Kulturë
Demir Krasniqi: Çka është Tanta?
E marte, 08.09.2009, 07:49 PM

ÇKA ËSHTË TANTA?
Nga Demir KRASNIQI
Termi “tantë” ka kuptimin e një prite, ose pritë , por jo në atë kuptimin negativ të pritës , kur i dilet dikujt në pritë për ndonjë qëllim, a veprim të keq .
Ky term përdoret me të madhe në Malësinë e Gollakut dhe ka dy kuptime:
1. Kuptimi i parë, ka të bëjë me “tantën e mullirit”, me ç’ rast , vendi ku merret uji nga lumi për ta shfrytëzuar për nevojat e mullirit, quhet “tantë” .
Pra, për t’ia ndërruar drejtimin e rrjedhës së lumit drejt lugut të mullirit, duhet zënë tanta (prita) e lumit, ku pastaj rrjedha e lumit do të drejtohet përmes jazit deri tek mulliri , që do të shfrytëzohet për bluarjen e drithërave me anë të fuqisë së ujit.
2. Kuptimi i dytë , ka të bëjë me “ tantën e krushqve” (dasmorëve).
Malësia e Gollakut, njihet si një krahinë me varfëri të skajshme të popullatës e cila ka zhvilluar një jetë nën kushte dhe rrethana shumë të vështira ekonomike me një shkallë të lartë të papunësisë, ku kryesisht ka mbijetuar nga blegtoria, prodhimet e pakta bujqësore dhe pasuria e pyjeve .
Ndonëse, në një shkallë kaq të lartë të varfërisë dhe mungesës së zhvillimit të infrastrukturës, kjo Malësi tradicionalisht ka qenë e njohur për mikpritje, bukëdhënie , bujari, atdhedashuri dhe besnikëri tradicionale.
Nga kjo shkallë e lartë e varfërisë dhe mungesës së zhvillimit ekonomik, në Malësinë e Gollakut , kanë qenë shumë të rralla ato familje të cilat kanë pasur mundësi që të ndërtojnë, posedojnë dhe mbajnë oda të veçanta për pritjen e mysafirëve, e në veçanti nuk kanë pasur mundësi që të ndërtojnë oda të mëdha për nevojat e dasmave, fejesave dhe gazmendeve tjera familjare .
Në mungesë të odave të mëdha për pritjen e burrave, në rastet kur janë organizuar dasma të fejesave, apo martesave, organizatorët e këtyre ahengjeve kanë qenë të detyruar që për pritjen e mysafirëve, miqve, shokëve, dasmorëve, ta përgatisin një vend të veçantë që do ta zëvendësonte odën e burrave dhe ai vend është quajtur “Tanta e krushqve”.
Për përgatitjen dhe rregullimin e “Tantës së krushqve” , zakonisht është zgjedhur një vend i rrafshët dhe i gjerë , ku mund të pritën të gjithë mysafirët e ftuar për dasmë . Në vendet malore, vendet më të preferuara për rregullimin dhe përgatitjen e “Tantave të krushqve” , kanë qenë lamat e drithit, nga se ato kanë pasur më tepër hapësirë të rrafshëta dhe kushte më të përshtatshme për rregullimin e “Tantës”.
Tanta e krushqve (dasmorëve) është rrethuar rreth e rreth me rrema e dushqe në formë gardhi, por në mënyrë të pjerrët , me qëllim që ato rrema dhe dushqe t’ ua presin dasmorëve erërat e ftohta, shiun, borën, apo edhe diellin , në rastet kur është kohë me vapë.
Rrethoja e “tantës” me rrema e dushqe aq të shpeshta , përveç rolit të strehimit të dasmorëve, ka pasur rol të një bedeni artificial larg shtëpisë së grave , ku nuk do të mund të shiheshin femrat në asnjë mënyrë, por edhe bisedat , këngët dhe lojërat e burrave të mos dëgjohen atje ku janë gratë dhe bota femërore në përgjithësi . Madje, as këngët dhe ahengu i grave , nuk ka qenë e preferuar që të dëgjohet tek “tanta”, ku janë të vendosur dasmorët .
Në mesin e “Tantës së dasmorëve”, gjithmonë është ndezur një zjarr i madh i cili ka shërbyer për ngrohjen e dasmorëve, kur ishte kohë e ftohtë dhe për ndriçimin e ambientit brenda “Tantës”, nga se në ato kohëra nuk kishte rrymë elektrike, kurse me llampa të vajgurit ishte e pa mundur që të ndriçohen ato ambiente .
Për rreth atij zjarri të madh, si në amfiteatër, dasmorët argëtoheshin duke luajtur valle të ndryshme popullore, duke kënduar këngë të ndryshme tradicionale dhe duke luajtur lojëra humoristike të trashëguara brez pas brezi .
Gjilan, më 08 Shtator 2009.
Komentoni
Artikuj te tjere
Cikël poetik nga Hasan Qyqalla
Hajdin Islami: Bëhet tradicional manifestimi “Ora e Tahir Deskut”
Kalosh Çeliku: Urime, Delvina!
Yrjet Berisha: Shtatë krijuese kukësjane
Rizah Sheqiri në antologjinë ”Solglimtar och återblänk”- ”Diellndriçime dhe rishkëlqime” 2009.
Përparim Hysi: Obsesion (cikël me poezi)
Blerim Rrecaj: Ta kruajmë kokën bën ndonjëherë
Gjon Keka: Bojkoti megalojë e rrezikshme
Fatmir Halimi: Epi kombëtar i shqiptarëve Lahuta e Malcis
Xhenc Bezhi: Punë për ju
Arsim Halili: Intervistë me poetin dhe kritikun letrar Nexhat Rexha
Tregim nga Leon Z. Lekaj
Sinan Sadiku: Një begatim i krijimtarisë poetike
Ndue Ukaj: Roman për kauzën artistike dhe edukimin estetik
Engjëll Koliqi: Vjershat e 25 gushtit 2009 - Le poesie del 25 di agosto 2009
Halit Bogaj: Bamir Topi dhe Edi Rama
Shpëtim Kodra: E lehtë është të kritikosh...
Traboini: Lirike vjeshte - vidio-etyd
Albina Idrizi: Në shtëpinë tonë
Eduard M. Dilo: ''Grabiani rreze kodrave'' - Veper letrare me vlera te medha per historine e dhimbshme...