E marte, 30.04.2024, 04:06 PM (GMT+1)

Kulturë

Përparim Hysi: E kemi "mbretin" axhami...

E enjte, 03.09.2009, 12:59 AM


E kemi "mbretin" axhami...

Tregim i jetuar
 
Nga Përparim Hysi
 
Ka qenë vjeshtë e vitit 1959.Qeshë emëruar mësues në një fshat të thellë të Myzeqesë dhe atje edhe njoha xha Trushin.Qe një burrë as i gjatë dhe as i shkurtër,mesatar do të thoja,veshur me rrobe karakteristike të asaj kohe ku,padyshim, duhet të veçoje takijen e bardhë dhe,sado vjeshtë e nxehtë, e mbante veshur xhaketën prej doku të zi.Këmishën  e kishte të bardhë,pa jakë,grykëz që i thonë në Myzeqe,dhe,kur kjo,këmisha,i hapej nga era,do të shihje fanellën prej leshi.Kur e pyeta se si e duronte atë fanellë leshi në atë vapë përvëlonjëse,ai m'u përgjigj:-Aha,po qo(kjo) më është edhe doktor,edhe spicer njëherësh.Se shiko,more dhaskal,nga leshi nuk ka vdekur njeri,por nga ftoma:sa të duash.Dal e ngadalë,qemë bërë miq,pothuaj,me xha Trushin.Fëmijë nuk kishte në shkollë,po na hahej muhabeti dhe pikë.
                Kur vija nga shtëpia në shkollë(qeshë 20 km larg),do ta gjeja,mëngjeseve,në shullë duke marrë ato rrezet e ngrohta  të mëngjesit që,siç thoshte,"jo vetëm ia donte shpyrti,por qenë si melhem për moshën e pleqërisë." Se aty,mëngjeseve dhe tërë ditën(ndonjëherë dhe natën),priste e përcillte me lundër kalimtarë dhe nevojtarë të atyre anëve.Se unë harrova:xha Trushi punonte si lundraxhi.
               -Si u gdhive,xha Trushi?
               -Mirë të faluminderit(i mbahem të folmes së tij në shumë raste.Të më falin lexuesit!),zotëria juaj si është?
I tillë qe me të gjithë.I respektuar dhe i urtë deri në përulësi.Merreni me mend,kur më thoshte mua,një buzëqumështi,"zotëria juaj",se,kisha vënë apo s'kisha vënë brisk në faqe?E veçanta   qe se fjala"zotëria juaj",kish dalë nga fjalori me kohë dhe qe zëvëndësuar me "shok",po,aha,xha Trushi,s'hante aso gjelle.Metros i thosh kut dhe orës-sahat.Por,për i ndershëm,shokët i kish të rrallë.Kishte njohur fukarallëkun e kohës së"merhumit"(Mbretit Zog).Kur unë mundohesha të rëmoja në të kaluarën e tij,nuk kursehej.Fliste shtruar ,pa u ngutur dhe kërkonte se mos shtëllizte keqas ndonjë gjë.Ta thashë,-thoshte,- atë shtëlliz se ta dish,more dhaskal(kurrë s'më pati thënë mësues),jeta i ngjan atij lëmshit,që,po u shtëlliz keqas,nuk ka perëndi që ta vërë në islla më.Ja,- ta thotë xha Trushi tyja.Qeshte dhe kishte një qeshje të pastër ,prej babaxhani dhe,veçanërisht,sytë i merrnin një shkëlqim të veçantë.
                -Kishim ne,këtu,në fshatin tënë një bej që kish blerë ç'të sheh syri anë e përqark,ndaj dhe fshati u quajt"Çiflig",domethënë,pronë e atij beut.Këtu ngjitur një bej tjetër dhe fshati quhet Alibejas(fshati i Aliut).Mirë,o të keqen xha trushi tyja(ty),po këtej nga ne s'ka as Ali,as Haxhi.Po kështu e gjetëm,de!Sa më erdhë koha e këtij të "Vafrit"(varfërit),- e
kish fjalën për Enver Hoxhën,- më t'u ra,or tynjatjeta, e më t'm'i bëri ja,kështu,me gjisht(gisht)në gojë si xha Trushi?!!!Dhe prapë ia dha të qeshurit.-Pse ti,xha Trushi, je keq?-provokova unë.Dhe ai:-E di,mor dhaskal,e di ku godet.Po të mos kishnjam(kisha) besim,as që flisja unë,po ta kam blerë mëndjen.Se tek sytë kam pasqyrën unë.Ti m'i ngul,kur të flas, dhe unë si në pasqyrë shoh shpyrtin(shpirtin).Hë,-dhë bëri sikur e harroi pyetjen time provokuese,-ti më pyete në është mirë apo keq xha Trushi?Unë që të dalë në kut me gjithë familjen dua pesëmijë lekë në 15 ditësh,për të marrë,marë njëmijë treqind,bëje hesapin vet tija(ti),se je me gramë...Po fshati që duket,nuk do kallauz,dhaskal!Po digjo këtu:-Im atë,- ndjesë pastë dhë bëri kryq,-ngordhi.-Si ngordhi?-s'm'u ndenj mua pa ndërhyr.Ngordhi,ngordhi për kafshatën e bukës,more dhaskal.Dhe u kam thënë çunave:-Gjetët gjakundi kokrrën e bereqetit,uluni ,merreni dhe ma sillni në shtëpi.Gjetët para,bëni si të doni.Se vjen një kohë,-xha Trushi e ka parë,- që paraja nuk shkon.Se nuk ka mall për t'u blerë.Dhe paraja nuk hahet,dhaskal!
 
                                            *   *   *   
                Iku dhe "merhumi"(Mbreti Zog),pa më të erdhi ky i "Vafri"(Enveri) dhe tha:-T'ua marrim bejlerëve dhe agallarëve dhe t'ua japim të vafërve si xha Trushi,me demek!Ne po u bëmë me krahë dhe mënd po fluturonim.-Po juve dhe ua dhanë,- sulmova unë.-Neve,ore,neve,po kjo e dhëna qe pak si jangllësh,kur thotë turku, se e pat avazin mrapa(mbrapa),si ajo qemania e Nastradinit.Se vërtet na i dhanë,po më të ardhi ajo komprativa(kooeprativa),dhe na i mshiu(fshiu) të gjitha.Me një dorë na i dha,me të dyja na i mshiu.Dhe Lluka,bashkëfshatari ynë, paskësh thënë atje,në mejdan:-Hëm na i dhe,hëm  na i more,o moj bythëza shaptore!!!Unë po ia dhashë të qeshurit,por xha Trushi tregoi se vërtet që LLuka tha vetëm kaq,por një të ardhur ata,të "hyqymetit" që jo vetëm e telendisën,por dhe e damkosën"kolak"(kulak).Keq qo fjala"kolak",se tek Lluka nuk shkel njeri sikur ka kolerën."Usta" qy "mbreti" i ri,dhaskal!!!Na gjeti si me atë punën e gomarëve.U gëzuan gomarët se vdiq samarxhiu i vjetër.Mirëpo kur erdhi samarxhiu i ri,qy,sa t'u merrte dorën samarëve,ua bëri kurrizin copë.Se ta themi këtu  dhe ta lëmë po këtu:-E ndreq(e drejtë) nuk qe,që të gëzohesh ti se do të marrësh mallin e tjetrit(siç dhe u bë),po ai djallo interes është i ëmbël,dhaskal.-More,nuk të kam pyetur, e di ti se si është puna e interesit?Dhe,kur pa  që ngrita supet, vazhdoi:-Kur lindi ropi(njeriu) i parë,pa aty,para këmbëve,një ç'të them,një si "malukat" apo "tartakut" dhe nuk dinte se si ta thërriste.Mendohu,mendohu,çarë t'i them...dhe ja,e zbrazi:-Mirëmëngjes,o interes!!!Dhe "malukati" iu përgjigjti:-Mirëmëngjes!E sheh?Ka lindur para ropit interesi dhe nuk vdes kurrë,dhaskal!E që të mos e njac(zgjat) më muhabetin xha Trushi ja tek po ta them dhe vëre vëth në vesh:-Ne e kemi  mbretin"axhami",dhaskal! Sa të rritet qyja(ky),populli do vuajë.Dhe xha Trushi që mos qoftë,po kështu."Axhami" po;yrnekun po  të keq( e ka marrë në Moskov).Dhe,pasi më hodhi duarët në qafë,më tha:-Ika,dhaskal,ika,se po më presin për matan.Ju që jini të rinj,edhe mund të shpresoni,po sëra ime,aha;siç erdhën dhe po ikin.
 
                       Iku...,po pas më la atë porosinë:"Sa të jetë mbreti "axhami",populli do vuajë!"... Po vallë a u rrit ky,"mbreti",për Shqipërinë ndonjëherë?!....
                           


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora