E marte, 30.04.2024, 11:08 AM (GMT+1)

Kulturë

Skënder R. Hoxha: Gjerdan vargjesh për Dushkajën (Poemë)

E enjte, 03.09.2009, 06:19 PM


SKËNDER R. HOXHA

GJERDAN VARGJESH PËR DUSHKAJËN
                      (Poemë)


I

Në zemër të Dukagjinit
me male, fusha e pllajë
e shtrirë n’krah t’perëndimit
gjendet e lashta DUSHKAJË.

Në veri te saj
ka lugun e Baranit,
ndërsa kufi natyror
është Bistricë e Deçanit.

Drini i Bardhë si loti
andaj gjithë ka lindja,
Dushkajën e kufizon
nga krahinëz Podrimja.

Në perëndim t’Dushkajës
me tradita të vjetra,
është një krahinëz tjetër
që moti e quajtën – REKA.

Dale dhe më poshtë –
Trakaniq, Fushë e Gjakovës,
plot peisazhe e pjellorina
natyra ia dhuroi Kosovës.

Kah jugu i Dushkajës
duke u lëshuar me radhë,
afër Marmullit – Ereniku
derdhet në Dri të Bardhë.

II

Sias maleve ne dushqe
që shquhen skaj’ me skajë
emri i këtij territori –
shqip mbeti D u s h k a j ë.

Njëzet e gjashtë katunde
që ka n’përbërje t’saj,
prej kur u krijua njerëzimi
- djep i popullit shqiptar.

Interesante është natyra
n’këtë rajon malor,
flora dhe fauna –
si n’kallëzim përrallor.

III

Në mjedis t’Dushkajës
ku drunjtë nuk hedhin shtat,
ngrihet Sukë e Cermjanit
si nuse shtatbajrak.

N’majë t’kësaj suke t’lartë
me fshehtësi mitike,
janë gërmadhat e Kalasë
mbase të kohës ilire!

Do fragmenteve muresh –
Ziti i Kalasë iu thonë,
kulturë e lashtësisë
në truallin tonë…

Vorri i Bab’s Mustafë
thonë edhe Vorri i Arapit,
nga një luftë e moçme janë
e ndodhur n’Sukë t’Cërmjanit.

Ka edhe suka t’vogla
t’Radoniqit e t’Gërgocit,
që i bien trup Dushkajës
kah shpatet e Lipocit.

Rezistenca ndaj gjakatarëve
n’Gërgoc e rujatur prej motit,
Fazli thaçi me vëlla Kamerin
t’burgosur të Goli Otokut

IV

Në qoftë se do gjezdisësh
Dushkajës trup e së gjati
te duhet të udhëtosh –
më tepër se një javë, gati.

Rrugë, udhë e drume shumë
si rrjetë e merimangës,
me krahinëza të tjera lidhin
çdo anë të Dushkajës.

Ndërmjet BECIT e VRANIQIT
Magjistralja n’juglindje trupon,
lidh Dushkajën me Prishtinën
dhe me botën komunikon.

Një rrugë e gjatë gjarpërore
nëpër shumë fshatra kalon,
jug-veri i bie Dushkajës
prej Gjakove n’Jabllanicë çon.

V

Një katund ne veri
e ka emrin Jabllanicë,
është ajo vendlindja ime
qe unë i them PLEPISHTË.

N’këtë katund të bukur
atëherë me pak shtëpi,
ne vitin ‘njëzet e një
- kishte ndodhur tragjedi.

Armiku sllav i jugut,
nga drithërimë e frikës
gjashtëdhjet’ e katër burra
i kishte vrarë brenda ditës!...

VORRET E SHEHITEVE i quajnë
vendësit këto varre –
afër Malit t’Vnesht’ve
atje në Kodër t’Madhe.

VI

ZHABELI PLAK e ZHABELI I RI
Llugaxhia në një kodër –
male te dendura ka andej
deri te VRANOCI I VOGËL.

Jo fort larg shtrihet KRALANI
fshat i vjetër rreth me mal,
duket se quhet kështu
nga emri ilir – KRAL.

Katundet BARDHANIQ e PALABARDH,
DASHINOC, BEC e MAZNIKU
emërtime t’gurrës shqipe
që s’mund ‘i ndërroi armiku

Bardhaniqi del nga BARDHË
Bec – qengjit shqip i thonë,
prej Pal Bardhit – Palabardhi
prani e hershme e gjuhës sonë.

Për katundin Maznik
pleqtë përmendin prore,
se quhet nga fjala – MAZ
emër i botës shtazore.

GËRGOCI nga GËRGA
e CËRMJANI nga QERMË,
ska se si bën ndryshe -
veç fjalë shqipe të jenë.

VII

RATISHI I EPËR e RATISHI I ULËT
afër kanë JANOSHIN –
për të dal në Bec,
në mes kanë SAPOTIN.

N’kishë katolike t’Becit
bëhën pagëzime e urata,
por çështjen e kombit
prifti ynë e vë përpara.

Aspak larg nga Beci
n’gropë katundi Zhdrellë,
aty Kroni i Qyngave –
do studiuar më thellë!

VIII

Kanë qenë RADONIQI e RAKOCI
katunde të vjëtra t’Dushkajës,
popullatë e tyre u shpërngul
n’fung të tetëdhjetë e katrës.

Këto dy vendbanime
shtriheshin në fushëgropë,
ku Liqeni Artificial u bë
e tokat u përmbytën atëbotë.

Liqeni i kaltër i Radoniqit
ia shuan etjen Gjakovës,
nga ky “Hidrosistem” ujiten
shumë fusha të Kosovës.

N’Radoniq ishte shkolla
ku kultivohej dija,
as feja s’lihej prapa
se n’fshat ishte xhamia.

Banorët e këtushem
nëpër Dukagjin shkuan,
por më së shumti -  
n’Piskotë u strehuan.

IX

Në brendi të Dushkajës,
prej kohësh i njohur për urti
Rashkoci fshat me nam –
Me Netic e Kodrali.

Të shkosh kah verilindja
kur e lë Cërmjanin,
gjendet RAKOVINA
n’kufi me Kralanin.

Në mes të dy katundeve
me monopate e rrugë –
BABSHORI kodër në zë
emërtim i shqipes gurrë.

Gjithandej kah lindja
përbri Drinit të Bardhë,
shtrihen fusha të gjera
me begati të rrallë.


X

Për katundin MEQE dikur
kishte qenë i madh – thonë,
i rrethuar krejt në mure
një legjendë atje tregon.

Me dy dyer të mëdha –
mbrëmjeve mbyllej katundi,
ndoshta mbrojtje për armikun
nga veriu e nga jugu!…

XI

Në këto fusha pjellore
n’juglindje të Dushkajës
VRANIQI e DOBLIBARJA janë
dhe fshat i BËRDESANËS.

Quhen REZINAT e Bërdesanës
nga se dielli i rrezon,
ndaj fjalën shqipe – REZE
e gjejmë qysh te Budi jonë.

Bokat, Skërrkat, Brijat,
Dushqet, Rrahet, Mrizet, Trojet,
emërvende shqipe t’përmendura
si dhe Kodrat, Lëndinat e Krojet.

Emra katundesh e vendesh
që ndryshe iu themi toponime,
ka edhe në gjuhë të huaja -
ku pushtuesit iu bënë ndërrime.

Ndërruan emra n’troje tona
Armiq t’Ballkanit e t’Azisë
për qëllime grabitqare –
Të fshijnë gjurmë të ILIRISË!...

XII

Fushat pjellore t’Dushkajës
punohen nga duar të vyera,
bëjnë bukën e motmotit –
e kanë dhunti nga natyra.

Pemë të ndryshme gjithandej
lulëzojnë nëpër bahçije,
lloj-lloj frutash perimtore
rriten nëpër kopshtije.

Shtëpiake e të egra –
shpesë të shumta andej ka,
me krokamë, këngë e flut’rime
të shoqërojnë pa ia nda.

XIII

Nëpër fusha, kodra, male
kanë kullota boll bagëtitë,
Mrize, hije e kroje t’ftohta
me kënaqësi këndojnë barinjtë.

Ca lumenj gjarpërojnë luginave
që n’Dushkajë iu thonë PËRROJE,
heqin etjen n’to bagëtia -
e bëjnë fushën më pjellore.

XIV

Në keto fshatra ka disa shkolla
pa ngurrime nxënësit mësojnë,
në hapërim kah ardhmëria
me fëmijë t’botës të marshojnë.

Shkollarë shumë të vyer dolën
mësues mjekë e shkrimtarë,
gazetarë e inxhinjerë
dhe të dijes shkencëtarë.

XV

Edhe n’Dushkajë ndërroi ngadalë
shumëçka për së miri –
femra shqiptare ecën
drejt kah emancipimi.

Rreze drite lëshojnë n’këtë anë
mësuese t’para si Afërdita,
infermieret në ambulanca,
dushkajaset nëpër fabrika.

Ecën rinia sypatrembur
n’hap kah përparimi,
por një plagë e përsëritur
- edhe këtu është mërgimi.

Se armiku në këto kohë
ka fashitur mbi ne gëzimin,
do të nxijë çdo gjë n’këto troje
t’ja ndalojë shqipes flut’rimin!

XVI

Fyelli, kavalli, kënga malësorçe
kumbojnë bregoreve t’Dushkajës
prej kohësh gazmendeve daullja
shqiptarisht i printe valles.

Nëpër Dushkajë qëmoti –
kishte lahutarë të rryer,
kullave me këngë kreshnike
t’pranishmit i kanë dëfryer.

Melos autokton kënduan
Marash e Man Krasniqi,
nga Dashinoc e Rakoc –
si degë të një lisi.

Folklori shqiptar
ruhet nëpër oda –
nga fshati Maznik doli
rapsodi Bajrush Doda.

N’Maznik Hamdi Sejda
kishte kënduar para tij,
njihej n’Radoniq Tafë Rruli
e dy vëllezër këngëtarë të rinj.

As Beci e Zhdrella
nuk qenë pa këngëtarë,
ishin rapsod nga Cërmjani:
Idriz Lumë e Bajraktar.

Këngëtarë të odave pati
n’Kralan e n’Jabllanicë,
nga Gërgoci Fazli Meta –
thekshëm i binte çiftelisë.

XVII

Më vonë Shoqëria folklorike
n’Gërgoc është formuar,
shumë të rinj të Dushkajës
aty talentin e kanë treguar.

Orkestra komlete ishte
me sharki e çiftelia,
këndonin Shqipja e Arsimi
me zë bilbili – Resmija.

XVIII

Dasmë e dekë bëhen këtu –
sipas traditës shekullore,
me veshje, zakone e doke –
ruhet kultura jonë shpirtërore.

Nëpër kisha e n’për xhamia
hoxhë e priftër bashk kuvendojnë.
Po për fe, më shumë për kombin
- dushkajasve iu predikojnë.

Myslimanë  këtu e të krishterë,
se janë stërnipër të Skënderbeut
e kanë kuptuar këtë gjë të shenjtë
kush s’i ndan n’mbrojtje t’ATDHEUT!

                                    /Tetor 1994/
/PS: Nuk kemi bërë asnjë ndryshim, por ashtu sikurse është shkruar atëherë, kur emrat e fshatrave dhe toponimet e tjera kanë qenë kështu – autori./



(Vota: 24 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora