E hene, 29.04.2024, 06:17 PM (GMT+1)

Kulturë

Tregim nga Leon Z. Lekaj

E hene, 07.09.2009, 07:33 PM


Leon Lekaj u lind në vitin 1955 në qytetin e Shkodrës. Në vitin 1974 mbaron Liceun Artistik për Muzikë, profesion, të cilit nuk arrin t’i gëzohet gjatë. I ati i tij, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë që prej themelimit të saj arrestohet dhe dënohet politikisht. Deri në vitin 1991 detyrohet të bëjë punë të rënda fizike. Pas rikthimit në vendlindjen e tij Shkodër, kryen fakultetin e Gjuhë-Letërsisë pranë universitetit Luigj Gurakuqi dhe me diplomimin e tij le atdheun për të emigruar në kryeqytetin helen, ku vazhdon të jetojë edhe sot.
Ka botuar mbas vitit 1991 në shtypin lokal dhe pas një heshtje të gjatë i paraqitet lexuesit me romanin “Shpirt i braktisur” ndërsa në vitin 2008 boton monografinë “Një Artist nën pentagrame të kryqëzuara”.
Shkruan kryesisht në prozë tek gazetat “Tribuna” dhe “Albania Press”të cilat botohen në kryeqytetin grek Athinë.


E folura

-Tregim-

Nga Leon Z. Lekaj


Në çastin që kameramani hyri në klasë, zhurma pushoi menjëherë, sikur një dorë magjike të kishte ushtruar pushtetin e saj të fuqishëm deri tek gëzimi i tyre. Mësuesja, një grua e shkathët, me ca sy të vegjël që i lëviznin shpejt, pasi porositi nxënësit, bëri një ndërprerje të vogël dhe iu drejtua njërës prej vajzave:
-Valbona, do të shkosh në shtëpi dhe do të marrësh një tufë me lule që t’i vendosim mbi tavolinë.
U duk sikur vajza u tremb prej zërit të saj. U mblodh në bankë dhe e shtrëngoi atë me të dyja duart, kinse ndokush do të kërkonte ta nxirrte me forcë prej andej. Hodhi sytë nga mësuesja dhe në çast e kuptoi që urdhri duhej zbatuar. Klasa kishte heshtur e gjitha. Kameramani ndiqte skenën me një palë sy ku dhimbja i shprehej qartë. Ai e dinte se kudo kështu ndodhte.
-Mësuese, të shkoj tani?
-Po.
-Të kthehem shpejt?
-Ik Valbona, i thuaj nënës që më dërgoi mësuesja!
Vajza u ngrit nga banka dhe me sytë përdhe iu drejtua derës. Kameramanit i ngacmoi shqisat e dëgjimit një fjalë tronditëse që kishte lidhje me tela me gjemba dhe galeri mistike, të cilën ai pothuajse nuk e haste askund në fjalorin gazetaresk. Buzëqeshi hidhur tek e zëvendësoi me shpejtësi duke e perifrazuar me termin aq të njohur “kamp riedukimi”. E kërkoi me sy fajtorin e pafajshëm, por nuk arriti ta gjente. Vazhdoi të bënte sikur rregullonte diçka në aparatin e vet, sepse nuk donte kurrsesi të përjetonte çastin e daljes përjashta të vajzës, por nuk ia mbërriti qëllimit. Kur u hap dera ai ra në kurthin e saj.
-Unë e di, -tha ajo me zë të ngashëryer, -kur të kthehem, ju do të keni ikur…
Pastaj një lot i rrëshqiti në faqe.
Atij iu duk sikur ai lot i pafajshëm udhëtoi drejt shpirtit të tij për ta plagosur rëndë. Përjetoi çastin e mbylljes së derës, përplasjen ritmike të hapave në korridorin e zbrazët dhe më pas u mundua të shkapërcente lëmshin që i gati i kishte bllokuar gjoksin. E ndjeu veten tek hovte pas vajzës, për t’i kërkuar ndjesën e domosdoshme asaj krijese të pafajshme, e më pas për t’iu betuar se nuk do të largohej pa ardhur ajo, por si të qe zgjuar prej një ëndrre poshtëruese tundi vetëm kokën pa thënë asnjë fjalë.
Kur erdhi ajo, kameramani nuk qe aty. As vetë nuk arrinte të kuptonte se përse duhej te qëndronte gjysmë i fshehur pranë një kabineti, të cilin ai nuk dite ta përcaktonte se i cilës lëndë qe. Prej andej ndiqte gjithçka. Valbona qëndroi për pak çaste në mëdyshje, tek pragu i derës, duke hedhur vështrimin herë nga tufa e luleve që mbante në dorë, herë nga vendi bosh, ku pak më parë qe  vendosur kameramani dhe herë në drejtim të mësueses së saj, sytë e së cilës qenë zbutur ndjeshëm.
-Ulu, Valbona dhe jepja mësueses lulet.
Vajza u tkurr sërish. Nuk tha asnjë fjalë, por as nuk zgjati dorën që t’i jepte lulet tjetrës. Klasa ndiqte e heshtur dialogun, dhe atë atmosferë të nderë, askush nuk guxoi ta prishte. Madje as ai zë anonim, i cili gati si vjedhas, kishte zënë në gojë fjalën e tmerrshme.
Pasoi vetëm një tundje koke e vajzës. Valbona kishte mohuar kështu atë çka mësuesja e saj i kishte kërkuar. E kishte shprehur atë mohim krejt e qetë, por pa fjalë, pa lot. Sytë e saj, të ngulura në vendin bosh të njeriut që ishte larguar, qenë gati të pajetë. Gjymtyra i qëndronte varur, diku poshtë trupit dhe lulet kishin marrë një pozicion vertikal me kokë poshtë. Kjo qe mëdyshja e saj e shkurtër. Dora e vajzës u hap dhe lulet u shkapërdanë për tokë. Më pas, hapi derën e klasës dhe doli. As që i dëgjonte lutjet e mësueses për tu kthyer mbrapsht. Në korridor u dëgjua ritmika e ca hapave të vegjël. Kameramani mbuloi fytyrën me dorë.


***


Atij nuk i kujtohej se sa vite kishte pa ardhur në atë qytezë të vogël. Madje nuk bëri ndonjë përpjekje për të saktësuar se kur kishte bërë filmimin e tij të fundit. Kishte zënë vend pranë tribunës dhe merrte e jepte me kamerën e tij. Poshtë, në bulevardin e gjerë, shtrihej një turmë e pafund njerëzish të zhurmshëm, të cilët ishin në pritje të oratorëve. Atij i vinin në vesh copëza sloganesh, parulla të ndryshme që qenë shfaqur kohët e fundit. Kur ata u shfaqën në publik, e drejtoi kamerën drejt tyre. Pastaj iu kthye turmës. E lëvizte objektin e tij ngadalë duke përdorur shpesh herë edhe “zoom-in” . Vetëm një flakërimë kohe, iu desh të ndalej.
Diku i kam parë këta sy, mendoi gati padashur me vete. E riktheu objektivin sërish atje, ku tashmë ato shqisa shikimi ia kishin tërhequr si me magnet kamerën.
Diku i kam parë, dreqi e mori, përsëriti me vete.
U tendos i tëri tek ajo fytyrë e bardhë, gati engjëllore. Dhà e mori me kujtesën dhe iu desh përkohësisht të hiqte objektivin që andej. Toni i oratorëve qe ngritur mjaft, si të donin t’i kujtonin se kishte ardhur aty për të tjera gjëra. Sidoqoftë nuk mundi t’i largohej dot tundimit. E ktheu prapë objektivin dhe në mesin e njerëzve e kërkoi me ngulm. Kur fytyra e saj i zuri gjithë ekranin ai bërtiti gati me zë të lartë:
-O Zot i madh, janë po ata lot.
Tashmë nuk mund të bënte asgjë që t’i ikte atyre syve. I kishte përpara vetes, i ndjente pulitjen e qepallave, i ndiqte lëvizjen e dorës tek largonte tufën e flokëve dhe befas u ndjè i lumtur.
Do të dalë një kronikë kryevepër, tha sërish me vete.
Ende pa mbaruar mitingu, ai i kishte mbledhur të gjitha pajisjet e tija. Një ide e çmendur nuk po e linte për asnjë çast të qetë. Vetëm kur fjala falje i pushtoi trurin e mpirë prej atij kujtimi të hershëm, u ndjè i qetë. Do ta ndiqte pas. Do t’i thoshte ato fjalë që nuk i kishte thënë atëherë. Do mundohej ta bindte se ai qe një fajtor i pafaj dhe se nuk mund të bënte kurrsesi ndryshe. Do t’i...
Shpejtoi hapat. Mitingu kishte mbaruar dhe ai rrezikonte ta humbiste në gjithë atë turmë të harbuar njerëzish, që vazhdonin ende të ishin nën efektet e premtimeve të oratorëve. E pa të hynte në një lulishte. Iu vu pas. Nuk pyeste aspak për çudinë e njerëzve që e shihnin me dyshim. Kishte vetëm një qëllim. Ta mbërrinte me çdo kusht vajzën. Ndryshe nuk do të mund të çlirohej dot. Nuk mund të kalonte net pa gjumë si atëherë. Nuk mundte.
Vajza ecte shpejt. Ngjitën një të përpjetë, pastaj ajo iu drejtua një shtëpize përdhese. Ai i shkoi pas. Kur atë e përpiu dera e madhe, kameramani mbeti për një flakërimë kohe në mëdyshje. Por pak. Fare pak. Fjala që aq kohë e kishte munduar gjatë gjithë asaj kohe iu bë malcim. Trokiti lehtë dhe para tij u shfaq një grua:
-Urdhëroni brenda!
U ndjè i lehtësuar që nuk iu bë asnjë pyetje. Por edhe ai kishte mbetur. Nuk dinte se çfarë të thoshte. Si t’iu a shpjegonte atyre njerëzve të mirë ardhjen e tij aty?
Në çast në dhomë hyri një burrë.
I ati, mendoi me vete kameramani.
I porsaardhuri i zgjati dorën dhe i uroi mirëseardhjen dhe me ton të butë porositi gruan t’iu bënte nga një kafe.
-Në asnjë mënyrë, -kundërshtoi ai. Ngutem shumë, ndoshta një herë tjetër. Sot kam ardhur për tjetër gjë...
Atij iu pre fjala në mes. Në kuzhinën e vogël që shërbente edhe si sallon pritjeje kishte hyrë vajza. Të dy mbetën për një çast të eklipsuar prej shikimeve të tyre. Ajo qëndronte në këmbë, përballë tij, sikur priste atë fjalën magjike, e cila do të shkrinte më pas akullin që kishte pushtuar atmosferën përreth. Pastaj tha me zë krejt të mekur:
-Ju kujtohet lulet?
Pasoi një britmë e gruas dhe e burrit. Nga dhoma tjetër hynë me shpejtësi edhe dy njerëz të tjerë. Kameramani nuk po arrinte në kuptonte atë që po ndodhte. Tashmë lotët, ato lot që e kishin prurë atë deri aty, qenë transferuar befas në fytyrat e të pranishmëve të tjerë.
-Çka ngjarë, iu lutem? –pyeti ai gjithnjë dhe më i hutuar.
Fillimisht askush nuk u mor me të. Ai mjedis aq i varfër qe i mbushur me britma gëzimi.
-Ç’ është, ju lutem, më thoni diçka!
-Ajo foli, -iu përgjigj burri, -e kupton se çfarë do të thotë kjo?
Të gjithë kishin rrethuar vajzën dhe po e mbulonin me të puthura.
Gruaja, që i kishte hapur derën, iu afrua dhe i tha:
-Të na falni, por Valbonës iu bë kaq kohë që nuk thotë asnjë fjalë...nuk flet, që prej një dite...kur...
Zëri i gruas filloi të dridhej. Kameramani nuk po e dëgjonte më tjetrën. E pa t’i afrohej së bijës. Atë çast të gjithë qenë bërë njësh dhe bërtisnin me zë të lartë dhe ai, se përse u ndje i tepërt në atë mjedis. Hodhi çantën në krahë dhe doli jashtë. Askush nuk e ndjeu.
Aq më mirë, mendoi.
Prej shpirtit i doli një psherëtimë lehtësimi.


(Vota: 3 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora