E premte, 02.05.2025, 08:13 PM (GMT+1)

Kulturë

Demir Krasniqi: Kënga e shqiptarit të madh

E premte, 04.09.2009, 07:08 PM


Demir KRASNIQI

Parodi rapsodike:

    KËNGA E SHQIPTARIT TË MADH

Jam shqiptar – SHQIPTAR I MADH ,
Kryet fushë , mendjen livadh ...
Jam bë  i mjeri kurbetçi –
Shita tokë , shita shtëpi ,
Rashë n’ kontakt me një Agjenci ,
Me m’ kalua nëpër kufi ...
Shita delet  me gjithë  lopë –
Mora rrugën me dalë n’ Evropë !

Rrugë e gjatë me shumë havale –
Nëpër përrenj  e  nëpër male ,  
Nëpër lum e nëpër det ,
Mezi dola në kurbet !
Për pa ikë nuk pata çare –
Thash – Serbia do t’ na qet fare !
Po sa e preku shkau Drenicën –
Unë ua ktheva prapanicën !
Iu thashë shokëve :”Lamtumirë !
Mirë u pafshim n’ Kosovën e lirë !”

Larg n’ Evropë , ku jetoj sot –
Për Kosovë , po qajë me lot !
Shkruaj , flas e nuk rri kot –
Jam ma i madhi patriot !
Ditë e natë jam duke ëndërrua –
Një ushtri me e formua ,
Me e nisë luftën me luftua ,
Krejt armiqtë rend me i farua !

Do t’ mbledh armët dhe fuqinë –
Do ta qes fare Turqinë ,
T’ gjallë e t’ vdekur do t’ i  qes n’ det ,
Pse na mbajti gjashtëqind vjet ?!
Kur ta qes fare Turqinë –
Do t’ luftoj me Arabinë
Dhe gjithë shtetet  muhamedane  ,
Pse na e dhanë  fenë myslimane ?!
Si t’ kryej luftën me Arabinë –
Do t’ sulmoj me ‘i  herë Greqinë ,
Pse na e mori Çamërinë ,
Artë , Prevezë edhe Janinë?!...

Kur t’ ia  thyej qafën Greqisë –
Do t’ i  turrëm me ‘i  herë Serbisë ,
T’ ia sulmoi Nishin , Kralevën ,
T’ ia bashkoi Kosovës – Preshevën !...
Me Serbi do ta bëj  fet –
Pse na mbajti njëqind vjet ?!

Si t’ ia heq flamën Serbisë –
Do t’i mëshoj Maqedonisë ,
T’ ia marr Shkupin , Iliridën,
Kumanovën edhe Dibrën ,
Ia qes flakën , ia la hirin ,
Ia marr Prespën, Manastirin !...

Si ta kryej n’ Maqedoni –
Do t’ i  turrëm Malit t’ Zi ,
T’ ia marr Plavën me Gucinë ,
Podgoricën me Cetinë ,
T’ ia marr Tuzin dhe Malësinë,
Vlladimir, Ulqin, Vraninë,
T’ ia marr detin me Tivar –
Kështu luftojnë trimat shqiptarë !

Pas kësaj lufte ballkanike –
Do ta bëj Shqipëri Etnike !
Do ta  formoj  Qeverinë –
Do ta ndryshoj historinë !
T’ gjithë figurat kombëtare –
Do t’ shikoj a kenë shqiptare ?!
Do t’ filloi prej Skënderbeut –
A ishte birë i këtij  dheut?
A ishte trim legjendar ,
Malazezë, apo shqiptar ?!
Nënë Tereza, ajo  zulmëmadhe –
Maqedone , apo shqiptare ?!
Për këtë bijë t’ lindur nga Shkupi –
Disa  thanë :”Është bijë magjupi?!”

Për gjykatë  do ta bëjë një listë –
Për ata që kenë zogistë ,
Asht e rrashtë do t’ ua qes fare ,
S’ do t’ kenë vend n’ tokat shqiptare !
Prapë vazhdoj ta bëjë një listë –
Për shqiptarët enveristë ,
Leninistë e stalinistë ,
Hrushqovjanë e komunistë ,
Mao Ce Tung e ateistë ,
T’ gjithë çka janë n’ qytet , n’ katund ,
Do t’ i grijë , t’i  bëjë sapun !

Prijatarët e demokracisë ,
Që ia hapën kufijtë Shqipërisë ,
Do t’ i  shti  t’ gjithë në  një listë –
Berishistë e nanoistë,
Majkoistë e milloistë,
Ramoistë edhe metistë ,
Do t’ i qoj krejt te kasapët ,
Do t’ qëroj me ta hesapet !

Kur me ta, ta kryej këtë sprovë –
Do t’ vazhdoj rrugën n’ Kosovë ,
Do t’ shikoj nëpër shumë breza ,
Kush do t’ hyjë në lista t’ zeza ?!
Kush ishin ata dai ,
Që e lanë Kosovën nën Serbi?
Kush  kenë ata  komunistë –
Që u rreshtuan si titistë,
Me drazhistë, rankoviqistë ,
Me kasapë millosheviqistë ,
Fadilistë e mahmutistë,
Sinanistë e alishukristë ?!...

Kush iu priu studentëve shqiptarë –
N’ demonstrata kundër- revolucionare?
Kush na e prishi vëllazërim – bashkimin ,
Kumbarinë e pobratimin ?!...
Kush ia rrëzoi themelet vendit –
Do t’ i djeg në zjarr t’ xhehenemit !

Kush kenë ata nismëtare ,
Që formuan Ushtrinë Çlirimtare ,
E na qitën nëpër male ,
E na i kallën shtëpitë me zjarre ?!
Do t’ i  çoj n’ Gjykatë Ndërkombëtare ,
S’ do t’ iu la vend as për varre !

Do t’ vazhdoj prapë të bëjë lista –
Për marksista e  leninista,
Stalinista e enverista ,
Demaçista e lajçista ,
Osmanista e hysenista ,
Për qosista e rugovista ,
Për thaqista e ramushista ,
Për dacista e pacollista...
Do t’ i  qes t’ gjithë në gjykata ,
Do t’ iu japë dënime t’ gjata !

Po sa punën këtu ta ujdisë –
Do t’ ia mësyjë Maqedonisë ,
Për tradhti do t’ përpiloj lista ,
Për rufista e xhaferista,
Menduhista e ahmetista ...
Kam  Preshevën , Bujanocin ,
Me  do djem që  m’ tharbin kosin ,
Unë , atje do ta luaj llosin ,
T’ i shti n’ burg , t’ ua thyej kocin !
Dhe n’ Mal t’ Zi , janë do lider –
Nuk i lëshoj pa ua bë ndo ‘i  sherr !
S’ do t’i  la n’ skenë politike ,
Se  do t’ bëjë  Shqipëri etnike !

Kur ta bëjë këtë Shqipëri t’ mbarë –
Vet do t’ zgjidhem Kryetar ,
Vet kudo do t’ jem i parë ,
Se unë jam ma i miri shqiptar !
Do t’ vë ligj e do t’ vë rend –
Do ta zhduki kudo fenë ,
Do t’ rrëzoj kisha e xhamia ,
Se këto fe  s’ i do Shqipëria !
Kush do t’ shkruhet ortodoks –
Do t’ i qes fare me boks !
Kush do t’ shkruhet myslimanë –
Ua shti zjarret n’ katër anë !
Kush do t’ shkruhet katolik –
Do t’ i mbys  krejt me kamxhik !
Do t’ bëj shtet, do t’ bëjë atdhe –
Ku s’ do t’ ketë ma asnjë fe !

Kur ta bëjë kështu shtet Shqipërinë –
Do t’ ia ndërroj dhe gjeografinë !
Do t’ ia  ndërroj  këto  toponime –
Si ma thotë kjo mendja  ime !
Male, fusha, fshat , qytet –
Ua  vë  emrat qysh dua vet !
Emrat e njerëzve që janë pa krip –
Do t’ ua ndërroj e t’ua vë shqip !
Krejt Shqipërinë e bëjë livadh ,
Se unë jam Shqiptar i Madh !



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx