E diele, 28.04.2024, 03:18 PM (GMT+1)

Kulturë

Demir Krasniqi: Mbarë Gollaku po qanë me lot

E marte, 15.09.2009, 05:03 PM


Demir KRASNIQI

Rapsodi:

MBARË GOLLAKU PO QANË ME LOT

Mbarë Gollaku po qanë me lot –
Ku  e  kam  popullatën  sot?!
Ku e kam e ku m’ ka mbet,
A po e shihni se çka m’ ka gjet ?!
Ikën njerëzit e m’ kanë lanë vet ,
Gjysma ikën e shkuan n’ qytet ,
Gjysma ikën e shkuan n’ kurbet,
Sa shtëpia m’ kanë mbet shkret ,
Me mua askush nuk mbet ?!
Ua kthyen shpinën vatrave t’ hirit ,
Ia lanë zbrazët tabet kufirit !
Dikush malet po mi pret –
Në qytete po mi shet !
Arat ku ishin grunajat –
I mbuluan  kaçët , kërpnajat !...
Livadhet me barë gjelbërime –
Janë mbushë thera për trishtime !
S’ sheh njeri  n’ ara e n’ livadhe ,
Nuk sheh nuse pshellak-alle !
Shkollat t’ zbrazura buzë rrënimit –
Nuk kanë nxënës për orë të mësimit !
Dhe xhamitë kanë mbetur thatë –
Nuk kanë hoxhë, nuk kanë xhematë !
Rrugicat nëpër katunde –
I mbuluan therët e pa funde !
Mullinjtë ku drithëra kem blua –
Me themele janë rrënua !
Shitoret ku blinim harqe –
Janë mbulua me thera kaçe !
Ku i kullosnim lopë e dele –
Mbushë kaçuba e  bë  zabele !
Nuk ka dele, nuk ka grigja ,
Nuk ka edha , nuk ka qingja !
Hijet ku ishin për mriza  –
Tash janë mbushë plot me murriza  !
S’ka torishtë, as s’ ka pojata ,
S’ ka baçica me flokë të gjata !  
Çilerët u rrënuan krejt –
S’ ka më djathë , tambël, bylmet !...
Barinjtë ia kthyen shpinën pyllit –
S’ ka ma këngë, as jone t’ fyellit !
Odat ku pritej mysafiri –
Mbushë plot  mana e  plot fieri !...
Lojërat tona tradicionale –
Tash po i luajnë ujqërit ndër male !
S’ mund ta gjesh ma asnjë mik –
Me luajt së bashku “dogërxhik”!
S’ ka qilima , çerga , jana ,        
S’ ka tepsi me luajt “filxhana”!
Kur të djeg zemra prej mallit –
S’ ka njeri që i bien kavallit !
Nuk ka llamba, as gaznica ,
Çiftelia , as mezhnica !...
Nuk ka magje , as polica ,
S’ ka gjyveça , as kalanica ,
S’ ka kusia , as tepsia ,
Nuk ka saç ku piqen flija !...
Nuk ka dasma, gëzime as qejfe –
Nuk  këndojnë vajzat me defe !
Nuk ka nuse, nuk ka bija –
Nuk ka kroshe me qershia !
Nuk mbledh kush  molla, as dardha ,
Nuk ka vajza n’ shami t’ bardha !
Nuk ka pjeshka , nuk ka kumbulla ,
Nuk ka ma jelek me sumbulla !
Nuk ka t’ parnë n’ pranverë, as n’ vjeshtë –
Nuk vijnë bijat me kuleçë ,
Nuk ka pite, s’ ka përpeqë  ,
Nuk ka bukë t’ pjekura n’ çerep,
Nuk ka fëmijë t’ përkundur n’ djep !
Nuk ka kunguj  t’ pjekur n’ oxhak ,
Nuk ka molla me pshellak !
Nuk ka mazë me kaçamak ,
Nuk ka lojëra guracak ...
S’ ka qëndisje , oja me grep,
S’ ka çejz , pëlhurë në vek !
S’ ka Shën Gjergj , nuk ka luhaja ,  
S’ këndojnë vajzat:”Shkojmë te daja”!
S’ ka koshiqe , as bletë n’ hoje ,
S’ ka  bunarë  ,  as ujë në  kroje...
Nuk ka lugje, nuk ka gurra ,
S’ ka kuvende, nuk ka burra ...
Nuk ka dasma në Gollak ,
S’ ka oxhak , as kryeplak ,
Nuk ka krushqi me bajrak ,
Nuk ka nuse me duvak ,
S’ ka bullana , nuk ka krushqe ,
Kerre t’ nuseve me qilima t’ kuqe !
Nuk ka tantë , as nuk  ka lamë ,
S’ ka vrapime për maramë !
Mbarë Gollaku lëshon kushtrim –
Mos më leni t’ vetëm jetim ,
Se kështu s’ kam meritua ,
Nëpër shekuj kam qëndrua ,
Luftë pas lufte s’ jam dorëzua ,
Shumë herë mali m’ është ndezë flakë,
Shumë herë toka m’ është përgjakë !...
Ktheni n’ tokë t’ stërgjyshërve tuaj ,
Mos më leni që të vuaj,
Se kjo tokë juve iu ka rritë ,
Kjo Malësi iu ka dhënë dritë ,
Se ky ujë iu ka dhënë gjak ,
U ka bërë trima për bajrak !
Janë do varre rend pas  rendi ,
Që kanë  rënë n’ mbrojtje t’ këtij vendi !
Për ata që i harrojnë –
Herë do kurë do t’ i mallkojnë !

Gjilan, më 14.09.2009.


(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora