E premte, 29.03.2024, 01:49 AM (GMT)

Editorial » Ukaj

Ndue Ukaj: Logosi i fjalës poetike

E shtune, 12.04.2008, 06:16 PM


Logosi i fjalës poetike

Nga Ndue Ukaj

Në komunitetin e kritikës letrare, ekzistojnë pikëpamje për letërsinë, sipas së cilave, forma e shkrimit që definohet si poezi, është përfaqësim i letërsisë që ka vlera estetike (kritika e re anglo-amerikane) dhe se vlera e saj lidhet me realizimin e funksionit emotiv të gjuhës. Pra, gjuha, përveç se është esencë për letërsinë, për poezinë, veçanërisht është vetëidentifikim e objekt, përfaqësimi dhe sintetizimi i gjitha niveleve tjera që përcaktojnë e definojnë si zhanër letrar. Duke përjashtuar rrëfimin, poeti përmes gjuhës evokon situata, ide e ndjenja poetike, përmes trajtave shprehëse emocionale. Janë këto elemente që e bëjnë këtë formë shkrimi një art specifik letrar.

Në fakt, duke qenë "letërsia një lloj i veçantë gjuhe apo një përdorim i veçantë i saj" (Jonathan Culler), poezia, si zhanri themelor i letërsisë vlerësohet si manifestim më praktik i fjalës, që fokusohet tek gjuha, semantika evokuese e saj, me një vëmendje të posaçme në parimet organizuese të tingullit dhe ritmit. Poezia apo arti i orakujve, shprehja më sublime që simbolizon modusin tematik (Northrep Fraji), kjo mbretëreshë e sublimes estetike tejkalon përmasat e zakonshme të ligjërimit njerëzor dhe hynë funksionalisht në rrafshin universal, për t'i inkorporuar koncepcionet metafizike e transcendentale, nëpërmjet domethënieve të përtejshme, figurative, filozofike. Poeti, në cilësinë e orakullit evokon me gjuhën e së bukurës dhe sublimes perceptimet për jetën e universin. Këto perceptime dhe observime poetik i gjejmë të sintetizuara në librin me poezi të  Gjekë Marinajt, "Lutje në ditën e tetë të javës" ku kënaqësia e tekstit dhe institucioni i tekstit (Roland Barthes), sintetizojnë parimet themelore të një poetike të konsoliduar estetike. Ky interkomunikim i shpërfaqur në titull, korrespondon në esencë me dimensionin semantik e estetik të letërsisë së tij dhe njëherit implikon koncepcionet universale për krijimin, të cilat poeti i ndërlidh në kontekstin e një kodi kulturo, i cili ka referencë ka atë biblik. Poezia e Marinajt mbetet arenë afreskesh, ku gërshetohen e bukura dhe e këndshmja (Dulce et Utule sipas Horacit), mesazhi dhe semantika e tekstit, tingulli dhe ritmi funksional, elemente këto të cilat i japin dinamik tekstit poetik, në pikëpamje ideore, ndërsa krijojnë synesa ritmike të posaçme, në aspektin e formës poetike. Ky vëllim poetik që në titull implikon nivelin e leximit intertekstual të poezisë, që këtu nënkupton kontekstin e shtatë ditëve të krijimit biblik. Kjo lojë poetike, përveç se reflekton koncepcionet për krijimin, këtë akt të magjishëm, e sforcon aktin krijues deri në kod kulturologjik, universal e të përtejmë: poeti Marinaj ia shton krijimit Hyjnor një ditë për vete (dhe krijuesit), nga shtatë ditët e krijimit biblik, ngase kësisoj përmbushet plotënia e universumit, apo:
"Engjëjt të zbresin nga parajsa
     e të bëhen poetë" ("Lutja e së djelës")
Për faktin e thjeshtë se poezia është "shpirt i zbardhur gjerë në shpirt" dhe "lëshon tinguj marramendës nga kontakti i filozofisë me ndjenjën" ("Poezia"), së këndejmi shkakton katharsisin e nevojshëm letrar, sepse, sugjeron Marinaj, misioni i artistit është, që të "ndihmoj": "Kafshët të zbuten/ e të bëhen humanë" ("Lutje e së dielës")
Ndër elementet e rëndësishëm të poetikës së Marinajt mbeten akti imagjinativ i bashkëdyzuar me shenja e simbole empirike, të cilat i japin tekstit poetik tonalitet të theksuar dhe krijojnë një dinamik specifike tekstuale. Ky aspekt poetik, në plotëni është i konsoliduar dhe realizuar përmes një sistem figurative të konstruktuar me potencë të fuqishme kreative e frymëzim; me nuanca të fuqishme intelektuale e kulturolologjike. Kjo nënkupton se poezia e tij automatikisht parakoncepton apo i dedikohet lexuesit të kultivuar, një sintetizim të lexuesit empirik dhe model të letërsisë (Umberto Eco). Në esencialitetin e saj, poetika e Marinajt, është e krijuar me vokacion të kultivuar, ndjeshmëri të thellë dhe tension të fuqishëm dhe e bën këtë poet, krejtësisht veçantë dhe model në poezinë e sotme shqipe. Poezia e vëllimit poetik "Lutje në ditën e tetë të javës", është e organizuar në cikle poetike, parimet e së cilës mbështetën në njëtrajtshmërinë e toposeve dhe rrjetit tematik. Më tutje, në pikëpamje të formës, lirika e Marinajt mbart në vete konceptin përsosmërisë ritmike, një parimi organizues simetrik, ku gradacioni poetik dhe aluzionet e vargjeve në përpikëri gërshetohen me harmoninë mes përmbajtjes dhe formës, dimensionit semantik dhe artistik të figurës, vargut dhe vjershës në tërësi (poezitë "24 orë dashuri" dhe "Bisedë me vdekjen"). Madje, mund të themi se Marinaj na del më specifik se kushdo në komunitetin tonë letrar, i pakrahasueshëm me format dhe mënyrën si e organizon materien poetike, si e koncepton temën e si i mishëron vargjet me figura dhe sistemin e brendshëm të rimimit dhe ritmit. Këto elemente i japin lirikës së tij gradacionin shumëformësh, ndërsa vargjet përçojnë kuptime ekoivoke. Dimensioni i kësaj përmase poetik, variohet në trajta të ndryshme të diskursit poetik, brendapërbrenda një sistem vargëzimi të përpunuar, ndërsa merr përmasë kuptimore tragjike, ta zëmë, tek vjersha "Sot u lind Frederik Rreshpja", përmes së cilës Marinaj skalit vargjet nga më të fuqishme e poezisë shqipe:
"Poetit i pat humbur me kohë harmonia e trupit
Me mendjen. Koordinimi i shpirtit
Me vargun, jo. E gjithë kjo në platformën
Që luciferi patë projektuar për poetët shqiptar"
 Në të vërtet, poezia e Marinajt në tërësinë e saj referencën e ka të etabluar në vetë qenien e poezisë, në artin e shkrimit, në artin e empirisë dhe universumit, aty ku gjendet siç do thoshte Umberto Eco bota e madhe e librit. Në fakt, ky është Olimpi i poezisë së Marinajt, ndërsa ai zgjerohet vazhdimisht dhe prek thellësitë e magjisë së botës së librit, nuancat e dashurisë dhe perceptimet për të bukurën që sjell kjo ndjeshmëri. Më tutje, poezia e Marinajt evokon fuqishëm kodet e mëdha poetike, ato që janë shenja të përhershme semiotike e semantike të tekstit letrar, Homerin, Danten, Gëten, Neruden, , Fishtën, Migjenin, e shumë të tjerë, me të cilët interkomunikon, në rrafshin e diskursit dhe dimensionit semantik. Këndej pari, ky soj vargjesh konoton fuqishëm në aspektin  kuptimore dhe shpërfaq ambivalencën poetike që tërheq paralele, gjithnjë në funksion të substancës së lirikës dhe intencës ideore:
"Marloëe më ka bërë shumë nder me Faustus
Tani i njoh mirë vlerat e shpirtit, kostot e dijes"
("Autoportret i avancuar").
Në fakt, zbërthimi i këtyre esencave, sjell vargun dramatik, i cili na implikon disa nivele tekstesh intertekstuale e interdiskursive, ngase vargjet (teksti poetik) krijojnë relacione të ndërmjetvetshme e funksionale me tekste e njohura në kulturën e shkrimit letrar:
 "Të më falë Miltoni, por për mua do të ishte më mirë
Të jem shërbëtor në parajsë se sa sundues në ferr".
("Autoportret i avancuar").
 Këto perceptim poetike, Marinaj i sforcon brendapërbrenda një kodi të madh letrar. Prandaj, me shpirtin e artistit të madh e sofistifikon vargun estetikisht, i jep përmasë të thellë kuptimore, do të thosha krijon vargjet emblematike, sikundër nga fuqia ideore, ashtu edhe fuqia stilistike-letrare:
"Sa herë jep shpirt një poet diçka vdes brenda meje"
("Me Neruden pranë Atlantikut").
 Në të vërtet, ky varg shpreh tërë intencionalitetin poetik, qëllimet e përtejme të fjalës së shkruar të poezisë së Marinajt, poezi kjo që karakterizohet fuqishëm nga mendimi i thellë dhe filozofik, nga reflekset që përshkojnë vargun dhe figurën, por asnjëherë që ta rëndojnë atë, përkundrazi:
"Perëndim në të dyja kuptimet e fjalës
Gravitet specifik ekstrem:
Kripë dhe shqiptar
Ujë dhe vdekje"
                      ("Flluska mbi Adriatik")
  Dhe më tej:
 "A ka më shumë
Shpirtra
Apo zgjedhime
Folja
Jap"
        ("Pyetje)
Këtë model të diskursit poetik e hasim edhe në poezitë "Sugjerimi më zë të ultë", "Labirintet e mendimeve të Tanugunit", "Reaksion", "Fytyrën tënde", "Ailropada në gjyqin e fjalës", etj.
Duhet përmendur se poezia shqipe e dy dekadave të fundit, duke u liruar nga dogmat e krijuara në art e letërsi, ka shënjuar ngritje të ndjeshme, sikundër në planin sasior ashtu edhe në atë cilësor. Kemi një sërë poetësh që kanë hyrë në botën e letërsisë, me prirje të fuqishme novatore stilistike, duke zgjeruar komunikimin poetik dhe pikërisht në këtë kontekst, shkrimtari Gjekë Marinaj shënjon një moment të ri në poezinë shqipe, duke i sjell poezisë elemente të reja, origjinale, bashkëkohëse dhe specifike, brenda korpusit të letërsisë shqipe të dy dekadave të fundit. Poet elegant, me shprehje të përpunuar filozofiko-meditative, Marinaj në artin e tij shkrin dogmat për artin, drejtë një intencë sublime poetike: krijimit të artit të esencave origjinal, duke i kundruar brenda sistemit estetik. Dhe këto esenca i percepton me shije të hollë estetike, i kundron nga këndet më të ndjeshme dhe më dridhmuese, për t'i sintetizuara me gjuhën e së bukurës dhe këndshmes (Horacit). Këndej pari, poezia e tij shënjon një raport të nderligjshem e kuptimor mes semantikës së gjuhës dhe gjetjes së fjalës adapte, e cila pastaj ngjeshët me figurën dhe përplotëson qëllimin poetik. Toposi i temave dhe rrjeti tematik i poezisë së Marinajt është i shumanshëm. Uni lirik kalon nëpër tri rrethet Dantiane, drejtë shkrirjes së tyre dhe prehjes në lumturinë e poezisë, këtë lumturi që ja dhuron fuqia e letërsisë dhe qëllimi i saj përtej çdo qëllimi praktike. Këto nuanca janë të projektuara me gjuhë evokuese tek poezia "Purgatori", në të cilën, në variante të ndryshme shpërthen bota e dashurisë profane, mes mashkullit e femrës, por vargu tejkalon përmasën e këtij toposi dhe përplotësohet me funksionin e rrjetit intertekstual: 
"…Françeska pat rënë në dashuri sekrete me Paulon.
Pa i lexuar njëri tjetrit asnjë pjesë nga tregimi…
Madje as Dantja
Nuk hodhi dritë mbi dramën e tyre,
Nuk e trajtoi atë
Si një nga kualitetet e romancës tragjike.
Sa për ta
Dantja më mirë ta lente
Të pabotuar "Komedinë Hyjnore":
Ata do ia shtonin edhe një rreth të ri
                              ("Purgatorit").
Për poetin, dashuria në trajtat më të fuqishme rrezaton plotëninë, ajo është vetë bukura. Në poezinë "Vajzat" poeti shpërfaq diskursin idilik, një trajtë lirike të bukur që kurdoherë e përcjell poezinë e Marinajt, edhe kur ajo tejkalon përmasat e poezisë së dashurisë dhe merr konotacione meditative-filozofike, sikundër ngjet tek poezi "Dusitës, në 14 vjetorin e Martesës"
"Pa vajzat-diejt dhe hijet e vetë bukurisë,
Dashuria do tkurrej në një gëzhojë vezake"
                                           ("Vajzat")
Ky rrjet toposesh e motivesh ndeshet kudo në poezinë e Marinajt. Madje, nuancat e dashurisë reflektojnë dimensionin ideor të palcës së poetikës së tij, për të mos thënë se ky rrjet toposesh përbën boshtin e librit. Për faktin e thjeshtë, por sublim, se dashuria është fytyra e tij, ajo është përfytyrimi më i mirë i qenies së poetit, së këndejmi edhe i aktit krijues:
"Faleminderit për pjesën tënde të fytyrës sime"
            ("Dusitës, në 14 vjetorin e martesës")
Gjitha këto ndjesi e perceptime poetike, kanë rëndësi të shumëfishtë, e veçanërisht për aktin krijues, çastet e ekzaltimit shpirtëror, ngase:
"Poezitë e mia nën lëkurën tënde vajzore
Japin e marrin metaforën melankolike"
                ("Në inkubatorin e Grabutës").
Rrjeti tematik i poezisë së Marinajt është i shumanshëm. Fati dhe katrahura e vendit të tij dhe e qenies së tij mbetet pjesë e frymëzimeve të ndjeshme poetike. Tek poezia "Në datëlindjen e nënës" ka një mall të çiltër, një spontanitet cilësor, por asnjëherë poeti nuk lëshohet në retorikë:
"...Koka e
Saj akoma e varur në
Qiellin e një jete me re të
Zeza që hezitojnë të kthehen
Në shi..."
Apo, në rastin tjetër:
"Lexoj duart e nënës
Që fytyra të ketë vlerë" ("Duart e nënës")
Pikërisht në poezitë për nënën vërehet ndjeshmëria e thellë poetike, përplasja e filozofisë së jetës dhe artit të shkrimit. 
Poetika e Marinajt karakterizohet nga diskursi shumëplanësh ligjërimor, dimensioni lirik bashkëdyzuar me trajtat e ligjërimit përshkrues, trajta këto që i japinë ritëm e sistem ritmik cilësor dhe funksional. Në fakt, idealet poetike dhe ferri i botës pasqyrohen në poezi me nuanca të konstruktuara në kontraste të fuqishme, e nganjëherë i nënshtrohen një ironie therëse:
"Trup qiellor në orbitën ku fjala s'mbahet vetjake.
Fali fytyrat në rrethin e dytë të purgatorit,
Mburojë prej intelekti përballë krijesave bajate".
              ("Fytyra në rrethin e dytë të purgatorit-Fishtës")
Poezia e Marinajt shquhet për realizimin metafizik. Kjo poezi duke patur për observime të përbashkëtën e njerëzimit, me nerv lirik, thërrmon esencat e filozofisë së jetës, së këndejmi edhe filozofisë së shkrimit, sikundër tek poezia "Vija ndarëse me Emily Dickindonin-in", ku Marinaj spikat efektin konceptual të vargjeve:
"Orët plakën tek i kthejnë mendimet në dëborë-
Dëbora vjetrohet tek flakëron e menduar në erë-
Unë, pa kuptuar, jam poli i ngrirë e veriut tënd".
Një aspekt cilësor dhe jashtëzakonisht të arrirë në kuadër të këtij vëllimi poetik përbëjnë poezitë për artin poetik, poezinë, prozën, poetin, për qenien e letërsisë, pastaj ato lirika kushtuar figurave të njohura, sikundër "Homeri","Migjenit", "Nëna e poetit Luigj Çeka dha shpirt", poezitë për Fishtën, Rreshpajn, Dalan Lucajn, Neruden etj. dhe pastaj ato për Shkodrën, për Nënë Terezën, për Gjergj Kastriotin, Rozafën, për Shqipërinë, Kosovën, Nju Jorkun. Këto poezi i shquan dhe i përshkon frymëzimi i thellë, sikundër shihet tek  poezia për Shkodrën, apo dy vjershat e bukura për Nënë Terezën. Duke konsoliduar poetikën e tij, Marinaj nuk ngarend pas ndonjë stili apo sistemi të caktuar stilistik-poetik, por si artist i rryer kombinon trajta dhe stile të shumta, për të krijuar stilin e veçantë, dallues Marinjan, një stilistikë që harmonizon shumësinë e koncepteve për qenien e poezisë.
"Për dreq, të gjithë banorët e erës e morën vesh.
Merkuri u shkëput nga vendi dhe u zhyt në det.
Dielli vuri duart në bel e u lartësua plot ëndje
Dhe muskujve të tokës u pëshpëriti një sekret:
Bëmë dashuri në natyrë, natyrshëm, natyrisht"
                                  ("24 orë dashuri")
 Kështu, poezia e tij aq sa mbetet moderne është posmoderne, endet mes klasikes e simbolikës, mes lirikës dhe trajtave epike, mes shkollës letrare shkodrane dhe amerikane, mbi të gjitha, teksti poeti ndërtohet mbi parimet e Artit Poetik. Ajo mbetet në vete një pikë referimi, për krijues e studiues të letërsisë dhe artit poetik. Parimi poetik i Marinajt është i ndërtuar mbi eksperienca të shëndosha dhe perceptime të shumëfishta për artin dhe njeriun si epiqendër e tij.  Për të sforcuar kodet e mëdha tematike, poeti i formësuar e rrahur në artin e shkrimit, interkomunikon me parakonceptimet për artin e letërsinë. Këndej pari, në ketë poezia e tij shpërfaq trajtat funksionale të intertekstualitetit dhe interdiskursit, si efekte të posaçme poetike.Ndërlidhja mes botës materiale dhe shpirtërore, në funksion të katharsisist poetik, ndjehet kudo si intencë karakteristikë e mesazhit poetik. Dhe këto gërshetohen nga ndjeshmëria e thellë humane, për të bukurën, për sublimen dhe kategoritë e saja estetike, për dashurinë si përjetësia e fjalëve dhe amshueshmëria e vargjeve. Brenda poezisë së Gjekë Marinajt, poetit, përkthyesit dhe profesorit të letërsisë, shkrihen në universin e pafundmë dy dimensionet themelore poetike: prirjes semantike, ku fjala dhe mesazhet tingëllojnë për të shpreh intencë ideor; dhe prirjes estetike, ku sintaksa e vargut është e kursyer, idetë, mesazhet, vishen me figuracion të zgjedhur, të seleksionuar, përmes një logosi e diskursit poetik, e cili metaforën dhe krahasimin i kombinon dhe kështu krijon tipologjinë e kënaqësive të lexuesit dhe më tej prodhon lexues të kënaqësisë, (Roland Barthesi). Për fund, poezia e Gjeke Marinajt mbetet një apologji për artin, ajo nuk demonstron, por është vetë pasqyra më e bukur e artit të fjalës.

* (Ky tekst është botuar si parathënie e librit më të ri poetik të Gjekë Marinajt, Lutje në ditën e tetë te javës, Faik Konica, Prishtinë, 2008)



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora