Kulturë
Kalosh Çeliku: Dashuria hyjnore dhe dehja e mistikëve
E shtune, 12.09.2009, 02:29 PM

DASHURIA HYJNORE DHE DEHJA
(
Flora Kastrati – Sela: Vazhdoj ta kërkoj të nesërmen (poezi), botoi Lidhja e Shkrimtarëve
Shqiptar, Shkup - 2009)
Poezia është shprehje e artizmit poetik, lojë
fjalësh, burimisht që kanë qëllim magjik, është thirrje hyjnore, arrin në qiell
dhe hedh fuqinë e vet dhe bëhet e fuqishme duke pasur edhe shpirtin e tyre,
Hyut Nuk është ajo e përshkrimeve, përkushtimeve prijësve të partisë, parullave
të thata patetike. Rreth nesh çdo gjë është poezi: toka, qielli, dita, nata,
lindja, vdekja, ringjallja, rrugët, era, zogjtë, lumi… Vetëm, duhet një sy i
mprehtë për t’i hedhur në letër emocionet, idetë dhe imagjinata duhet shkrirë
në indin poetik me mjeshtri të jashtëzakonshme.
Dhe, novatorizmi që sjell në këtë libër Flora Kastrati – Sela i ka
rrënjët te lirika popullore, që e ka tejkaluar moti pjesa më e fuqishme e
poezisë shqipe, lirika e dashurisë. Dhe, jo rastësisht Lasgushi është poet i
madh. Serembe, Frederik Rreshpja, Dritëro Agolli, Hida Halimi, Azem Shkreli,
Mimoza Ahmeti, Mirko Gashi etj.
Poezia shqipe është lëruar dhe zhvilluar brenda kufijve politik:
Shqipëri, Kosovë, IRJ e Maqedonisë, Mal i Zi dhe Diasporë. Dhe, për çudi,
përderisa në Shqipëri ajo është lëruar përkrah poezisë patriotike edhe poezia e
dashurisë, në Kosovë, Mal të Zi dhe IRJ e Maqedonisë është lëruar poezia
patriotike. Realitet, që do të thotë se, një popull e manifeston atë që nuk e
ka, i mungon me vite, liria. Risi në poezinë shqipe, sot është kombinimi i
dashurisë me patriotizmin. Poetët që e lërojnë këtë lloj poezie numërohen në
gishta. Megjithatë, kjo është poezia e ironisë, sarkazmës dhe protestës
artistike.
Motivet
e poezisë erotike te ky libër janë të njohura: besnikëria, tradhtia, ndarjet,
xhelozia, malli, sëmundja nga dashuria, mirëpo edhe ëmbëlsia nga dashuria dhe
bukuria e trupit të zhveshur. Është interesante se në rolin e subjektit lirik
paraqitet në këto poezi, njësoj shpeshëherë gruaja sikur edhe mashkulli. Për më
tepër, mes këtyre faqeve është e përbashkët tema: jeta pas vdekjes. Ringjallja.
Dhe, raporti midis jetës dhe vdekjes. Edhe pse, në kohën e sotme ende vazhdon
të shkruhet poezia patriotike, ku gjakohet pas lirisë dhe luftohet robëria.
Poezia e Florës në gjirin e vet e ka edhe tipin e poezisë profetike.
Zakonisht, këtë lloj të poezisë e kanë shkruar poetë-profetë, që letërsia
shqipe i ka pasur edhe para kohës së Romantizmit. Stili i poetes është i përsosur,
nuk vajton për të kaluarën, po për të sotmen dhe të nesërmen. Vargu i kësaj
poezie e lufton hipokrizinë, koprracinë
dhe grykësinë. Një spektër më i gjerë objektesh paraqitet në poezinë erotike, e
cila dallohet fare lehtë nga poezia patriotike. Kështu që mjeshtëria e poetes
shprehet me kërkimin e forcave të reja, përsosjen e figurave ekzistuese dhe të
proçeseve stilistike duke lejuar shtimin dhe zhvillimin e temave.
Poezia
e këtij libri e ka gjakun dhe shpirtin,
që i ecin nëpër damarë. Një përzierje të së resë: dashurisë me patriotizmin.
Gjuha e thjeshtë dhe me stilin e qartë, po të thellë është përsosur me
imagjinatën e pasur dhe gjuhën e stolisur. Këndimi i poezisë të “Borës në mars”: Pas borës së acart – Ti vjen si pranverë/
E nesërmja do të vij/ me Ty!/ dhe asaj erotike: Shijen e buzëve Tua/ do ta marr me vete. – Po, kam frikë se ma zbulojnë -/ Në kufi...!/ Vdekjes dhe Lindjes. Ringjalljes…
Dhe, për mua si poet, poezi e fuqishme është ajo që i qarkullon nëpër
damarë gjak dhe shpirt, i ka rrënjët në poezinë popullore. Dhe, i japin gji Tri
Zana të maleve. Fuqi për luftë si Mujit dhe Halilit…
Ikja nga parullat e thata, patetika patriotike është risi e plotë në
poezinë e poetes, sikur është ruajtja dhe ndikimi i poezisë popullore. Poezia e
mirë duhet të ketë edhe filozofinë jetësore plot figura poetike. Poetja hedhë
farën në tokë pjellore, ashtu si bujku me hebet në krah drithin në ara, kështu
që frutat e pjekur, poezitë i lulëzojnë në libër, bregliqen…
Armë e fuqishme është edhe lirika satirike, ku poetja përqesh momente
njerëzore, politikën me prijësit e tyre, madje edhe vetë fatin e një populli: I flet
zemra – zemrës të ruhet prej mërive/ Se bota më shumë kurtha ngriti se liri!.../ Origjinaliteti i poetes,
fatkeqësisht ende është në kundërshtim me dukuritë imorale dhe idetë e kohës,
në të cilën jeton brenda kufijve politikë.
Poezia e Flora Kastrati - Sela sa vjen e më shumë demokratizohet dhe misticizmi
depërton në art. Dashurinë ndaj lirisë e
paraqet me shprehje plot figura dhe me gjuhën erotike të lirikës së dashurisë.
E zhvesh nga trupi ferexhen patetike dhe parullat e thata dhe i vesh rrobat e
nusërisë: E, Ti më ke zili,/ për vetminë time./ Është e rëndë ajo/ por/ më i rëndë je Ti!/ Në poezinë e saj, nganjëherë është shumë vështirë të dallohet
deri ku shkon alegoria e ku fillon shfaqja realiste. Vetë gjuha shqipe, gjuhë e
poezisë ka disa veçori të saj poetike, e përshtatshme në paraqitjen e dy-tre
dykuptimësive të vargut. Megjithatë, në këtë poezi ekziston edhe një rrezik
stereotipash, sepse ajo bazohet në disa tema të përsëritura: dashuria, vera,
bukuria. Që, poetja e ka tejkaluar me sukses dhe pasuruar me Senën, Gruan,
vetminë, Varkën e Noes, Burrin, Engjëllin mbrojtës, Nimfën. Qiririn, Natën e gjatë: Nuk jam në gjumë! Jam në
udhëtim!/ Pas këngës dhe vargut kam hap duel!/
etj.
Inspirimi i poetes është i sinqertë dhe i thellë duke u shërbyer me
shprehje të larta poetike. Formën e një vargu mes legjendave, porosish dhe
alegorish: Në bregun e arritjes jam diçka
unikate/ Në varkën e Noes – risi!.../ Ose: Rrëzëllima
vrazhdësie më dalin në prita./ Vetmia
durtrokitë pandalë!.../
Tendencë kjo, për të krijuar një rrymë të re letrare me shumë vazhdues
dhe përkrahës. Poetja rebele është e
gatshme të rroket fytas edhe me Zonjën Vdekje. Ringjalljen. Lindjen. Robërinë.
Lirinë. Shkurt, ballafaqohet me misteriozen: dashurinë qiellore dhe tokësore.
E
di se, rrezik për poetët e talentuar me dhunti nga Zoti, janë poetët e rrejshëm
të oborreve të partive politike. Poetë pa talent, po të shkathët t’u vihen pas
partive politike në pushtet, si dhelpra pas dashit, me shpresë se mos i bien
udhës. Poetë të këtillë vetëm për një përdorim, letërsia shqipe ka me bollëk,
sa kanë të hanë edhe qentë e rrugëve…
Herët a vonë, këta poetë do të dështojnë në poezi. Rrugën do t’ia
lëshojnë poetit-profet, lirikut me mendime të thella dhe me talent të madh
vrojtues, kur është fjala për situatat e përgjithshme njerëzore, i cili ka
qëndruar, në të vërtetë, mjaft indiferent kur është fjala për ngjarjet politike
të kohës së tij.
Vargu i saj luftarak, përjeton një lulëzim të ri të lirikës shqipe. I
lëshon paragjykimet, maxhen, burgun shtëpiak… Ferexhen e hudh në përrua… Robërinë...
Shkolla është shtegu i saj drejtë Lirisë… Universiteti… Biblioteka… E nxjerrë
vargun nga brezi: Filozofinë e jetës sime
e ndërtoj mbi Ty.../ Poete me shpirt krenarë dhe e vetëdijshme në
paraqitjen e realitetit shoqëror, kështu që për këtë poete rebele jeta e varur
nga partitë politike është e huaj. Tentim ky, i komunizmit që tërë jetën e
shoqërisë ta ketë nën kontroll. Hap i gabuar ideologjik me të cilin dështoi në
parashikime. Tashti e kanë radhën partitë politike “demokratike”, shkaku se poetët
bëhen edhe më të fuqishëm. Stili i tyre është sakrificë, ndjeshmëri e poetit
dhe sinqeriteti. Përsëri do të vdesë dhe ringjallet, por kurrë nuk do t’u bie
duarve dhe këndojë arritjeve të tyre demagogjike.
Shkëputja
e poetes nga format klasike poetike nuk qe proces i lehtë, me vete mori edhe
viktima. Nuk është punë e lehtë t’u ikësh ndikimeve nga letërsia ruse (
Shqipëri ) dhe sllave ( Kosovë. Mal i Zi e IRJ e Maqedonisë ).
Poezia shqipe moderne sot ka një
rrezik nga poetët e oborrit të partive politike “demokratike”. Fatkeqësisht,
falë Zotit, në përgjithësi janë poetë të dobët dhe pa talent. Megjithatë,
poezia e ardhmërisë do të jetë poezia e verës dhe e dashurisë, që alegorikisht
të paraqesë dashurinë hyjnore dhe dehjen e mistikëve...
Ardhmëria e poezisë shqipe qëndron në
traditën e poezisë popullore, Rilindjes, duke u pasuruar me rrugë të reja, për
të hipur në Baba Tomorr. Atdheun e Perëndive. Tyrben, ku pihet vera, shkruhet
poezia. Dhe, bëhet dashuri…