E diele, 28.04.2024, 11:02 PM (GMT+1)

Editorial

Alfred Papuçiu: Requiem për Shqipërinë dhe Europën

E shtune, 25.07.2009, 04:00 PM


Requiem për Shqipërinë dhe Europën

Nga Alfred Papuçiu

Prej mëse 40 vitesh ushtroj profesionin e gazetarit, përkthyesit, botuesit, dikur në Shqipëri dhe aktualisht në Zvicër. Kam bashkëpunuar dhe bashkëpunoj me shkrime dhe botime, në shtypin zviceran dhe në atë të organizatave ndërkombëtare. Kohët e fundit, më tepër jam i prirur të shkruaj për Europën dhe Kombin tonë. Sidomos, në këto çaste kur Veriu i industrializuar nuk është akoma i prirur të pranojë peshën në rritje dhe ndihmesën që japin fuqitë e reja të « Europës tjetër » dhe nevojën për të vendosur një ekuilibër të ri midis Veriut dhe Jugut. Vetëm Shtetet e Bashkuara, në erën e re të Obamës mund të krahassohen si Komb, ndërsa Europa e të 27-tëve, është akoma shumë larg që të cilësohet një ditë si « Shtetet e Bashkuara të Europës ». Kontrasti është i madh midis kontinentit të « Po, ne mundemi » dhe asaj «  Ne duhej të bënim », për arsye se europianët refuzojnë të përballojnë situatën e tanishme. Nuk mund të vësh në asnjë mënyrë, siç vënë në dukje analistët, presidentin amerikan Barak Obama me presidentin e Komisionit Europian, José Manuel Barroso. Europës i duhet përsëri një Zhak Delor, pasi ajo po paguan anonimatin burokratik të drejtuesve të saj, me çmim të lartë. Përqindja e dobët e pjesëmarrjes së qytetarëve europianë në zgjedhjet e fundit shpreh edhe faktin se ka më pak Bashkim në Europë dhe më pak Europë në botë. Në rast se europianët duan të fitojnë besimin e banorëve që e përbëjnë kontinentin dhe një shpresë kolektive ata duhet të pranojnë zgjerimin e saj edhe me Shqipërinë dhe Kosovën, pasi qindra mijra qytetarë të tyre po e ndërtojnë Europën, siç dhanë kontribut të shquar në organizimin e Lojrave Olimpike në Greqi, apo në prosperitetin e shteteve që e përbëjnë atë.
Duke qënë jashtë në Diasporë, më tepër kam mbajtur rolin e spektatorit dhe jo të protagonistit të ngjarjeve të këtyre viteve, sidomos pas viteve 90-të. Detyrat që kam patur si funksionar ndërkombëtar i pavarur në disa organizma të sistemit të OKB-së, nuk më linin kohë të merresha me analiza e shkrime për shtypin shqiptar. Natyrisht, kam ndjekur në çdo hap gjendjen në Shqipëri, analizat e bëra nga dashamirët e saj, por edhe të atyre dashakeqëve që sa vijnë e pakësohen. Kam shkruar edhe me mllef por edhe me argumenta kundër tyre, siç vazhdoj edhe tani, kur është sidomos çështja e mbrojtjes së interesave të Kombit dhe padrejtësive që i bëhen atij nga disa qarqe vendimarrëse europiane. Kam shkruar dhe e theksoj edhe sot për domosdoshmërinë e ekuilibrit të politikës sonë të jashtme sidomos me fqinjët tanë, qofshin të Jugut, Veriut, Lindjes apo Perëndimit. Edhe për një politikë largpamëse me europianët. Kam shkruar edhe për Amerikën dhe qëndrimet e reja dhe pozitive të administratës së presidentit Barak Obama. Për mua mbetet vendi i parë në botë, i paarritshëm, i lirisë dhe demokracisë. Vendi ku amerikani apo shqiptari, kudo qoftë, në Nju Jork, Nju Xhersi, Las Vegas, Florida, të përshëndet : « Si jeni ? ». Kam shkruar edhe për Zvicrën që kur shkon në fshatin zviceran, si qytete të mirëfilltë mund t’i quash pa hezituar, shikon në ballkonet e shtëpive, krahas luleve shumëngjyrëshe edhe flamurin e Kantonit dhe atë të Zvicrës. Midis Zvicrës dhe vendeve fqinje tani ka vetëm kufij fiktivë. Ato ndahen vetëm nga breza tokash me grurë apo lule dhe aty këtu ka forca lëvizëse që natyrisht kontrollojnë hyrjen e keqëbërësve të mundshëm.
Kjo më bën në këto çaste të mendoj edhe për Kombin tonë : tashmë ai nuk është më « i mbyllur hermetikisht » si dikur, por i hapur, paçka se shumë bashkëkombas të mi, detyrohen akoma të mbajnë radhën me orë të tëra, ditë dhe muaj, për të marrë një vizë, për të shkuar në Europën e 27-shes. Jo për turizëm, por për të punuar dhe për t’u raskapitur…
Kam punuar në organizatat ndërkombëtare, Kombet e Bashkuara në Gjenevë, në Komisionin Ekonomik të OKB-së për Europën, në UNCTAD, në Byronë Ndërkombëtare të Punës, në OMS, me kolegë të vendeve të Ballkanit, bullgarë, turq, grekë dhe të vendeve europiane, gjermanë, francezë, spanjollë, britanikë, hebrej, amerikanë, rusë dhe nuk kishim asnjë kompleks për njeri tjetrin. Punonim si vëllezër dhe ndihmonim njeri tjetrin, ashtu siç më kujtohet kur isha gazetar në Shqipëri, ndihmonim njeri tjetrin, me Otin kompozitor, me Shabanin analist të zotin, me Ladin, Arshiun, Ilirjanën, Maksin, Marikën dhe Bujarin…
Ambicja ime e vetme tani është se si të hedhim një gur të mirë në kalanë tonë që është futur në udhën e demokracisë europiane, të NATO-s. Unë kam patur fat, dhe e them sinqerisht,siç mund të kishin edhe shumë bashkëkombas dhe ish kolegë të mi, që kam jetuar për një kohë të gjatë në një vend me tradita të lashta demokratik, si Zvicra, kryesisht për arsye personale. Por ju them të drejtën, kur para disa kohësh bisedova me profesor Photis Beris, shef i hematologjisë në Spitalet Universitare të Kantonit të Gjenevës, përsëri rashë në mendime. Ai profesor fisnik, flokëbardhë, i përkushtuar për gjetjen e teknikave të reja për kurimin e Talasemisë, më theksoi se mund të ndihmojmë mjekë shqiptarë që të vijnë të formohen për mjekësinë bashkëkohore, për metodat e reja të mjekimit të Talasemisë dhe hemoglobinopative në përgjithësi.Por, theksoi ai, me ta duhet të bëjmë një kontratë që të kthehen përsëri në Shqipëri, që të ndihmojnë sidomos ata të sëmurë kronikë në zonat e fshatit që nuk e dijnë që kanë këtë sëmundje. Deduksion nga ato që shpreh profesori që drejton një fondacion të fuqishëm : shumë nga shqiptarët kanë patur fatin, pas viteve 90-të, të vendosen në Europë, apo SHBA, Kanada e Australi. Por për arsye objektive dhe subjektive, për arsye të arsimimit të fëmijëve, të sistemit shëndetësor të përkryer, duke qënë në një shtet ku respektohen e drejta, ku ka pastërti, siguri, mirësi, ku « qoftëlargëve », sherxhinjve, sehirxhinjve, atyre që duan ta shtyjnë futjen e Shqipërisë dhe Kosovës në Europë, po u lëviz toka nëpër këmbë , shumica kanë vendosur të qëndrojnë aty. Kam një simpati të veçantë për Zvicrën dhe ministren e saj të jashtme, Micheline Calmy- Rey, jo sepse më ka dërguar një letër të ngrohtë, por sepse është e guximshme dhe e prerë kur ka të bëjë me çështjen e interesave të vendit të saj. Atë e respektojnë edhe përfaqësues të partive të tjera politike, të së djathtës dhe të majtës, për probleme që lidhen me interesat kombëtare. Do të doja që e njëjta gjë të ndodhte edhe në Shqipëri, në Kosovë dhe në vendet e Ballkanit. Po nuk deshëm njeri tjetrin si vëllezër, si miq, dashamirës, edhe pse nuk mund ta zgjedhim fqinjin, kolegun, apo përfaqësuesin e një partie opozitare, atëhere do të mbetemi tek demokracia e brishtë e filluar qysh para gati 19 vitesh. Unë nuk e njoh mirë personalisht profesor doktor Sali Berishën, por i heq kapelen për reformat që ka ndërmarrë dhe do ndërmarrë në mandatin e dytë, paçka se Shqipëria ka akoma probleme të korrupsionit, të shtetit të së drejtës, apo i vihen gurrë nën rrota, nga llobe të caktuara armike. Më kanë entuiazmuar fjalët e tij : «  Reforma që ndërmarrim është reforma me konsensusin më të gjërë të përfaqësuesve të Kombit shqiptar ». Ai respekton edhe Diasporën dhe tek hyrja e Rognerit kur isha së fundi në Tiranë, më përqafoi si mik dhe më uroi mirëseardhjen.
Po a janë të gjithë parlamentarët apo qeveritarët e viteve të fundit si ai ? Ndonjë parlamentar që e njoh dhe dikur na ka thënë se «  ju të Diasporës jeni jashtë loje dhe bnuk duhet të jepni mendime për Kombin », tani mund të pëtypet. Atij i kujtoj se Zvicra i quan bashkëkombasit e saj të vendosur jashtë territorit helvetik, në Europë, Argjentinë, Amerikë, Kanada, Tailandë, Sinpapur e gjetiu, si « ambasadorë të nderuar » të Zvicrës. Janë mbi 640 nijë zviceranë që jetojnë jashtë shtetit. Popullsia zvicerane tanimë ka arritur rreth 7,4 million banorë, midis të cilëve 20 përqind janë të huaj. Dhe është interesant fakti se në disa rajone të Amerikës së Veriut dhe të Jugut, zviceranët sapo u vendosën themeluan koloni të tyre. Për shembull, në SHBA, 16 qytete dhe fshatra kanë emrin e qytetit dhe të kantonit zviceran të Lucernës. I njëjti fenomen ka ndodhur edhe me Arbanasit që u larguan nga malet e Dukagjinit, si fisi i mikut tim, arkitektit Franko dhe u vendosën në Zara të Kroacisë, ku akoma sot ka lagje me emra rrugësh shqip dhe flitet po shqip. Apo me Arvanitasit, Arbëreshët, me Nubianët, me kolonitë e shqiptarëve në ish republikat ruse, në Argjentinë, Australi…
Do të kisha dëshirë që të hapnim një diskutim edhe për rolin e ambasadave dhe Misioneve tona : se çfarë bëjnë ato për të afruar shqiptarët, sidomos në kohët e sotme, për të diskutuar edhe për të ardhmen e tyre, për rolin që duhet të luajnë tani kur na bëhen padrejtësi, për mosdhënien e vizave për bashkëatdhetarët tanë nga Shqipëria dhe Kosova? Për ndihmesën që duhet të japin ata 8000 shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Gjenevë dhe ata rreth 200.000 në Zvicër; apo ata mijra e mijra në SHBA, Kanada, Britani e Madhe, Francë, Gjermani e gjetiu. A mund të pranojmë të heshtur që Europa të jetë si Shtetet e Bashkuara të Europës, pa Shqipërinë dhe Kosovën? Jo, duhet të veprojmë sëbashku, sa nuk është vonë, që të mos na shajnë brezat e ardhëshëm shqiptarë, duke na cilësuar si “të mefshët”, që kemi pare vetëm interest vetiake. Të njëjtën gjë duhet të bëjë edhe Instituti i Diasporës për të tërhequr rreth vetes mendimin e pjekur të atyre mijra ekonomistëve, arsimtarëve, profesorëve, universitarëve, gazetarëve, punëtorëve, ndërtuesve, arkitektëve, artistëve që japin një ndihmesë të çmuar për Europën e të 27-tëve. »Yes, we can ! » ( Po dhe ne mundemi të bëjmë diçka).




(Vota: 35 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora