E hene, 29.04.2024, 06:32 AM (GMT+1)

Kulturë

Suzana Kuqi: Fqinjësia

E hene, 14.09.2009, 04:56 PM


Suzana Kuqi

Fqinjësia


Të flas për fqinjësinë ...

Për të vjetrën...

... as që bëhet fjalë, ato të hyra e të dala me xhezvenë e kafesë në dorë, kulmi nëse ndonjëra dinte të të sajonte dy fjalë në filxhan.

Për të renë...

... deri para një viti nuk dija të lidhja emrat në targetën e portës së pallatit me fytyrat që përshëndesja nëpër shkallë kur i hasja aksidentalisht. Më të thatat, ato të komshinjve që kam përbri. Arësyeja... nuk po e them, dikush mund ta kuptoje vetë.

Prezantimi ose përplasja e parë... me fqinjën dy kate poshtë meje. Bëri sherr e çfarë sherri, sa habiti lagjen. Qenushi im i vogël, atëhere nuk ishte më shumë se një topth leshi lëvizës, urinoi një ditë në ballkon e disa pika ranë në ballkonin e saj. Nga gjithë ajo ligjëratë e gjatë nuk është se kuptova ndonjë gjë të madhe, asaj nga zemërimi i merrej goja. Dëgjova mirë vetëm atë pjesë qe thonte se “kështu i edukojmë qentë në Shqipëri...”

Prezantimi i dyte ishte me fqinjën lart meje. Një ditë më shpëtoi tenxherja me presion nga duart, në pikë të mëngjesit. Kush është grua e bën punë në shtëpi e kupton, doja të sistemoja kuzhinën para se të ikja në punë. Gjithashtu e ka idenë se sa të rënda janë ato të shkreta tenxhere. Mendova se do të ankohej fqinja poshtë, sepse atë do ta kish bezdisur më shumë, por... jo. Fqinja që banon lart meje, më ndaloi nëpër shkallë e më tha se kish dëgjuar një zhurmë aq të madhe në pikë të mëngjesit, sa kish menduar se mos kish plasur ndonjë bombë, edhe muri pranë derës së jashtme i kish marrë një krismë të vogël. Mbeta me gojë hapur. Aq sa nuk munda t'i thoja asnjë fjalë e u futa në shtëpi me bindjen se... nuk ishte në rregull nga trutë. Dhe pikë.

Por nuk i shpëtova fqinjës poshtë. Por jo për tenxheren, për atë nuk u ndie. Një ditë të bukur, kur nuk e prisaj, kish rrjedhur enëlarësja ime e ajo kish hapur çadrat në kuzhinë. Histori me vete dhe kjo e ujit... pronarët e apartamenteve tona janë ende në gjyq për të.

Kaloj anash, domethënë fqinjët që kam përbri. Në të majtë të derës sime, nga ajo anë që lidhen ballkonet tona që bien nga ana e katedrales, banon një çift në bashkëjetesë. Gruaja m'a kish shprehur qartë shqetësimin. Djali im mund të tentohej nga ballkoni i saj. Nuk i dhashë përgjigje, madje as qetësuese, nëse e mendonte kështu... le të përcëllohej mbi atë prush. Tjetrën nga e djathta, ku na lidhen ballkonet nga ana e kundërt e katedrales banon një pensioniste pa burrë e fëmijë. Shihja vetëm lëvizjen e perdes kur zbrisja në rrugë. E kujt i rrihet, përfundoja mendimin e pakëndshëm të fqinjësisë sa herë më kalonte pa dashje në tru.

Pastaj... pastaj dihet, jeta në shumicën e rasteve nuk të vjen siç e ke parashikuar e ky nuk është rregull vetëm për mua. Të bjen të kërkosh ndihmën e atij që nuk ja ke dashur kurrë. Duke filluar nga...

... lulet. Njerëzit ikin për pushime por ama lulet...

... - “Të lutem, të lë çelësin, jepu të pinë luleve të mia”!- ishte kërkesa e parë e fqinjës nga ana e katedrales. Duke përtypur shumë fjalë të pahijëshme që m'u rrotulluan natyrshëm nëpër mend, por pa shqiptuar asnjë, pranova. Dreqi e mori, më erdhi keq për lulet e saja. Ishte periudhë vere.

Erdhi vjeshta, rrëmujë e potere nëpër shkallë, çiftit i kish hyrë sherri. Epo sherr, thashë, si të gjithë çiftet, zihen e pajtohen...

... -“E çmendur, e lajthitur, ja ç'është ajo”!- bërtiste ai nëpër shkallë. Pas disa ditësh ngarkoi kamionin me mobiljet e veta dhe iku. Shkalla ju kthye qetësisë së saj me një banor më pak. Thashë se nuk do ta shihnim më kur një mbrëmje dimri u shfaq në derën time:

...- “Të lutem... a mund të kaloj nga ballkoni juaj... diçka i ka ndodhur... e dëgjova në telefon... jam shumë i shqetës...

- “Kalo!”- burri im i dashur nuk e la të mbaronte fjalën. I bëra shenjë për jo, por nuk ma vari, ish ndezur ajo shkëndijëzë solidariteti mes burrave.

- “Dhe një kërkesë...më prisni këtu tek dera, nuk e di ç'i ka ndodhur, dua të kem dëshmitarë...”

E shoqëruam në banjën tonë, e nxorrëm në ballkon, e ndihmuam të kapërcente, i dhamë një çekiç me të cilin theu xhamin e pasi e pamë që u zhduk brenda, vrapuam tek dera e komshijes duke pritur me padurim kërcitjen e bravës. C'të shihnim, fqinja shtrirë përtokë sa gjatë gjërë pa ndjenja. Thërritëm ndihmën e shpejtë, më ra për pjesë të pastroja të vjellat e saja e të ndihmoja ta ngarkonin mbi barelë. Na u prish gjaku. Burri tha se gruaja kish harruar të merrte mjekimin, llomotiti diçka për një sëmundje, që as e dëgjova por edhe ta kisha dëgjuar...

Pas kësaj, çifti u rregullua, burri u kthye në shtëpi e na përshëndet me përzemërsi, gruaja... mezi më flet, më gënjen mendja se mos ndoshta i vjen ndopak zor që e kam parë ashtu... apo se mos kam gisht në ato që u pëshpëritën shkallëve se... Nuk këmbëngul as unë. Kur dëgjoj kërcitjen e bravës së saj, futem me vrap në shtëpi ose zbres me të shpejtë shkallët sipas rastit.

Erdhi rradha e tjetrës. Herën e parë tha se kish harruar çelësat në shtëpi dhe... ishte mbyllur jashtë. Kështu i thonë këndej, unë do të thoja kam mbetur jashtë, po nejse nuk më prish punë kjo. Pritëm tim shoq të kthehej nga puna dhe me zemër të ngrirë e ndihmova të kalonte në ballkonin e saj e t'i hapte derën. Nuk i thonë shaka, të shohësh babanë e fëmijëve tek varet në hapësirë në bukurinë e lartësisë së katër kateve. Fqinja rrëzëllente, tha se po të kish thirrur zjarrfikësit do t'i kushtonte shumë, e unë ende nuk e di në se kushtojnë dhe sa. Nuk vonoi shumë, nuk kaluan as edhe dy ditë... prapë “u mbyll jashtë”. Im bir u tregua shumë inteligjent, mori shkallën e kalëroi sipër murit ndarës. Nuk e di se si bëri, por javën në vazhdim u mbyll katër herë jashtë e nuk më shqitej më nga dera. Me shkak e pa shkak. Siç duket i pëlqeu shtëpia ime e më e keqja sa vjen e i pëlqen më shumë. Kur e sheh se e tepron ... “mbyllet jashtë”. Mezi prita të shkonte tek e motra në Francë. Mendova se ato dy javë do të rrija rehat. Po kush të lë... më la lulet. U kthye nga Franca, me një shportë peshqeshesh, e tha se atë mendim që kish patur për të ndërruar shtëpi... e kish fshirë nga truri, sepse fqinjë si ju... fqinjë tha ajo, por mua mendja m'a përktheu në një fjalë aspak të hijshme, nuk kish ku të gjente. Lëre fare, më ka ardhur në majë të hundës. Pale po ka filluar t'i pëlqejë edhe të gatuarit tim që nuk i pëlqen askujt. Por tamam kur durimi im kish arritur kulmin, ju mbush mendja të bënte një udhëtim në Angli për të parë rrathët në grurë. Epo thashë, të paktën dy javë do të marr frymë,më mbetet vetëm t'u shuaj etjen luleve. Nuk qe e thënë. Ajo e katedrales iku për pushime në Sardenjë. Nuk më la lulet, më la... burrin këtë rradhë. Më troket një paradite...

...-” Jam mbyllur jashtë”, - tha dhe ai,- “mund të kaloj nga ballkonin juaj”?

-” Urdhëro”!- i them dhe e shoqëroj në ballkon. Dreqin, çalonte, tha se kish operuar gjurin. Mezi hipi tek parvazi. U zbeha tek e pashë që lëkundej mes dy ballkonesh e dëgjova britma nga poshtë. Hedh sytë e ç'të shoh? Ishte ditë pazari, sheshi mbushur plot, e të gjithë kokat lart. Dikush filloi të qeshte. Zbehtësia ja la vendin të kuqes në fytyrën time. Në këtë moment të vështirë desh të më nxirrte nga situata prifti.

- “Salvatore, ke harruar çelësin”?

Ajo puna e çelësit ndezi imagjinatën e njerëzve, një fije shkrepseje në një pellg benzine. Plasën kukurizmat. Ndaluan shpejt pasi ajo potere kish shkëputur tim bir nga interneti e erdhi e më ndenji në krah. E ndërsa fytyrës sime ju kthye ngjyra normale, turma erdhi e u pezmatua.


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora