E diele, 28.04.2024, 10:13 AM (GMT+1)

Kulturë

Kalosh Çeliku: Pllaka e prishur e gramafonit

E enjte, 17.09.2009, 07:04 PM


KALOSH ÇELIKU

PLLAKA E PRISHUR E GRAMAFONIT

         Gjatë kohës së studimeve në Prishtinë, përveç librave kam pasur të rënditura andej-këndej nëpër rafte, në dhomë edhe shumë pllaka gramafoni në gjuhën shqipe dhe gjuhët botërore. Fotografi të atyre këngëtarëve nëpër mure e tavanin me dërrasa mbi kokë. Dihet, në atë kohë veç letërsisë, e kam dashur shumë edhe muzikën. Shkurt, dua të them: përveç librave të rilindasëve tanë dhe atyre botërorë, jam rritur edhe me këngën e Fitnete Rexhës, Vaçe Zelës, Nexhmije Pagarushës, Qamilit të Vogël, Trio Zajazi, Hanife Sejfullahu – Reçani, Beatles, Rolling Stones, Led Zappelin, Jimi Hendrix, Jennis Japlin, Tina Tajner, Adamo, Mireille Mathieu, Charle Aznavour etj. Ose, siç them unë shpesh mes miqve: e mbaja veten gjallë mes atyre mureve që natë e ditë më shtrydhnin pamëshirshëm, mbanin në grusht. Frymë kam marrë në mesin e librave dhe pllakave të gramafonit. I ruaja librat dhe pllakat e gramafonit si sytë e ballit, që në atë kohë ishin të rralla dhe vështirë gjëndeshin në treg, nëpër libraritë e qytetit. Përditë i fshija nga pluhuri, i mbaja nëpër rafte kokë më kokë me librat. Zemrohesha, kur ndonjë pllakë prisheshte, gjilpëra e gramafonit rrotulloheshte në të njëjtin vend dhe e përsëriste të njëjtën fjalë që më hynte në kokë si pykë. Nevoja më detyronte ta shtyj me dorë, të vazhdojë fjalën e radhës, këngën e adhuruar të asaj kohe.
        E përçudi, sot pas shfletimit të gazetave të ditës, seç m’u kujtua pllaka e prishur e gramafonit. Patrioti i vonuar melez. Në atë kohë herë pas here në gramafon e lëshoja për ta dëgjuar edhe atë pllakë në gjuhën e Njerkës.  Gjilpëra (pena) e tij rrotullohej në të njëjtin vend, në të njëjtën fjalë. Vetëm se, për dallim nga pllakat e prishura tjera të gramafonit të asaj kohe, sot këtë nuk mund ta shtyj me dorë ta vazhdojë fjalën e radhës. Këngën, kësaj radhe në gjuhën shqipe. Rrotullohen e rrotullohen nëpër gazeta të njëjtat trumbetime, të njëjtat fjalë. E njëjta këngë “patriotike” në gjuhën shqipe. Vetëmevete them: po, sikur ky Patriot i vonuar me shokë që në fillim të këndonte në gjuhën shqipe, a do të ishin shqiptarët në këtë gjendje dhe, a do të kishte nevojë sot kaq shumë të çirret e “vajtojë” për çështjen shqiptare nëpër gazeta partiake?! Shqipëri etnike. I shkreti, që në atë kohë ia kemi parë sherrin si shqiptarë, sot mendon me këngë e “vajtime” qyqeje ta lajë borxhin ndaj Atdheut. I harron intervistat e asaj kohe nëpër gazeta komuniste, kur i vinte turp të deklarohet si shqiptar. Shkaku: Dashurisë së madhe që kishte ndaj Partisë Komunite. Shtetit. Tambëlit të Njerkës që e pinte me kusi. Torbës me taxhi. E hidhte gurin dhe e fshihte dorën. E sot, mu ky Patriot melez me shokë e shanë më së shumti Partinë Komuniste. Shtetin, që e përkundi në djep. Njerkën, që i dha gji dhe i këndoi ninulla mbi kokë.
        Dorën në zemër, kjo është pllakë e prishur gramafoni. Pllakë, që në kohën e komunizmit është rrotulluar me vite nëpër kabinete. Pllaka, për të cilën e kam fjalën në atë kohë ka kënduar në gjuhën e Njerkës, e sot përçudi nateditë çirret e “vajton” në gjuhën shqipe. Partia Komuniste në atë kohë e ka shëtitur nëpër poste. Zyra të Redaksisë. Kabinete nëpër Minsitri. Jatakë të ish Partisë Komuniste. Që, kurrë nuk ka shkuar në punë, po ka marrë rrogë mujore. Honorare të majme. Shkurt, si “kuadër deficitar” i shqiptarëve, të vendos për arsimin dhe kulturën shqiptare: Cili do të shkojë në Ministrinë e Kulturës. Cili në Ministrinë e Arsimit. Universitet. Kush do të përpilojë planprograme shkollore. Tekste shkollore. Lektyra shkollore. Antologji të poezisë së pastër e të përlyer shqipe. Cili do të punojë në redaksinë e gazetës, cili në radio e cili në Televizion. Kush do të marrë pjesë në Mbrëmjet e Poezisë në Strugë. Përpilimin e listës së shkrimtarëve shqiptarë në  “Makedonska knizhevnost”. Manifestimet kulturore brenda e jashtë shtetit. Kryetarë e anëtarë të komisioneve për ndarjen e çmimeve letrare. E të tjera e të tjera shpërblime për ”flijime artistike” nëpër kabinete të “vëllazërim – bashkimit”.
       Përçudi, edhe sot po e njëjta pllakë rrotullohet nateditë në gramafon edhe pse e prishur edhe në këtë kohë “demokratike”. Vetëmse, kësaj radhe kjo pllakë gramafoni çirret e “vajton” në gjuhën shqipe.  Përmëkeq, në të njëjtin vend me të njëjtat ofkëllime, veçse për dallim nga ajo kohë: me sintaksë sllave e fjalë shqipe. Dhe, nuk ka bir nëne që e shty me dorë, lëvizë të mos i përsërisë të njëjtat fjalë banale. Vend t’u lë pak edhe pllakave të reja, që ende nuk janë prishur, nuk i përsërisin fjalët e këngës së huaj bajate, nuk e sakatojnë gjuhën e Nënës. Shqip, mos na i shurdhojnë më veshët me këto trumbeta shkatrraçe. Përditë të  na e kalbin trurin me marrëzira meleze, brez pas brezi teknefese.
      Dhe, frikë kam se si do ta gëdhijmë mëngjesin e një dite të nesërme me këtë pllakë të prishur gramafoni, që sot “vajton” e trumbeton gjoja në gjuhën shqipe! Gjilpëra ( pena ) e të cilit vite me radhë i përsëritë të njëjtat fjalë të një kënge sllave patriotike me lalelule. Përderisa, ende nuk delë në shesh, në fushën e mejdanit një burrë nëne shqiptare, t’i përveshë duart deri në bërryla dhe ta flukë bythekrye në kontinjerët e bërllokut, matanë Vardarit…


(Vota: 9 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora