E enjte, 03.10.2024, 12:45 PM (GMT+1)

Editorial » Ukaj

Ndue Ukaj: Froni i së djathtës

E enjte, 20.08.2009, 09:03 PM


Froni i së djathtës

Nga Ndue Ukaj

Këto ditë pushimesh, kemi pas një mësymje të çuditshme të partive politike për të marrë fronin e së djathtës në spektrin e çorientuar të partive politike të Kosovës, të cilat më tepër shfaqen si grupe oligarkike se sa parti të mirëfillta politike. Në fakt, kjo mësymje, edhe pse e paartikuluar qartë, e pa studiuar dhe e pamenduar mirë, duket se ndërlidhet me dimensione përtej politike, ndërlidhet sidomos me aspekte psikologjike, të një averzioni që ushqen shoqëria kosovare për të majtën, qoftë kjo edhe kur bëhet pa dijeni. Partitë politike shqiptare, përgjithësisht, janë të reja, e si të këtilla nuk janë formësuar sipas principeve bazike të ideologjive dominuese. Shumica syresh nuk janë krijuar për qëllime të mirëfillta politike, për të zhvilluar ide e programe përkatëse, por si lëvizje në shërbim të nacionit, së këndejmi edhe funksioni i tyre parësor, nuk ka qenë ideologjik. Andaj edhe kanë mbetur krejtësisht të paprofilizuara politikisht, me njerëz që fërkohen për punë dytësore e aspak programore, me grupe interesash e jo luftë idesh e vlerash. Partitë më tepër kanë qenë konglomerat njerëzish e idesh të gjithfarshme për të sfiduar kohët e politikat shtypëse, se sa programe qartësisht të identifikueshme brenda ideologjive përkatëse. Në këtë kontekst, megjithatë, dallon dukshëm LDK-ja e Ibrahim Rugovës, njeriu i cili politikës ia dha një dimension intelektual e etik të jashtëzakonshëm dhe vuri kontruat reale të një partie të djathtë, elitare në dimensionet kulturore, me shenja të identifikueshme ne identitetin shqiptar të para pushtuesve dhe duke përdorur traditën e historinë si reminishenca për të tashëm e veçmas për të ardhmen. Madje, në këtë drejtim ai pati një bashkëpunim të shkëlqyer me Demokristianët e Kosovës dhe kësisoj e aderoj partinë e tij në strukturat ndërkombëtare të partive të djathta simotra, për të shtresuar kësisoj elementet bazike të një partie qartësisht të djathtë. Tiparet karakteristike të filozofisë politike e kulturore të Dr. Rugovës janë karakterizuar nga rikthimi i etikës në politikë, rikthimi i vlerave bazike të nacionit, të nëpërkëmbura e tjetërsuara nëpër kohë, që u bënë tipare shenjëzuse të politikës djathtiste, e të cilat ai i funksionalizoj gjatë rrugëtimeve të tij politike, duke shpërfaq hapur tendencat e hapura për kultivimin e një identiteti e kulture të mirëfilltë nacionale, me shenja e tipare etike e përtej etike. Për më tepër, Dr. Rugova më tepër se çdo lider në hapësirat shqiptare i dha politikës shqiptare nuanca të mirëfillta të politikave të djathta, të gërshetuara me etikën e filozofinë, principet e së cilës, madje kalojnë edhe vetë partitë e djathta të modelit perëndimor. Platforma e tij politike ka ndërtuar një shkollë e mendësi në dimensionet shqiptare, të njohur si filozofi rugoviane, e cila zhvillohet sot nga LDK-ja, edhe pse me çalime të shumëfishta. Mirëpo, shenjat e këtij kontinuiteti janë të dukshme edhe nga lidershipi aktual i LDK-së dhe Presidenti Sejdiu. Mirëpo, kjo assesi nuk mund t’ia mohoj liderit të AAK-së, Ramush Haradinajt të pretendoj fronin e së djathtës, qoftë kur proklamon nëpër media, qoftë kur formëson tiparet e kësaj filozofie politike, apo kur krijon aleanca të sojit të tij. Mirëpo, për mua e për opinionin shqiptar, mbetet e paqartë pyetja pse bëhet kjo mësymje pas së djathtës? Dhe a ka nevojë shoqëria kosovare e shqiptare për të majtën, qendrën dhe idetë e politikat liberale që enden mes së majtës e së djathtës? Unë them se po. Pas kësaj, shtrohet pyetja e dilema, pse PDK-ja, një parti që ngërthen në vete shumë tipare majtiste, pretendon të bëjë një rikthim nga e djathta? A është shoqëria shqiptare në tanësi e djathtë? Këtu, në të vërtetë ka një apori mendimesh e debatesh të çuditshme, por që ikin në esencë problemit thelbësor, nëse shoqëria kosovare po zhvillon pluralizmin politikë a po stagnon, duke u barrikaduar nga një tip oligopoli politikë, shumë i rrezikshëm  për shëndetin e demokracisë në Kosovë. Nuk e besoj se e gjithë shoqëria kosovare është e djathtë, mbase, shenjat e së majtës nxjerrin kokë shumë shpesh e në mënyrë të çoroditur.

Mirëpo, nëse analizohet drejt pse ka një yrysh pas rreshtimit nga e djathta në Kosovë, e pse lihen mënjana ideologjitë e majta e liberale, mendoj se kjo nuk ndërlidhet shumë me karakteret politikë të partive të deklaruara, por me dimensionet historike e psikologjike të shoqërisë shqiptare, me tiparet botëkuptimore për politikën e shoqërinë.

Mirëpo, në gjithë këtë konglomerat debatesh e fërkimesh, një gjë shihet shesazhi: partitë politikë në Kosovë e hapësirat shqiptare kanë krizë të thellë identiteti, e që reflektohet me mungesa të natyrave të shumëfishta. Kjo krizë prodhon vetvetiu çoroditje ideologjike e çhierarkizim vlerash. Kësisoj jetën politike e mësyjnë ata që politikën e kanë mundësi për t’u katapluar nëpër pozicione të caktuara dhe asaj i japin një frymë thellësisht mediokre, e zhveshin nga gjitha tiparet intelektuale dhe bëjnë një arenë ku bërrylat e rrahagjoksit kryejnë punët, e ku luftohen marrëzisht dimensionet intelektuale. E gjithë kjo ndodh për faktin se partive politike ju mungojnë ideologët, dizajnuesit e politikave të mirëfillta dhe kreatorët e politikave dinamike e në përkim me kohët. Kësisoj partitë më tepër improvizojnë, se sa krijojnë politika. Ato më tepër reagojnë se sa imponojnë modele politike. Ato realisht soditin realitetin e pak sajojnë atë.

Tani kur Kosova ka sendërtuar një pjesë të aspiratave të saj, në kohën kur po ndërtohet shteti kosovar, partitë duhet të transformohen dhe të tejkalojnë këtë krizë të thellë idesh e njerëzish që dinë të bëjnë politika kreative. Ato nuk duhet lejuar assesi të bëhen grupime të formësuar dhe që funksionojnë mbi parime të improvizimeve dhe politikave të nërskamacave, por arena ku ka vend për debate të mirëfillta, ku zhvillohen mendimet alternative, pra, ato duhet të jenë arenë ku zhvillohen ide e programe të mirëfillta politike në shërbim të qytetarëve e shëndetit të demokracisë.

Procesi i profilizimit të partive politike duhet të ecën paralelisht me procesin e kultivimit të demokracisë thelbësore. Në këtë rrugëtim partitë kanë një rol të fuqishëm, të cilin duhet luajtur pozitivisht.

 Prandaj, disa parti kërkojnë frone të pamundshme për t’u kapur, ndërsa disa tjera edhe pse qëndrojnë në fron, e kanë vështirë ta mbajnë. Dhe e gjithë kjo vjen për faktin se partitë në Kosovë, duke pas krizë thellë identiteti, luhatën në tehun e ekuivokëve mes pozicionimit djathtas e majtas. Këndej pari e djathta dhe e majta për partitë politike në Kosovë më tepër mbetën koncepte metafizike, të pamundura për t’u jetësuara praktikisht. Sepse, partitë karakterizohen për një dualizëm të pashembullt politikë, e parim fundamental kanë pushtetin, me çdo kusht dhe duke shkelur gjitha parimet e shëndosha demokratike e ideologjike.


(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora