E diele, 04.05.2025, 01:11 AM (GMT+1)

Kulturë

Skënder R. Hoxha: Proza tregimtare e Hasan Hasanit

E shtune, 05.09.2009, 07:26 PM


I I

P R O Z A

(Rilexime me shkas)

I. PROZA TREGIMTARE E HASAN HASANIT

Shkruan: Prof. Skënder R. HOXHA  

Hasan Hasani nisi të shkruante tregime për të rritur diku nga fundi i maturës në Shkollën Normale dhe fillimi i studimeve. Në vitin 1969 botoi në gazetën “Rilindja” tregimin e parë. Këtë aktivitet e vazhdoi me një këmbëngulësi të vazhdueshme duke botuar kohë pas kohe në periodikun letrar. Më vonë do të shohim se Hasani boton edhe  përmbledhjet me tregime e novela: “Njeriu që grindej me qiellin” (1979), “Zhurmë në pyll” (1985), “Lojë me shamia” (1990), “Gruaja që grindej me pluhurin” (1996) dhe monodramën, apo monologun rrëfimtar “Muzgu i hyjneshës” (1996). Kjo e fundit, kushtuar stërmbesës së Ismail Qemalit, zonjës Nermin Vlora Falaski, e cila, në kohën kur u shkrua dhe u botua ky libër, ishte gjallë dhe jetonte në Romë. Ky është produkti në fushën e tregimit për të rritur që Hasan Hasani ia dhuroi letërsisë për këta dyzet vjet të krijimtarisë letrare.

     Motivet e prozës tregimtare të Hasan Hasanit janë kryesisht nga treva e Dushkajës. Aty gjejmë personazhet e ambientuara, që u morën nga rrethi ku u lind dhe u rrit vetë autori. Hallet e tyre, krajatat jetësore, ligjet kanunore, më shumë se tek askush tjetër nga brezi i tij krijues, i gjejmë te pranishme në tregimet e tij. Kjo flet se Hasan Hasani, qoftë në poezi, qoftë në prozë, asnjëherë nuk u largua nga trungu prej nga vinte, pra nga Dushkaja.

    

1. Ndërtimi strukturor i përmbledhjeve me tregime të Hasan Hasanit 

 

 I. Përmbledhja e parë me tregime “Njeiu që grindej me qiellin”, në ndërtimin e saj strukturor ka dhjetë tregime: “Megjithatë, Xhemilja shkoi nuse”, “Vejusha”, “Njeriu që grindej me qiellin”, “Ëndrrat dhe njeriu me rroba të zeza”, “Mulliri në shelgjishte”, “E ikura”, “Ajkuna”, “Njeriu që sillej rrugëve të qytetit ishte i çmendur”, “Enigma” dhe “Vdekja e bukur”.

II.Përmbledhja e dytë me tregime “Zhurmë në pyll” ka tregimet: “Nga shënimet e një gasterbajteri”, “Lagështi mëngjesi”, “Zhurmë në pyll”, dhe “Vasha me rrobe bore”.
III. Në përmbledhjen e tretë me tregime të këtij autori  Lojë me shamia” janë tri tregime të gjata: “Vasha me Gërsheta”, “Lojë me shamia”, “Të shtëna në pikëllimë”.

 

IV. Përmbledhja e katërt me tregime, që mban titullin “Gruaja që grindej me pluhurin” përbëhet nga pesë tregime: “Shënimet e një gasterbajteri”, “Gruaja që grindej me pluhurin”, “Letër pa adresë”, “Kënga e hidhët” dhe “Zëri i dhembjes”.

V. Ndërkaq, monodrama për Nermin Vlora Falaskin është një lloj shfaqjeje skenike interesante, në të cilën Nermini, në mënyrë meditativo-retrospektive flet për jetën e saj, që nga lindja e deri në ato ditë, prindërit, peripecitë jetësore të tyre, përjetimi i luftërave, etj. Ky meditim i znj. Faslaski shtrihet gjerë e gjatë në historinë e popullit të saj, me ballafaqimet e tij me robërinë shekullore dhe përpjekjet e vazhdueshme për të dalë nga robëria, për të formuar shtet, etj…

 

2. Në mes të tregimit të gjatë dhe novelës

    

     Që në përmbledhjen e parë me tregime Hasani bëri me dije lexuesit se, veç poezisë, është edhe prozator i mirë. Dha shembuj për të kuptuar se e shkruan me sukses tregimin. Hasani, në prozën tregimtare, karakterizohet me tregimin e gjatë. Me tregimin që ka përplot elemente të novelës. Të tillë janë tregimet: “Megjithatë, Xhemilja shkoi nuse”, Ëndrrat dhe njeriu me rroba të zeza”, “Enigma” (në librin “Njeriu që grindej me qiellin”); “Lagështi mëngjesi” e “Zhurmë në pyll” ( në librin “Zhurmë në pyll”); “Shënimet e një gasterbajteri” e “Zëri i dhembjes” (në librin “Gruaja që grindej me pluhurin”), qëndrojnë në mes të tregimit të gjatë dhe të novelës. Ndërsa tri tregimet e gjata: “Lojë me shamia”, “Vasha me gërsheta” e “Të shtëna në pikëllimë” (nga libri “Lojë me shamia”), mund të quhen edhe tri novela. Përshkrimet e ambienteve, të situatave, mandej portretizimet e personazheve në detaje,  etj., janë gjithashtu elemente që tregimin e Hasanit e bëjnë të gjatë, që i ngjet novelës, por edhe të afërt e të kapshëm për lexuesin. Gjatë leximit të tregimeve të Hasanit, lexuesi sikur bashkudhëton me syzheun e ngjarjes, bashkëvepron me zhvillimet e narracionit dhe lehtë kupton personazhet pozitive, ato negative, po edhe qëllimin final, respektivisht objektivat që kishte në shënjestër autori. Megjithatë, duhet thënë edhe këtë, se proza tregimtare e Hasan Hasanit është vazhdim i tregimit tradicional dhe model i tregimit që shkruhej atëherë, pra kur u shkruan këto tregime.     

 

3. Tradita dhe vendlindja si lajtmotive në tregime

 

     Pothuajse subjektin e të gjitha tregimeve Hasani e lidh me vendlindjen e tij, të cilën herë e quan Plepishtë, herë ndryshe, apo edhe me një rreth më të gjerë, me një krahinë etnogjeografike, me Dushkajën, krahinë kjo ku gjendet edhe fshati i lindjes së tij. Atje, në ato anë malore, i vendos ngjarjet, nga atje i ka personazhet, atje merr tematikën dhe motivet që dominojnë në tregime, atje ku njeh se si marrin frymë njerëzit, atje ku është rritur, njeh historinë, traditën, mentalitetin, por edhe përditshmërinë e atjeshme, me të mirat dhe këqijat e saj. Bile, në ndonjë tregim, edhe vetë autorin e gjejmë të jetë njëri nga personazhet.

    Përveç vendlindjes, tradita është motiv e tematikë që mbizotëron në prozën tregimtare të këtij autori. Kështu, kur të shikohen mirë e mirë, tradita dhe vendlindja bëhen lajtmotiv i shumicës së tregimeve të Hasanit. Edhe kjo është mirë, sepse, meqë është kështu, tematika e tregimeve është e një hapësire reale, e jo të imagjinuar. Gjithashtu, edhe tradita, me gjithë anët negative të saj, shtrihet në një hapësirë ku ka mbizotëruar Kanuni i maleve tona, atë e kanë vënë në jetë njerëzit që i kanë përqafuar rregullat e tij.

     Viktimë e Kanunit dhe traditës, në të shumtën e herave, kanë qenë femrat, vajzat shqiptare, që nuk i ka pyetur kush për të vendosur për fatin e tyre. Këtë temë e ka trajtuar edhe H. Hasani në tregimin “Megjithatë, Xhemilja shkoi nuse”: “… E mbi të gjitha i dhimbsej e bija, Xhemilja. Pjella e vet. Xhemilja që i kishte dalë zëri në Dushkajë. “Lum ai që i bie hise! Ka çka fut në konak (…). Malësore që rrezon si dielli. Shpatë në punë. Si më i miri mashkull në Dushkajë” – flitej ndër fshatarët e Dushkajës.” (Libri “Njeriu që grindej me qiellin”, f. 8). Tregimi, megjithatë, merr përfundim tragjik, sepse, për shkak të pakënaqësisë, se fejesa e vajzës së Tal Shkëmzës ishte bërë në rrethana cubnie, çfarë kanë qenë atëherë, meshkujt e Talit dalin për t’u hakmarrë, një ditë para se Xhemilja duhej të shkojë nuse. Në ato prita,   meqë nuk kishin hasur në meshkuj të tjerë të familjes së Bekë Kurtit, i biri i Talit, Rrusta, e vret dhëndërrin, Fazliun, pra, një ditë para se të martohej: “…dhe një vrushkull gjaku i rrodhi nga goja, duke pëshpëritur fjalët e fundit: “Ah, Xhemile…kujt çka i kam bërë!”. Nga goja e vetë personazhit del edhe mallkimi, mallkim i cili mund të lexohet edhe si mallkim i rregullave kanunore: “Na pastë në qafë babai yt, ty dhe ne!” – murmuroi Rrusta me gjysmë zemre, kur dëgjoi fjalën e fundit të Fazliut.” (Po aty, f, 20).   Por, sipas rregullave kanunore (!?), Tali ia çon njerin, Dervish Qerimin, Bekë Kurtit, për t’i thënë: “…I thuaj Bekë Kurtit , mos u habit se unë të kam vrarë e asjush tjetër. Unë që s’ta kam pasë dhënë vajzën deri në këtë dakik. Edhe unë i kam dy gishta fytyrë, i thuaj atij burri… Por, dije mirë, o Bekë Kurti, se vajza ime nuk bën të mbetet pa burrë. Me bojë në flokë e me kanë në duar, Xhemilja nuk bën të mbetet, jo! Matu mirë e mendo çka po bën! Për cilin djalë të duash hajde e merre vajzën time nesër me krushq e me tupana! Tash të qoftë për hajr Xhemilja! Tash thuaj po ta bën për hajr Tal Shkëmza vajzën…Përndryshe, o bekë Kurti, pasha atë që ma ka dhënë mishin e shpirtin, po s’erdhe nesër me krushq e me tupana ta marrësh vajzën time, të kam ndjekur edhe për një gjak…” dhe tregimi përfundon me: “Të nesërmen Bekë Kurti, me njëqind krushq, erdhi dhe e mori nusen…

     Temë të cilës Hasani, si duket, iu kishte rrokur më me përkushtim në prozën tregimtare të tij është tradita shqiptare, përkatësisht ngjarjet dramatike që ishin pasojë e konflikteve që ndodhnin ndër ne dhe ballafaqimi e pasojat e ligjeve të rrepta kanunore të malësive tona, e sidomos hakmarrja. Këtë temë e gjejmë sidomos edhe  në tregimet “Lojë me shamia” dhe “Të shtëna në pikëllimë”, në përmbledhjen me tregime që mban titullin “Lojë me shamia”. Në dy këto tregime kemi të bëjë me punë gjaqesh, dhënien e besës, hakmarrjet etj., që përshkohen me situata të ankthshme e dramatike, mbylljen e familjeve që kishin gjakun borxh, ndërhyrjet e të tjerëve për të nxjerrë besë sipas rregullave të Kanunit etj. Mirëpo, kemi raste, kur autori gjen mënyrën për zgjidhjen e konflikteve, pa marrë përmasa tragjike, si te hasmëria në mes të familjeve Shpendaj dhe Ujkaj, në tregimin “Lojë me shamia”. Edhe sipas këtij tregimi, rregullat kanunore nuk kursenin askë, ishin të pamëshirshme. Binaku i Shpendajve vret të birin, Kreshnikun, pse kishte vrarë atë të Ujkajve në kohën kur ata kishin besë. Pra, kishte thyer besën. (Sipas Kanunit, në kohën kur ke besë, ke qenë i lirë nga gjakësi). Ai e vret kur ato ditë e net i kishin në kullë pleqtë e Bardhajve, që kishin ardhur t’i bëjnë zgjidhje kësaj hasmërie.:

“ Një e shtënë çau qiellin në atë mesditë, dridhi kullën, lagjen e Shpendajve, tërë farefisin – ndoshta edhe Dushkajën skaj me skaj.

Kreshniku u shtri në lëmën sa gjerë sa gjatë.

S’te vrava unë, o bir, jo!... Të vrau besa!... – i pëshpëritën buzët Binakut.”

(…)

Pas asaj që bëri, Binaku kthehet në odë, e vari armën (…) dhe iu drejtohet pleqve të Bardhajve:

- O pleqtë e Bardhajve, për atë që keni ardhur, ajo punë mori fund – tha Binaku, dhe buza e poshtme i dridhej sa mezi fliste.

        Ata e shikuan përsëri njëri-tjetrin. E kuptuan se çka kishte ndodhur.”Lojë me shamia, f. 81).

     Ndërkaq, te tregimi “Të shtëna nëë pikëllimë”, ishte gjetur një mënyrë më specifike për të mos ndodhur hakmarrja nga djemtë e Murtez Kreshtës ndaj familjes së Nezir Brahës, që të dy familjet nga fshati Pikëllimë, ngase edhe vrasja ( e djalit të Murtezit, Hajdinit) kishte ndodhur në do rrethana të pasqarueshme…Kështu tregimi përfundon, bashkë me vdekjen e plakut Murtez Kreshta, i cili në çastet e frymës së fundit, pasi ua kishte treguar fije e për pe ngjarjen rreth vrasjes së djalit, Hajdinit, iu thotë të bijve:

     - Ditën e shtatë mbas vdekjes sime t’ falet gjaku Brahajve!

- Ashtu qoftë, babë! – tha më madhi, Sokoli, kokulur.” (Tregimi “Të shtëna në  Pikëllimë”, Libri “Lojë me shamia”, f. 116)

     Ndonjëherë, në tregime të Hasanit, vuajtjet e njerëzve dhe fati i tyre, të shtyjnë të mendosh se athua ishin ato fat absurd i tyre, apo në mënyrë ekstreme kishin thyer rregullat e traditës (!?).

     Në tregimin e gjatë – novelën “Lagështi mëngjesi”, në përmbledhjen “Zhurmë në pyll”, Hasani ka prekur në motive që determinojnë mbeturinat e errëta të traditës edhe fillet e të menduarit progresiv të personazheve, të dominimit të vetëdijes së avancuar mbi idetë e veprimet e mykura (spikatet motivi i vrasjeve . Dushk Malësori e kishte mbytur Gur Bungun në presë të ujit, kur ky i dyti po ujiste arën…: “ – dhe një goditje e fortë shati e qëlloi ballin e Gurit pa pritur e kujtuar. – Më paç në qafë, o Dushk Malësori! – u dëgjua një klithmë e thekshme,”. (Përmbledhja “Zhurmë në pyll”, f. 26). Autori nuk bën hakmarrje, mbase për ta zbutur këtë plagë, anipse Gur bungu nuk kishte lënë djem, por vetëm disa vajza. Vajza e tij, Sanija, ishte bërë mjeke, kirurge dhe punonte në ambulacë të fshatit. Për shkak të saj, nga frika e ndonje hakmarrjeje, familja e Dushk Malësorit nuk shkonin në atë ambulacë. Mirëpo, kur sëmuret Dushku, bija e tij, Rrushja, pa ditur vëllezërit dhe askush nga shtëpia, shkon herët në mëngjes në shtëpi të mjekes Sanije, të cilën e merr për t’ia shëruar babain. Kur vëllezërit e Rrushes e shohin këtë, a kuzojnë motrën e tyre pse ua kishte sjellë këtë në shtëpi dhe nga frika që “ajo do t’ua mbyste babain me ndonjë gjilpërë”, nuk duan të lejojnë që ajo të merret me sëmundjen e babait të tyre. Sanija këmbëngul që ta bëjë punën e saj prej mjeku, ashtu siç e kërkon etika mjekësore, edhe përkundër dëshirës së tyre, por që ua thotë edhe këtë: “ Po të kasha menduar pak për gjak, moti do të isha hakmarrë. Edhe pse jam femër, gishti më punon.” (“Zhurmë në pyll”, f. 33). Por, kemi këtu edhe një lloj pendese të dorasit, Dushk Malësorit. Kjo shihet kur mjekja Sanije e bën një intervenim kirurgjik në sëmundjen e tij, e thotë: - Hapi sytë, Dushk Malësori! Tregomë si e ndien veten?! (…) – O, s’po më lë turpi t’i hap sytë, oj bijë!... (Po aty, f. 37). Në këtë tregim të gjatë – novelë, edhe më tepër spikatet motivi i konflikteve – vrasjeve që kanë ndodhur për hiçgjë …, për mezhdë të arës, për një gardh, për një presje vade në fushë, një rrugë etj.

 

…dhe emancipimi

    

     Mirëpo, në këtë prozë, Hasani sikur nis fillet e një lloj zhdukjeje të hakmarrjeve dhe artistikisht i dënon ato. Sanija, mjeke, nuk do të hakmerret. Ajo, përkundrazi, e shëron dorasin e babës së saj. Me Sanijen mjeke – kirurge, Hasani sjell në prozën e tij edhe fillet e emancipimit të vajzës shqiptare, e sidomos asaj nga fshati, që çon përpara interesimet e autorit për tematika të reja në krijimtarinë letrare të tij.

     Temën e emancipimit të femrës shqiptare, po në një mënyrë, edhe të një rrethi të caktuar shqiptar, Hasani e trajtoi më vonë edhe në prozat tregimtare: “Vasha me rrobe bore”, në përmbledhjen “Zhurmë në pyll” dhe në novelën e tij me titull “Shënimet e një gasterbajteri”, në librin “Gruaja që grindej me pluhurin”.

    

4. Rrëfime për luftërat    

 

     Në opusin e prozës tregimtare të H. Hasanit një vend të rëndësishëm e zë edhe tema e luftës. Këtë temë Hasani e trajtoi duke qenë i frymëzuar dhe duke marrë për motive përpjekjet e vazhdueshme të popullit tonë për mbrojtjen e trojeve dhe rezistencën për atë ideal, pastaj luftërat e mëvonshme, përkatësisht, deri te Lufta Nacionalçlirimtare. Me motive nga Lëvizja Kaçake është tregimi i gjatë dhe interesant “Zhurmë në pyll”, në përmbledhjen me po këtë titull. Shprehen në këtë tregim fragmente luftërash të kohës së Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, evokime nga mamendja e personazheve të tregimit për ato kohë, kurse subjekti kryesor i tregimit është nxjerrja e eshtrave të disa ushtarëve të panjohur, nga një shpellë e thellë, kujtim ky që ishte ruajtur në traditë të atjeshme me vite të tëra. Tregimi është me plot rrëfime për luftën që autori i nxjerr nga goja e të moshuarve që ishin të angazhuar në atë aksion për nzjerrjen e eshtrave nga shpella, nga ai krater, siç thuhet në tregim. Rrëfimet fragmentare për luftërat e një kohe më të hershme, dalin nga kujtesë e dëshmitarëve të gjallë, por që ua tregonin atyre që ishin të brezave të të rinj. Pasi ia dolën që pas shumë mundimesh t’i nxjerrin eshtrat e ushtarëve të panjohur, njëri nga personazhet e tregimit thotë:

T’i varrosim si duam vetë. Ua kemi pasur borxh ushtarëve të panjohur që atë ditë e sot nuk mësuam prej nga ishin. E lufta ka ngrënë qindra e mijëra ushtarë! Po le t’u dihen varret,”. (“Zhurmë në pyll”, f.79). Ndërsa, tregimi përfundon me varrosjen e atyre eshtrave.

Të nesërmen, në praninë e qindra fshatarëve të Dushkajës, eshtrat e ushtarëve të panjohur i varrosën në lëndinën e vogël, praën kraterit, në thellësinë e të cilit kishin qëndruar vite me radhë.” (Po aty, f. 80).

     Tregimi me titull “Vdekja e bukur”, gjithashtu me tematikë nga lufta, është një rrëfim aq sa heroik edhe human. Njëherit, iu bartet brezave gjesti fisnik, si dhe porosia se çfarë duhet të bëjë njeriu për njeriun kur mbizotëron arsyeja. Në majën e domethënies së tregimit është gjesti i xha Dinës, i cili kërkon nga togeri që ta falnin Musën pesëmbëdhjetëvjeçar, ngase ishte i ri, të cilin e kishin futur në rreshtin e njerëzve që i kishin lidhur dhe i çonin për t’i pushkatuar:

“- Aman, zotëri toger, falne këtë djalë të ri”. (Tregimi “Vdekja e bukur”, në përmbledhjen “Njeriu që grindej me qiellin”, f. 124).

Togeri nuk i merrte parasysh këto kërkesa, por më në fund i kishte drejtuar Dinës:

“ – A po hyn në vend të tij?” – Iu ngërmua Dinës togeri, kur u bind se ky nuk do t’u ndahej as i gjallë as i vdekur.” (Po aty, f. 125).

Ndërkohë që Dina vendosi që vetë të futet në rresht, në vend të  Musës, në rreshtin që çonte drejt vdekjes dhe i përgjigjet togerit:

“ – Me gjithë qejf, o hor i horave! Mua nuk më dhimbset jeta. Unë jam burrë. Ky është fëmijë. Nuk di çka është jeta. Për mua kjo është vdekje e bukur. “S’ka vdekje më të bukur se kjo për mua… Zgjidhja duart – iu ngërmua Dina togerit, duke iu dridhur mjekrra e bardhë.” (f. 125).

     Emrat e mbiemrat e ndonjë personazhi kanë simbolikën domethënëse, simbolikën që lidhet me emra të asaj krahine – Dushkajës…

      Me temë nga Lufta e Dytë Botërore, Hasani shkroi tregimin me titull karakteristik “Vasha me gërsheta”, i botuar në fillim të përmbledhjes “Lojë me shamia”. Këtu nuk është vështirë të kuptojmë se është fjala për vashën gjakovare, Ganimete Terbeshin, të cilës fashistët ia morën jetën kur kishte vetëm gjashtëmbëdhjetë pranvera. Nuk është vështirë, pra, për lexuesin, të dijë se për kë bëhet fjalë në këtë tregim dhe lehtë do të identifikojë Ganimeten, këtë personazh me ide revolucionare, sepse vetë titulli sikur e portretizon atë.

      Në tregim jepen skena të shëmtuara të luftës, sjelljet e vrazhda të gestaposë, kuesturës, bashibuzukëve, karabinierëve dhe eprorëve të tyre, tradhtarëve e bashkëpunëtorëve të armikut, e në anë tjetër, maltretimet e përsekutimet që i bëheshin popullatës shqiptare. Këto vuajtje i kishte përjetuar edhe vasha me gërsheta, e cila ishte angazhuar në Lëvizjen kundër okupatorit. Ajo, të gjitha ato, i kishte përballuan në mënyrë të dinjitetshme. Autori i tregimit do të na jepë një përsonazh specifik, të një vashe të re me karakter të fortë, e cila e brumosur me virtyte të larta për të luftuar okupatorin, qëndroi e pathyeshme derisa përfundoi në litar, derisa dha frymën e fundit. Vasha me gërsheta është edhe personazhi kryesor i tregimit.

     Përveç vashës me gërsheta, tematikën e këtij tregimi e begatojnë edhe disa figura të tjera, siç janë: vasha syzezë, e cila përjeton të njëjtin fat me vashën me gërsheta, pastaj halla e vashës me gërsheta, e ndonjë tjetër; skenat e burgjeve e të burgosurit, kampet, trekëmbëshat e ngrehur në namazgjah etj. Të gjitha këto, tregimit “Vasha me gërsheta”, i jepin tiparet e strukturimit të imazheve të zymta të luftës dhe të të këqijave që kishte përjetuar populli ynë, gjithnjë në kërkim të lirisë.            

 

5. Raporti njeriu -  natyra…  

    

     Në tregimin “Njeriu që grindej me qiellin”, (në përmbledhjen me po këtë titull), në qendër të vëmendjes është fshatari Hysen Shpati. Në procedeun e këtij tregimi kemi të bëjë me kacafytjet e njeriut me fenomene natyrore, përkatësisht përpjekjet e njeriut tonë për ekzistencë. Pra një tematikë që mbështillet në rrethin motivor: njeriu – natyra – lufta për ekzistencë. Në atë verë nuk kishte rënë shi, e bima e misrit në arë vyshkej. Ishte gëzuar atë ditë vere Hyseni kur kishte parë retë në qiell që paralajmëronin shiun, pastaj disa pika shiu që filluan të bien, por, shiu shkonte në ato arat që mund të ujiteshin sa herë të donin, e jo në arën e Hysenit që ishte e pavadë. Kemi këtu edhe luftën e njeriut për ekzistencë, luftën për bukën e gojës së familjes. Shqetësimi i Hysenit ishte i madh atë ditë. Ai sikur “kacafytej” me qiellin nga dëshira e madhe për të rënë shiu mbi arën e tij. Mllefi i Hysenit shprehej me ato pëshpëritje të tij në “grindje me qiellin”, që njëherit ishin edhe shprehje e peshës së vuajtjeve njerëzore. Sipas psikologjisë së autorit, të cilën e bart përmjet kryepersonazhit, edhe ndaj natyrës nuk janë të gjithë njësoj, ai konsideronte se as nuk participojnë njësoj në të mirat e të këqijat që sjell natyra, ku, gjithsesi, skamnori mbetej më i goditur, më i pakënaqur në përkim me gjithësinë e jetën, si dhe në arsyen e përpjekjes për të ekzistuar: “…Shiu, si për inat, nuk ia lagte buzët këtij as arës. “Ç’po ndodh kështu”? – mendoi i turbulluar. Kurse atje poshtë, atje ku jazi ua këndonte këngën e freskisë arave, shiu dendësohej edhe më shumë. Binte si me shekë.”(“Njeriu që grindej me qiellin”, f. 35).

     Po këtë tematikë e ndeshim edhe në tregimin “Kënga e hidhët”, në librin “Gruaja që grindej me pluhurin”. Që në fillim të tregimit vërehet beteja për ekzistencë e njeriut të kësaj toke: “Ecte pas larove duke mbajtur dorëzat e hekurta e të ftohta të pllugut”, dhe nga punët e rënda: “Ara ishte e fortë, smonicë. Umat mezi që e qanin” (…), dhe “Duart i ishin vrutnuar, i kishin nxënë në gjak, këpuja këpuja. Gjak i zi, i cili ndërmjet gishtave dhe shuplakës së dorës znejke pika – pika.” (Përmbledhja me tregime “Gruaja që grindej me pluhurin”, f. 62). Është fjala për kryepersonazhin e tregimit, Sejdën, i cili punët e tilla të zorshme, i kishte përditshmëri, “Sejdëes nga vapa që digjte, i pikonte djersa për maje të hundës” (f. 65), ngase nga kjo jetonte.   

 

6. Njohja si rinjohje në tregime    

 

     Tregimi “Enigma” në mënyrën e vet procedon temën e ndarjeve martesore, për arsyena të ndryshme, por edhe më shumë atë të rinjohjes, në këtë rast motër – vëlla, temë kjo që është e njohur edhe nga baladat shqiptare. Syzheu i shkurtër i këtij tregimi do të ishte: Dy të rinj: Mjerimja e Mjerimi, rastësisht, Mjerimja studente e Mjerimi si gazetar, njihen dhe pas shumë takimesh e bisedash kuptojnë se ishin të një nëne, pra ishin vëlla e motër: Mjerimi i një babai, nga Plepishta, me të cilin Fetija ishte martuar së pari, por që ishin ndarë, me ç’rast kishte lënë djalin Mjerimin; dërsa Mjerimja ishte po ashtu e Fetijes, por për baba kishte një burrë tjetër me të cilin ishte martuar Fetija për së dyti. Pasi që u zbulua enigma se kush ishin dhe çka ishin në mes veti, autori kishte përfunduar tregimin me: “Do ta vizitojmë së bashku, Mjerime. Po, po, Mjerimi e Mjerimja do ta vizitojnë një ditë fshatin Plepishtë!”  (Tregimi “Enigma”, libri “Njeriu që grindej me qiellin”, f. 120).

Tematikë të ngjashme ka edhe tregimi “Vasha me rrobe bore”, në përmbledhjen “Zhurmë në pyll”, veçse këtu kemi rinjohjen nënë – vajzë, gjëra këto që ndodhnin, pra i sillte jeta me rrjedhat e saj në fate të dënuara të njerëzve, mbase, të pafajshëm.

Te këto tregime, po edhe te disa tregime të tjera të Hasanit, shquhet mënyra e shtjellimit të ngjarjes: na ofron disa copa rrëfimesh, evokimesh…, ku me bashkimin e tyre formohet tërësia e ngjarjes së tregimit.  

 

7. Kurbeti gjithmonë plagë  

 

     Është me rëndësi të thuhet se temën e kurbetit Hasani e bëri motiv frymëzimesh për të shkruar edhe dy tregime të gjata (unë i quaj edhe novela) me titujt: “Nga shënimet e një gasterbajteri” (botuar në përmbledhjen me tregime “Zhurmë në pyll”) dhe “Shënimet e një gasterbajteri” (që e kishte botuar në përmbledhjen tjetër me tregime “Gruaja që grindej me pluhurin”). Të thuash, në të dy këto tregime të gjata bëhet fjalë për hallet e punëtorëve tanë në Gjermani, ballafaqimet e tyre me probleme të ndryshme, karshi probleve të veta familjare – si rezultat i gjendjes së rëndë ekonomike, për çka veç edhe kishin shkuar atje. Në proza të kësaj tematike hasim edhe në nuanca tragjike: edhe individuale edhe familjare. Këtu e gjejmë edhe rrëfimin në vetën e parë, që është karakteristikë për disa tregime të Hasanit, por

vërehet se narracioni (edhe në këtë mënyrë), me fuqinë figurative të fjalës, merr edhe ngjyrimet artistike të duhura.

    Tregim tjetër në këtë libër, ku gjejmë të jetë prekur tema e kurbetit, është edhe tregimi “Ëndrrat dhe njeriu me rroba të zeza” (Libri “Gruaja që grindej me qiellin”). Në të vërtetë, në këtë tregim bëhet fjalë për të këqijat që sillte kurbeti, kur ndodhte që ndonjë prej atyre që kishin shkuar në shtete perëndimore për të fituar një kafshatë bukë, kishin devijuar, ishin martuar atje, edhe pse këtu kishin lënë gruan me disa fëmijë, prindërit etj., d.m.th., kishte plot raste që sillnin edhe situata dramatike familjare. Në po këtë tregim, si një nënmotiv, na defilon edhe ndjenja që lidhet me bestytnitë. Përmes të ëndrrave të këqija që shihte Xhemilja, nëna e Sadikut i cili                                              para shumë vjetësh kishte shkuar në Gjermani, e në shtëpi kishte lënë gruan dhe fëmijët, sikur bëhet realitet ajo parandjenjë e saj që vjen nga njëfarë besimi në ëndrra. 

                

     8. Njerëzit e deformuar dhe akte dashurie specifike në disa tregime

 

     Mirë kishte menduar Hasani që përmes personazhit kryesor të tregimit “Njeriu që sillej rrugëve të qytetit ishte i çmendur” (në librin “Njeriu që grindej me qiellin”), Tafil Shpatarakut, të jepë një prototip të njerëzve që ishin dorë e shtrirë e pushtetit, bashkëpunëtor etj., e në anën tjetër ishin keqbërës të paskrupulltë në popullin e tij. Këtë personazh, e kishte çuar në gjendje çmendurie, përmes ëndrrave të trishtueshme, me gjarpërinj e figura të tjera…, që në të vërtetë këto janë dënoncime për njeriun që kishte bërë shumë vepra të këqija dhe i kishte duart me gjak të popullit të vet…Mjerisht, se nëpër kohë, ka pasur bukur shumë të tillë. (!!!)

     Ndërkaq, një tematikë që përkon me dashurinë, me një dashuri që nuk mund të quhet dashuri e mirëfilltë, Hasani e ka trajtuar në tregimet: “Vejusha”, “Mulliri në shelgjishte”, “E ikura”, “Ajkuna” (Libri “Njeriu që grindej me qiellin”) dhe “Gruaja që grindej me pluhurin”, në librin me të njëjtin titull. Hasim në këto tregime akte që më tepër janë si diçka e rastit, si diçka e papritur, por që kurorëzohen me ake të një dashurie specifike, të mjediseve të caktuara, natyrisht, edhe të njerëzve të caktuar, të një kohe të caktuar. Pra, ndonëse tregimet kanë ngjyrime dashurie, në to nuk ka ndjenja të theksuara sentimentale, por lidhen me kushtëzime të momenteve dhe rrethanave të caktuara.

 

      9. Rrëfime që kapërcejnë  kufijtë e autobiografisë

    

     Në prozën tonë do të mbetet përgjithmonë e rëndësishme monodrama “Muzgu i hyjneshës”, që Hasan Hasani e shkroi për Nermin Vlora Falaskin. Është kjo një monodramë ku monologu fillon me shënime autobiografike, por që shumë shpejt rrëfimet kapërcejnë kufijtë e autobiografisë dhe marrin dimensione shumë komplekse. Që në fillim të kësaj monodrame vetë zonja Falaski nis të shpalos kujtimet e saj, që nga lindja, në mënyrë kronologjike e të sistemuar. Pikërisht, për faktin se ajo flet vetë për jetën e saj, në raport më prindërit, farefisin, familjen, shokët e shoqet e shkollës, njerëz të shkencës, të arsimit, të artit e të kulturës, përfaqësues të strukturave e të e niveleve të ndryshme qeveritare e diplomatike etj., bëjnë që lexuesi të njihet me të dhëna burimore, të dorës së parë, nga vetë goja e saj, për një femër shqiptare – korife, e cila, sapo fillon t’i shpalosë ato kujtime thotë: “… Dëshiroj të zhytem në një periudhë gjysmëshekullore. Në krajatat e mia dhe në fatin e popullit tim. U Linda në Tiranë më 18 prill. Viti 1921. Familja ime kishte jetuar në Stamboll. Nëna ishte mjeke dhe kishte shërbyer në kryeqytetin osam gjatë Luftës së Parë Botërore. Babain e quanin Halit. Ishte kolonel i Perandorisë. (…) Babai im nuk e përballoi situatën e atëhershme të Shqipërisë. U largua prej nesh, për të vajtur në Francë. Aso kohe unë, siç më kanë thënë, kisha vetëm gjashtë muaj jetë nga lindja. Vendin e babait e zëvendësoi Gjyshja ime. E quanin Mevedet. Ishte fëmija i parë i Ismail Qemalit. Nëna ime quhej Belkize. (…) Mirëpo, amaneti i Ismail Qemalit ishte që të gjithë pjesëtarët e familjes që do të vendoseshin në Shqipëri ta mbanin mbiemrin Vlora, meqë në Perandorinë Osmane nuk ekzistonin llagape. Prandaj unë pata fatin të rritem me një gjyshe pianiste e me një nënë mjeke. Kultura ishte gjëja kryesore në familjen tonë. Kjo vërtetohet edhe me librin “Kujtime”  të Ismail Qemalit ” (“Muzgu i hyjneshës”, f. 6). Kjo pjesë e hyrjes së rrëfimit zgjon këshërinë për të mësuar se kush do të jetë në të ardhmen ky fëmijë, pra, vetë Nermin Vlora.

 

     Poliglotja shqiptare

 

     Dhe, shpijmë tek në fenomen i rrallë: vajza tri vjeçare di tri gjuhë: “Në moshën tre vjeçe nëna dhe gjyshja ma kishin mësuar gjuhën shqipe, turqishten dhe frengjishten.” (Po aty, f. 7), për të vazhduar shumë shpejt edhe me gjuhë të tjera: “Kur mbusha pesë vjet, nëna më shpuri në Athinë, ku ndodhej një teze e saj. Aty mësova edhe gjuhën greke.” Ndërkohë, që Erminin do ta çojnë në shkollë, ku kryen gjashtë klasë dhe mëson edhe dy gjuhë: italishten e anglishten. Pra, që në moshën fëmijërore, Nermini ishte bërë poliglote. Përveç shqipes, njihte edhe pesë gjuhë të huaja. Mirëpo, shkollimit nuk i ndahej, ndërsa në moshën 12 vjeçare kishte shkruar një vjershë, të cilën e kishte botuar në revistën “Diana”. Si njohëse e gjuhëve që ishte, në Radio Tiranë, ia besojnë që të përkthejë vjersha dhe këngë, sidomos nga italishtja e frengjishtja. Në Radio Tiranë edhe këndonte me shoqe të veta. Mësojmë, në vazhdim të rrëfimit, se Nermini kishte marrë pjesë, bashkë me tri shoqe të tjera shqiptare, në një ekspozitë në Romë, e organizuar me rastin e kremteve të 28 Nëntorit. Pas pak do të zë fill njohja e saj me italianin Renco, i cili shërbente si misionar diplomatik në Tiranë.

 

     Nënë dhe bashkëshorte diplomati

 

     Bashkë me Rencon kishin vazhduar edhe studimet në Siena të Toskanës, kjo ishte vendlindja e Rencos. Ndodh martesa e Nerminit me Rencon dhe lindja e djalit, të cilin e kishin pagëzuar Robert. Nermin Vlora ishte bërë nënë dhe ishte grua e një diplomati Italian. Një kohë me bashkëshortin gjenden në Pragë, ku burr ii saj ishte këshilltar në ambasadën italiane. Një sëmundje e papritur, Nerminin e kishte detyruar të kthehet në Romë, e në atë kohë fillon të shkruajë vjersha , prozë etj.

    

    Librat e para të  Nerminit                 

   

    Ato vjersha ia kishte lexuar drejtori i një shtëpie botuese, e meqë i pëlqejnë, ia boton librin “Zotëruesi i kohës” (“Il Signore del Tempo”), shqip dhe italisht paralel. Botimi i këtij libri e kishte kurajuar Nerminin dhe ajo kishte vazhduar të shkruajë më me vrull, ku kishin pasuar libra e libra me vjersha e romane. Kështu, një roman i saj kishte fituar shpërblimin VIAREGIO, e po këtë çmim ishte laureuar edhe romani i saj me titull “E nesërmja e kohës”.        

    Rrëfimi vazhdon me momente interesante kur burri i saj, më 1973, ishte emëruar ambasador në Kampala të Ugandës; një takim në Romë me të famshmin Ernest Koliqi. Pastaj, nga Uganda ishin transferuar në Kolumbi, gjegjësisht, nga Kampala në Bogotë. Këtu Nermini merret me shkrime e hulumtime të fiseve Çibça. Këto i boton (të vargëzuara) me titull “Momente kolumbiane”, që ishte botuar italisht e spanisht. Nermini evokon edhe kujtime të tjera nga Kolumbia, tregon për dekorata, për një tekst që e kishte shkruar për himn për Leonardo Da Vinçin, emrin e të cilit e mbante një shkollë italiane në Kolumbi. Ky tekst iu kishte pranuar dhe për të ishte shpërblyer. Vazhdimisht ajo zë ngoje emra filozofësh, sepse filozofinë e adhuronte. Tek Nermini vërehen qartas se ishte e pajisur me pikëpamje filozofike, kombëtare e kulturore të saj. Ndaj, edhe lente përshtypje të jashtëzakonshme nëpër vende të ndryshme të botës ku shkonte, sepse njerëzit nuk ishin mësuar të shohin ndonjëherë shqiptare. Janë me intëres gjithashtu edhe rrëfimet për mbretin shqiptar Faruk, të Egjiptit, i cili pas rënies nga froni, kishte shkuar në Itali.

    

     Ermini hulumtuese e studiuese e qytetërimeve të lashta…

    

     Studimet e Erminit për qytetërimet e lashta Mesdhetare , ku flet Pellazgët, Ilirët, Etruskët, Shqiptarët, e për të cilët thotë se: “U bënë pjesë e gjakut tim, pjesë e shpirtit tim, pjesë e jetës sime…” (f. 31), vërtet ishin projekte të rëndësishme që i kishte bërë me përkushtim. Ajo, me modesti, tregon se kishte ligjëruar për këto qytetërime në akademi, kolegje, lice dhe institute të ndryshme të botës, ndër to edhe në Institutin Albanologjik të Prishtinës, ku për herë të parë kishte ligjëruan në gjuhën shqipe, në gjuhën e nënës. Njohjet dhe takimet e saj me njerëz të ambasadave, njerëz të shkencës, të politikës, qeveritarë, njerëz të kulturës dhe arsimit, kishin rëndësi të veçantë, në zgjerimin e njohurive të saj në fusha të ndryshme. Hulumtimet shkencore që bënte nëpër muze të ndryshme si dhe nga tekste të autorëve të lashtësisë, e thelluan edhe më tepër në botën e shkencës dhe filozofisë. Ishin të njohura dhe të mirëprirura shumë teza të saj. Për këto teza të reja të saj interesoheshin universitete të ndryshme botërore, ndaj ligjëron në: Lisbonë, Harvard, Palma de Majorka, Paris, Bogotë, Firencë, Romë, Boston, Kembrixh, e ku jo tjetër. Për sukseset në këto ligjërata ishte nderuar me shumë mirënjohje dhe tituj të lartë.

     Gjatë një vije historike të popullit shqiptar, me pararëndësit pellazgët – ilirët, mënyrë zinxhirore, me ndonjë lëvizje të matur e funksionale në skenë,vjen deri te Ismail Qemali, për të cilin thotë: “…, ai i ra kryq e tërthor botës derisa e realizoi idealin e tij. E ngriti flamurin e Skënderbeut më 28 nëntor 1912 në Vlorë.” (po aty, f. 38); (…) “Dhe, ia arriti qëllimit, mu në një periudhë kur thundrat e armiqve e kishin pushtuar thuaj krejt Shqipërinë” (f. 39). Dhe, prapë vazhdon me kujtimet për Ismail Qemalin, bijtë e tij Qamilin e Qazimin, Shqipërinë dhe vetveten, ftesën telefonike që i bëjnë për të shkuar në Shqipëri, pas 46 vjetëve, për çka ishte befasuar dhe emocionuar së tepërmi. Në ato  momente interesante, Nermini, veç të tjerash, kishte thënë: “Ku po më ftojnë? Në Shqipëri? Atje ku rrojnë kujtimet e mia më të bukura? (…) “E dini se kaluan 45 vjet,(f. 42). Ftesës iu kishte përgjigjur me kënaqësi, me dashuri e mall për atdheun e saj. Rrëfimi kalon në anë tjetër të Adriatikut, pra kur Nermini kishte arritur në Shqipëri. Pritja madhështore nga të afërmit e farefisi, në aeroportin e Rinasit, takimi me ta pas asaj kohe të gjatë që Nerminit nuk iu lejua të hynte në atdhe, po as njerëzve të saj nuk u lejohej të shkojnë në Itali; vizita që i bëjnë Vlorës me familjarët, ku vizitojnë Monumentin e Pavarësisë, fuqishqm kumbojnë si momente rrëqethëse: “Të afërmit e mij, të familjes sime, që më pritën, i takova. Ashtu siç ndodhi me mua që nuk m’u lejua 46 vjet ta vizitoj atdheun tim as njerëzit e mij, këtyre që i përkisnin familjes sime, pra të Ismail Qemalit, diktatura komuniste gjysmëshekullore, ua kishte ndërruar mbiemrin. Asnjë pjesëtarë i familjes sime nuk quhej me mbiemrin e vërtetë Vlora, me atë mbiemër që kishim trashëguar nga Ismail Qemali. Çudi! Ç’vërragë ka lënë kolera e quajtur komunizëm! O zot! O zot!” (f. 46).

     Pas kësaj, Nermini jep disa këshilla e porosi kombëtare e patriotike dhe përmbyll rrëfimet me: “Dielli i Shqipërisë etnike nuk ndriçon pa Kosovë e Çamëri.” (f.47). Kjo thënie është metaforë e ngritur mbi shumë gabime e hile historike, është metaforë e realitetit të trojeve shqiptare.

 

 

10. Përfundim

 

     Gjejmë, në tregime të tjera të Hasanit, edhe tematika e motive nga aktualiteti i kohës kur u shkruan. Marrë në tërësi, në shumë tregime të Hasanit, sikur “shoqëron” si ogur i keq edhe tema e fatit të njerëzve, që e kemi përmendur edhe më sipër, por artistikisht e realizuar mirë.   

     Tregimet e Hasanit i përcjell rrëfimi, dialogjet, por aty-këtu edhe monologu. Është karakteristik edhe rrëfimi përmes evokimit të kujtimeve të personazheve,… Autori përdor metodën rrëfimore autoktone, të mjedisit, të shkallës së ngritjes dhe mentalitetit të personazheve.

     Ndërkaq, monodrama për Nermin Vlora Falaskin, ka karakteristikat dhe veçantitë e saj, ku flet vetëm kryepersonazhi, me gjuhën dhe stilin e vet. Si e tillë, monodrama në fjalë, ka rëndësi të konsiderueshme kulturore dhe historike, sepse Nermini, gjatë shpalosjes së kujtimeve, jep të kuptojmë se ajo ishte një femër shqiptare që gjatë gjithë jetës kishte shkuar drejt piedestalit, por edhe pezanton shumë gjëra që deri atëherë nuk kanë qenë të njohura për letrat shqipe.

     Kësisoji, proza tregimtare e H. Hasanit ka një gjuhë të kuptueshme, gjuhën e mjedisit ku vendoset ngjarja. Ajo është e lexueshme për kategori të ndryshme dhe nivele të ndryshme lexuesish. Mbi të gjitha, në të ruhet lashtësia, ruhet tradita, ajo çfarë ka qenë; e që mund të mësohen e gjykohen nga breznitë që vijnë.

 

 

 

II. OPUSI ROMANESK I HASAN HASANIT

    

     Në fushën e shkrimit më të gjatë - romanit, ky shkrimtar i frytshëm botoi tri romane për të rritur. Duke shikuar jo vitin e botimit të tyre si libra, por vitin kur u shkruan  këto tri romane, (i referohem një deklarimi të vetë autorit), atëherë renditja do të bëhej  kështu: 1.“Kohë të egra” (2006), 2.“Ulërima” (1989) dhe 3. “Qafëtuli i Shavarinës” (1999). Shikuar ngjarjet që zhvillohen në këto tri romane (anipse romani “Qafëtuli i Shavarinës” është prozë satirike), periudhat kohore kur kanë ndodhur këto, atëherë lirisht mund të themi se kjo prozë romanore paraqet një triptik të këtij autori. Romani “Kohë të egra” ka për bazë ngjarjet e fillimshekullit njëzet, “Ulërima” vitin 1921 dhe “Qafëtuli …” vitet dyzet – gjashtëdhjetë, po të shekullit të kaluar. Kështu duhet shikuar këto tri romane (me prerje kohore), që flasin se edhe në këtë fushë të krijimtarisë Hasan Hasani tregoi përkushtim të denjë që para lexuesve të dalë me realizime të pjekura artistikisht. Edhe në prozën romanore Hasan Hasani është ai dushkajasi që me përkushtim iu rreket temave pikërisht nga treva prej nga vjen. I mishëruar si mishi me thoin, Hasan Hasani skaliti personazhe që nuk harrohen, pikturoi panorama nga Dushkaja, nga odat ku fjala e burrit ishte ligj e madje edhe universitet për shqiptarët ndër vite.

    

Romani që u botua pas 38 vjetësh

    

Ndërkaq, një shkrim sqarues, pa kurrfarë titulli, që Hasan Hasani e kishte dhënë para kapitullit të parë të romanit “Kohë të egra”, në faqen 7 të tij, për historinë e letërsisë dhe për lexuesit ka rëndësi, sidomos, për dy gjëra, e para: dëshmon se Hasan Hasani e kishte shkruar këtë roman gjatë viteve 1967 – 1968, (pra,  gjatë kohës kur (më 1967) kishte botuar librin e parë me vjersha), domethënë se krahas poezisë kishte shkruar edhe prozën dhe e dyta: se letërsia shqipe është pasuruar edhe me një roman të këtij lloji, përkatësisht, të kësaj tematike, anipse për tridhjetë e tetë vjet ishtë vonuar botimi i tij.                      

     Romani “Kohë të egra” kap një kohë historike që ishte mjaft problematike, situatë anarkie, rrethana të pasigurta për shiptarët, të cilët, nga njëra anë ishin të okupuar e të rrezikuar nga armiqtë e ngjyrave të ndryshme që i kishin përreth, e në anë tjetër përballeshim me rregulla të rrepta kanunore e të traditës,. Thënë ndryshe, ishin ato kohë të pakohë, kohë që kishin krijuar një pasiguri të akullt në popull, ishin kohë të egra, siç e kishte titulluar Hasani edhe romanin. Ndaj, konsideroj se është një përpjekje e mirë e Hasanit për të pasqyruar artistikisht jetën e fshatarësisë shqiptare në kohën e decenieve të para të shekullit XX, të kohës kur shqipatrët heqnin të zitë e ullirit në thundrën e okupatorëve që ndërroheshin, e për të mbetur, në fund të herës, nën atë më të egrin – sundimin serbosllav.

      H. Hasani, një vend të dukshëm në romanin “Kohë të egra” i kishte dhënë hakmarrjes, kësaj plage të rëndë që nëpër kohë ka qenë armik i brendshëm i popullit shqiptar, sidomos nëpër malësitë tona, si ndjenjë e ngulitur në koka njerëzish dhe si institucion kanunor.

     Për të pasqyruar këtë tematikë, kemi përshtypjen se autori, në radhë të parë, i kishte vënë vetes për detyrë që ta luftojë këtë dukuri, e në anë tjetër kishte shembuj të bollshëm, atëherë, për t’u parë pasojat katastrofike të hakmarrjes tek populli i tij. Hasani, për temë të romanit  kishe marrë, siç e thotë vetë *) ngatërresën e dy familjeve të mëdha në Dushkajë, (në dy katunde fqinjë) të cilat shkuan aq larg në hakmarrje, sa që njëra prej tyre thuaj se u shua.

     Këto dy familje, që bëjnë strumbullarin e temës së këtij romani, ishin me tipare e pikëpamje diametralisht të ndryshme. Kurt Braha, kryefamiljari i familjes së Brahajve të një fshati të Dushkajës, ishte prijës i një çete Komitësh, që ia kishin frikën jo vetëm Dushkaja e Reka, por edhe shumë më gjerë. Në anë tjeter, Binak Dervishi, kryefamiljari i familjes së Dervishve, familje kjo me tradita të pastra, njerëz të vyeshëm e punëtorë, që nuk i përziheshin kujt në asgjë as nuk ngucnin kë; por edhe nuk duronin që kush të përzihet në telashe të tyre, e kërkonin hakun sipas Kanunit.         

     Kështu, që në fillim, romani na imponon njëlloj identifikimi: se kemi të bëjmë me konflik në mes të dy familjeve të mëdha dhe, bazuar në disa rregulla të rrepta kanunore, pasojat mund të jenë të paparashikueshme. Dhe vërtet, romani fillon me djegie e shkretërime shtëpish nga Kurt Braha me kompani të vet, me atë çetë komitësh, i cili ua kishte djegur shtëpinë Binak Dervishi, ku mendonte se edhe të gjithë anëtarët e familjes kanë mbetur aty: “- A met kush i gjalëë, o Kurt Braha? – shpërtheu nji ya i egër mu nga zemra e malit,” (…) “- O pasha t’madhin zot, qi ma ka shti mishin e shpirtin, krejt farue i ka.”  (Romani “Kohë të egra”, f. 9). Kishin vazhduar me djegie e vrasje më se tri vjet këto dy familje, gjak pas gjaku, vrasje pas vrasjesh, plaçkitje pas plaçkitjes dhe të gjitha këto nuk kishin të ndalë, sepse mbizotëronte motive i hakmarrjes. Fillimisht, kjo duket të ketë ndodhur për shkak të vjedhjeve dhe banditizmit që ushtronte Kurt Braha në familjen e Dervishve, kur një rast i kishte urdhëruar rrogëtarët të shkonin me dy qerre me qe e të merrnin dru në mal të malin e Binak Dervishit. Mashkujt e këtij të fundit, i kishin gjetur në mal, ua kishin ndalur drutë, ua kishin thyer edhe qerret… Shumëçka e keqe kishte ndodhur në mes të këtyre dy familjeve. Kurt Braha me komitët gjithnjë në sulm e sjellje të këqija, ndërsa familja e Binak Dervishit gjithnjë në mbrojtje të traditës familjare. Por, në ato kohë të egra, disa mashkuj të të dy palëve kishin humbur jetën, që njëherit kjo është tagri më tragjik që e përshkon temën e romanit në fjalë. Këtë, herët e kishte shpalosur në roman, atëherë kur Kurtit ia vranë të vetmin djalë që kishte, e Zoja, gruaja e tij, kujton: “Kurt Braha, kishte lanë shumë nana me duer thatë, me duer në gji, mu kështu si kishte mbetë Zoja, e shoqja e tij. (Po aty, f. 37). Kjo do të thotë se e keqja të kthehet, herët apo vonë.

       

      Tradita, Kanuni, Fisi

    

     Romani është përplot elemente të traditës. Këtu, familjet e hasmuara, i shkojnë njëra-tjetrës në ditën e varrimit të mashkullit që ia kishte vra vetë. Varrimi i të vrarit bëhej sipas riteve tradicionale. Në të pame, dorasi me njerëz të tij, rrinin deri ditën e shtatë. Zakonisht, në këtë ditë, pasonte edhe dhënia e besës gjaksit: një muaj, dy muaj… etj., sepse, siç dihet, kur të jepet besa, për aq kohë sat ë jepet, dorasi ka mundur të dalë i lirë dhe pa dro. Shih për këtë, si ishte shprehur Kurt Braha (sipas romanit), që iu kishte vra djali, me rastin e dhënies së besës: “Pra, deri sot dy muej në mbramje, kur dielli të hyjë mbas bjeshe, je i lirë me krejt familjen. Në gjumë me ju gjetë, në Ju nuk ngrit dorë kush i imi, as nuk rrudhë gisht.” (Po aty, f. 43). Mirëpo, sipas traditës, prej momentit që iu ka skaduar afati i besës, vrasësi me krejt familje kanë mbetur të ngujuar, nuk kanë dalë përte shtëpisë, pra, ishte ky njëfarë burgu shtëpiak. Ndërkaq, dorasi, kur i jepej besa, iu drejtonte palës tjetër me fjalë falënderuese: “ – E paç faqen e bardhë, o burrë i burrave! – tha Binak Dervishi pa dijtë çka të fliste tjetër.” (Po aty).

     Sipas traditës, kur një familje kishte mbetur e mbyllur një kohë të gjatë dhe pa pasur besë, për shkak se kishte rënë në gjak me një familje tjetër, të afërmit e asaj familjeje: miqtë, nipat, etj. shkonin dhe ua punonin tokën, u çonin të mira materiale,ua bënin të gjitha shërbimet e tjera që i nevojiteshin familjes për të ekzistuar. Në romanin “Kohë të egra”, gjatë kohës kur familja e Binak Dervishit ishte në gjak dhe nuk kishte besë, (ia kishte vra dy meshkuj Kurt Brahës), të gjitha bereqetet iu kishin kalbur në fushë dhe  askush nuk guxonte t’ia punojë fushën, as gratë nuk guxonin të dilnin në fushë, sepse: “Fjalët e Kurtit kishin marrë dhenë. Edhe njerëzit ia kishin frigën. “Askush nuk guxon me shkue e me ia korrë arat – kishte thënë ai. – Atë që do ta gjej në fushën e Binak Dervishit tuj punue, kam me e vra.Kush të jetë trim , le të shkojë në fushë të tij!”(f. 82). Sjellja e Kurt Brahës këtu del jashtë kornizave kanunore, sepse Kanuni njeh vetëm mbylljen e burrave, e jo edhe të grave. Mirëpo, në ato rrethana, autori i romanit, Hasan Hasani, i mbështetur në traditën, bën një zgjidhje të situatës, në atë mënyrë që kësaj familjeje në ndihmë i kishin shkuar shokët e fisit nga Vokshi, (fisi Thaç), të cilët i kishin çuar disa qerre me misër, për të mos vdekur urie: “Tri ditë vorshjanët grumbulluen drithë në Voksh dhe katundet përreth që ishin fis me Binak Dervishin.” (f. 83). Këtu gjejmë të jetë gërshetuar edhe institucioni i fisit, respektivisht, ndihma reciproke brendafisnore, që ishte  si obligim. Mirëpo, për këtë kishte marrë vesh Kurt Braha dhe me komitë u kishte dalë vokshjanëve përpara dhe u kishte thënë të kthehen, mos të shkojnë te Binak Dervishi: “ - Kthenu sa nuk janë ba gjaqet! – bërtiti edhe nji herë Kurti nga zemra e malit ku kishte zanë pritë. Dheta pushkë çanë luginën në atë cast. Flakë e tym dilte nga të dy anët.

- Qebesa jo pa dekë! – ulëruan vokshjanët dhe iu veshën rrezës së malit kah u erdhi zani i Kurtit.” (f. 85). Aty bëhet një shkëmbim të shtënash të armëve, ku vokshjanët ia dalin ta rrethojnë komitën, të vrasin njërin prej tyre – Mehmetin (komitë, nga Llapi – pjesëtar i çetës së Kurtit) dhe të shkojnë për ku ishin nisur. Kur vokshjanët arijnë te dera e Binak Dervishit, me ato qerre me drithë, Osmani, që ishte më i moshuari dhe po u printe, tha: “ – O Binak Dervishi! – tha Osmani. – Jemi nisë deri te ti. Kemi ndie se korra e motmotit t’u ka kalbë në ara. Kurt Braha ta ka shtre zullumin shumë. Na, fisi jonë, shpi për shpi ta kemi tubue do drith dhe ta kemi pru sot.” (“Kohë të egra”, f. 88). Nga ai solidaritet, në roman, lexuesi lehtë vëren edhe emocionet e personazhit tjetër të rëndësishëm, Binak Dervishit, i cili në ato momente: “Binaku si pa vetëdije nisi t’i fërkojë sytë me grushta, asht andërr apo zhgjandërr. Nuk poi  besonte as veshëve, as fjalëve, as syve të vet. As vetvetes. Dy kokërra loti nisën t’i zbresin mjekrrës së thatë. Nuk besonte se pesëmbëdhjetë qerre me drithë do të zbrazen në oborrin e tij,…” (Po aty). Gjithashtu, sipas traditës, kur Binaku me meshkuj të vet i përcjell vokshjanët, këtij “Lotët i zbritshin curril faqeve” dhe u thoshte: “ – Ishalla ua kthejmë për të mirë, o burra! –  u ndigjue zani i tij i dridhun nga vaji.

    – Këte ja kemi borxh njani tjetrit, Binako! - foli për të fundmen herë Osmani dhe hypi në qerre.Po aty, f. 94). Me këtë tregohen ato përmasat e vlerave humane dhe solidarizimi me të pafajshmit. 

     Në roman, gjakmarrja në mes të këtyre dy familjeve sikur nuk ka të sosur. Radhën e gjakmarrjes e kishin Kurt Braha me komitët e tij. Dhe, pa vonuar, një ditë, Beli (vëllai i Kurtit) i vret Shabanin e Xhemën, të Dervishëve, në Qafë të Sukës, kur ishin duke shkuar në Gjakovë, e besë nuk kishin. Ai u kishte dalë në pritë me Zhukë Dashin, i cili ishte njëri ndër komitët.

     Gjatë zhvillimeve në roman, drama në mes të këtyre dy familjeve vazhdonte dhe nuk i shihej fundi. Por, më në fund, autori, prapë kishte përdorur autoritetin e krerëve të fiseve – të dhymbëdhjetë fiseve, të cilët ishin tubuar te Aga i Berishës që, sipas traditës, të ndërmarrin atë që kanë mundësi, t’i pajtojnë këto dy shtëpi të forta e në zë në Dushkajë. Për këtë, pasi kishin biseduar gjerë e gjatë, kishin vendosur t’i çojnë përfaqësuesit: “Aga nga fisi Berishë, Avdyl Ademi nga Thaçi si dhe Bajraktari i Rekës e Malësisë” (Po aty, f. 112), që do të shkonin për këtë punë tek te dy familjet që ishin në konflikt. Kur kishin shkuar në kullë te Kurt Braha, Bajraktari, në mes të tjerash kishte thënë: “… Unë me këta burra ta kam mësy me qa nji hall bashkë, se mendojmë, se boll gjak derdhët edhe ju, edhe Dervishët (…) Ta kemi mësy në emën të Zotit e të Pejgamerit me ba diçka.” (f.115). (…) “Kanuni i ka do ligje që nuk guxojnë të shkelen. Jemi le e rritë me të. Por, tash mbas gjithë këtyne që nodhën, mendojmë se asht e udhës t’ia lidhim kryet disi kësaj pune. Fundi nuk shihet kurrkund, nëse ju vrani, ata vrasin… E deri kur?... Ta faroni me të madh e të vogël njani tjetrin?” (f. 116). Ishin këto fjalë të Bajraktarit, si thirrje për të ndërprerë gjakmarrjet, si artikulim i zërit të arsyes për të ndalur gjakderdhjet. Por, në përfundim të fjalës së tij Bajraktari kishte thënë edhe këtë: “E na, kora jonë u plakëm, sot për nesër. Nji kambë mbi dhe e nja nën dhe. T’i lamë djemtë pa gajle mbrapa. Mos t’ua lamë kobin të varur në derë, mbi prag. Mendojmë se ka ardhur koha me ba diçka. Boll kemi lye duert me gjak. Veç gjak poi  vjen era korës sonë. I ndërruat nga dy mashkuj dhe… asht mirë me u pajtue more burrë i dheut!” (f. 116). Nëpërmjet të këtyre fjalëve të Bajraktarit, Hasani jo vetëm që e lufton hakmarrjen, e demodon atë, por edhe ngre zërin e thirrjes për transformim traditash, sidomos, për hir të asaj që të këqijat mos të barten tek breznitë e reja, e që ndryshe mund të lexohet edhe si njëri nga mesazhet më pozitive të këtij romani.

    Gjatë përpjekjeve të atyre tre burrave që i përmendëm më sipër, të cilët i shoqëronte edhe hoxha, Mulla Heta, imam i xhamisë së fshatit të Kurtit, si pengesë dhe “Mollë sherri” mbetet gjaku i Mehmetit, atij komitës që e patën vra vokshjanët. Më në fund, meqë Kanuni nuk e ngarkonte me këtë gjak Binak Dervishin,  për këtë vendoset që: “gjaku i Mehmet Xhemajlit të paguhet me njëqind lira të kuqe”. Për këtë, ishin pajtuar edhe vëllezërit e Mehmetit, në Llap, pasiqë i kishin konsultuar, sepse edhe “nuk kishin ku të lypin gjak. Nji katund ia kishte gjakun borxh. ” (f. 127). Kur arrihet kjo marrëveshje, 96 lira ia gjet hoxha dhe i pagoi për Binakun. Këto ia numëruan Kurt Brahës, kurse për katër lira që ishin mangu: “ – Për këto katër lira mos mbani dert! – iu drejtue Kurt Avdyl Ademit. – Unë i paguej këto të katra. Kur t’ua bjen Zoti, m’i pagueni…” (f. 131). Të nesërmen, kur burrat: Bajraktari, Aga dhe Avdyli shkojnë te Binak Dervishi për t’i treguar se si kishte përfunduar puna, i tregojnë edhe për gjak të Mehmetit: “ – Katër lira i kemi mbetë borxh. Kurti na tha se këto ia çoni nji ditë… Se ai i paguen katra të vetat për gjakun e Mehmet Xhemajlit… Ia jep Avdylit dhe ky ia ëon! – tha qetë Aga. – Kurse ato të hoxhës, kur t’i bjen zoti. Mos mbaj gajle për to…

     - Ishalla ua kthej me të mirë! – mezi fliste Binaku i zhytun në lotë.” (f. 132).

Këtë e kishte shfrytëzuar edhe Kurt Braha, i cili i kishte shkelur fjalët e veta, kishte zënë shkas në 4 lira të kuqe që i kishte mbetur borxh Binaku dhe (gjoja pse nuk ia ka kthyer me kohë), ditën e shtatë e çon Dakën për t’ia përcjellë disa fjalë Binak Dervishit se “për këtë borxh ta due martinën me gjithë rreth. Përndryshe, nuk je pajtue me mue. Ma ke nji gjak borxh!” (f. 133). Kjo tregon edhe karakterin e ulët të këtij personazhi, veprimet e të cilit binin ndesh edhe me traditën, Kanunin… Kur Daka ia tha këto fjalë që e kishte porositur Kurti, Binaku mendonte me vete, ndërsa buza poi  dridhej si fëmijës: “Ky kob nuk do me na u nda kurrë!” (Po aty) dhe më në fund iu kishte drejtuar Dakës: “ – O Dakë Neziri, thuej Kurt Brahës se burrat nuk e kanë kështu. Po ti, pashë të madhin Zot, bane pushkën top, he burrë. Ti i fortë e na të ligj. Edhe unë kam dy gishta fytyrë. Ta kisha nji livadh fytyrë, nime ta kasha çue martinën, …” (f. 134). Ndërsa, kur atë pasdite Binaku ishte ngjitur në kodër dhe shikonte fushën e fshatit, njerëzit duke punuar, i shikoi edhe mashkujt e vet tek po thurnin gardhin e Arës së Kronit. Mirëpo, mendja i shkonte te Kurti: “Por hë… Ai faqeziu prapë kërkon prej nesh. Nuk na le rahat. Si pajtohen burrat. Ne u pajtuem njiherë. Gjaqet i ndërruem dy me dy. Paret për Mehmetin i dhamë. Hë, dreqi i rroftë ato katër lira mangu? Ama, vetë faqeziu u tha burrave se për to most ë kasavetohet. Kur tia bjen Zoti! Hë hë hë… Kujton se i frigohemi. Don me ma marrë martinën. Me u koritë në pleqni. Unë dhe familja. Besa edhe fisi e katundi!... Paj jo more sat a kam frymën e gjallë, jo o Kurt Braha! Jo sat ë jetë Binaku gjallë, jo!... Gati sa nuk klithi Binak Dervishi në kodër.”

 Për këtë, që e kishte bërë Kurti, për kërkesën e re të tij, në mbrëmje u noftuan edhe mashkujt e Binakut, kur e pyet Uka: “ – Baba Nak… Qysh e kalove ditën sot? … - Kurti na i luejti fjalët Uko! – tha bukur me mundim Binak Dervishi.” Dhe të gjithëve u erdhi mirë kur mësuan se plaku i tyre nuk e kishte dhënë martinën.

     Të nesërmen ia kishin çuar lirat, por ai nuk i kishte marrë, i kishte kthyer, vetëm e vetëm për t’i lënë rrugë gjakderdhjes së re. Dhe ashtu bëri. Komitët: Bel Braha, Daut Doda e Sadri Malsia, shkojnë afër livadhit ku po thurnin gardh mashkujt e Binak Dervishit, Halili e Sahiti dhe Beli e vret Sahitin. Ndërkaq, në mbrëmje, tre djem të Kurt Brahës: Brahimi, Ademi e Dema, kishin shkuar të bluajnë në një mulli, në një katund të Dushkajës. Të tre ishin të armatosur, kishin tri pushkë të cilat i kishin futur në një thes. Këtë e kishin bërë për të humbur gjurmë. Në atë katund, gjatë natës kishte ndodhur rrethimi i katundit e në mëngjes i kishin mbledhur meshkujt derë për derë, bashkë me mysafirët e rastit, i lidhin, i çojnë në Kodër dhe i pushkatojnë. Në mesin e tyre ishin edhe tre djemtë e Kurt Brahës, të cilët mbesin në atë masakër. Autori, këtë fragment të romanit e lidh me masakrën e Jabllanicës së Dushkajës, e ndodhur në korrik të vitit 1921. Këtë e themi edhe mbi bazë të toponimeve të këtij katundi: “Katundi ishte rrethue nga njerëz të armatosur deri në dhambë. Topat bubullojshin. Dushkaja dridhej. Edhe kullat dridheshin në themele. Mitrolozat gjuejshin në drejtim të kullave, shtëpijave.” (f. 146); (…); “Me vi t’agimit trokitën në dyer të secilit. I mbledhën mashkujt nga gjashtëmbëdhjetë deri në shtatëdhjetë vjet. Ua lidhën duart me shokat dhe shallat e tyre që mbajshin në trup dhe në kokë. Gjama mbulonte katundin. (…) Në këtë zezonë u gjendën edhe mullisi bashkë me tre mashkujt e Kurt Brahës. (…) Topat dhe mitrolozat nuk prajshin së vjelluni tym e zjarr. Gjëmojshin nga Kodra e Canit, nga Zabeli i Ri, nga Kodra e Madhe, nga Livadhi i Hysës.” (f. 147). Gjithashtu edhe emrat e pronarëve të kullave të atëhershme, të gjithë ishin nga Jabllanica: “Ato gjyle pandërpre rrehshin muret e kullave të Ramadan Ademit, Sali Mehmetit, Ramë Fazlisë dhe Çel Ahmetit.” (po aty). Jepen këtu edhe përshkrime të tjera të asaj masakre, mirëpo, kujtojmë, se poenta kryesore e autorit ka qenë ngjashëm me një “Deus ex machina” ku në atë masakër të rastisin e të pësojnë keqas edhe tre mashkujt e Kurt Brahës. Me këtë lexuesi do ta kuptojë edhe anën tjetër subjektive: se të keqit, keqbërësit, vrasësit, atij që bën krime…, të këqijat një ditë do t’i kthehen, në një mënyrë, apo në një tjetër: “Kur ndjeu Kurt Braha se tre djemtë e tij që shkuan në mulli, ishin vra bashkë me gjashtëdhjetë e sa burra, mendja i fluturoi nga koka. Për një javë nuk kishte nxjerrë fjalë prej goje. Nuk kish hangër as nuk kish pi. I shkuen tre djem, tri pushkë, tre mashkuj që i duheshin ma shumë se kurrë. Mbrenda katër vjete iu shua shtëpia. Kush u vra, kush vdiq prej Zotit, e këta tash?!... Mbet vetëm me Belin, me gra dhe fëmijë. Po po, vetëm këta të dy mbetën  prej tetë sa ishin, të gjithë të gishtit. Pushkët e tyne tash koteshin në mure. Tre për nji natë, pa luftue, pa nxjerrë gjak… I shkuen pa shej, pa dokë. Shi në kollomoq për Binak Dervishin i vetëtoi në mendje. As për punë fushe s’i mbet kush! Ç’asht kjo? O Zot?! Nji gjak ia kishte Binak Dervishit. Për ato katër lira të zeza dhe kryeneqësi hyni me vetëdije në ngatrresë. Ra në gjak! Kah t’ia mbajë sot Kurt Braha me Belin. Dy burra. Edhe pse të moshuem, të pushkës po! Dy nga tetë! Edhe komitët sikur ishin largue. Rrallë i trokitshin në derë.” (Romani…, f. 152 – 153).        

     Edhe nga ky fragment i romanit kuptojmë se një pjesë e komitëve ishin ngopur me të këqija, sikur ishin penduar për rrugë të gabuar, atë rrugë e përgjakshme që kishin marrë etj. dhe u kthehen familjeve të tyre, pra zhbëhet ajo çetë komitësh, e në anë tjetër Kurti e Beli kishin mbetur të vetmuar, prototipë të njerëzve të papërmirësueshëm, të papendueshëm, por me të gjitha rrugët e ngushtuara për veprime të mëtejme. Ata marrin malin. Atë dimër e kalojnë te miku i Belit, në një familje të mirë të një katundi tjetër. Nga ato të këqija e vrasje që kishin bërë, njerëzit i ndjekshin, sepse “Shumkë kishin lanë me vaj në buzë në Dushkajë” (f. 154) Kështu, Kurtit e Belit iu vjen edhe fundi tragjik: Belin e mbysin me sakica, natën, miqtë e vet, ngase kishte nisur të prekë në moral familjar, ndërsa Kurti ishte shkuar në Tropojë, të gjejë strehim atje, se vend në Dushkajë nuk i kishte mbetur. Tek  Kurti po kthehej nga Tropoja, në një pritë, e marrin dy plumba, njëri i Miftar Hamzës, sepse Kurti ia kishte vra të vetmin djalë dhe tjetri i Kadri Latës nga Geghyseni, sepse edhe këtij ia kishin vrarë djalin. Kështu, edhe ato gjakmarrje marrin fundin. Përfundojnë keq vëllezërit: Kurt Braha e Bel Braha dhe familja e tyre shuhet gati tërësisht. Me këtë autori përpiqet t’ua nxjerrë bojën aventurave të përgjakshme që ndodhnin nëpër malësi tonat dhe keqbërësit i dënon me një përfundim çfarë e kishin merituar.    

     Në romanin “Kohë të egra” Hasan Hasani jep ngjarjet tragjike të një kohe të caktuar, në troje shqiptare të caktuara, të shtrënguar e të frymëzuar nga shumë ligje kanunore dhe ato të traditës. Ndërkaq, porosia kryesore e romanit është luftimi is së keqes, ndryshe: të bësh të këqija, do të përfundosh keq, apo siç thotë edhe populli: “Atë që e mbjell, atë do ta korrësh”.

 

  Tipizimi i personazheve

 

     Subjektin kryesor të romanit, si dhe ngjarje të tjera që e përcjellin atë, autori i kishte marrë nga një kohë e egër, në hapësira të malësive shqiptare, ku rregullat kanunore dhe tradita ishin si norma e rregullativa kryesore gjithandej kah shtrinin pushtetin e tyre. Kujtojmë se këtyre Hasani u qëndruar besnik, meqë i ka njohur mirë ato.   

     Romani ka personazhet kryesorë dhe ka personazhe të tjera që i shoqërojnë zhvillimet e ngjarjeve dhe luajnë rolin e tyre. Në roman, sipas sjelljeve, veprimeve, po edhe pikëpamjve të tjera, dallohen personazhet pozitivë dhe personazhet vegativë. Si personazhe negativë veçohen vëllezërit Kurt Braha dhe Bel Braha, të cilët çka nuk bënë gjatë disa vjetëve të tyre si komitë, por edhe përfunduan ashtu si është më së keqi. Ndërsa, personazhe pozitivë në roman dalin: Hajdini, për të cilin, edhe pse ishte në radhët e komitëve, në roman thuhet: “Hajdini ishte njani ndër komitët ma të pastër. Nevoja e kishte nxjerrë në mal. Por…Askujt të idhtit nuk ia kishte çue në zemër. (…) Komitë e trim i pastër si loti.” (“Kohë të egra”, f. 84). Ai, ndaj sjelljeve të Kurt Brahës, kishte reabuar: “ – Athue more Kurt Braha, a ke fije shpirti në atë trup, a jo? Si mbyten me uri rob e thmi, more burrë! Ata nuk të kanë faj. Burrat, që i thonë vetes burra, nuk bajnë ashtu sip o thue ti, Kurto Qite dorën në zemër e mendo njiherë si burrë. Edhe si komit. Edhe si njeri! Vendose veten nji herë në vend të Binak Dervishit!” (Po aty). Figura pozitive në roman janë: Aga i Berishës, Bajraktari, Avdyl Ademi i fisit Thaç, hoxha, Mulla Heta, imam xhamie, të cilët, pa iu thënë asnjëra nga familjet në konflikt, angazhohen për t’ua ndërprerë rugën atyre gjakderdhjeve, sipas traditës dhe Kanunit, për të ndërprerë gjakmarrjet. Duhet të përmendet edhe roli pozitiv i vokshajnëve, si kolektivitet, si shokë të fisit (Thaç) të Binak Dervishit, të cilët në momente më të vështira, kur Binaku ishte i ngujuar me tërë familjten, i çuan drithë, për të mos vdekur urie familja e tij.

     Personazhi i gruas në këtë roman është tipik. Është vijëzuar ajo femra patriarkale, sidomos Zoja dhe Sofa, me të gjitha karakteristikat, deri te morali i fortë i tyre.

     Përgjithësisht, personazhet janë të tipizuara dhe të realizuara mirë, në raport dhe në funksion me rolet që kishin, ashtu siç më së afërmi i rrinin anës tradicionale, mentalitetit të njerëzve të asaj kohe e të atij ambienti.          

 

LUFTA PËR ÇLIRIM KOMBËTAR       

 

     Një kohë të gjatë romanin tonë e gjejmë të ketë qenë i preokupuar me tema historike, me theks të posaçëm, me tema që përvijojnë thekshëm rezistencën, luftën dhe sakrificën për mbrojtjen e trojeve, mbrojtjen e identitetit kombëtar, traditën, religjionin, nderin etj. Nga ky kompleks tematik e motivor është i ndërtuar edhe romani “Ulërima” i Hasan Hasanit. 

     Siç kemi theksuar edhe më parë, si në poezinë ashtu edhe në prozën e shkrimtarit Hasani Hasani, tema e luftës së popullit shqiptar për çlirim kombëtar zë një hapësirë cilësore e sasiore. Në prozën romaneske të Hasanit, kjo tematikë, siç thamë edhe më sipër, është bërë motiv kryesor i romanit “Ulërima”.

    

     Homogjeniteti kolektiv në rolin e personazhit kryesor

    

     Ngjarja kryesore, që mban në vete edhe tragjikën e romanit, zhvillohet në Ulërimë, një fshat në Veri të Malësisë së Gjakovës, sipas së cilit është titulluar romani.Efektet simptomatike e paralajmëruese të një tragjedie që do të ndodhte më vonë në Ulërimë, nisin kur Valiu i Shkupit lexon letrat që e informojnë mbi rezistencën e popullatës shqiptare të Malësisë së Gjakovës (por jo vetëm ato), e posaçërisht rezistencën dhe rebelimin ndaj pushtuesit otoman të fshatit Ulërimë, ku ishin të strehuar kaçakë të njohur nga malësi të ndryshme shqiptare, si: nga Drenica, Llapi, Gollaku etj. Ulërima ishte e banuar nga shqiptarë të të dy konfesioneve: myslimane dhe katolike. Aty ishte kisha dhe xhamia. Imami, mulla Idrizi dhe prifti, don Antoni, vazhdimisht ishin bashkë, gjëra këto që i pengonin njerëzit e administratës turke. Pasi ishin mbledhur të gjitha këto, për një mision famëkeq ndaj ulërimasve kishin caktuar një ekspeditë me ushrti të armatosur, të cilës i printe Ahmet Pasha. Ai, gjatë kohës që kishte mbajtur në rrethim fshatin Ulërimë, kishte bërë disa kërkesa: “E para: të prishet kisha! (…) E dyta: Maliq Muhaxheri me të gjashtë vëllezërit, Shaban Gulla me të pesë djemtë, Osman Gërdoci me të tre vëllezërit, Marash Kola me tre vëllezërit dhe shtatë djemtë, Zef Mirashi me të dy vëllezërit dhe të tre djemtë, Kolë Cubi me të katër djemtë dhe Kamer Berisha me të nëntë fëmijët sa i ka, të nxirren nga fshati. Shtëpive të tyre t’u vihet zjarri e të bëhen rrafsh me tokë, pluhur e hi.” (Romani “Ulërima”, f. 68”. Këto kërkesa fshatarët, me në krye imamin, priftin dhe parinë e katundit, nuk i pranojnë: “Askush nuk pajtohet me këto dy kërkesa të Pashës. “Ku po mbetet burrëria jonë?” thoshin fshatarët. “Po ky zëri ynë nuk ka shkuar kot së koti deri në Stamboll te Padishahu, or? E sot të vijë një Pashë e të na thotë këtë, (…) Jo, ore, jo! Po si nuk that ë prishet edhe xhamia por vetëm kasha?!” (“Ulërima”, f. 74). (…) “ - Mendimi ynë është që Pashës t’i  thuhet: jo! – Jo … Jo … Jo … - jehoi turma e malësorëve. – Ky është edhe mendimi ynë! – tha mulla Idrizi.” (Po aty, f. 82). Me këtë refuzim, ulërimasit, donin të ruajnë identitetin dhe kompaktësinë kombëtare e fetare. Të ruajnë krenarinë e tyre tradicionale malësore. Fundja, ky kolektivitet kaq homogjen luan gjithsesi rolin e kryepersonazhit në roman.

    

     Tradhtia - ferr kolektiv që zbehu krenarinë

    

     Pastaj, me dinakërinë dhe planin tjetër të këshilltarit të tij, Ahmet Pasha, ia del që në mënyrë mashtruese, me tradhti, t’ ftojë e t’i fusë në dorë meshkujt ulërimas, nga shtatë deri në shtatëdhjetë vjeçar, ku vetë Pasha do t’u fliste dhe do t’ua lexonte një letër të re, sipas së cilës, gjoja, ulërimasit i kishte falur Padishahu…: “Dhe, në këtë mënyrë Pashë, siç po e shikon edhe vetë, i ke duart e lira. Të gjithë do t’i keshë përpara në lëndinë, të çarmatosur, ngase këta malësorë gënjehen shumë lehtë mu pse janë vetë besnikë të fjalës dhe fjalës i zënë besë. Pastaj … Pastaj ushtrinë e ke me vete, armët po, çarmatosi, mbaji të rrethuar edhe nja tri ditë e tri net, të lidhur duarsh në titërr të lëndinës; gjatë ditës në diell që përvëlon, e natën lagështia i shkrumbon edhe më tepër. Pa pikë uji në gojë, pa kafshatë buke në zorrë. Të egrit vetëm me tortura të egra i bind, Pashë!”. (f. 85 – 86). Nga ky fragment, përveç tradhtisë dhe dinakërisë, mund të mësohet për virtytin e malësorëve se janë të besës, ndaj edhe besojnë, si dhe per vrazhdësinë dhe pashpirtësinë e egër të sundimtarit, që dalin nga goja e këshilltarit të Ahmet Pashës. Pjesë e asaj tradhtie ishte se në anë tjetër, kur Pasha po ua lexonte fermanin e trilluar, kishte organizuar përforcime dhe zbrazje topash nga të katër anët e fshatit, që t’ua fusë frikën edhe më tepër, si dhe ardhjen e ushtarëve që t’i lidhin ulërimasit: “qindra ushtarë egërsisht ishin drejtuar kah Lisi i Kuvendit, atje ku ulërimasit po dëgjonin fermanin me të cilin “faleshin” nga Padishahu. (…) Mulla Idrizi iu afrua Ahmet Pashës dhe it ha: - Ç’është kjo Pashë? Pasi nuk mori përgjigje nga ai, u përgjigj vetë duke u kthyer kah malësorët: - Tradhti! Tradhti burra!” (f. 89). Kjo e kishte egërsuar edhe më tepër Pashën Pastaj i kishin lidhur të gjithë në lëndinën te Lisi i Kuvendit. ku i  përsekutojë e torturojnë në mënyrë klasike, ashtu siç kishte paraparë këshilltari i Pashës…

     Pas këtij akti të tradhtisë, mashtrimit, në roman, shënohet një lloj shuarjeje e rezistencës. Ngjarja merr drejtimin kah një tragjedi, kah një ferr kolektiv. Këtu fillon të zbehet ajo krenaria e ulërimasve, por jo edhe thyerja e idealit të tyre. Nëpër shtëpi u kishin mbetur vetëm ndonjë plak mbi shtatëdjetë vjeçar, gratë, vajzat e fëmijët.

 

     Simbolika e mbrojtjes së nderit

    

     Duke dashur të tregojë moralin e dobët të ushtarëve turq, autori, jep një skenë ku tre ushtarë e kishin parë në oborr të shtëpisë së saj tek po punonte, Mirushen e bukur, çikën e Salih Mehmetit. Asaj i afrohen, duke u zgërdhirë, me qëllim që ta pushtojnë, mirëpo, malësorja kishte në duar sopatën që kishte marrë në cung të druve në oborr dhe në mbrojtje të nderit, me atë sopatë i bën sopa-copa të tre ushtarët e armatosur, por vdes edhe vetë aty. Vlen të theksohet se gjatë sajimit të asaj situate në roman, tek lexuesi ngritet ndjenja ideo-emocionale dhe retrospektiva e kujtesës për raste të tilla. Shembuj si ky, i heroizmit të Mirushes, ndonëse janë të rrallë, ka në historinë dhe në letërsinë tonë dhe janë të spikatura si fenomene. Heroizmi i Mirushe Mulajt pati jehonë të madhe dhe: “Lajmi për heroizmin e Mirushe Mulajt u përhap si rrufeja.” (f. 108). Në vend të kësaj ngjarjeje kishte shkuar edhe vetë Ahmet Pasha ta shohë se çka u kishte ndodhur të tre ushtarëve të tij. Ai, pasi ishte kthyer në çadër, i parafytyroheshin ato pamje dhe duke u dridhur, i tmerruar, kishte menduar: “Si është e mundur që një vajzë maloke me një sopatë në dorë, t’i grijë sin ë havan, në titërr të lëndinës, tre ushtarë të Padishahut?! Tre ushtarë të armatosur me pushkë e bajoneta, a? Një vajzë e papërvojë, një vajzë e pashkollë, një vajzë që nuk di t’ia ngrehë as çarkun armës, arrin t’ua shtojë lavdinë këtyre shkrepave, këtyre njerëzve të egër?!” Pastaj iu kujtuan malësorët e lidhur. U tmerrua kushedi për të satën herë. “Po sikur ata të lirë, vetëm me sopata, do të na bënin mish për korba!” (f. 109).

  

     Imazhe rrëqethëse

    

     Kapituj të tjerë paraqesin varjen e priftit dhe të hoxhës në degë të Lisit të Kuvendit, në prani të malësorëve të tjerë: “ – Ka qenë e ditur që do ta fillojnë me imamin dhe me priftin! – tha Gjoni. – Me dy të parët e feve tona. Po, po, për të na thyer neve më lehtë, për të na përçarë duke e fajësuar herë njërin e herë tjetrin. Jo, or, jo, pasha tokë e qiell, jo kurrë!” (f. 133); qëllimet e Stambollit dhe Romës për përçarje të shqiptarëve: “ – Mjafton t’i kujtojmë fjalët e imamit dhe të priftit – tha Azem Misini. – Ata gjithherë na kanë folur për mashtrimet e Stambollit dhe të Romës, për lojën e tyre në kurriz tonin.” (Po aty); masakrimi i pleqve, vëllezërve Shpend e Zëf Sokoli, që kishin rreth nga shekull moshë, kur po rrinin ulur afër kullës së tyre: “Vëllezërit Shpend e Zef Sokoli, ashtu siç lindën përnjëherë nga në bark nëne para njëqind vjetësh, përqafuan vdekjen përnjëherë nga bajonetat e ushtarëve turq, mu para murit të kullës.” (f. 142); situata e rëndë në lëndinën te Lisi i Kuvendit, ku për të lidhurit kishte filluar dita e tretë: “Fshatarët e Ulërimës luftonin tani me urinë, me etjen, me vapën, me diellin, me lodhjen, me shqetësimin. Kështu i zuri edhe dita e tretë, të ulur e të lidhur në lëndinë.” (f. 144); imazhet rrëqethëse kur të gjithë të lidhurit i dinin se çka po iriste dhe po i numëronin çastet e fundit, sepse: “Çdo gjë ishte e qartë. – Mos t’ju trembë vdekja, burra! – Ta kujtojmë tokën tonë për të cilën po vdesim. – Sa vdekje e bukur është të vdesësh për këto bjeshkë!” (f.. 149); dhe më në fund, malësorët i çojnë te një grrellë për t’i pushkatuar: “Ahmet Pasha nuk i lejoi të bisedojnë më shumë malësorët e Ulërimës. Ai vetëm ngriti dorën përpjetë dhe e rrëzoi në drejtim të malësorëve që tashmë gjendeshin në grrellë. Plumbat e ushtarëve nga rrethi i gjerë i tyre po derdheshin si breshër përmbi malësorët e Ulërimës.” (f. 150). Këtu, tragjedia e Ulërimës arrin kulminacionin. Krijohet aty një kamp i vdekjes kolektive, një kasaphane, ku i pushkatojë të gjithë, njëqind e trembëdhjetë veta, por të pathyeshëm, të palëkundur e të pamposhtur në idealet e tyre.

     Këto imazhe rrëqethëse të romanit, shprehin edhe asociacione, ndërsa tablot që përshkruajnë agresivitetin dhe vrazhdësinë e Pashës dhe të ushtarëve turq ndaj malësorëve të Ulërimës, në brendi, reflektojnë edhe diskursin ironik ndaj pushtuesit, cilido qoftë ai.

    

Figura e femrës dhe

ndihmat solidare si kode të mbijetesës

    

     Në disa kapituj të fundit të romanit, autori e kishte vënë Dile Përkolajn në funksion të organizatores së femrave të Ulërimës për të renditur kufomat e martirëve, në lëndinën te Lisi i Kuvendit. Ajo kishte organizuar edhe thirrjen në ndihmë të disa fshatrave përreth për t’i varrosur të vrarët. Portreti i Dile Përkolajt, është tipik i një malësoreje që ia kalon edhe burrave. Ajo, me vizionin, zhdërvjelltësinë, moralin e lartë prej malësoreje, bashkë me gra e vajza të tjera të Ulërimës dhe me ndihmën e banorëve të fshatrave të tjera të Malësisë së Veriut të Gjakovës, varrosin kufomat, të cilat kishin filluar të qelben, kështu, arrijnë që t’i shmangën edhe rrezikut nga përhapja e ndonjë epidemie. Gjatë varrosjes, në një varr të përbashkët të të gjithëve, Dila i kishte njoftuar pleqtë e katuneve përreth se ushtarët turq, përveç masakrës, kishin bërë edhe plaçkitjen e fshatit. Ata kishin marrë bagëtinë, tesha, çejzin e nuseve dhe të çikave, bulmetin nëpër fllaniqe, miellin nëpër magje…

Edhe këtë, autori e zgjidh përmes të ndihmës së fshatrave përreth. Njëri prej pleqve, pas varrimit, u thotë që të çohen disa burra, të shkojnë nëpër katundet e tyre, të tubojnë çka të munden e t’ju sjellin, sepse gra, pleq e fëmijë të Ulërimës, që kishin shpëtuar nga masakra, paskan ngelur pa bukë: “Nata po errej pa asnjë re në qiell. Malësorët përshëndetëshin me grarinë, kur në Ulëlimë po hynte karvani i qerreve të panumërta të ngarkuara me miell, drithë, bulmetëra ngs fshatarët e fshatrave të Malësisë.” (f. 185). Ngritet këtu lart roli i femrës malësore, përgjithësisht, ndërsa, veçohet Dile Përkolaj, e cila në të shumtën e herave e merr edhe rolin e një mashkulli të urtë dhe se njeh edhe kulturën tradicionale. Dila, mendoj se  është ndër personazhet pozitive më të realizuara në roman.           

     Ndërkaq, për të mos e lëshuar aq lehtë atë ushtri gjakatare, autori bën që një i ri me qeleshe të bardhë, bën atentat dhe e vret Pashën, kur ai po mbante një fjalim para masës popullore në Gjakovë, që e kishte organizuar tek po kthehej me ushtri nga Ulërima.    

Në veshët e tij nuk u u dëgjua asgjë më shumë se një e shtënë kobureje, që jo vetëm ja ndërpreu fjalimin Ahmet Pashës, por atë e rrëzoi në fron pasi ia bëri një  vrimë jo fort madhe në kraharor, që iu zgjerua prapa në shpatulla.” (f. 193 – 194).

Romani përfundon me varjen e atentatorit, i cili për herë të parë del në skenë, kryen aktin e vrasjes dhe përfundon në litar.

        Gjatë leximit të romanit “Ulërima” fitohet përshtypja se romani nuk ka ndonjë fabulë të posaçme, nuk ka kohë të përcaktuar, nuk ka personazhe kryesore etj. dhe se ngjarjet zhvillohen sipas imagjinatës dhe narracionit të autorit. Mirëpo, përceptimet e lexuesit duhet të orientohen në formulimet se: romani tregon ngjarje të hidhur gjatë sundimit otoman, që fatkeqësisht kanë ndodhur shumë të tilla, mandej përkufizimi kohor mund të nxjerret nga vetë fakti se në kohën kur ndodhë ngjarja është koha e Lëvizjes Kaçake, përkatësisht koha e fundit e sundimit të asaj Perandorie. Masakra e Ulërimës, sigurisht se do të jetë bërë nga pushtues të tjerë, sidomos ata serbo-malazez, po, autori do t’i ketë ndërruar rolet, për arsyena të kohës kur u shkrua dhe u botua romani. Ndaj, natyrisht, se edhe imagjinata e autorit është bukur e theksuar.  

 

     Kthimi në tematikë përditshmërie    

 

     Hasani, pasi që, në prozën e tij tregimtare dhe në dy romanët për të cilat folëm më sipër, kishte proceduar tema e motive nga tradita, historia, gjakmarrja, besa, lufta për çlirim kombëtar etj., i kthehet një tematike tjetër ku mëton të vë në shënjestër kontradiktat shoqërore. Kishte marrë këtë tematikë, ngase kontradiktat shoqërore ishin mjaft të theksuara, sidomos në kohën e pasuftës së Dytë Botërore, por edhe deri në kohën kur ai shkroi romanin satirik “Qafëtuli i Shavarinës”. 

     Kur lexojmë romanin satirik të H. Hasanit “Qafëtuli i Shavarinës”, kemi rast të njihemi tipa nga më të ndryshmit që pati kjo tokë e ky popull: shpirtgurtë, keqbërës, shpirtshitur, njerëz të zhveshur kombëtarisht e moralisht, vegla e argatë të atij pushteti të qelbur që sillte tmerr mbi shqiptarët, bënte represalie, tortura, shpërngulje të dhunshme, po edhe likuidimin e tyre etj...  Këto dhe shumëçka tjetër, përbëjnë strumbullarin e romanit që kemi në shqyrtim, e që Hasani i ka realizuar përmes personazheve tipike, në mjedise të caktuara, me gjuhën e një humori e satire të mprehtë. Personazhi kryesor i romanit, Qafëtuli nga fshati Shavarinë, është një i pashkollë, njeri me ambicie të sëmura, si: për të qenë mashë e pushtetit, për të bërë veprime në dëm të të tjerëve etj. Bashkë dhe në bashkëpunim me Qafëtulin mbështillen në një rreth figurash të shëmtuara edhe Qufrraku, Kakarriqi, Picrraku, por, këta të fundit, në krahasim me të parin,  kishin ngapak shkollë të kryer. Si të dëgjueshëm dhe dorë e zgjatur e organeve të pushtetit që ishin, këta bënin çka të donin në popullin e tyre, natyrisht, të këqija se jo të mira. Falë atyre punëve të ndyera që ushtronin, pushteti jepte direktiva për t’i caktuar ata nëpër poste të ndryshme. Kësisoji, që në fillim, Selim Qafëtulin e zgjedhin në krye të organi zatës së Frontit Popullor në Shavarinë, Qufrrakun – në ofiqari, ndërsa Kakarriqin, mësues. Ishte ky treshi i “Famshëm” që bënte atë që e kërkonte pushteti i kohës!...

     Janë jo vetëm qesharake, por edhe trishtuese, demagogjitë e atyre njerëzve, fillimisht Qafëtuli, gjoja,  kur u fliste fshatarëve për Leninin, për tokën, për punët bujqësore, për fëmijët që nuk duhet të mbeten jashtë bankave shkollore, e sidomos vajzat, se kështu e kërkonte Pushteti Popullor… Gjatë reformave që bëheshin, ndodhte që Qafëtuli të shkarkohej nga të gjitha funksionet dhe obligimet vullnetare, punonte punët e fushës. Pra, hasim në ngritje dhë rënie të persanalitetit të personazhit kryesor. Në atë lojë veprimesh, herë humbej e herë kthehej besimi ndaj tij.

     Në këtë roman satirik janë prekur periudha të ndryshme të pasluftës së Dytë Botërore: Pushteti Popullor, Reforma Agrare me kolektivizimin e mbledhjen e tepricave të prodhimeve bujqësore e blegtorale, si dhe aksioni famëkeq për, gjoja, mbledhjen e armëve, ku shqiptarët u përsekutuan në mënyrat më të vrazhda e më të egra. Të gjitha këtyre, u paraprinin mbledhjet e organeve të Pushtetit Popullor, për t’i bindur fshatarët dhe ndihmoheshin nga argatët e pushtetit! Gjatë aksionit për grumbullimin, kinse, të tepricave të bereqeteve, njerëzve ua merrnin edhe miellin në magje. Në ato situata, fshatarët shqiptarë ishin të detyruar ta fshehnin misrin, grurin etj., nëpër ahure, e gjetiu, për të mos e dorëzuar në emër të atyre farë “tepricave”. As kolektivizimi i tokave dhe fuqisë punëtore nuk iu pëlqente, por, për ata që nuk i përfillnin këto, pasonin të ashtuquajturat - leçitje. “Ai që nuk pranon të hyjë në kolektiv, do të leqitet nga i tërë fshati. Askush në dekë as në dasëm nuk guxon t’ia shkelë pragun e derës”, (Qafëtuli i Shavarinës”, f. 91). Në mbledhje debatohej për dështimet e aksionit për mbledhjen e tepricave, për kolektivizimin, për çka disa njerëz, me familje, ishin leçitur, sepse urdhrat e atij farë “Pushteti popullor” ishin shumë të rrepta! Defilojnë në roman edhe raste të shënimeve të përvjetorëve të pasluftës, ku flitet për ato farë suksesesh të arritura, organizimin e ndejeve të një grupi të caktuar te Qafëtuli, përfshirë këtu edhe emërimin e kryepersonazhit për korrier të shkollës së fshatit Shavarinë etj., veprime që Hasani i vë në shënjestër të satirës së tij, ngase vërtet ishin të mjera dhe qesharake …

     Pas rënieve që pëson Qafëtuli, sikur nis një etapë tjetër për të. Atë, përveç që emërojnë korrier të shkollës, e bëjnë edhe kryekëshilltar të fshatit dhe kryen një kurs kundër analfabetizmit. Kjo e fundit, tregon nivelin e njerëzve që i janë bërë vegël e pushteteve, ngase sepse të tillët u kanë hyrë në punë. Qafëtuli bënte edhe bashkëpunim me njerëzit e pushtetit edhe për të qitur në gracka njerëzit e pafajshëm, pastaj për të realizuar qëllime me motive të dobëta që preknin në moralin familjar të bashkëvendësve etj. Personazhet e tilla, që mjerisht ka pasur në mjedise tona të ndryshme, në roman lehtë kuptohen se janë të zhveshur kombëtarisht e moralisht, ku edhe autori i realizon si të tilla, në mos për asgjë tjetër, për të mbetur si personazhe të shëmtuara të atyre kohërave që sillnin vetëm kobe e të liga për shqiptarët. Shumë e egër për shqiptarët ishte koha e aksionit të mbledhjes së armëve. -“Kohë e ligë ka mbërritur , o baba Zhujë. Duhet t’i ruhesh edhe këmishës së trupit, se lëre më njeriut. Më nuk ke besim as te vëllai, as te kushëriri, as te miku,” (“Qafëtuli…”, f, 167”. Torturat ndaj shqiptarëve kishin filluar edhe shumë më herët: “Ti e di o baba Zhujë, se mua për pak drithë që e pata fshehur më patën shkallmuar dru. Mërdhirë jam në ujë të ftohtë gjithë natën.” (f. 168). Këto vinin edhe nga Qafëtuli, si spiun i organeve të pushtetit, i cili fliste kudo dhe haptas për njerëz të Shavarinës. Ai ishte bërë një shirtkazmë, “ngase hija e tij sillte mynxyrën e tmerrit nëpër çdo vatër ku ia mësynte ai.” (f. 171). Qafëtuli, si njeri në shërbim të pushtetit, shpërndante ftesa natën dhe çdokush, që i trokiste në derë Qafëtuli, e dinte se çfarë lajmi sjell ai. Ndër ta, Shaban Krruta, mori natën një letër të vogël ku shkruante: “Nesër duhet të paraqitesh në stacionin e milicisë në Moçalishtë. Me vete të sjellish talianken e shkurtër me tridhjetë fishekë…” (f. 173). Ashtu e mori “sihariqin” edhe Xheladin Lugu, ndërsa Qafëtuli i kishte thënë të birit të Xheladinit, se: “Për një ka apo një lopë, mos e çoni dëm plakun. Blejeni një pushkë. Kështu po veprojnë shumë, sidomos ata që nuk i kanë!” (f. 175).

     Kjo dhunë që ushtronte pushteti, me metodat më të vrazhda, kishte bërë që shumë familje të lëshonin vatrat e tyre e të mësynin Anadollin. Ishin shtrënguar të shitnin tërë pasurinë për të kompletuar dokumentet e nevojshme të shtetësisë turke, në fillim të vendosen në Shkup, prej nga do të shkonin në Anadoll.   

    Ndërkaq, Qafëtulin, si njeri që kishte bërë mëkate, autori gjen formë edhe ta dënojë. Atij fillojnë t’i shfaqen disa zëra të ndryshëm ngacmues dhe akuzues, sa që e kishin çuar në prag të çmendurisë. Mirëpo, Qafëtulin prapë do e gjejmë si daktilografist në një ndërmarrje të vogël. Kryen edhe një shkollë të mesme të natës për të rritur dhe prej daktilografistit, me ndihmën e njerëzve, e referent komercial në po këtë organizatë. Mbi bazë të përkrahjes së atyre njerëzve të dëformuar, banesa i jepet brenda natës. Ishte regjistruar edhe në fakultet, të cilin mendonte ta kryente me anë të njerëzve të tij, me mito, ryshfete, qerasje, duke shtruar pije e meze, darka e dreka etj. Për fat të keq të tij, atë ditë kur solli diplomën e fakultetit në organizatë, i tregojnë se nuk të duhet gjë, sepse ti ke dalë në pension, sepse i ke mbushur gjashtëdhjetë e pesë vjet!...

     Qafëtuli, Qufrraku, Kakarriqi, Picrraku, e ndonjë tjetër, janë grupi i njerëzve të degjeneruar në roman. Megjithatë, duke qenë të stërvitur për keqbërje, edhe pse, herë me shkëlqime e herë me rënie të tyre, mbijetojnë deri në fund të romanit, për të qenë sinonim i njerëzve të ulët për nga karakteri, servilë, dorë e zgjatur e pushtetit dhe për të shërbyer si shembull i keq i asaj shoqërie të deformuar e përplot me kontradikta!...  

              

    

     

   

 

 

Përfundime…

 

     Më në fund më duket mirë të them se, në prozën romanore, imagjinata e shkrimtarit Hasani është e shumanshme. Ajo ka dimensione që përafrojnë imagjinatën me realen. Në romanin “Kohë të egra” vërehet se personazhet nuk kryejnë veprime për qëllime jetike kombëtare, por në të shumtën e herave, e kishin ndërruar misionin e tyre, e kishin lakuar rrugën, nuk përkon ideja me veprimet, me çka e kanë zbehur vetveten. Për këtë edhe kryepersonazheve u vjen një fund tragjik. Romani në fjalë mban vulën e një kohe vërtet të hidhur, vërtet të egër…

Ai i dha një vend të dukshëm ndjenjës së hakmarrjes, si institucion kanunor?! Gjejmë se autori mbron guximin e arsyeshëm të ndonjë personazhi…

 

Ndërkaq, në romanin “Ulërima”nuk ka shumë përshkrime konvencionale, përshkrime që kanë bazën mbi atë se si ne e dëshirojmë të ndodhte ngjarja, por kemi përshkrime e situata të hidhura që, fatkeqësisht, kanë ndodhur nëpër shumë Ulërima të trojeve shqiptare e autori s’do të dëshironte të kenë ndodhur. Këtu mbizotëron motivi i idealit kombëtar për rezistencë kolektive dhe rezistenca nacionale paraqet pjesë të rëndësishme ideore e historike në roman.Veçohet (te “Ulërima”) gjithashtu, të qenët homogjen të dy përkatësive fetare në një fshat, bile edhe në një shtëpi, deri vonë, ka qenë realitet në disa mjedise shqiptare. Ka mbizotëruar vetëdija e tyre se gjëja kryesore që i lidh është përkatësia kombëtare, e besimet janë respektuar reciprokisht.

Ahmet Pashën, këshilltarin e tij dhe eprorët e ushtrisë turke, Hasani i realizon si personazhe të komlpeksuara për krime.

     Edhe personazhin femër e realizon brenda tabusë tradicionale dhe në mënyrë të natyrshme për kohën dhe mjedisin. Marrë në planin diakronik, te “Ulërima” – është koha e para dy luftërave botërore të shekullit XX, gjatë tyre dhe pas tyre.

    Te romani satirik “Qafëtuli i Shavarinës” janë vënë në lojë disa anë të errta të një shoqërie të të deformuar dhe njerëzve të serviluar e të ligj të saj. Në atë procedim, Hasani duket se niset me një humor që duke të ledhatuar të pickon ngapak, mirëpo, në realitet, ai humor me përmasat e një satire të rreptë e të hidhur dhe të shtrëngon si me dare. Ndodhitë e vëna në thumb të satirës mund të kapen edhe si realitet edhe si ide e autorit për t’i qitur hije të zezë të keqes dhe për ta mundur atë.

     Po ashtu, mund të thuhet se në të tri romanet që botoi deri më tash, ky autor, ngjarjen herë e tregon vetë në vetën e tretë, herë nëpërmjet të kryepersonazheve, apo edhe të personazheve epizodike, që e kemi parë dhe theksuar edhe te proza trgimtare e Hasanit. Kështu, edhe proza romanore e Hasanit ruan veçantitë narrative të njohura të prozës së tij.

     Te romanet e Hasanit gjejmë edhe përshkrimin realist të personazheve, me veset , virtytet dhe dobësitë e tyre, vrazhdësinë, shpërthimet dinamike të ndonjërit, por edhe arsyet. Simpatia e autorit shihet qartas se shkon në personazhet që kanë sjellje pozitive, shpirt njerëzor, pra i jep përparësi të mirës individuale, asaj familjare – të mirës kolektive.

___________________

*) Hasan H a s a n i, “Kohë të egra”, Shtëpia botuese “Faik Konica”, Prishtinë, 2006, f. 7

                                                                                                                             (Gusht 2009)



(Vota: 22 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx