E hene, 29.04.2024, 06:34 PM (GMT+1)

Kulturë

Sinan Sadiku: Një begatim i krijimtarisë poetike

E hene, 07.09.2009, 07:10 PM


Sinan Sadiku

NJË BEGATIM I KRIJIMTARISË POETIKE
Baki Krasniqi, “Zogu i qyqes”, botoi klubi letrar “Nositi”, Dardanë, 2007

“Zogu i qyqes” titullohet libri i dytë me poezi i autorit Baki Krasniqi, me të cilin ai e begaton krijimtarinë e vet artistike, si në planin tematik, ashtu edhe në planin e shprehjes poetike. Në  libër përfshihen 27 poezi të cilat nuk janë të ndara në cikle. Në këtë përmbledhje poetike, autori vazhdon ta shkruaj poezinë patriotike dhe meditative të cilat  i kishte kultivuar edhe në librin e parë të titulluar në “Krah të shqipes” dhe me një përkushtim e ndjeshmëri të veçantë e shkruan edhe poezinë sociale që nuk e kishte shkruar në librin e parë, e po ashtu shkruan edhe për mikun e vdekur, për gëzimet  e të rinjve dhe çështje të tjera.

Dashuria ndaj atdheut motiv përherë i ndezur

    Sa i përket poezisë patriotike, mund të themi se ajo zë një hapësirë bukur të madhe të librit, me çka dëshmohet se dashuria ndaj atdheut, vlerësimi i lartë ndaj atyre që luftuan dhe u sakrifikuan për të, mbetet gjithmonë një motiv përherë i ndezur, që e vë në veprim penën e poetit Baki Krasniqi. Andaj autori me një dashuri dhe respekt të veçantë shkruan për: Adem e Hamëz Jasharin, për Agim Ramadanin, për Jusuf Gërvallën, për Skënderbeun, për Kadri Zekën dhe për të rënët e tjerë në luftë për liri; shkruan për vuajtjet, peripecitë dhe sakrificat e shumta të nënës, e cila në shumicën e rasteve e simbolizon atdheun e robëruar. Poezitë më të realizuara patriotike janë: “Feniksi”, “Legjenda”, “Nëna”, “Varka e Noes”, “Ju thashë” dhe “Jam nanë”.   Një poezi e cila sa është patriotike aq është edhe meditative është poezia “Legjenda”. Në të shkruhet për sakrifikimin, gjegjësisht vetësakrifikimin e shqiponjës, e cila edhe pse e dinte se piromani do ta digjte Zabelin, nuk e lëshoi çerdhen që e kishte në at Zabel dhe u flijua. Çerdhja te kjo poezi simbolizon vendlindjen-atdheun. Pra u flijua për atdhe. Vetëflijimi, ky akt madhështor, kishte bërë që shqiponja të ngritet në qiell, të mos vdes kurrë, siç nuk vdesin martirët, ata që jetën ia falin atdheut, dhe ndonjë pjesë e mbetur nga trupi i saj (i shqiponjës) merr karakter hyjnor, siç ngjan në rastin konkret me puplën e kuqe, e cila me fuqitë e saja magjike mund t`iu gjendet njerëzve në momente krizash. Çështja e flijimit për atdhe trajtohet edhe në poezinë “Feniksi”, poezi kjo që i kushtohet atdhetarit, poetit dhe muzikantit të njohur Jusuf Gërvalla, kur Jusuf Gërvalla i vrarë nga serbët, ringjallet, shndërrohet në feniks, fluturon mbi lumë, çliron “Diellin e lodhur”, luleve ua kthen aromën, dhe shëtitë pa frikë, “herë në Alpe/herë në Kikë”. Pra idetë, idealet e tij liridashëse pas vrasjes depërtojnë edhe më shumë në mendjet dhe zemrat e bashkëkombësve të vet të të gjitha pjesëve të atdheut.
Në poezinë “Nëna”,  nëna dhe atdheu  janë një. Në një moment djali mendon për të kaluarën e nënës-atdheut, për vuajtjet, peripecitë, sakrificat dhe  vështirësitë e shumta nëpër të cilat ka kaluar ajo dhe e kupton se nuk ka qenë gjithherë korrekt, nuk ka pas mirëkuptim të bollshëm ndaj nënës, gjegjësisht atdheut. Andaj i gjejmë vargjet:

ma bën hallall
se t`kam bezdisur
s`kishe bukë për t`më dhënë
unë të lypja tambël zogu

Mesazhi është i çartë për ata njerëz të cilët dinë vetëm të kërkojnë nga atdheu, madje të kërkojnë gjëra të cilat nuk i ka, ndërsa nuk e dinë ose nuk duan ta dinë se ndaj atdheut kanë edhe obligime e përgjegjësi.
Për nga tematika e afërt me poezinë “Nëna” është edhe poezia “Jam nanë” në të cilën vjen në shprehje një mirëkuptim i plotë, një harmoni e plotë midis nënës dhe bijve të saj. Secili nga djemtë bën plane për ta bërë mirë e më mirë nënën: i pari për t`ia vizatuar fytyrën më të bukur, i dyti për ta ulë në fron, i treti për t`ia shëruar plagët. Por nëna ju drejtohet :
-faleminderit o engjëj
s`dua të jem as Monalizë as Kleopatër
mjafton që jam nanë

Pra nëna nuk ka kërkesa të mëdha, aq më pak të paarsyeshme ndaj bijve të saj. Te kjo poezi raportet midis nënës dhe bijve të saj janë ideale, të tilla çfarë do të donte të ishin jo vetëm autori por edhe të gjithë ne.
Edhe te poezia “Ju thashë” bëhet fjalë për një nënë të dëshmorit e cila e ka lind, e ka edukuar, e ka rritë dhe ia ka falë atdheut birin e vet. Edhe te kjo poezi nëna po aq sa është nënë është edhe atdhe. Ndërsa  poezia “Skënderbeu” i kushtohet kryeheroit tonë kombëtar i cili “në komunikim me zotin shqip fliste”.
Dy poezi autori ia kushton historisë së re, luftës së nderit, luftës që populli ynë në krye me UÇK-në e zhvilloi ndaj okupatorit serb. Janë këto poezitë “Kujt t`i besoj” dhe “Prometheu i ri”. Në të parën ai shkruan për heroizmin e Adem e Hamz Jasharit, Agim Ramadanit dhe të martirëve të tjerë, paraqet një mal faktesh se ajo luftë ka qenë luftë çlirimtare e jo ndonjë konflikt apo diçka tjetër siç përpiqen ta prezantojnë disa qarqe proserbe, ndërsa në të dytën e shpreh pakënaqësinë, revoltën ndaj akuzave që disa prokurorë të Tribunalit të Hagës i bëjnë ndaj heronjve tanë të gjallë dhe kuptohet e shpreh bindjen se ato akuza do të bien poshtë.

Lirika meditative


Në grupin e lirikave meditative hyjnë poezitë: “Varri im”, “Mashtrim”, “Lejleku asket”, “Biri im”,  “Dialog me yllin”, “Qeni”, “Më vrau buka” dhe  gjithsesi “Legjenda” e cila siç shkrova më lartë mund të renditet edhe te poezia patriotike . Në këto poezi, autori mediton, shpreh qëndrime ose dilema për çështje e fenomene të ndryshme që kanë të bëjnë me shqetësimet njerëzore, me besëtytnitë, legjendat, me vrazhdësitë njerëzore, me fatin apo fatkeqësinë, me problemet ekzistenciale, me të keqen njerëzore dhe pamundësinë e çrrënjosjes së saj etj. Në këtë grup do të mund të hynin edhe disa krijime të tjera të librit  të cilat i kemi radhit ndokund tjetër për shkak të gërshetimit të mendimeve dhe ndjenjave të autorit.
  “Varri im” është poezi mbi shqetësimin, ankthin, pagjumësinë, të cilat e kanë kapluar subjektin lirik, sigurisht të lodhur nga vështirësitë dhe traumat ekzistenciale që e kanë përcjellë njeriun tonë, para, gjatë dhe pas luftës. Në fund del mesazhi se njeriu duhet të bëhet i fortë, të mbrohet nga energjitë dhe mendimet e errëta të cilat mund t`i shfaqen në momente të ndryshme. Është punim që ka mjaft ngjashmëri me poezitë “Si ta mposht terrin” dhe “Macja e zezë” të librit “Në krah të shqipes”. Në Poezinë “Mashtrim” autori është tepër i pakënaqur me faktin se “ylli im ra n`gjumë / e unë po e pres shiun”  ose se “njeriu për njeriun është bërë ujk”, gjegjësisht nuk i beson yllit gënjeshtar se do të bëhet mirë, duke u shprehur:
si t`i besoj yllit që po tallet
kur zemra kallet
Hetohet këtu një rënie në pesimizëm, një zhgënjim i plotë.
“Lejleku asket” është një lirikë tjetër meditative. Në vjeshtë kur dallëndyshet janë nisur drejt jugut për t`i shpëtuar dimrit një lejlek ka vendosur të rrijë pranë lumit, ka vendosur të vetëmbytet, sepse korbi i zi
ia kishte ngrënë të dashurën
sytë ia kishte nxjerrë
andaj
    dimri do të vijë shpejt
e unë jam në hall
të rrijë me lejlekun asket
a të fluturoj me dallëndyshet
është dilema që e mundon subjektin lirik. Këtu lejleku e simbolizon individin i cili nuk mund të pajtohet me humbjen e njeriut më të afërm, ndërsa subjekti lirik nga dhembja që ka për të është në dilemë të rrijë me lejlekun, a të fluturoj me dallëndyshet edhe pse i di cilat janë pasojat e shoqërimit të lejlekut.
    Te poezia “Biri im” prindi ia bart tërë përvojën e vet jetësore, tërë dijen e vet pasardhësit, në mënyrë që ai të mund të përballet me vështirësitë që i sjell jeta dhe  të dalë faqebardhë. Prindi i flet të birit për të kaluarën, për vuajtjet, për sakrificat dhe për sukseset e arritura, por i jep edhe këshilla të urta popullore si:
    biri im
mos u dashuro në borën n`maje të malit
kur është ftohtë e s`ke dru pranë vatrës
e po ashtu e këshillon që të jetë vigjilent, sepse e keqja, tradhtia janë të pranishme dhe mund ta dëmtojnë. Te kjo poezi hetohet ndikimi i poezive të librit “Lum lumi” të Ali Podrimjes.
    Te poezitë “Qeni” dhe “Më vrau buka” bëhet fjalë për njerëzit jo mirënjohës, të cilët në vend se të mirën ta kthejnë me të mirë e bëjnë të kundërtën.
Lirikat më të realizuara meditative flasin për një autor i cili ka një përvojë të pasur jetësore, për një autor të cilin jeta e ka sprovuar me sfida të shumta, për një autor i cili ka përgatitje, frymëzim dhe aftësi për t`i shprehur ato.
   
Ndjeshmëria ndaj padrejtësive sociale


    Siç e theksova më parë autori në këtë libër me një ndjeshmëri të veçantë e shkruan edhe poezinë sociale.  E tillë është poezia “Luftëtari”, një vjershë plot dhembje kushtuar një luftëtari i cili iu përgjigj ftesës së atdheut dhe bashkë me të vëllain shkoi në luftë për liri. Vëllai iu vra në luftë, ndërsa ai i humbi gjymtyrët. Pas luftës atë e harruan të gjithë. E harruan edhe shokët e luftës dhe të idealit duke e lënë në një gjendje të rëndë sociale, në një gjendje kur nuk ka mjete as për t`iu ble libra e lapsa nipërve. Himnizimit të njerëzve që e organizuan dhe e bënë luftën në shumë poezi të librit të parë dhe në pak poezi të librit të dytë, te kjo poezi ia zë vendin kritika, zhgënjimi ndaj disa veprimeve tepër egoiste të disave prej tyre, të cilëve “lakmia ua verboi sytë”. Derisa bashkëluftëtarëve të tyre iu mungojnë edhe gjërat më elementare, disa nga heronjtë e vërtetë ose të shpifur, kanë bërë pasuri përrallore dhe nuk ia dinë skajin luksit.
    “Bardh e zi” është një poezi tjetër sociale, në të cilën bëhet fjalë për dy varrime. Te njëri kemi: fjalime, dekorata, lule, ndërsa te tjetri:
    një baba varroste dritën e syve të vet
    pa poterë pa xhematë me tre-katër vetë
    
    e unë do t`ia shkruaj epitafin:
    -këtu pushon një foshnje e paemër
që vdiq nga skamja
shkruan autori në vargjet e fundit të poezisë në fjalë.
Në grupin e poezive sociale mund ta renditim edhe vjershën “Zogu i qyqes”, në bazë të së cilës autori e ka titulluar librin. Në të trajtohet çështja e foshnjave të braktisura, çështje kjo shumë e ndjeshme dhe shumë e komplikuar, e cila është edhe problem social, edhe problem etik, edhe problem kulturor e dhe problem psikologjik, ku viktimë është krijesa më e pafajshme në jetë, foshnja e porsalindur. Autorin e prek në shpirt fati i foshnjave të tilla dhe e frymëzon për ta shkruar njërën ndër krijimet e tij më të bukura. Kjo poezi lejon mundësinë e interpretimeve të ndryshme, aq më tepër kur e dimë se në bazë të saj është titulluar libri si tërësi dhe në këtë kontekst, por edhe në bazë të poezive që e përcaktojnë filozofinë e librit, te të cilat shprehen botëkuptimet e autorit e veçmas te ato ku vjen në shprehje pesimizmi, pakënaqësia, revolta dhe zhgënjimi, mund të themi se kjo poezi e rrumbullakëson trajtimin e tërësishëm të raporteve midis nënës dhe bijve të saj të shtjelluar edhe në poezitë “Nëna” dhe “Jam nanë”. Derisa te poezia “Nëna” kemi rastin e sjelljes jo korrekte të bijve ndaj nënës, te poezia “Jam nanë” kemi raporte ideale midis nënës dhe bijve, te poezia “Zogu i qyqes” vjen në shprehje sjellja jo korrekte e nënës ndaj pjellës së vet. Titulli i librit, poezia që po e interpretojmë tani dhe disa poezi të tjera lejojnë mundësinë e konstatimit se edhe nëna në shumë raste është shumë jo korrekte ndaj disa bijve të vet. Nëse nëna e simbolizon Kosovën është një e vërtetë e hidhur se disa nga bijtë e saj janë lënë pas dore, janë përbuzë, ndërsa të tjerët janë favorizuar, apo më mirë të themi nëna për disa ka qenë nënë, ndërsa për të tjerët njerkë. Dihet qyqja nuk është nënë e mirë. Ky është një interpretim sipërfaqësor, ndërsa një interpretim më i thelluar na qon te përfundimi se disa nga bijtë e Kosovës nuk janë sjellë mirë as me vëllezërit e motrat e as me nënën e vet, asaj nuk i kanë lënë në dorë asgjë. Pra disa bijë të saj “e kanë marrë shtëpinë në dorë”, janë ba “zot shtëpie”, nënën nuk e kanë konsultuar për asgjë, ndërsa disa nga vëllezërit e vet i kanë lënë edhe pa mjete për jetesë, ndërsa vet i  gëzojnë të gjitha të mirat e kësaj bote. Pra nënës nuk i ka mbet në dorë asgjë dhe ajo nuk ka mund të përkujdeset për  shumë bij të vet, gjegjësisht Kosova është bërë pronë e një numri të njerëzve egoistë, gjersa të tjerët janë trajtuar sikur të mos ishin bij të saj.
    Elemente të poezisë sociale përmbajnë edhe vjershat: “Bohemi”e cila i kushtohet “njeriut të gëzimit, ahengut e shamatës” i cili nuk kujdeset as për familjen e vet, pastaj “Ndarja” në të cilën fshikullohet fenomeni i fejesave dhe martesave për interes dhe “Nipi s`dinte shqip” i cili e prek plagën e asimilimit të fëmijëve tanë në mërgim, kur gjyshit i cili me vite nuk e kishte parë nipin i duhet të flasë me të, me përkthyes.
   
Gjuha poetike – vlerësime


Sa i përket poetikës, sa i përket stilit, mund të themi se poezia e Baki Krasniqit e botuar deri tani në dy libra, të paktën krijimet e tij më të realizuara janë poezi simboliste. Andaj simboli është shumë i pranishëm. Krijuesi në fjalë simbolet i merr dhe ua përshtat ideve të tij krijuese dhe estetike, në përputhje me mundësitë e veta kreative. Ai shërbehet me një numër të madh të simboleve tradicionale të vjela nga mitologjia, nga legjendat shqiptare dhe greke, nga letërsia antike greke, nga letërsia jonë popullore, nga bibla dhe në përgjithësi nga fushat e ndryshme të dijes njerëzore, por edhe nga fenomenet natyrore. Në këtë aspekt po edhe në shumë aspekte të tjera shihet se autori e kultivon vazhdimësinë-kontiunitetin  nga krijimet poetike të librit të parë, në krijimet poetike të librit të dytë. Përveç te simbolet kjo hetohet në përgjithësi te leksiku i përdorur. Fjalët më të përdorura (që të shumtën e herave janë simbole) janë: shqipe, petrit, shpendkeqe, qyqe, korb i zi, piroman, pelegrinazh, varrë, eklips, flamur, gjak, nder, kob, gurë  terr, qen, mauzer, martinë, Zot, ankth, medet, nënë, diell, fole, dritë, dasmë, djall, lanet, demon, lubi, kuçedër, dragua, zanë, bjeshkë, shi, yll, re të zeza, gjarpër, e shumë e shumë të tjera. Përveç simbolit në këtë libër kanë gjet përdorim edhe: metafora, krahasimi, epiteti,  personifikimi, antiteza, alegoria, e edhe figurat e përsëritjes.
    Rima e cila ka qenë shumë e pranishme në librin e parë tani ka ardhur në shprehje më pak.
    Nëse i krahasojmë dy librat e Baki Krasniqit, duke u përpjekur të japim përgjigje për nivelin e tyre artistik, mund të themi se libri “Zogu i qyqes” qëndron pak më lartë se libri “Në krah të shqipes”.  Po qese i marrim poezitë më të bukura të librit “Në krah të shqipes”  siç janë: “Ndarja”, “Flamuri qefin”, “Si ta mposht terrin”, “Rikujtim motesh” dhe  “Kulla ime” dhe i krahasojmë me poezitë: “Feniksi”, “Zogu i qyqes”, “Legjenda”, “Nëna”, “Varka e Noes”, “Varri im” “Mashtrim”, “Jam nanë” dhe “Lejleku asket”, që janë poezitë më të bukura të librit “Zogu i qyqes”, arrijmë në përfundim se niveli i tyre artistik është thuaja i barabartë. Të paktën kështu më duket mua. Pra poezitë më të bukura të librit të dytë e arrijnë nivelin e poezive më të  bukura të librit të parë, por nuk e tejkalojnë atë. Megjithatë numri i poezive të librit të dytë që e kanë arritur at nivel, pra që hyjnë në fondin e krijimeve më të bukura të autorit është më i madh se te libri i parë. Të them se janë bukur të rralla rastet kur libri i dytë e mbërrin nivelin e librit të parë dhe në këtë aspekt duhet përgëzuar autorin.
     Në fund mund të them se Baki Krasniqi me librin “Zogu i qyqes” e ka pasuruar biografinë e vet krijuese, ia ka shtuar fondit të poezive të tij më të realizuara një numër më të madh të poezive se me librin e parë dhe  poezitë e tij më të bukura hyjnë në fondin e poezive më të mira të botuara nga anëtarët e klubit letrar “Nositi” dhe janë një kontribut në afirmimin kulturor të kësaj treve.


(Vota: 7 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora