E hene, 29.04.2024, 05:50 AM (GMT+1)

Kulturë

Ejup Ceraja: Akademik Qosja dhe mjerimi i provincializmit

E hene, 14.09.2009, 08:00 PM


AKADEMIK QOSJA DHE MJERIMI I PROVINCIALIZMIT

-Debat i lirë për letërsinë bashkëkohore shqipe-

Nga Ejup Ceraja

E lexova artikullin e Akademik Rexhep Qoses “Mjerimi i provincializmit” si përgjigje në reagimet e shkrimtarëve: Besnik Mustafaj, Diana Çuli, Ylljet Aliçkaj dhe Behar Gjoka ndaj kumtesës së tij të mbajtur në Seminarin veror për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Prishtinë, nëpërmes së cilës mohohej vlera, përkatësisht niveli artistik evropian i letërsisë së sotme bashkëkohore shqipe... Ma thotë mendja se as Ju zotëri akademik, as kushdo tjetër nuk është e justifikueshme t’ia lejojë vetes që, për  grindjet e mospajtimet me krijimtarinë letrare-artistike të shkrimtarit tonë më të madh me përmasa jo vetëm evropiane, por edhe botërore, Ismail Kadaresë, të përçmohet (të nënvlerësohet a të përbuzet) vlera e pakontestueshme e letërsisë bashkëkohore shqipe, në krahasim me letërsitë si motra bashkëkohore evropiane sot. Një mohim i këtillë i letërsisë bashkëkohore shqipe, zotëri akademik, mendoj, se nuk është në rregull edhe përkundër konsideratës që kam pasur dhe kam ende ndaj krijimtarisë Suaj si të asaj letrare-artistike, ashtu edhe të asaj publicistiko-shkencore...

Them se nuk ka nevojë për përçmim e për përulje të një shkrimtari siç është Ismail Kadare, sepse në Letërsinë e në Kulturën shqiptare ka vend edhe për një Ismail Kadare, edhe për një Rexhep Qose edhe për qindra e mijëra të tjerë... Se, për të qenë njëri i madh nuk është e thënë se doemos tjetri duhet të jetë i vogël dhe anasjelltas...

Pohimi i Juaj për përkthimin e veprave të Ismail Kadaresë dhe botimin e tyre në shumë gjuhë të Evropës e të botës si nuk qëndron, kur thoni: “Unë mund të them vetëm çka mua më obligojnë të them kriteret e mia letrare artistike dhe përgjegjësia ime shkencore dhe morale historiko-letrare. Dhe, e para që mund të them për këtë çështje është kjo: nuk është vlera artistike e veprave të Ismaikl Kadaresë arsyeja kryesore që përkthehen ato. Shumica e veprave të tij janë vepra me frymëzime politike dhe ideologjike (cilat?...), prandaj edhe me vlerë artistike shumë më modeste se ç’na është dukur dikur...” Ky arsyetim dhe të tjerët në vazhdim janë të mangët dhe jo bindës për të pohuar  se vepra e Kadaresë është përkthyer e botuar në gjuhë të huaja, kryesisht, për shkaqe “ideologjike” dhe “politike” (gjë që nuk është, as nuk mund të jetë ashtu...) Këtë do të përpiqemi ta arsyetojmë më poshtë në këtë shkrim. Pra, me këtë konstatim Tuajin, zotëri akademik, mendoj, se e vërtetoni, në mënyrë të tërthortë, përfundimin e mendimit të shkrimtarit Besnik Mustafaj se Ju, kohët e fundit, nuk e keni përcjellë me përkushtim krijimtarinë letrare-artistike të shkrimtarëve bashkëkohorë shqiptarë... Se, them, po ta kishit përcjellë me përkushtim krijimtarinë letrare-artistike bashkëkohore shqipe, e në rastin konkret krijimtarinë letrare-artistike të shkrimtarit Ismail Kadare, sigurisht se do ta kishit vërejtur se në dy ballinat e librit të tij “Poshtërimi në Ballkan” (2004) nga brenda shkruan:

Një nga romancierët më të shquar të kohës sonë, në të gjithë botën dhe në të gjitha gjuhët. Bruce Bawer, Vall Steet Journal,

Proza e Kadaresë vezullon me realizmin magjik të Gabriel Garcia Marquez-it. Los Angeles Times Book Review,

E kemi thënë më parë dhe do ta themi prapë: kur do ta njoh Stokholmi kalibrin e jashtëzakonshëm të këtij shekulli? Figoro Litteraire, Paris,

E kanë krahasuar me Gogolin, me Kafkën, me Orwellin. Por ai i Kadaresë është zë origjinal, universal, e prapë me rrënjët thellë në tokën e vet. Shusha Guppy, Independent on Sunday,

Kadare është i rrahur në të gjitha dallgët e artit modern bashkëkohor. Veçse ai gëzon avantazhin e madh që kurrë të mos ketë pasur nevojë të çajë kryet për recensentët gjermanë. Ai ka mundur ta mbrojë veshjen e artit të tij nga gjithë luspat e shëmtuara të "izmave" zhurmëmëdha, aq shumë të çmuara prej "doktorëve" tanë të kritikës… Vepra e tij, sa ç'është ushqim shpirtëror, po aq është edhe art sublim. Michel Kleeberg, "Die Welt", korrik 2002,

Ismail Kadare është padyshim shkrimtari më i shumanshëm  i kohës sonë. Alain Bosquet, Le Quotidien de Paris.

Gjëja më ideale në letërsi është kur lexon diçka  të sapo botuar dhe e kupton  që kjo do të bëhet klasike. Kjo gjë ideale ka për titull  përmbledhjen "Përballë pasqyrës së një gruaje" dhe i përket më të madhit shkrimtar të gjallë  të kohës: Ismail Kadaresë. Guillaume Allary, "Elle", korrik 2002,

Lexuesi amerikan sapo mori në dorë romanin e ri të mrekullueshëm të Ismail Kadaresë "Lulet e ftohta të marsit”. Jonathan Levi, "Los Angeles Times", dhe

             Çdo vit, pothuaj gjatë një dhjetëvjeçari, Kadareja u ka dhënë lexuesve të vet nga një roman, që i befason dhe i shtang ata,  i prek në shpirt, u ngjall ndjenja e mendime të thella… Ka ardhur koha që Kadareja ta marrë çmimin që e meriton… Jepjani Kadaresë çmimin Nobel! " Magazine litteriare", Paris.

Pra, deshëm apo nuk deshëm ta pranojmë, ky është profili krijues i Ismail Kadaresë i shikuar me syrin e kritikëve eminent të letërsisë botërore, të cilëve nuk iu intereson as “ideologjia”, as “politika” e Ismail Kadaresë, po arti letrar i tij...

Ju ndaleni te letërsitë e sotme serbe e kroate, duke shkruar për epërsitë e tyre përballë letërsisë së sotme bashkëkohore shqipe. Këtë e bëni, ma thotë mendja, për t’ua mbushur mendjen shkrimtarëve, që i kundërshtoni, kur shkruani:  “Në Serbi e në Kroaci sot ka shumë shkrimtarë të cilëve çdo roman që botojnë në gjuhën kombëtare u përkthehet shpejt në disa gjuhë evropiane.(...) Drama të autorëve serbë e kroatë shfaqen në teatrot e Francës, të Austrisë, të Gjermanisë. Regjisorë serbë e kroatë, madje, edhe regjisore kroate, përgatisin shfaqje në teatrot e disa vendeve evropiane. Prania e letërsive serbe e kroate dhe e krijuesve serbë e kroatë në Evropë, iu detyrohet jo vetëm lidhjeve të trashëguara e të reja të vetë krijuesve serbë e kroatë, po edhe shteteve të tyre. Kështu, për shembull, ambasada e Serbisë në Paris boton revistë mujore në gjuhën franceze me shkrime letrare e shkencore të autorëve serbë...” Dhe le të jetë kështu. S’ka asgjë të keqe dhe kontestuese këtu...  (Po, meqë e keni bërë krahasimin e letërsisë së sotme bashkëkohore shqipe me letërsitë e lartpërmendura, sa prej tyre - e kemi fjalën për: “... sot ka shumë shkrimtarë të cilëve çdo roman që botojnë në gjuhën kombëtare u përkthehet shpejt në disa gjuhë evropiane...” kanë marrë Çmime ndërkombëtare për ato romane të përkthyera si Ismail Kadareja?...)

Njeriu s’ka se si të mos habitet se ç’është gjithë ky përçmim... ndaj letërsisë bashkëkohore shqipe në krahasim me letërsitë tjera të kësaj pjese të Evropës?!...

Ju zotëri akademik përmendni se: ”Shkrimtarët Besnik Mustafaj, Diana Çuli, Ylljet Aliçkaj, Behar Gjoka pohojnë se letërsia shqipe ka arritur nivel artistik evropian. Besnik Mustafaj është aq zemërgjerë ndaj meje, saqë edhe romanin tim Vdekja më vjen prej syve të tillë e shpall roman të nivelit artistik evropian. Por, mua nuk më duhet ky kompliment i tij i pavërtetë.  As romani Vdekja më vjen prej syve të tillë, as romanet e mi të tjerë, që vetë mendoj se janë më të mirë se ai, nuk kanë vlerë letrare artistike të nivelit evropian. Jo. Nivelet letrare artistike evropiane, nivelet shkencore dhe filozofike evropiane, besoj se i njoh pak a shumë. Gjithë jetën kam punuar që t’i njoh. Niveli letrar evropian, fjala vjen, është niveli, që kanë caktuar  Eskili, Dante,  Servantesi, Shekspiri, Monteskie, Volteri, Didroja, Rusoi, Rasini, Molieri, Gëteja, Shileri, Shatobriani, Manconi, Balzaku, Hygoja, Dikensi, Floberi, Bodleri, Tolstoji, Dostojevski, Prusti, Xhojsi, Kafka, Niçeja, Herman Brohu, Muzili. Niveli letrar evropian është njëkohësisht niveli që sot caktojnë Kamyja, Tomas Mani, Sartri, Margarit Jursenar, Gynter Grasi, Umberto Eko, Hoze Saramago, Salman Rushdi, Mishel Furnie, Zhan d'Ormeson... Kënaqësinë e jashtëzakonshme që më sjell leximi i veprave të tyre, vazhdimisht ma përcjell një shqetësim i madh: sa modeste janë veprat e mia në krahasim me ato të tyre! Sa modeste është letërsia shqipe në krahasim me letërsinë që kanë krijuar dhe krijojnë ata! Njohësi i letërsive të mëdha evropiane dhe i letërsisë shqipe do të mund të thoshte: të krahasosh, për nga vëllimi dhe për nga cilësia letërsinë shqipe me letërsinë franceze, gjermane, angleze, italiane është si të krahasosh, për nga madhësia dhe për nga vlera arkitekturore, Librazhdin me Londrën, si ta krahasosh Lipjanin me Parisin! Por, për Besnik Mustafajn, Diana Çulin, Ylljet Aliçkajn dhe Behar Gjokën nuk është ashtu. Prej reagimit të tyre del se për ta Librazhdi është si Londra, Lipjani si Parisi! Dhe, le të kënaqen me të vërtetën e tyre: se Librazhdi dhe Lipjani janë si Londra dhe Parisi.”

Keni të drejtë nëse ju vetë pohoni për vete: “sa modeste janë veprat e mia në krahasim me ato të tyre!”, por, mendoj, nuk keni plotësisht të drejtë kur pohoni: “Sa modeste është letërsia shqipe në krahasim me letërsinë që kanë krijuar dhe krijojnë ata!” Këtu s’e kemi fjalën për sasi, po për cilësi. E kjo e fundit, fatbardhësisht, nuk i mungon letërsisë bashkëkohore shqipe, në atë masë, që e pohoni Ju zotëri akademik...

S’do mend se më vjen mirë që i keni lexuar  veprat e këtyre (atyre) shkrimtarëve, që i përmendët më lart, të cilëve askush nuk ua mohon vlerën.  Po kjo assesi nuk do të thotë e as nuk duhet të thotë se nëse veprat e tyre kanë vlerë njohëse, përmbajtjesore  dhe  artistike, veprat e shkrimtarëve shqiptarë nuk e kanë apo nuk duhet ta kenë një vlerë të atillë... Zotëri akademik vetvetiu këtu imponohet një këso pyetje: a i keni lexuar veprat e këtyre (atyre) shkrimtarëve, që po ju sjellkan aq kënaqësi sublime gjatë leximit, në origjinal, apo të përkthyera  në gjuhën shqipe?... Nëse qëndron pjesa e dytë (e fundit) e kësaj pyetjeje, atëherë pjesë e patjetërsueshme e kësaj (asaj) kënaqësie sublime gjatë leximit të atyre veprave qenkan shkrimtarët e “provincializmit të mjeruar”, që i paskan përkthyer ato vepra në gjuhën shqipe, letërsia bashkëkohore e së cilës nuk paska vlera letrare-artistike as sa letërsitë tjera ballkanike se sa për vlera evropiane... Pra, qenka aftësia e përkthyesve... ajo, që po ua sjellka një pjesë të asaj kënaqësisë sublime gjatë leximit të tyre... Konstatimi Juaj: “sa modeste janë veprat e mia në krahasim me ato të tyre!” Sikur nuk qëndron, duke pasur parasysh mburrjen që e bëni në të njëjtin artikull për krijimtarinë Tuaj në krahasim me të gjithë krijimtarinë e shkrimtarëve, që i kundërshtoni të marrë së bashku, kur pohoni: “U turrën patriotët e kafeneve ta mbrojnë letërsinë shqipe prej shkrimtarit dhe studiuesit të saj, i cili për të ka bërë më shumë se të gjithë ata së bashku me të gjithë paraardhësit e tyre, me të gjithë farefisin e tyre dhe me të gjithë punëdhënësit e tyre!” (...) Pra, në njërën anë ju zotëri akademik paraqiteni modest, kurse në anën tjetër  vetëmburreni për krijimtarinë, që  nuk ua mohon askush për aq sa ju e konsideroni se e ka vlerën njohëse, përmbajtjesore dhe  artistike... E nëse ju e mohoni një vlerë të tillë të veprave tuaja, atëherë edhe ne pajtohemi se Besnik Mustafaj paska gabuar në vlerësimin e romanit tuaj “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, kur pohoni se: “Besnik Mustafaj është aq zemërgjerë ndaj meje, saqë edhe romanin tim  Vdekja më vjen prej syve të tillë e shpall roman të nivelit artistik evropian. Por, mua nuk më duhet ky kompliment i tij i pavërtetë.” Në rregull. Nëse Ju mendoni ashtu, as neve nuk na... Ama që nga momenti kur e kam lexuar romanin Tuaj “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, e kam konsideruar si një vepër (roman) të arrirë, të veshur me një tis të një figuracioni artistik sa njohës, aq edhe përmbajtjesor. Dhe më vjen keq që paskam qenë i lajthitur...

Ju zotëri akademik e bëni, për mendimin tim, një krahasim të çuditshëm në mes letërsisë shqipe dhe asaj evropiane, duke marrë si shembull krahasimi Librazhdin me Londrën dhe Lipjanin me Parisin. Ç’hyn në punë ky krahasim këtu dhe ç’lidhje ka në mes këtij krahasimi të këtyre katër qyteteve me letërsinë?!... Si Librazhdi, ashtu edhe Lipjani për ne janë Londër dhe Paris, se janë tonët... Kur ta arrijnë zhvillimin e atyre dy qyteteve, që e kanë sot, e besoj se një ditë do ta arrijnë, atëherë edhe Librazhdi, edhe Lipjani do të bëhen si Londra e Parisi, ashtu siç janë sot.   Por ne, me siguri,  nuk do ta presim një arritje të atillë se jemi në moshë të shkuar... (Kjo jashtë kontekstit të krahasimit të këtyre qyteteve me letërsinë, po me zhvillimin ndërtimor dhe infrastrukturor).

Zotëri akademik ku po mbetet krijimtaria e këtyre shkrimtarëve shqiptarë: Pjetër Budi, Pjetër Bogdani Frang Bardhi..., Jeronim de Rada (Për të cilin shkrimtarët e mëdhenj: Hygoi e La Martini patën një konsideratë të veçantë), Bilbili i gjuhës sonë Naim Frashëri, Faik Konica, Atë Gjergj Fishta, Fan S. Noli, Lasgush Poradeci, Jakov Xoxa, Sterjo Spasse, Petro Marko, Ernest Koliqi, Sylejman Krasniqi, Kolë Jakova, Fatos Arapi, Dritëro Agolli, Zija Çela, Nazmi Rrahmani, Jusuf Buxhovi,  Mexhid Mehmeti, Mehmet Kajtazi, Mehmet Kraja, Emin Kabashi, Daut Demaku e shumë e shumë të tjerë kryesisht në prozë për të rritur. Martin Camaj, Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Xhevahir Spahiu, Agim Gjakova, Koçi Petriti, Pandeli Koçi, Nuri Plaku, Milianov Kallupi, Kujtim Agalliu, Agim Bajrami, Azem Shkreli, Jakup Ceraja, Din Mehmeti, Bedri Hysa, Agim Vinca, Ali Podrimja, Abdylazis Islami, Kalosh Çeliku, Sabit Idrizi e shumë të tjerë kryesisht në poezi për të rritur… Enciklopedistët e letërsisë shqipe për fëmijë - Rifat Kukaj e  Odhise Grillo. Bukuritë  dhe befasitë e këndshme të kësaj letërsie për fëmijë të Agim Devës, të Adelina Mamaçit, të Astrit Bishqemit, të Vehbi Kikajt, të Abdullah Thaçit, të Zejnullah Halilit, të Ymer Elshanit, të Riza Hazirit dhe të shumë e shumë krijuesve të tjerë për fëmijë gjithandej gjeografisë shqiptare…

Edhe diçka po jua rikujtoj edhe pse besoj se Ju e dini, madje më mirë se unë, se arti, në përgjithësi, e arti letrar, përkatësisht letërsia, në veçanti, pa porosinë e vet të qartë si njohëse, ashtu edhe përmbajtjesore në momentin e krijimit nuk është art i vërtetë, nuk e kryen misionin e vet sa e si duhet... (A. D.) Pra, mendoj, letërsia bashkëkohore shqipe këtë maksimë (këtë qëllim) e përmbushë, të themi kushtimisht, me sukses...

Dhe, krejt për në fund, duke pasur një konsideratë për punën dhe krijimtarinë Tuaj në të mirë të letërsisë dhe kulturës shqiptare nëpër dekada gjer më sot, mendoj se, me këtë rast, nuk keni (...) të drejtë... Së paku kështu mendoj unë.



(Vota: 14 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora