E shtune, 27.04.2024, 08:00 PM (GMT+1)

Kulturë

Fatmir Halimi: Epi kombëtar i shqiptarëve Lahuta e Malcis

E hene, 07.09.2009, 09:10 PM


FATMIR HALIMI

Shkrimtar, kritik

Fatmir_halimi@hotmail.com

EPI KOMBËTAR I SHQIPTARËVE:

L A H U T A  E  M A L C I S

(GJERGJ FISHTA)

        Epi kombëtar i shqiptarëve Lahuta e Malcis  është vepër monumentale, ku kësaj kategorie I bashkangjiten veprat si, Kaununi i Lekë Dukagjinit, Historia e Skenderbeut , etj.. Këto vepra quhen monumentale pasi që nga ato mund të krijohen , apo të dalin edhe shumë vepra të tjera të artit, si p.sh. të artit letrar, muzikor , figurative , kinomatografik, e të tjerë. Pra, i tillë është Epi ynë kombëtar Lahuta e Malcis  që mbi bazën e tij, deri më sot janë krijuar shumë vepra të tjera arti, e sidomos të artit letrar.

        Epi Lahuta e Malcis përshkruan luftërat e dy brezave, mirëpo këngët e saj më tepër tregojnë ngjarje të veçanta të historisë së shqiptarëve, ku si pikënisje ka ngjarjet e vrullshme të historisë së Shqipërisë, Ballkanit, por edhe më gjerë të periudhës kohore 1858-1913. Vepra është një ep që shtjellon jo vetëm një ngjarje  kryesore dhe që ka jo vetëm  një hero kryesor siç janë epet e mëdha klasike, apo tradicionale e kombëtare. Pra, këngët anipse të ndara e të pavarura kanë një interaksion, një lidhje të mbrendshme organike që e përbëjnë tërësinë e epit. Në këtë frymë vepra nuk ka vetëm një ngjarje, por ka ngjarjet e një periudhe historike, nuk ka vetëm një hero, por ka shumë sish, që duke konceptuar në secilin tipare të veçanta, por edhe të përbashkëta krijohet heroi kryesor-kombi shqiptar.

Pra, vepra nis me këndimin e heroizmave shqiptarë për të mbrojtur tokat e veta nga sulmet malazeze, të përqëndruara në Shqipërinë e veriut, dhe vjen duke u zgjeruar në kohë e hapësirë për të kapur ndodhitë dhe cilësitë shqiptare. Vepra nis me trajtimin e një krahine për t’u zgjeruar në tërësinë etnike shqiptare; nis me trajtimin e burrërisë së një ambienti për të arritur te koncepti i kombit, dhe kështu arrin të ngritet në nivelin e eposit kombëtar. Vepra mbështetet në tri tipe këngësh; Historike, si Vranina, Kongresi i Berlinit, Konferenca e Londonit, ku ka referenca të këngëve historike. Kreshnike, me shpërthimet krijuese imagjinative, që shpien te referencat e ciklit të këngëve kreshnike. Autoriale, si Patër Gjoni, Tringa, etj.

Në rastin e pare kënga jep ndodhinë historike dhe mbështetjen në kohë, në rastin e dytë fantazia krijuese ngritet mbi korpusin dhe mbi mitologjinë shqiptare (Orët, Zanat, Dragojt), në rastin e tretë punon sa fantazia e autorit, poaq edhe ideologjia autoriale. Lahuta e Malcis është një vepër epike me një ndërtim të mbrendshëm dramatik, ku spikasin veprimet, dialogu dhe gjuha e folur e kthyer në gjuhë të shkruar. Fishta shtin në tekstin e vet format e dendura apo të shkurtëra të letërsisë gojore, jo si citat, por si mbindërtim, zakonisht në trajtën e urimeve e të mallkimeve:

Kalushan e sy-përgjakur
Mje m’syla e ka mystakun;
Ushton mali thonë kur t’flas
Dridhet fusha kah t’vikas;
E kah t’dredhë të rreptë tagan;
Thue se ryfeja shkrepë per anë;
Burrë kaprroq e trim si Zana,
Thonë me kmishë e bani nana
Edhe, thonë ka le drague
Pse tri zemra i kanë qëllue.

 Pra, Lahuta e Malcis është tekst i mbindërtuar (hipertekst), ku referencat e shkrimit të saj na qojnë te oraliteti, si model. Ndërsa, ndërtimet e tjera artistike, shpërthimet e personazheve, veprimet e qenësitë shqiptare janë të tij dhe veprën e bëjnë të përkryer artistikisht.

Në anën tjetër hiperbola është figura zotëruese e përshkrimit të ngjarjeve, ashtu si e përshkrimit të personazheve. Hiperbola është e ndërtuar gjithmonë mbi një krahasim, pra me bazë në krahasim:

Hakubet Zoti e kish falun
Tri pllamë buzën e kishte pasun
Kish pas’veshin sa’ i zhgunë burri
Sa dy vet’me të me u mblue…

       Faqet tronditëse të Lahutës së Malcis janë ato kur bashkohen e harmonizohen veprimet epike me shpërthimet lirike dhe lirinë imagjinative të autorit, duke krijuar një dramticitet të paparë në letërsinë shqipe. Të tilla janë këngët që lidhen me heroinën letrare, Tringën. Aty janë bashkuar idealitetet fishtjane; trimëria, atdhedashuria deri në flijim, bukuria dhe njomësia që rrezatojnë dashurinë. Të gjitha këto janë lidhur me një orkestrim të hatashëm e të magjishëm të natyrës.

Cikli i këngëve për Tringën zbulon mënyrën e krijimit të Fishtës në Lahutë dhe vetë mënyrën e ndërtimit të Lahutës, si kalohet nga ngjarja, ndodhia reale, nëpërmjet një frymëzimi lirik krijues autorial, në shkallën e përgjithësimit e të idealitetit. Këtë portretim moral të bukurisë, të ndërtuar me figuracionin autentik të Fishhtës e gjejmë pikërisht te figura e Tringës:

Ardhun shtatit si breshana
Synin hyllë ballin si hana
Dishka njethë si molla m’rrem,
Si ajo Lulja shpërthye n’gëm
Qi ke dale m’ka ashtu te dera
Sikur bane dielli me dale
Nëpër aha, brejë e hale
Se për lula e karanfila
Për zymbyla e për bylbyla
E për gurra nëpër curra:
P’r ato hije nëpër vrrije,
P’r ato flutra nëpër zallë
Pasha Orë e shtozovelle,
Pasha t’rijt e pasha verën,
Për sa bjeshkë e lule bleren,
Ma fisniku i  vash se ke.

      Vargu i veprës është një tetërrokësh, i përgjasuar me vargun popullor shqip. Në Lahutë ambienti shqiptar është një vend i thepisur me maja të larta, i egër e mizor, siç thotë autori në disa raste: “Shkodra mizore”. Në të rrinë Zanat, ato shikojnë ngjarjet që zhvillohen poshtë, e nganjëherë janë edhe pjesëmarrës të tyre. Heronjtë real apo imagjinar quhen dragoj dhe bëjnë luftë me kulshedrën, te kënga Kulshedra.

     Me Lahutën e Malcis Fishta krijon veprën më të madhe epike shqiptare, duke projektuar edhe një moral të idealitetit shqiptar. Lahuta është dëshmi e kalimit të shprehjes së folur në shprehje të shkruar shqip, duke u bërë ky kalimi nëpërmjet një krijuesi të jashtëzakonshëm.

Personazhet dhe karakteri i tyre

      Personazhet krahas idesë, struktures dhe figuracionit janë ndër elementet më qenësore të Lahutës, që e bëjnë veprën të përkryer, qoftë si ide, strukturë, apo si realizim artistik e estetik.

Lahuta e Malcis edhe pse nuk e ka një hero (personazh) kryesor që do të përbënte boshtin e poemës, ajo ka tridhjetë këngë të lidhura organikisht në mes veti që përbëjnë një tërësi, dhe dhjetra personazhe që degëzohen në tri kategori; historike, mitologjike dhe autoriale (imagjinare).

    Personazhet historike janë të shumtë: Ali Pashë Gusia, Abdyl Frashëri, Oso Kuka, Dedë Gjo Luli, Abdullah Dreni, Knjaz Nikolla etj. Te këta Personazhe më tepër kemi përshkrimin e tyre të jashtëm si pamjen fizike, veshjen etj. Përjashtim bëjnë Oso Kuka, Knjaz Nikolla e ndonjë tjetër. Te Oso Kuka përshkruhet ndjenja e pikëllimit si dhe arsyeja që e shkakton atë, pra është një ëndërr që ai e kishte pare një natë më herët. Një përshkrim dramatik e të tmerrshëm e kemi te personazhi Knjaz Nikolla  te kënga Lugati, kur atij në mesnatë i hyn në dhomë Lugati-Mehmet Ali Pasha, i vdekur.

    Prej personazheve mitologjike jashtëzakonisht funksionojnë mirë Dragojt, Zanat, Orët, e të tjerë. Dragojt janë njerëz të rëndomt ashtu si Marash Uci, Xhemë Sadria, Rrustem Uka, Gjetë Gega etj, të cilët te kënga Kulshedra marrin tiparet e elementet e herojnve të këngëve kreshnike, që ngriten në qiell duke fluturuar . Po ashtu edhe Zanat e Orët kanë tipare fantastike, janë aq të shpejta sa hap e mbyllë qerpikun e synit . Bota e mbrendshme e Zanës së Madhe te tufa e këngëve për Tringën portretizohet në të gjitha konturat njerëzore si, dhembja, vajtimi, mllefi, e dëshpërimi ndaj jetës.

   Personazhet autoriale poashtu janë të shumtë, por si më të rëndësishëm që ndikojnë në rrjedhën dhe vazhdimin e ngjarjes janë Tringa, Patër Gjoni, Bec Patani e Rrushman Hasani. Por prej të gjithve, figura e Tringës paraqitet me të gjitha tiparet, vyrtytet e bukurinë e një vajze shqiptare. Ajo mbas luhatjeve të mbrendshme; frikës, dyzimit të mendimeve, manifeston karakterin e heroines.

      Në Lahutë përveç personazheve shqiptarë është edhe një numër i madh i personazheve të taborrit tjetër si atyre malazez, serb, e edhe më gjerë si Cari i Moskovit dhe personazhe nga ana e turqëve. Ndërsa, nëse bëjmë ndarjen klasike në heronj pozitiv e negativ do të vrejmë se shqiptarët që luftojnë për lirinë e tyre janë personazhe pozitive, kurse ata të palës kundërshtuese, si zaptues, personazhe negative. Derisa shqyrtojmë karakterin e personazheve shqiptarë që përafërsisht është i njëjtë, por që kanë veçoritë dhe veçantitë e heroizmit shqiptar, duhet të merremi edhe me personazhet e taborrit kundërshtar , që nga studiuesit e Lahutës deri më tash, janë parë vetëm si një sfond dekorimi. Këta personazhe janë poashtu elemente funksionale pa të cilët kjo vepër nuk do ta kishte madhështinë dhe funksionin si në rrafshin letrar artistik, ashtu edhe në rrafshet e tjera. Këtyre personazheve, vetë autori u jep peshë edhe funksion me rëndësi në vepër, duke i vendosur në pesë këngët e para të saj, ngase është nisur nga aksioma “shkak-pasojë”. Pra, nuk janë trimat dhe heronjtë shqiptarë, po kundërshtarët e tyre, si Knjazi i Cetinës e Cari i Moskovit, dy personazhe të realizuara artistikisht në shkallën më të përsosur, dhe autori perms tyre i dha një pasqyrë besnike, jo vetëm lexuesit shqiptar të kohës, por edhe atij evropjan për rrezikun e idesë së pansllavizmit që bota e provoi gjatë gjithë shekullit pas botimit të veprës së Fishtës.

Shkrimi e leximi i Lahutës së Malcis

       Shkrimi i ciklit të parë (blendi I ) me pesë këngë i Lahutës së Malcis u botua më 1905 në Zarë të Kroacisë me të hollat që i kishte dërguar Faik Konica. Këto këngë botohen si këngë popullore pa emrin e autorit, sepse Austrohungaria nuk lejonte botimin e autorëve shqiptarë në territoret që administroheshin nga ajo. Një vit më vonë u botua edhe cikli i dytë me katër këngë, e kështu në rrjedhë të viteve deri në botimin përfundimtar më 1937 me tridhjetë këngë. Meqë shkrimi i veprës ka një periudhë të gjatë kohore, ajo nuk e ka të njëjtën fuqi te secila këngë veç e veç. Ky historik i gjatë i shkrimit, por edhe i leximit kanë ndikuar në njëra tjetrën. Fishta më shumë kishte ambicie me lirikat e format e saj artistike. Por lexuesi shqiptar këngët e para të Lahutës i priti më fuqishëm se krijimet e tij të tjera, dhe kjo u bë promotër për shkrimin e cikleve të mëvonëshme. Në këtë mënyrë shija e lexuesit tani si kërkesë e ambientit, u bë frymëzim i ri për shkrimin dhe mbarimin e veprës. Shija dhe njëjtësimi i lexuesit me veprën, Lahutën e bënë vepër popullore. Po poeti i madh nuk do të ishte i tillë, nëse nuk do ta kalonte shijen e kohës. Ai vetëm gjeti modelin e komunikimit, ndërtimit të veprës që është oraliteti, kurse idetë, temat, e elementet e tjera artistike janë të tij, dhe Lahutën e bëjnë të papërsëritshme.

    Me përmbysjet ideologjike që bëri komunizmi në Shqipëri mbas vitit 1946, poeti kombëtar Gjergj Fishta u ndalua nga studimi institucional. Po këtë fat pati edhe Lahuta e Malcis, e cila tani bënte jetë gati një decenie, që kur Fishta kishte përfunduar procesin e shkrimit të saj, e ajo njihej e lexohet gati në të gjitha trevat e etnisë shqiptare. Në këtë kohë, ndalimin e saj e bënë edhe  Klyshqit e Rusisë, siç i quante autori sllavët, edhe në trevat shqiptare të pushtuara nga ata. Me Lahutën e Malcis autori për të gjalltë e tij u pagëzua  “Epiku më i madh shqiptar”, duke ndërtuar eposin shqiptar të shekullit njëzet. Nga vargjet e tij do të mahnitet edhe një studiues i huaj i gjuhës shqipe, Maksimilian Lamberci. Lahuta edhe pse u ndalua për një gjysmë shekulli në të dy anët e kufirit, ajo prapë pati lexuesit e vet, por kësaj radhe lexohej tinëz nga pushteti. Prandaj, Lahuta e Malcis për shqiptarët në këto rrethana të ndalimit të saj ishte më tepër se një vepër arti, më shumë se një mesazh artistik. Ishte frymëzim për shqiptarët e mbetur nën pushtimin serb e grek që ta ruajnë ekzistencën, që t’i ruajnë tiparet pozitive kombëtare. Së fundi kemi plot shembuj që shqiptarë të pashkolluar ta kenë mësuar përmendësh tërë Lahutën, dhe ta kenë përcjellë te brezi më i ri. Kjo vepër ishte një frymëzim për shqiptarët e robëruar për ta fituar lirinë. Kurse letërsisë shqiptare, Fishta i dha një vepër monumentale arti, apo siç thekson një studiues tjetër i Lahutës, Kol Kamsi:”Fishta njihet si poeti ma i madh dhe ma i perzemërt i Kombit të vet të vogël, sepse me poezitë e veta të frymëzueme prej një ideali të nalt, i ka dhanë shqiptarit një ndërgjegje kombëtare, një Atdhe, e gjuhës i ka ngrehur disa permendore arti që s’kanë për të pasë kurrë mort”.

Përmbledhje

Studiuesit e Fishtës e veçmas të Lahutës së Malcis, shqiptarë e të huaj përkundër mendimeve të ndryshme e divergjente, kanë arritur në një pikë të përbashkëtë se Fishta është poeti Kombëtar i Shqiptarëve. Disa do ta quajnë edhe Homeri i shqiptarëve, disa poeti që krijoi Epin Kombëtar të Shqiptarëve, etj. Këtu vlen të theksohen edhe disa mendime të këtyre studiuesve, të cilët kanë arritur të prekin në madhështinë e artit fishtjan. Eqrem Qabej ndër të tjera  thekson se Lahuta e Malcis është së fundi vepër vetjake e poetit, vepër arti e plotë, e përsosur dhe e përkryer në vetëvete. Ndërsa një mendim të plotë e të sintetizuar e ka dhënë Ernest Koliqi. Ai thotë: “Vepra e Fishtës është përpjekja ma vigane qi shqiptari bani deri tash për t’ai zbuluem vetëvetes botën e vet…Të gjitha reakcionet e substances etnike mbështillen e përdridhen, zhvillohen e ndërlikohen në veprën e tij, e cila mund të njihet si nji enciklopesi e ma gjeniume shqiptare…”.

    Dhe mund të përmbledhim disa konstatime se Lahuta e Malcis paraqet të giitha vetitë pozitive të karakterit të shqiptarëve; trimërinë, besën, bujarinë, fisnikrinë, urtësinë, sakrificën për lirinë e atdheut, etj, se Lahuta paraqet gjithë kulturën materiale e shpirtërore, bashkë me legjendat e folklorin, zanat e orët; pra jepet e gjithë historia e shqiptarëve e përkufizuar në etninë e tyre gjeografike. Në Lahutë janë të bashkuara edhe përpjekjet e tri religjioneve me një qëllim të vetëm, ngritjen e vetëdijes dhe moralit kombëtar, që poeti e nis me vargun e parë thirrje: “Ndihmo, Zot, si m’ke ndihmue”për të arritur te qëllimi më sublim, në vargun e fundit me tridhjetë këngë: “Prap zojë m’vedi duel Shqypnia”

   Sado nga këto  mendime dhe konstatime që shtjelluam  për Lahutën e Malcis, ajo prapë nuk është e studiuar sa duhet, apo thënë më ndryshe janë bërë përpjekjet fillestare për studimin e  saj vetëm nga aspekti letrar. Por, Lahuta e Malcis është më shumë se një vepër letrare. Me të drejt Ernest Koliqi thotë se ajo është një enciklopedi. Prandaj, kjo vepër duhet studiuar nga fusha të ndryshme të dijes, si nga gjuhëtarë, historianë, etnologë, antropologë, etnopsikologë, sociologë e të tjerë.


(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora