çirren duke i mbrojtur mashtrimet, shtrembërimet si edhe shpifjet e bëra me shpresën të ruajnë fytyrën e tyre !   Edhe metoda e z.K.Frashëri është pikërisht në sintoní me atë frymë.  Që të më nxjerrë mua jashtë loje, bën pohimin se unë nuk jam historian.  E me këtë mëton që unë nuk e paskam të drejtën të shprehem lidhur me fakte ose analiza karakteri historik.  Kurse për të më asgjësuar, kapet tek im atë i dënuar nga regjimi komunist.  Ç’është kjo ?  Asgjë më pak e asgjë më shumë se sa lufta e kllasave e predikuar nga Enver Hoxha !   Kësaj metode unë i them kollaj “ndalu beg se ka hendek”!   Sa për kulturë të përgjithëshme në fushën e historisë, u a kujtoj historianëve akoma të indoktrinuar se historiani i mirënjohur prof. Wineburg ka pohuar “Kur historianëve me indoktrinim u vihet në dukje se kanë mospërputhje ndërmjet teorive të tyre si edhe fakteve, ata as që stepen t’a shtrembërojnë teorinë që t’u përshtatet fakteve ose anasjelltas e shfytyrojnë ose e zhdukin evidencën!”   E në vazhdim ai shton se “Parë më gjerë ky problem, kur bëhet vlerësimi i burimeve historike si edhe i strategjive të mendimit për të interpretuar dokumenta historikë, është fatkeqësi kur me këtë punë merren njerëz me mangësi të theksuara kulture të përgjithëshme!”
Po kjo gjë në fushën e drejtësisë.  A nuk u thotë gjë kategorisë së këtyre historianëve ky pohim, në një kohë që ata i konsiderojnë të mirëqënë dënimet e dhëna nga kryetarë trupash gjykues teneqexhinj ose prokurorë ish kapterrë ushtrije ?  E të gjykuarit si edhe të dënuarit nga Koçi Xoxi e Bedri Spahiu me shokë si kolaboracionistë e tradhëtarë, historianët e partisë i ngritën dhe i ulën si të tillë, edhe kur po ata “pseudogjykatës” mbas pak kohe dënoheshin me vdekje ose kalbeshin burgjeve me urdhërin e diktatorit !   
Lidhur me mungesën e shtyllës kurrizore të shkencëtarëve historianë që hartuan libra mbas librash e tekste mësimore përgjatë periudhës diktatoriale, do t’i referohem historianit tashmë me emër në botën perëndimore, profesor Richard J.Evansit i cili në librin e tij “Në  Mbrojtje të Historisë” shprehet “Historianët e antikitetit ishin ata të cilët i ngrinin në qiell veprimet e princërve e kështu, për shumë periudha të gjata kohe, historia ishte ajo e klasave drejtuese”.   A nuk tingëllon ky pohim sikur prof.Evansi po i krahason historianët e periudhës diktaturës me ata të antikitetit ?  I drejtohem tashti lexuesit me pyetjen aspak retorike por konkrete :  a duhet të jesh specialist historie që t’i qëmtosh këta pohime e të bësh edhe paralelizmat e duhura ?   Po ashtu, sa bukur e ka theksuar historiani italian me emër të madh në fushën e tij, prof.Pietro Coppola “Përgjatë periudhës fashiste disiplina historike ishte zyrtare, ishte ajo e përpunuara nga katedrat universitare sipas kritereve të regjimit :  çdo fakt që  binte ndesh me të shpërfillej,  lihej më një anë, e mbulonte errësira.   Kurse sot ka kaq shumë lirí pikëpamjesh e debatesh rreth fakteve historike sa që janë  krijuar edhe shkolla të ndryshme historike !”  E në fund shton “Sa të drejt’e ka patur Winston Churchill-i i cili theksonte se DITURIJA SI EDHE ARËSYEJA FLASIN, NË NJË KOHË QË INJORANCA DHE FAJËSIJA ULËRIJNË !”  
Për t’a gjallëruar para lexuesit portretin e z.K.Frashëri me shokë, lidhur me gjuhën e bigëzuar që përdorin, ky i fundit përgjatë një debati me shkrim me një ish kolegun e tij z.Teodor Kareco, shprehet integralisht :  “Unë nuk do t’i përgjigjem Teodor Karecos me të njejtën monedhë.  Edukata ime familjare, kodi shoqëror i mirësjelljes dhe formimi im kulturor nuk më lejojnë t’i përgjigjem atij me fyerje, me sharje, me akuza as morale, as politike, as shkencore, siç ai i ka përdorur pa kursim ndaj meje.  Eksperienca  ka treguar se fyerjet, sharjet dhe akuzat në një debat, të paktën shkencor, janë armë e atyre që nuk kanë argumenta në torbë dhe xhepat me arsyetime i kanë të shpuara.  Në një debat shkencor sharjet, fyerjet dhe akuzat përdoren zakonisht për të shkaktuar mjegullnajë dhe për të mbuluar mungesën e argumenteve.  Ato u ngjajnë shashkave që trembin laraskat”.   Në parim z.K.Frashëri e paraqet veten si moralist të kulluar e gjithashtu edhe tejet pedant në administrimin e fakteve.  Mirëpo faktet, për fatin e tij të keq,  flasin krejtë ndryshe.     Konkretisht shtroj akuzat që z.K.Frashëri i drejton Xhevat Korçës :
1-  Përkrahu politikisht Benito Mussolinin të pushtonte ushtarakisht Shqipërinë.
2-  U bë ministër i Arsimit në qeverinë e Mustafa Krujës e pra kolaboracionist.
3-  Këto janë turpe të kryera prej Xhevat Korçës.
4-  Unë, (Mërgim Korça), nuk di kë të godas, (për turpin e kryer nga im atë), ose dua të nxjerr përfitime.
Besoj se lexuesit i bije menjëherë në sy se sa kundërthënës është me vetveten z.K.Frashëri, tek formulon katër akuzat e mësipërme, duke i krahasuar këto akuza me moralin që mundohet të shesë përgjatë pohimeve që bën përgjatë debatit me kolegun e tij z.Teodor Kareco.   Prandaj, duke e falënderuar historianin, vij tek rasti që ai më jep të sjell fakte, e asgjë më shumë se sa fakte, nga biografia e Xhevat Korçës !
Për personalitetin e Xhevat Korçës kanë shkruar shumë autorë.   Profesor Ardian Ndreca, i Universitetit Urbanian të Romës,  i ka kushtuar një kumtesë të tërë me titullin :  Xhevat Korça, shembull i qëndrimit moral për intelektualët shqiptarë.   Mësuesi shkodran veteran z.Sadik Miloti, ish nxënës i Xhevat Korçës, ka botuar si në shtypin shqiptar edhe në atë kosovar rreth biografisë së figurës madhore patriotike të Xhevat Korçës. Autori Dr.Pjetër Pepa ka shkruar gjerë për Xhevat Korçën në vëllimin Dosja e Dikaturës.   Po ashtu rreth Xhevat Korçës kanë shkruar edhe autorë të tjerë si z.Tomor Aliko e z.Agim Musta me shokë.  Ndërsa unë do të sjell vetëm episode si edhe fakte të dokumentuara që gjënden shumë lehtë.   Së pari, dua të ve në dukje se Xhevat Korça ishte i njohur si kundëritalian.  Ja edhe faktet :
 Përgjatë gjyqit special të prillit 1945, prokurori Bedri Spahiu e akuzon të pandehurin Xhevat Korça :
I shitur ndaj italianëve.  ligjin në dikasterin e Arësimit e bënte këshilltari italian.  Këtë akuzë e hodhën poshtë dy nga dëshmitarët mbrojtës të Xhevat Korçës si edhe paraqitja e një qarkoreje.  
Lidhur me pjesën e parë të akuzës zonja Lejla Bumçi, e shoqja e Z.Rudolf Bumçi, (të cilët familjarisht banonin në Fiume), pohoi para trupit gjykues të drejtuar nga Koçi Xoxeja, se si kishte qenë dëshmitare pamore kur Xhevat Korça kishte formuluar telegramin adresuar Mbretit Zog me të cilin i drejtohej këtij të fundit  duke i thënë t’i harronin inatet e ndërsjella dhe Mbreti  t’i lejonte kundërshtarët e tij politikë si Xhevat Korça me shokë, për hirin e Kombit Shqiptar, të hynin në Shqipëri e krah përkrah me Zogun t’a prisnin me pushkë ushtrinë italiane kur ajo t’a sulmonte Shqipërinë.  Gjithashu zonja L.Bumçi shtoi se, që të mos e hetonte spiunazhi italian telegramin në fjalë, Xhevat Korça me të shoqen së bashku me çiftin Bumçi, shkuan në qytetin jugosllav Sushak si për një shetitje, (të cilin nga Fiume-ja e ndante një urë), dhe që atje e kishin nisur telegramin.   
Nga ana tjetër zonja L.Bumçi dëshmoi edhe se, ditën e 7 prillit ajo me gjithë të shoqin së rishmi ndodheshin në apartamentin e Xh.Korçës duke dëgjuar në radio lajmet lidhur me zbarkimin e trupave italiane në Shqipëri.   Bije zilja e derës dhe hyjnë një gazetar italian i shoqëruar nga një drejtues i kuesturës së Fiumes dhe duke i u drejtuar Xh.Korçës e duke i thënë që si kundrazogist që ishte të bënte një deklaratë lidhur me kënaqësin’e tij që ushtrija fashiste e dëboi nga Shqipëria Mbretin Zog, Xhevat Korça u kishte thënë me lot në sy ... shporrmuni që këtej se sot ju na e pushtuat Atdheun !
Kurse dëshmitari tjetër z.Fuad Asllani i deklaroi trupit gjykues se, kur kishin qenë studentë në Universitetin e Vienës, Xhevat Korçën e kishin patur simbolin e patriotizmës, gjë që e meritonte si luftëtar i lirisë dhe pavarësisë kombëtare si pjesëmarrës në çetën e Spiro Bellkamenit e pastaj edhe të Themistokli Gërmenjit.  Gjithashtu ai kishte sjellë, për pjesën e dytë të akuzës, edhe një kujtim të freskët personal.   Zoti Fuad Asllani deklaroi se kur kishte vajtur t’a takonte Xhevat Korçën në zyrën e tij në ministri së bashku me mikun e përbashkët zotin Faik Dishnica,  mbas pak kishte trokitur dera dhe kishte hyrë këshilltari i Ministrisë Arsimit, Prof. Sestilio Montanelli, (i ati i gazetarit Indro Montanelli).  Kishte marrë drejtqëndrim dhe i kishte kërkuar leje ministrit të largohej nga zyra e të shkonte se e kërkonte në takim Mëkëmbësi i Mbretit, Jacomoni.   Xhevat Korça kishte shikuar orën dhe i kishte thënë ... mund të shkosh por mos u vono.  Në orën 12 kemi një mbledhje.   Sapo qe larguar këshilltari, zoti F.Asllani i kishte thënë ministrit ... që je i prerë e dinim, edhe si anti italian të njihnim, por që t’ia bëje kështu këshilltarit, nuk e merrnim dot kurrë me mënd !    
Advokati i Xh.Korçës me atë rast i paraqiti trupit gjykues edhe një qarkore të lëshuar dhe nënëshkruar nga kryekomandanti i forcave ushtarake në Shqipëri, gjenerali Dalmazzo.   Me  anën e asaj qarkoreje urdhëroheshin  komandat italiane të dislokuara në Shqipëri që, sa herë të shkonte në prefekturat ku i kishin selitë komandat në fjalë ministri Xhevat Korça, të gjurmohej nga afër si person me tendenca komuniste.   
E ndjej për detyrë të saktësoj se si akuza e prokurorit e gjithashtu dëshmitë janë të materializuara në protokollin e seancës gjyqësore të gjyqit special  kundra të pandehurit  Xhevat Korça.   Kurse qarkorja e gjeneralit Dalmazzo ndodhet në Arkivin e Shtetit tek fondi Xhevat Korça, (fond që deri në vitin 1991 mund të shfrytëzohej vetëm me autorizim special nga historianët si z.K.Frashëri me shokë, ndërsa sot shumë më thjeshtë mund të gjurmohen dokumentat e arkivuara në atë fond).     
Lidhur me dëshmít’e paraqitura si edhe me dokumentin e Komandës Italiane të cilat e hodhën poshtë akuzën e prokurorit Bedri Spahiu, nuk mundem të rri tashti pa i u referuar akuzës së parë që formulon për Xhevat Korçën zoti K.Frashëri.   Së pari, pohoj se akuza e parë e këtij studjuesi historije t’a kujton një për një  pohimin e prof. Pietro Coppola-s lidhur me historianët e epokës fashizmit në Itali të cilët çdo fakt që binte ndesh me kriteret e regjimit e shpërfillnin, e linin më një anë dhe e mbulonte errësira.   Mirëpo nisur nga fakti se sipas z.K.Frashëri, duke mos qenë unë historian, e pra duke mos e patur unë idenë se si i qëmtojnë, i grumbullojnë, i klasifikojnë, i analizojnë e pastaj  edhe i interpretojnë faktet z.K.Frashëri me shokët e tij, po ndjek shtegun tjetër, jo atë të historianit por të krahasimit të dokumentave që u paraqitën, me pohimet e vetë z.K.Frashëri në debatin me kolegun e tij z.Teodor Kareco.  Në cilën kategori t’a vendos akuzën si përkrahës politik të Benito Mussolinit në pushtimin e Shqipërisë  që historiani i nderuar i drejton Xhevat Korçës ?   Si i a lejojnë edukata familjare, kodi shoqëror i mirësjelljes, formimi kulturor, etj.etj. z.K.Frashëri të ngrejë këtë akuzë duke i patur xhepat bosh sa u takon argumenteve ?   Mos kjo akuzë u ngjet shashkave të laraskave ?   
Vazhdojmë tashti me akuzën e dytë të z.Kristo Frashëri ndaj Xhevat Korçës duke e quajtur kolaboracionist sepse pjesëmarrës në qeverin’e kryesuar nga Mustafa Kruja dhe pra doemos, si nënkuptim, fajtor !   Për t’a trajtuar edhe këtë “shashkë laraskash” të z.K.Frashëri ndaj Xhevat Korçës, i kërkoj leje lexuesit që para se të vij në përfundimin e sipërpërmëndur, të sjell dokumenta e fakte historikë rreth kësaj akuze.
Sa është spekulluar edhe akoma vazhdon e spekullohet me këtë term të cilin ideologjia komuniste e transformoi në tabú për 47 vite me radhë e si pasojë, si ajo pika e ujit e cila e çpon gurin jo për intensitet goditjeje po për kohëzgjatje të sajën, sapo një personi i vihej epiteti kolaboracionist, ai automatikisht bëhej i pandehur edhe dënohej nga diktatura !  
Marr shkas t’a trajtoj këtë problem shumë delikat me shpresën që sadopak, studjuesve të rinj, t’u sqaroj disa momente e njëkohësisht t’ua sheshoj shtegun e ndjekjes fakteve dhe të vërtetave historike të cilin aq të minuar u a bën ky term.  
Si kolaboracionizëm e kompromis politik i parë, njihet kolaboracioni i bërë verën e vitit  1939 ndërmjet Hitlerit edhe Stalinit. Të dy ishin të interesuar të  fitonin kohë.  Me që ishte Gjermania e cila diktonte kushtet, cila qe monedha e shkëmbimit ?   Dorëzimi nga ana e Bashkimit Sovjetik Gjermanisë i dhjetra mijëra komunistëve gjermanë si edhe austriakë që kishin ikur nga vëndet e tyre kapitaliste të gjenin çerdhen e lirisë në Bashkimin Sovjetik !   Sa për dijeni, Stalini e shkarkoi menjëherë ministrin e Jashtëm Litvinovin (hebré rus) se qe me ndjenja antigjermane (se këta antisemitë) dhe emëroi Vjaçeslav Molotovin që së bashku me Ribentropin e nënëshkruan traktatin kolaboracionist të mossulmimit !   Por ama shtoj se kurrë Stalinin, profesorët historianë shqiptarë si z.K.Frashëri me shokë, nuk e quajtën kolaboracionist !   
Vazhdojm’e sjellim dokumenta si e shikonte vetë kryeministrin Mustafa Kruja si edhe qeverinë e kryesuar prej tij, ish Mëkëmbësi i Mbretit, Francesco Jacomoni i cili në faqen 287 të veprës tij “Politika e Italisë në Shqipëri” (publikuar nga Cappelli editore në maj 1965), shkruan :   “Në krye të qeverisë shqiptare duhej vënë një njeri i cili, për të kaluarën e tij, t’ishte i njohur si një eksponent me autoritet i nacionalizmës shqiptare dhe gjithashtu për vëndin e tij t’a kish rrezikuar edhe jetën e tij.   E pra ai njeri është Mustafa Kruja ...”  
Kurse konti Galeazzo Ciano, ministri i Jashtëm i Italisë në ditarin e tij në faqen 556, (të publikuar nga shtëpia botuese Rizzoli në tetor 1990), shprehet :  “... Jacomoni propozon ndryshimin e qeverisë në Shqipëri.   Kruja në vëndin e Vërlacit.   Kjo nënkupton një vazhdim lëshimesh drejtë ekstremistëve të nacionalizmës shqiptare.”    
Këtë skicë hyrëse rreth kolaboracionizmit në përgjithësi, do t’a vazhdoj me pohimet e Ramiz Alisë përgjatë njerës prej intervistave të tija të fundit.  Kur pyetet R.Alia PËRSE U MBËSHTETËT NË KINËN E MADHE, ai përgjigjet se Shqipëria gjithmonë ka kërkuar mbrojtje edhe mbështetje sepse ndodhej mes kundërshtarësh që donin t’a shtypnin e t’i merrnin nga një copë tokë :  njeri veriun e tjetri jugun.   Bile shton se ishte kënaqësi e madhe të kishe mbështetjen e një fuqije tjetër !   Shikojmë tashti bëmat e tij kolaboracioniste me jugosllavët në vitin 1945 :
   Z.Islam Kadesha ka pohuar për gazetën “Liria” në vitin 1993 sa vijon :  “Më 11 prill të vitit 1945, kur unë punoja shifrant në K.Q. të P.K.Sh-së, erdhi një shifër nga komisari i divizionit të Ushtrisë Nacional Çlirimtare, Ramiz Alia, i cili njoftonte tekstualisht :
- SOT HERËT NË MËNGJES, NJË TURMË E MADHE PREJ DISA MIJËRA SHQIPTARËSH TË KOSOVËS, PASI U GRUMBULLUAN NË MES TË DY KODRAVE NË NJË LUGINË, I PUSHKATUAM DHE I LIKUIDUAM TË GJITHË. -   Pasi e deshifrova telegramin, i a çova Koçi Xoxes në zyrë.  Atje ishte edhe Enver Hoxha.  I tronditur për së tepërmi për masakrën e kryer ndaj bashkëkombasve kosovarë, nuk e përmbajta dot veten dhe shpreha urrejtje ndaj vrasësve.  Enver Hoxha mu drejtua me një ton brutal dhe më kërkoi të mbyllja gojën, se përndryshe më fluturonte koka.  Nga kjo përgjigje kuptohej se Enveri jo vetëm ishte në dijeni të kësaj masakre, por ndoshta ishte edhe një nga inspiruesit e saj.”   
Besoj se më lejohet t’a shtroj pyetjen : në qoftë se ky deponim i z.I.Kadesha vërtetohet  e nga kujtim personal merr trajtën e faktit historik, ç’emër tjetër mund t’i vihet veçse kolaboracionizëm kriminal e terrorist me jugosllavët dhe në favorin e tyre ?  
              Lidhur me patriotizmin intransigjent të Mustafa Krujës dhe qeverisë kryesuar prej tij, do të sjell edhe një fakt i cili konfirmohet shumë kollaj ndër dokumenta arkivale.   Kur i propozuan drejtimin e qeverisë, Mustafa Kruja, ndërmjet shumë kushteve paraqiti edhe kërkesën themelore që Flamurit Kombëtar t’i hiqeshin dy sëpatat e fashizmit (për anë shqiponjës) si edhe nyja e Shtëpisë Savoia (ndën këmbët e shqiponjës), e në mes dy krenave të shqiponjës lart, të vihej përkrenarja e Skënderbeut !   Kësisoji me kushtin që vuri M.Kruja, Shqipëria tashmë që nga shkurti i vitit 1942 si Simbol Kombëtar do të kishte Flamurin e Kastriotëve !   Po kurrë përgjatë diktaturës nuk u fol lidhur me këtë moment kyç të historisë tonë ku u pa me fakte se qeveria Kruja po fillonte t’i vinte mirë sinorët mes shtetit shqiptar si edhe shtetit italian.   (Të gjitha dokumentat si edhe fotografí gjënden në Arkivin e Shtetit).
              Po z.Kristo Frashëri me shokët e tij për se luftuan ?  Që të hiqej nga flamuri përkrenarja e Skënderbeut e të vendosej ylli i kuq me pesë cepa ?   
Gazetari italian i dëgjuar Indro Montanelli, i cili e kishte intervistuar Mustafa Krujën, pohon në gazetën “Corriere della Sera” të datës 21 maj 1942, duke sjellur bindjen politike të Mustafa Krujës, si vijon :  “Ne nuk mund të jemi të pavarur pa mbështetjen e Italisë sepse do të binim pré e fqinjëve tanë më të fortë se ne”.   Unë shtoj se me Italinë na ndante një det’i tërë e në kët premisë u mbështet qeveria Kruja.  Kurse P.K.Sh. u mbështet në fqinjin verior, pra në sllavin historikisht e skajshmërisht agresiv e antishqiptar !
   Mustafa Kruja pranoi të formonte një qeveri të përbërë prej atdhetarësh të shquar e të sprovuar, e që mbi të gjitha ishin edhe anti-italianë, që punët në Shqipërinë Etnike, (Shqipëria e bashkuar me Kosovën),  t’i lidhnin e t’i zgjidhnin shqiptarët e sa më pak t’u lihej hapësirë italianëve !  
Po qëndrimi i Enver Hoxhës ndaj Kosovës ? Lidhur me këtë problem u referohemi katër dokumentave historikë.
Në muajin korrik 1946 u mbajt mbledhja e Kuvëndit të Sërbisë ku u miratua aneksimi i Kosovës Jugosllavisë Federale.   Po P.K.Sh. si veproi ?  Heshti dhe e harroi mbledhjen si edhe vendimet e Bujanit ku qe vendosur vota plebishitare pas lufte !
Në muajin gusht 1946, vetëm një muaj mbas aneksimit të Kosovës, gjatë punimeve të Konferencës Paqës, mbasi Enver Hoxha mbajti fjalimin në emër të Delegacionit Shqiptar, e pyetën lidhur me aneksimin e Kosovës.  Ai u përgjegj : “Ne nuk kemi pretendime ndaj aleatit tonë Jugosllavi”!  (Enver Hoxha, fjalimi origjinal në Konferencën e Paqës, Paris, A.Q.Sh.).
Më 15 dhjetor 1946 në mbledhjen e Byrosë Politike të Komitetit Qëndror Enver Hoxha ka thënë : “... Disa anëtarë partie duan të filozofojnë se mos thotë populli ç’bëtë me Kosovën ... ne do t’u a shpjegojmë, kush nuk na kupton, ne do t’i luftojmë”!  (Proces verbali mbledhjes gjëndet në dokumentat e ish Arkivit të K.Q. të P.P.Sh.-së).
Vazhdojmë me Enver Hoxhën në fushën e kompromiseve.  Më 23 dhjetor 1947 takohet me Titon e kapitullon totalisht.  Në mbledhjen e Byrosë Politike më 5 janar 1948 shprehet integralisht : “Çështja e partisë zgjidhet kur të gjitha çështjet të shtrohen në baza federative, d.m.th. Sekretari i Përgjithshëm nuk jam unë por Mareshali Tito. Ne jemi parti si partitë e republikave të tjera, me sekretarët e saj, me vijën e njëjtë me të tjerat”!  
Cilësori “njerëz të kompromisit edhe kolaboracionistë” që Enver Hoxha me shpurën e  historianëve të tij u a veshën Mustafa Krujës dhe ministrave të qeverisë kryesuar prej tij, në vazhdim mbeti si sinonim shitje interesash kombëtare.  
Besoj se në kuadrin e këtij shkrimi nuk kam më përse zgjatem me krahasime se si E.Hoxha me partin’e tij komuniste si edhe me qeveritë e ndryshëme përgjatë 47 viteve të diktaturës komuniste, qenë tamam simboli i shitjes interesave kombëtare veç për të ruajtur pozitat udhëheqëse diktatoriale personale dhe krahasimi mes kompromiseve të tyre me ato të qeverisë kryesuar nga Mustafa Kruja janë krejtësisht e diametralisht të kundërta.  
Lidhur me pikësynimet e kolaboracionit të qeverisë Kruja, (e në vazhdim edhe qeverive pasuese si edhe Këshillit të Lartë të Regjencës), i ftoj historianët e ndershëm të hedhin një sy krahasues mes Danimarkës kolaboracioniste, Shqipërisë kolaboracioniste si edhe Shqipërisë komuniste, “aspak kolaboracioniste”.   Danimarka u pranua në NATO që më 4 prill 1949 dhe në T.P.E. që më 1 janar 1973.  Politika shqiptare qe e njejtë me të Danimarkës, me dallimin e mbrojtjes hebrejve ku Shqipëria me diferencë i paraprin Danimarkës.  Qeveria e kryesuar nga M.Kruja ka një meritë të jashtëzakonëshme e cila nga historianët tanë të indoktrinuar jo që nuk u guxua t’i jepej përgjatë diktaturës por edhe sot, për t’u mbrojtur lidhur me turpin e tyre të shfytyrimit të historisë asokohe, askush prej tyre, pa le K.Frashëri, nuk e zenë në gojë.*  
Besoj se tashti, mbasi u trajtua aq sa e lejon kuadri i këtij shkrimi, problemi kolaboracionizëm në të mirë të vëndit e me dinjitet, të pjestarëve të qeverisë Kruja, i krahasuar ky me kolaboracionizmin komunist me piksynim veç interesa personale, e kam të drejtën të dal në përfundimin se edhe akuza e dytë e ngritur nga z.K.Frashëri kundra Xhevat Korçës si kolaboracionist, (në kuptimin e keq edhe fyes të fjalës), nuk është tjetër gjë veçse një shashkë laraskash.   
Akuza e tretë kundra Xhevat Korçës është se qëndrimet e këtij të fundit kanë qenë turpe, sipas z.Kristo Frashëri.
Faktet e dokumentuara që u paraqitën kundra akuzave të pathemelta nr.1 si edhe nr. 2 mendoj se ma japin të drejtën legjitime të shtroj pyetjen :  a janë të turpshëm qëndrimet e Xhevat Korçës apo të paturpëshme akuzat e drejtuara ndaj tij ?  Pa i a hyrë pastaj e t’a analizojmë se si sot, nga lartësit’e shekullit të XXI-të, K.Frashëri vazhdon e flet akoma me gjuhën e Koçi Xoxit edhe Bedri Spahiut !   Ky po, është turp e shkuar turpit !  
 Në një intervistë televizive gjatë 2008-ës kur z.Blendi Fevziu  e pyeti lidhur me figurën e Mustafa Krujës, K.Frashëri bëri një ngërdheshje e tha :  Spiun i fashizmit ka qenë, megjithse mua më bëri nder, më nxori nga burgu.   E lemë mosmirënjohjen.   Po i thuhet një kryeministri, një bashkënënëshkruesi të Dokumentit të Pavarësisë, një shkencëtari përmasash madhore, spiun ?    Mund t’i thonte kolaboracionist apo njeri i kompromisit, po spiun ?   Ku e çuan edukata familjare si edhe të gjitha kodet e mirësjelljes, të kulturës e të shkencës z.Frashëri ?   Kurse drejtuesit kosovarë i vunë emrin Mustafa Kruja (akoma pa u shpallur pavarësia e Kosovës), pikërisht rrugës para Parlamentit të Kosovës !   
Sa i takon akuzës nr.4 me pretendimin se unë e akuzoj z.K.Frashëri se dua të nxjerr përfitime, mendon ai se ka akoma vlerë shit-blerjeje figura e tij në treg që unë të përfitoj ?  
NË PËRMBYLLJE :   Me që akuza ndaj Xhevat Korçës si kolaboracionist qe e përgjithëshme (si anëtar i qeverisë M.Krujës), tashti po zgjerohem e të jap disa vazhdime biografike rreth personalitetit të tij që z.K.Frashëri më nderon t’ia ballafaqoj.   
Përgjatë muajit shkurt 1931 e në vazhdim, emigrantët antizogistë mundoheshin që gjyqi Ndok Gjeloshit si edhe Azis Çamit, (atentatorëve të mbretit Zog që qëlluan mbi të më 21 shkurt 1931), të mos zhvillohej në Vjenë ku ndjenjat pro monarkisë ishin të theksuara, por të gjykoheshin në një qytet industrial ku trupi gjykues të ishte më liberal ndaj një atentati kundërmbretëror.  Thelbi i çështjes ka lidhje me faktin se si një advokat austriak me atë rast boton një artikull tejet  agresiv edhe fyes ndaj shqiptarëve duke i quajtur popull i egër e duke shtuar lloj lloj shpifjesh për kombin shqiptar.  Xhevat Korça, i prekur në sedër nga ky sulm jo vetëm antishqiptar por edhe personal nga ana e autorit, nuk e zgjat por e fton advokatin në duel !    Ky i fundit kërkon sqarime dhe Xh.Korça i përgjigjet  se vetëm dy ishin alternativat :
a- Të caktonte afatin e duelit
b- N.q.se donte  t’i shmangej duelit,  duhej të shkruante në të njejtën gazetë, në të njejtin numur faqeje edhe po aq gjatë (pak a shum të njejtin numur fjalësh), duke kërkuar ndjesë për sa kishte shkruar e duke pohuar se informatat i kishte patur të gabuara rreth popullit shqiptar.
Dhe advokati jo vetëm që veproi kësisoji por edhe kontribuoi në vazhdim që gjyqi të zhvillohej në një qytet industrial, siç edhe u veprua, ku atentatorët, ndonëse qe vrarë Llesh Topallai, ndihmësi i Zogut, u dënuan vetëm simbolikisht !                           
Vazhdojmë më tej.  Në një mbrëmje të organizuar nga Luogotenenca në muajin prill të vitit 1940 me intelektualë shqiptarë, ndërsa këta rrinin të shpërndarë grupe-grupe, i avitet Lorusso Attoma, (ndihmësi i mëkëmbësit të mbretit, Jacomoni), grupit ku qe Xhevat Korça duke i u drejtuar këtij të fundit e duke i thënë ... Profesor, nga ju ne presim tashti, si kundërshtar i regjimit të Mbretit Zog që keni qenë, të na shkruani për fashizmin dhe për të mirat që ai po i sjell Shqipërisë.
Kuptohet se situata përnjëheresh u bë e nderë. Të pranishmit që i a dinin kokën  Xhevat Korçës se mendimin e tij e thosh hapur e pa doreza, po prisnin.  Dhe në fakt përgjigja erdhi :   Zoti Attoma, duhet t’a dini se që më 7 prill të vitit 1939 stilografit tim i është thyer maja !  Ra heshtja.  Lorusso Attoma ngeli shumë keq e pas pak u largua.  Mirëpo ndryshe e mendoi  Omer Nishani i cili qé i pranishëm në skenë dhe mbas disa ditësh botoi nji artikull te gazeta «Tomori» që mbyllej me fjalët: «Rroftë Mbreti ynë Perandor Viktor Emanueli III! Rroftë Duçja ynë i Madh» (“Tomori", 12 prill 1940, faqe 3).  Dhe ironia më e madhe është se mbas marrjes pushtetit nga komunistët, P.K.Sh. Xhevat Korçën e dënoi si kolaboracionist kurse Omer Nishanin e vendosi president e në vazhdim po ai sistem e detyroi të vetëvritej !                              
Vazhdojmë me fakte të dokumentuara e të administruara nga trupi gjykues gjatë gjyqit special.  Kur i propozuan Xhevat Korçës të drejtonte dikasterin e Arsimit  ai vuri dy kushte të cilët edhe u zbatuan :   
1- Të hiqej italishtja si gjuhë e huaj e detyruar nga të gjitha shkollat fillore të Shqipërisë dhe të lihej si gjuhë me përzgjedhje fakultative në shkollat e mesme.
   2- Të liroheshin nga burgjet si edhe nga internimi në Ventotene të Italisë të gjithë arsimtarët e akuzuar si anti italianë.  
  Shtoj tashti për sqarim se, sapo u emërua ministër Arsimi, Xhevat Korça vendosi të shkojë në Ventotene të takohej me të internuarit e asaj kategorie që kishin lidhje me kushtin e vënë prej tij.  Ndërmarrja e një veprimi të tillë, nisur nga fakti se me të vënë këmbë në aeroportin e Romës Xhevat Korçën do të dilte t’a priste për protokoll ministri i Arsimit të Italisë Giuseppe Bottai e kur ky t’a merrte vesh qëllimin e vizitës ministrit shqiptar, do të krijohej një incident jo i pëlqyeshëm.   Megjithatë Xhevat Korça shkoi në Ventotene, mori takim me të internuarit duke u a dhënë ai vetë gojarisht lajmin e lirimit të tyre të afërt, pa e përfillur fare qeveria e M.Krujës se çdo të mendonte qeveria italiane lidhur me atë veprim.  
Gjatë debatit gjyqësor prokurori Bedri Spahiu e akuzon Xhevat Korçën si i shitur ndaj Italisë fashiste edhe si përvetësues i fondit F.A.P.I.  Lidhur me pjesën e parë të akuzës Xhevat Korça i drejtohet shprehimisht kryetarit të trupit gjykues Koçi Xoxe :  Në se gjeni një radhë të vetme të shkruar, apo një prononcim timin pro fashizmit, dënomëni maksimalisht.   
Sa i takon fondit F.A.P.I. Xhevat Korça paraqit listat emërore të të gjithë arsimtarëve mbarë vëndit (Shqipëri edhe Kosovë) të cilët ishin shpërblyer me një rrogë mujore dhe shuma përkonte me gjithë fondin F.A.P.I.  Mbasi u administrua prova, prokurori i drejtohet trupit gjykues dhe me thirrje histerike pretendonte se i pandehuri Xhevat Korça e kishte bërë këtë veprim për t’i kthyer arsimtarët në profashistë !   Kurse Xhevat Korça qetë, qetë dhe ironikisht kthehet e përgjigjet ... zoti prokuror paska konsideratë të lartë për arsimtarët shqiptarë që për një rrogë të shtuar u korruptuakan duke i ndërruar idealet e tyre.   Po t’a keni bindjen se është kështu, edhe unë e pranoj akuzën se ky ka qenë qëllimi im !  
Mbas dënimit, sa kohë që Xhevat Korça ishte në burgun e Tiranës, vete një ditë Mehmet Shehu t’a inspektojë burgun.   Kur hyn në kaushin ku qé Xhevat Korça i drejtohet pak a shumë ... e sheh more Xhevat Korça se po t’i ishe përgjigjur thirrjes partisë të bashkoheshe me ne në mal do të ishe i radhitur me fitimtarët.   Sipas dëshmitarëve të pranishëm, fjala kishte nxjerrë fjalën dhe duke diskutuar rreth komunizmit në përgjithësi, M.Shehu kishte shfaqur befasí rreth njohurive të Xh.Korçës lidhur me atë temë.   Atëbotë Xh.Korça e kishte pyetur M.Shehun në se e kishte lexuar vëllimin me titull DHJETË DITË QË E TRONDITËN BOTËN, të autorit John Reed.  Po, e kam lexuar, ishte përgjigjur M.Shehu.  Epo dije, i kishte thënë Xh.Korça, se atë libër unë e kam shqipëruar !  (Deri atë çast M.Shehu i drejtohej bashkëbiseduesit me “Xhevat” kurse ky i fundit me “zoti ministër”).   Mehmet Shehu kish shtangur nga ky pohim krejtësisht i papritur për të dhe mbas disa çastesh i kishte thënë ... po atëherë profesor, duke e njohur mirë komunizmin, si nuk u bëre me ne ?   Dhe përgjigja qé e menjëherëshme dhe e prerë :    DËGJO MEHMET, PIKËRISHT SE E KAM NJOHUR KAQ MIRË KOMUNIZMIN NUK KISHA SE SI TË BËHESHA ME JU !   Ky qé edhe fundi i bisedës.   M.Shehu e shikoi gjithë mllef Xh.Korçën, i ktheu krahët edhe u largua.  
Do t’i mbyll këto radhë informative për historianët tanë, duke u bërë të njohur se Xhevat Korça e mbylli jetën e tij me grevë urije.   Nuk ka patur precedent në burgjet shqiptare një rast i tillë ku vendimi i marrë u çua deri në fund.  Xhevat Korça, me këtë akt sakrifice të skajëshme, protestoi ndaj padrejtësive që bënte diktatura e egër nëpërmjet klikës së saj terroriste me në krye diktatorin Enver Hoxha !   Vijmë tashti edhe tek :
PËRMBYLLJA :   E gjithë jeta e Xhevat Korçës ësht’e përshkuar tej’e ndanë nga sakrificat e tija për Atdhé si edhe qëndrime burrërore konsekuente të mbajtura në çdo rast’e rrethanë.  Si luftëtar i dy çetave më të njohura të jugut për t’i dhënë vëndit pavarësinë, ai u dënua me vdekje dy herë, njerën nga turqit e tjetrën nga grekët.  (Mos t’a harrojnë historianët se Themistokli Gërmenjin, komandantin e Xh.Korçës, e dënuan me vdekje dhe e ekzekutuan forcat franceze, përkrahëse të armiqve tanë shekullorë).  Nuk duhet harruar dora q’i shtriu Xh.Korça mbretit Zog, (kundërshtarit të tij politik) duke i u ofruar si “një pushkë më shumë” në pragun e agresionit italian më 7 prill 1939.  E kjo për hir të interesave kombëtare.   Pozicionimi i Xh.Korçës ndaj ndihmësit të Jacomonit duke i deklaruar publikisht se e kishte thyer majen e stilografit e prandaj nuk kish se si të shkruante pro fashizmit si edhe pohimi tek gjykohej se po të gjenin një rrjesht të shkruar ose fjalë të thënë pro fashizmit, ai pranonte dënim maksimal, janë shfaqje karakteri të pathyeshëm që z.Kristo Frashëri me shokë as që i konceptojnë dot.  
E që t’a mbyll edhe me paraqitje momentesh e faktesh historike nga jeta e Xhevat Korçës, do t’ia paraqis lexuesit edhe dëshmin’e fundit rreth jetës Xh.Korçës në burgun famëkeq të Burrelit.  E kanë sjellë q’andejmi dy bashkëvuajtësit e tij dhe personat që i përjetuan me të ditët e  fundit të jetës tij, ditët e grevës urisë, zotërinjtë Xhevdet Kapshtica si edhe Reis Hasho.  Ata kanë treguar se ditën e tretë a të katërtë të grevës urisë, e marrin   Xhevat Korçën dy gardianë dhe e çojnë në drejtorín’e burgut.   Atje ishte drejtori me një person që i u paraqit se qé Kadri Hazbiu.   Ky i fundit fillimisht i qé drejtuar me shumë mirësjellje dhe qetësisht, duke e këshilluar të hiqte dorë nga greva.   Kur e kishte parë se Xh.Korça mbante qëndrim të vendosur dhe të palëkundshëm, kishte filluar t’a ngrinte zërin.  Xh.Korça u kishte treguar kolegëve të tij kur qe kthyer në “kaushin e tij” se,  sa më shumë ky e ruante gjakftohtësinë edhe tregohej i palëkundur, aq më shumë ministri e humbiste durimin.  Në fund Xh.Korça i kishte thënë se sa i takon shqetësimit që i shkaktohej udhëheqjes lidhur me këtë akt të tijin, që K.Hazbiu e quante kriminal e të papranueshëm, Xh.Korça nuk donte t’ia dinte fare e në fund i kishte shtuar :   Dëgjomë me vëmëndje o Kadri Hazbiu.   Që nga çasti që unë vendosa të vdes në grevë urije, unë nuk jam më mes jush, mes tokësorëve.   Enver Hoxha e di si më duket që nga lart ?   I vogël sa një mizë !   Po ti dije se Enveri yt do të t’a hajë kokën ty !   Me aq e kishte mbyllur gojën e s’kish pranuar t’a vazhdonte më bisedën.  
                                     
 P A S T H Ë N J E  :                                           

Me që pikësynimi im ishte të vija në dukje se si historianët e rinj të mësojnë nga e kaluara e të mënjanohen nga shtegu i shtruar për ta nga pedagogët profesorë, mjeshtër në manipulime edhe shtrembërime faktesh historike duke qëndruar konformistë ndaj vijës ideologjike të partisë e duke i a përshtatur faktet asaj vije, nuk kam se si mos t’i paraqis edhe disa fakte të kësaj ane të medaljes.   Në tekstin e shkollave të mesme Historia e Shqipërisë të vitit 1984 me bashk’autorësí të Kristo Frashërit dhe Stefanaq Pollos, në çdo faqe t’a hapësh tekstin ndeshesh me xhevahire..  Në faqen 171  pozicionimi i K.Frashërit ndaj çështjes kosovare :     “Pas kapitullimit të Jugosllavisë u krijua Shqipëria e madhe ku përfshihej edhe një pjesë e tokave të Kosovës e të Rrafshit Dukagjinit.  Por komunistët shqiptarë nuk e pranuan zgjidhjen fashiste të çështjes kufijve të Shqipërisë dhe luftuan krahas popujve fqinjë kundër armikut të përbashkët, duke u mbështetur në parimin e vetëvendosjes së popujve pasi të çliroheshin nga pushtuesit e huaj”.   (I kujtoj lexuesit krimin e vrasjes disa mijëra shqiptarësh të Kosovës nga Divizioni V-të, mospërfilljen nga P.K.Jugosllave të vendimit për plebishit popullor lidhur me tokat e banuara me shumicë dërmuese nga shqiptarë, si edhe qëndrimin e E.Hoxhës kur pyetet në Konferencën e Paqës në Paris rreth problemit “Kosovë”).      Faqe 174 :  “Me formimin e P.K.Sh. populli ynë kishte, për herë të parë në historinë e tij, një udhëheqje besnike e të sigurtë të luftonte deri në fund për mbrojtjen e interesave të tij”.   (Në 1984-ën, kur ishin pushkatuar si tradhëtarë pjes’e madhe e udhëheqësve të ushtrisë, ekonomisë e t’ashtuquajtur grupazhe të ndryshëm, K.Frashëri akoma me vijën e partisë).   Faqe 197 :  “P.K.Sh. i siguroi popullit aleatë të shumtë e të fuqishëm.  Ajo e edukoi popullin shqiptar me frymën e internacionalizmit proletar, të miqësisë e të vëllazërimit me të gjithë popujt e në radhë të parë me popullin sovjetik”.   (Cili qe rezultati ?).  “Gjatë vitit 1946 u zbuluan komplotet e grupeve të fshehta politike të organizuara nga misionet angleze dhe amerikane.  Qëllimi i tyre ishte përmbysja e pushtetit popullor me ndihmën e ndërhyrjes ushtarake anglo – amerikane ... Siç vërtetoi gjyqi i deputetëve fijet e komplotit të tyre çonin gjithashtu te misionet anglo- amerikane”.  (Po dil së paku sot more K.Frashëri e prononcoju kundra NATO-s si dikur).  Faqe 239 :   “Lindën në qytete dhe në fshat lëvizje të fuqishme revolucionare si ajo për t’a vënë interesin e përgjithshëm mbi atë personal, për revolucionarizimin e mëtejshëm të shkollës etj.  Detyra e parë në këtë drejtim ishte kolektivizimi i plotë i bujqësisë në mbarë vëndin.”   (E K.Frashëri na e ka ushqyer rininë me këto gjëpura që e morën në qafë vëndin).  Lexojmë në Faqen 240 :   “Lëvizja kundra fesë ishte një lëvizje që për nga karakteri, përpjesëtimet dhe rezultatet konkrete nuk e ka njohur historia botërore ... Fetë në vëndin tonë e kanë pasë lidhur fatin e tyre me atë të pushtuesve të huaj ... Feja dhe shërbëtorët e saj dolën para gjyqit të historisë e të popullit ”.   (Dridhuni në varre apo ku u a kanë hedhur eshtrat K.Frashëri me gjithë nxënësit e tij, atdhetarë të tejskajshëm e pastaj edhe klerikë të shquar).  
Akuzat e K.Frashërit ndaj Xh.Korçës tanimë besoj se del e qartë që janë si shashkat për të trembur laraskat.  Prandaj e shoh të udhës t’a mbyll këtë analizë me cilësorin e përdorur nga K.Frashëri, ku insinuatën e tij boshe se Xh.Korça ka mbështetur Mussolinin për pushtimin e Shqipërisë si edhe faktin që pranoi të bëhet ministër në qeverinë e kryesuar nga M.Kruja, i quan turpet e Xhevat Korçës.   Kjo arësyeja pse dua t’i krahasoj sjelljet e qëndrimet e të dy  personazheve e të vihet në dukje cili syresh gjithë jetën ka qenë konsekuent dhe i patrembur në çdo rrethanë duke patur gjithmonë në qëndër të vëmëndjes interesat kombëtare e cilit i kanë munguar këto cilësi karakteri.   
Nuk mund të thuhet për asnjerin se nuk e kanë dashur jetën.  Por kur ishte puna të luftohej armiku i kombit Xh.Korça nuk e mori parasysh vdekjen dhe fakti është se e dënuan me vdekje osmanllinjt’edhe andartët.  38 vjeçar e ve me tek a çift jetën në rrezik duke ftuar në duel se i a shanë popullin e tij.   E kam thyer penën stilografike me 7 prill 1939, i thotë ndihmësit të Jacomonit Xh.Korça.   Stoikisht e kryelart’i hedh poshtë akuzat  në gjyqin special.  Më të vështirën vdekje zgjedh ai kur është puna t’i kundërvihet regjimit terrorist komunist.  
Kurse K.Frashëri përmënd se e ka cituar veprën shkencore të Xh.Korçës si vepër me vlera.  Un’e pyes kur, z.Frashëri ?  Në tekstin e Historisë Shqipërisë të 1984-ës ?   Apo në 2002-shin edhe 2008-ën ?   As një citim shkencor nuk ka guxuar të bëjë ai përgjatë diktaturës as për një vepër historike të shkruar që më 1923-shin !  Pretendon se për Lef Nosin e ka shfaqur mendimin e tij pozitiv.   Gëzohem, por e pyes kur ?   Edhe sot e kësaj dite K.Frashëri, nga lartësit’e shekullit të XXI-të, e quan të egër sjelljen e Patër Anton Harapit si edhe Mehdi Frashërit ndaj Lëvizjes Nacional Çlirimtare !   Sa për informacion, u a rikujtoj historianëve të rinj, se patër Anton Harapi nuk e pranoi postin e anëtarit të Këshillit të Lartë të Regjencës pa miratimin e Papës.  Përgjatë periudhës si regjent nuk mori rrogë dhe vazhdoi e banoi në qelën e tij priftnore.  Nga ana tjetër vuri kusht që sa kohë do të ishte anëtar Regjence nuk do të nënëshkruante dënim me vdekje !   Fjalimin  e tij paraqitës të përshkuar fund’edhe krye nga një atdhedashuri e thellë ** e përfundon me fjalët :   Sod që jemi më kufí të përmbysemi me t’egër e me të butë, në këtë përmbytje të fundit, për ne nuk do të ketë germanofila, anglofila, italofila; s’ka njerëz të djeshëm e të nesërm, sot do të jemi shqiptarë e vetëm shqiptarë, të zot të çveshemi e të harrojmë gjithshkafen, vetëm e vetëm për të shpëtue komb, shtet e popull. Urrah të bashkohemi, se mbaruem : Të prâjnë fjalët e arsyetimet. T’a bâjmë monumentin kombëtar : bashkimin e shqiptarve.
Unë tashti shtroj pyetjen aspak retorike por të themeltë :   
- Pozicionimi i K.Frashërit përgjatë tekstit mësimor të Historisë Shqipërisë, (botim i vitit 1984), i vazhduar me pozicionimet e tija politike edhe sot e kësaj dite,    
- Këmbëngulja e tij që edhe sot e kësaj dite, mbas gjithë shfytyrimeve, lënjes në hije dokumentash historikë si edhe mashtrimeve që u ka bërë rrjedhave historike, të japë gjykimet rreth historisë kombëtare,
- Pafytyrësia e tij në quajtjen e vetes tij të shikuar shtrembër nga diktatura se e çoi me qarkullim mësues historie në kryeqendrën e rrethit prej nga ai vjen, (as në fshatin e tij), në një kohë që në tekstet e tij ka shkruar aq egër për deputetët edhe klerikët e pushkatuar nga diktatura,
A nuk janë këto tamam turpet e Kristo Frashërit ?

* Të interesuarit lidhur me hollësira rreth problemit kolaboracionizëm si edhe krahasime  mes qëndrimit të qeverive daneze si edhe atyre shqiptare gjatë Luftës së II-të Botërore, mund t’i gjejnë në faqen 152 e në vazhdim tek shkrimi “Dekorimi i Pesë Personaliteteve dhe Reagimet Keqdashëse” të librit tim me titull “HEDHJE DRITE RRETH SHTREMBËRIMESH HISTORIKE”.  
 
** I gjithë fjalimi origjinal i Patër Anton Harapit ësht’i publikuar duke filluar nga faqja 251 e në vazhdim të librit tim me titull HISTORI TË PASHKRUARA.


(Vota: 30 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora