E merkure, 24.04.2024, 07:12 AM (GMT+1)

Editorial » Ukaj

Ndue Ukaj: Fenomeni i konvertimeve apo seleksionimi i gabuar i lirive të njeriut

E shtune, 02.02.2008, 07:05 PM


Fenomeni i konvertimeve apo seleksionimi i gabuar i lirive të njeriut

Nga Ndue Ukaj

Ndue Ukaj
Çështja e konvertimeve religjioze dhe perceptimi i tyre në kontekstin shqiptar mbetet një temë në vete, me prirje të veçanta për tensione publike dhe si i tillë mjaft delikate, edhe pse kjo çështje hynë në sferën e drejtave të njeriut dhe lirive personale. Të drejtat dhe liritë e njeriut janë kuptimplote vetëm atëherë kur realizohen në tanësinë e tyre, e jo me seleksionime, sipas apetiteve të caktuara duke mbrojtur kategori të caktuara në dëm të tjerave. Nisur nga parimi bazik se çdo njeri lind i lirë dhe si i tillë është drejtuesi i vetëm jetës së tij mbi tokë, atëherë natyrshëm të drejtat dhe liritë e tij mbeten sfera supreme, absolute me të cilat disponon vetëm ai. Në këtë kontekst hynë natyrshëm edhe e drejta e besimit, por edhe konvertimit, apo ndërrimit të fesë, me të cilin fenomen po ballafaqohet shoqëria shqiptare dhe ndaj të cilit ka një qasje të gabuar, të mos themi tendencioze, kur e kur edhe përjashtuese. Edhe përkundër peshës që ka kjo temë në jetën shqiptare, mbetet i habitshëm fakti përse hezitohet të diskutohet hapur, mirëpo kjo temën shërben vetëm për zhurmë e tensione të pazakonta, larg debateve thelbësore, nëpër periferi të jetës shoqërore. Konvertimet religjioze në gjendjen tonë kombëtare, në disa koka, sidomos në Kosovë vazhdojnë të perceptohet me konotacione tejet negative, duke u konsideruar një lloj tradhtie, vlerësime këto sentimental e me tendenca të urrejtjes, ekskomunikimit, që janë për mua parashenja tejet shqetësuese, përveç faktit se përbëjnë edhe shkelje flagrante të drejtave të njeriut. Aty këtu nëpër botën e internetit zhvillohen debate për çështje religjioze dhe shumica e tyre karakterizohen me tone të ashpra, madje përjashtuese, duke munguar sensi reflektues racional. Reflektimet dhe gjykimet lidhur me këtë dukuri duken tejet të papjekura, madje larg standardeve demokratike e respektimit të drejtave të njeriut. Mendoj se në këtë kontekst, pikërisht ne do të duhej të reflektonim të kundërtën, me urtësi, me tolerancë dhe respekt, pse jo edhe për shkak të historisë dhe përvojës negative me këtë dukuri. Përvoja më ka rastisur të kem kontakte me të tillë të konvertuar, veçanërisht nga Kosova dhe ata ankohen për një trajtim aspak dinjitoz, shpeshherë përjashtues, madje me tendenca edhe kërcënuese nga një pjesë e shoqërisë. Kam përshtypjen se në Shqipëri ky fenomen mbetet krejtësisht brenda suazave normale e personale, ndërsa në Kosovë dhe hapësira tjera shqiptare, çështja duket mjaft shqetësuese, jo vetëm për perceptimin tërësisht të gabuar për ata që konvertojnë, por në përgjithësi edhe për vet konceptin e drejtave dhe lirive religjioze. Pikërisht avaria dhe perceptimi i gabuar i këtij fenomeni, duhet reflektoj tek pjesa e shëndoshë e shoqërisë konsekuenca racionale për të stimuluar një debat, pa paragjykime, ngarkesa e parashtesa, por me shpirtin e mirëbërsisë dhe me qëllimin më të mirë, për të larguar sterotipet, si dhe për të stopuar paragjykimet e keqkuptimet shumta, të cilat të ardhmen mund të rezultojnë me ndikime negative. Unë u nxita për të shkruar lidhur me këtë temë, përveç tjerash nga dy arsye të fuqishme: e para, ndërlidhet me faktin se akoma vazhdon të hezitohet në dimensionet shqiptare të zhvillohet një debat i hapur e thelbësor për të drejtat dhe liritë e njeriut në kontekstin religjioz (prandaj edhe kemi një zhurmë periferike të pazakontë me kaq keqkuptime e nervozizëm. Pikërisht ky element është bërë shkak të atakohet në mënyrë më të ultë e më të paskrupullt presidenti Ibrahim Rugova, shkrimtari i madh Ismal Kadare, etj); dhe e dyta, ndërlidhet me lajmin se presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu do të viziton Vatikanin dhe do ketë takime me Papën. Ky lajm, të cilin e lexova në www.balkanweb.com. shoqërohej me disa komente anonime, të cilat janë një barometër mjaft indikativ, për të kuptuar kontradiktat mosdurese që po thellohen mes shqiptarëve për çështjet religjioze, konvertimin, tolerancën fetare, etj. Në fakt, toleranca e proklamuar ndërshqiptare, në shumë raste dëshmon të kundërtën. Qasja ndaj fesë, konvertimit është e stër-keqkuptuar. Ngase një Ibrahimi apo Kole askush nuk mund t'ia sanksionoj të drejtën e tij për të ndërruar besimin, apo për të mos besuar fare. Po të shihet çfarë shkruhet kudo nëpër botën e internetit, e rrallëherë edhe në masmedia të shkruara lidhur me këtë temë, shihen sheshazi tendencat përjashtuese e ekstreme ndaj atyre që bëjnë këso akte personale. Ta zëmë Ibrahim Rugova, Ismail Kadare shpallen tradhtar, të shitur e çka jo tjetër, ata urrehen me motivet e ulëta, kinse pse kanë ndërruar religjionin. Dhe kjo ka domethënien tjetër më komplekse, sepse nga këtu fillon mosdurimi, urrejtja ndaj Katedrales Katolike në Prishtinë, elementit katolik ndër shqiptar etj. dhe vazhdon nga këndej pastaj me komentet e ashpra kundër islamit shqiptar. E gjithë kjo ndodhë nga fakti i mosnjohjes së një të drejtë themelore: konvertimit, si e drejtë personale. Shoqëria jonë duhet dëshmoj pjekuri në këtë sens, sepse është shenjë e vetëdijes demokratike. Edhe përkundër faktit se ky fenomen na ka shoqëruar nëpër shumë shekuj, ne nuk kemi mësuar. Për mua është krejt e pakuptimtë mënyra si gjykohet, ta zëmë konvertimi i presidentit Ibrahim Rugova, ndërkaq në botën perëndimore kjo çështje është krejtësisht në sferat personale. Para Krishtlindjeve të vitit që sapo lamë pas ish kryeministri Britanisë së Madhe Toni Bler u konvertua në katolik dhe ai as nuk u bë më i keq nga mediat, as nuk u akuza për ndonjë tradhti, as nuk u ekskumunikua nga shoqëria, por u vlerësua si akt personal. Pse atëherë Rugova apo Kadare na qenkan të këqij për disa vetëm e vetëm, pse, ta zëmë kanë ndërruar fenë? Në botën perëndimore kjo çështje mbetet në kuptimin më të plotë brenda suazave personale. Prandaj edhe pse shoqëria suedeze është në tërësi protestante, në Akademinë Suedeze nga 14 anëtarët, katër janë katolik. Këndej pari është krejt normale një danez të konvertohet në mysliman, edhe pse kjo fe nuk është daneze. Ndërkaq në botën shqiptare konsiderohet mëkat i pafalshëm konvertimi në fe të cilat i kemi bazike dhe ne vazhdojmë rrahagjoks të krenohemi për tolerancë. Gjuha të cilën e hasim në internet le të kuptohet se të drejtat religjioze në shumicën e mendjeve shqiptare janë prona të "dikujt tjetër" e jo individit. Prandaj ka shumë të tillë që siç shkrova më lartë konceptojnë tradhti, apo në raste ekstreme synojnë të ndalojnë konvertimin e Ibrahimit në Pjetër. Ky aspekt kaq i ndjeshëm po bëhet një element mjaft i fuqishëm për ndarje e përçarje mes shqiptarëve, së këndejmi po kultivon ndjenja ekstreme në shumë plane. Prandaj është e udhës që mendjet e shëndosha të reflektojnë lidhur me këtë dukuri, duke mos ju bishtnuar kësaj dukurie, e cila haset në shumë forma dhe mjaft shpesh në botën shqiptare. Ngase seleksionimi, apo në rastin më të keq përbuzja ndaj atyre që ndërrojnë fenë dhe pikëpamjet fetare, është shkelje flagrante e të drejtave të njeriut. Feja është çështje personale dhe vetëm si e këtillë duhet konceptohet, prandaj edhe fenomeni i konvertimit duhet konceptuar si çështje krejtësisht brenda sferave personale. Atakimi i kësaj sfere është një ndër goditjet më të rënda ndaj shtetit të së drejtës, ndaj shtetit sekular dhe ndaj të ardhmes prosperuese. Prandaj në qoftë se duam demokraci, shtet të së drejtës, atëherë duhet të mësohemi me këtë fenomen të zakonshëm, i cili asnjëherë nuk është ndal dhe as që do mund të ndalet.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora