E marte, 08.10.2024, 07:03 AM (GMT+1)

Editorial » Ukaj

Ndue Ukaj: A i kontribuon procesit të statusit të Kosovës debati për shamitë islame?

E hene, 01.10.2007, 09:32 PM


Nga Ndue Ukaj

Titulli i këtij teksti, krejt logjikshëm do të mund të ishte tjetër, si përshembull: ai i ndihmon Kosovës theksimi i tepër i identitetit islam dhe cilat janë konsekuencat nga ky mbitheksim? Kjo pyetje ka një përgjigje të qartë dhe të kuptueshme: theksimi i islamit dhe tejkalimi i suazave të shtetit demokratik, pengon Kosovën në rrugën e lirisë, në rrugën e përparimit dhe përafrimit me botën euro-atlantike.

Ndue Ukaj
Në sfondin e ankthit që shkakton procesi i komplikuar për zgjedhjen e statusit politik të Kosovës, në periferi të këtij debati të pambarim, si një përbindësh i brendshëm, është ndezur një temë-debat, jo pak i rëndësishëm, as për nga rëndësia as për nga influenca: çështja e ferexheve të grave islame në shkolla, së këndejmi edhe në institucione publike. Janë të arsyeshme dhe plotësisht të kuptueshme shqetësimit, sikur nga ana e apologjetëve fanatik në favor të shamisë, ashtu edhe e atyre që shqetësohen se ky fenomen rrezikon sekularizimin dhe ç'është më e keqja, cenon imazhin perëndimor te shqiptarëve, për të cilën gjë është punuar dhe punohet vazhdimisht. Kjo vetvetiu ka konsekuenca të paparashikuara në jetën demokratike. Andaj, hapja e këtij debati pikërisht tani, duket i qëllimshëm dhe si i tillë me tendenca, si një dimension i mbeturinave të së shkuarës, që tentojnë të përdhosin dhe stagnojnë procesin e afrimit të shqiptarëve me botën perëndimore, me vlerat dhe qytetërimin në të cilin jemi bashkëthemelues. Natyra e këtij debati kësisoj nuk duket aq e rastësishme, përkundrazi, për çdo mendje të kthjelltë debati i tillë duket i neveritshëm, ndërsa interpretimet banale. Në të vërtet ky debat dhe kjo beteje mes sekularve dhe josekularve ka konsekuenca të vërteta për të tashmen, veçanërisht për të ardhmen e Kosovës, vendin që po e mëkëmbim, në bashkëpunim me botën perëndimore dhe tejkalon rrafshin praktik të mbulesës, për të konotuar në dimensione kulturore e psikologjike. Janë një sere arsyesh të mjaftueshme që lenë të kuptohet se pikërisht ky debat s'guxon të përshkohet nga patetizma të paanalizuara, përkundrazi duhet t'i nënshtrohet një analize të thellë, të gjithanshme, shumëdimensionale që tejkalon edhe konceptin e shumëpërfolur të "drejtave themelore për besim" dhe vë në pah, para se gjithash shumë faktorë të jashtëm e të brendshëm, të cilët drejtpërdrejtë kanë ndikuar dhe ndikojnë në formësimet kulturore dhe dimensionet gjeostrategjike të shqiptarëve. Gjithsesi në këtë aspekt kihet parasysh pika delikate mes propagandës dhe të drejtave të njeriut. Kjo që vumë në pah rithekson edhe njëherë temën e identitetit shqiptar, si dhe përkatësinë civilizuese. Në këtë sens, pozita e Kosovës në konstulacionin e përplasjeve të mëdha që ndodhin në botë me këto debate, mbetet e pafavorshme. Dhe Kosova nëse e pranon këtë normë të jetës dhe të përzierjes së religjionit dhe fesë, rrezikon vërtet ta mbetet në qorrsokak, sepse çrregullimi i vizionit për një shoqëri demokratike, europiane e të qytetëruar, në këtë formë goditet më së keqi. Sepse dashas apo padashas, theksimi i tepruar i islamit në dimensionet shqiptare është një tendencë ambiguele që reflekton konsekuenca të rrezikshme edhe ne planin e brendshëm shqiptar, por edhe ne aspektet e jashtme. Në rend të parë, me ketë tendencë ngarendet pavetëdijshëm kundër botës perëndimore në të cilën proklamojmë të integrohemi me aq patetizem, ndërsa në anën tjetër përdhosim kulturën tonë, identitetin tonë, që në bankat e shkollës s'ka sesi mos të jetë në gjitha segmentet perëndimor, madje në qoftë se vjen edhe nga figura që kanë prejardhje islame (Naimi, Konica etj.). Prandaj ata që bëjnë ligjin në Kosovë, ata që përpiqen të interpretojnë atë, të sjellin argumente pro e kontra, duhet të kuptojnë çështjen në kontekst më të gjerë. Në këtë aspekt s'ka sesi të përjashtohet ABC e kulturës shqipe, të cilën duhet ta mësojnë edhe të mbuluarat edhe të pambuluarat. Kjo duhet të thuhet guximshëm. E kjo s'ka sesi mos të lidhet me Pal Engjëllin dhe Formulën e Pagëzimit, si dokumentin e parë të shkuar të shqipes, me Gjon Buzukun dhe librin e parë të shqipes, me Pjetër Bogdanin dhe librin e parë origjinal të shkruar në shqip, me Pjetër Budin dhe poetin e parë shqiptar, me At Gjergj Fishtën dhe Alfabetin e sotëm të shqipes, me heroin kombëtar Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, i cili luftoj pikërisht kundër këtyre hordhive që dikush do t'i mbaj mbi supë. Më tej s'ka sesi të mënjanohen këto nxënëse dhe shumë të tjera e të tjerë nga fenomeni Nënë Tereze, nga Konica dhe Kadareja, e nga shumë e shumë figura tjera me të cilat duhet të përballet çdo mysliman dhe jomysliman. Vërtet këto nxënëse duhet të lexojnë edhe novelën ironike "Karavani i ferexheve" të Ismail Kadaresë dhe pastaj të tranden për të vërtetën e tyre në dimensionet shqiptare, së paku nëse duan të bëjnë shkollim e jo propagandë. Këto janë elemente të mjaftueshme, në sërinë e një regjistri të pafund argumentesh të qëndrueshme për të stopuar këtë mbulesë në shkolla, sepse kjo si e tillë është kundër kulturës shqipe, kundër vlerave shqiptare, kundër islamit shqiptar. Më tej, kjo përjashton islamin kosovar nga konteksti europian dhe e lidh me atë arab, për të cilin element jam i bindur se askush nuk është i interesuar, përpos ca mendjeve të humbura të kohës që çirren kot.

Për këtë temë në botën perëndimore bëhen debate të shumta, të gjithanshme dhe në përmasa të thella janë të angazhuara institute, bota akademike, elitat shoqërore, mediat. Ndërsa në Kosovë elitat, ato që duhet të reflektojnë ndjenjën e naltë të përgjegjësisë kundruall këtij fenomeni, rrinë duarkryq nëpër çatitë e qytetit të Prishtinës dhe vetëkënaqën me titujt e shumë që i mbajnë mbi supë. Ata nuk e thonë fjalën e tyre dhe ja lënë këtë problem serioz stihisë. Duke mos kuptuar se të qenit elitë nënkupton pikësëpari përgjegjësi të naltë, përgjegjësi para kombit dhe zhvillimeve shoqërore, çfarëdoqofshin ato. Ferexheja është një goditje kundër kulturës shqiptare, kundër identitetit shqiptar. Prandaj ajo duhet ndalet nga shkollat dhe jeta publike shqiptare.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora