E diele, 28.04.2024, 08:16 AM (GMT+1)

Kulturë

Cikël poetik nga Hasan Qyqalla

E marte, 08.09.2009, 07:22 PM


Hasan QYQALLA  u lind më 8 janar 1961 në Bardh të Madh, komuna e Fushë Kosovës.Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, të mesmen në Prishtinë, ndërsa studimet në degën Letërsi dhe Gjuhë Shqipe i mbaroi në Fakultetin e Filologjisë në Prishtinë. Me shkrime merret që nga viti 1976, kur botoi  poezin e parë në revistën "Shëndeti"!  Ka botuar në shumë gazeta e revista të kohës. Herë pas here ka bashkëpunuar edhe me mediat vizuale. Që nga viti 1993 jeton dhe vepron në Brol, afër Bonit në Gjermani. Gjer më tani ka botuar "Dua të vdes shqip" botuar nga "Spektri" , Prishtinë 2004; "Robi i Lirisë" botuar nga "Mërgimi A&B", Biblioteka "Salloni poetik"  Tiranë-Prishtinë-Gjenevë 2007,; "Prekja e ëndrrës" botuar në  "Globus R", Tiranë 2009, si dhe ka dy përmbledhje në shtyp, dhe një roman. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.
 
"Në shenjë respekti për më të dashurit që më rritën me sakrificë,më edukuan me dashuri kombëtare,ngrohtësi atërore, prindërve Hanumshahe e Hasim Qyqalla..."
 
BARDHIT
 
Zog bilbil i këngës së re,
Fluturimthi në qiell këndon
Shpirt shtegtari i uritur,
fushë ograj kot gjurmon.
 
Lë shikimet të marrin udhë
Ajër mëngjesi plot ngrohtësi
Si i huaj befas "prekem"
shifër "X" në t'imen çati!
 
Molisë ulem pranë kalasë
bri lumit në Bardh
S'është gënjeshtër as trillim: s'ka bari
...Pse kam ardh?
 
Bardhi im a më bekove
unë të këndova në çdo stinë
Lë përbuzjen më premto:
Jeta në ty është me florinjë.
 
MALL PËR NËNËN
 
Ulur buzë lumit Rajnë nën hijen e lisit plak
m'përshkon mall për Bardhin, për vatrën
Dy lot që më pikojnë vala vrullshëm përlan
T'i dërgoj në atë prehër, ku qava për herë të parë.
 
Mos u ndjej e vetmuar Nënë, lule e dashur
Shumë kam për të thënë,shkruar e kënduar për ty
Mezi na rrite ne femijët,me ninullat gjuhë bukur
Të kam më të dashurën,të vetmen në gjithësi.
 
Dhe kur të marrësh saçin për fli a pogaçe
Më kujto fëmijërinë, më uro si dikur fat
Kur më dhurove Abetaren the: s'do bëhesh rrugaç
Eh, valët e jetës ç'më përplasën këtu n'mëkat.
 
Gjithë jam krenar për ty Nënë jetë-gjata
S'turpërohem të qaj nga  malli që kam për ty
Kur t'vizitoj vij me mëngjesin, kur ik bie nata
Tani ke shumë të fala nga djali yt mërgimtari.
 
SHPRESA VDES E FUNDIT
 
Seç më the këtë urti,filozof a njeri urtak,
I kripur nga klasikët, i brumosur me art.
Bisedojmë për histori kombi, iliri e letërsi,
Kulla,oxhaku,oda! traditë fisi, krenari.
Këmbanë për këngë burrash, zile për fëmijë
Për shkollën shqipe,kult- Flamur e benikëri.
Seç më the këtë urti, filozof a njeri urtak,
I kripur nga klasikët, i brumosur me art.
Këndove këngë Kosove, përmallshëm në lartësi
"Shpresa vdes e fundit", paragraf pa melodi.
 
BETOHU
 
Betohu në shpatën e Kastriotit
në plisin e dadë Shotës
në Flamurin e Plakut të Vlorës
në Alfabetin e Manastirit
në dashurinë e Nënë Terezës.
 
Betohu në indexin e studentit
në urtinë e Anton Çettës
në Kanunin e Lekës
në trimërinë e Pajazitit
në pushkën e Jasharajve...!
 
Betohu në Krisht
në një Zot betohu shqip.
 
Flakë gjaku me Besa-Besë
Vetëm shqip dua të vdes...
 
SYTË E EVGJENISË
 
Sytë e tu, moj Evgjeni, i takova vetëm në letër
E buzëqeshur me mimikë: arshiki e kohës së vjetër.
U bëre këngë e pakënduar, zure vend në vargun tim
Shpirtbardhë e padjallëzuar, plagë m'u bëre në mërgim.
Kur të ndjehesh e trazuar,ik në kopsht kërko qetësi,
Engjëllushë a Doruntinë, urt lexo këtë poezi... (Është vetëm një pjesë e kësaj poezie)
 
GJURMË BEQARIE
 
I harrove këngët e shkruara
në çdo muzg me kokë n'dritare
Duke m'pritur lehtë këndoje
Princ a  çun...dash'ni beqarie.

Poezi nga përmbledhja " Dua të vdes shqip"
 
TA BËJMË SHQIPËRINË...
 
Atje ku bebzë e Tokës buron gjak
atje ku Besë e Flamur, n'arkë, n'miqesi
Atje ku n'bisht ngreh kokën bajlozi plak
Krenarisht ajo Tokë quhet Shqipëri...
 
Atje ku janë ndërtuar kullat Dardane
Bajraqet ngritur lart në atë Troll
Loja e fëmijëve në gjuhën Iliriane
Atje ajo Tokë, quhet Kosovë...
 
Atje ku fushëmejdanet kundërmojnë barot
ku "kali i trojes" merr turr e vrap
ku loket përkundin djepat me këngë e lot
ajo palcë Tokë e uruar, Kosovë quhet prap...
 
Atje ku ëmbël përkdhelen valët e detit
ku Nora e Kelmendit shkroi "parahistori"
Atje ku Oso Kuka, n'krye t'arbanasëve të kepit
derdhi gjakun shqip, vetëm për Arbëri...
 
Atje ku flasim, qajmë e qeshim edhe sot
ku u mbajt kongresi n'palcë t'Manastirit
Bilbilat e kombit n'akord me gaz e lot
N'abetare të shkruhet kjo Tokë është Iliri...
 
Atje ku sot pallen bijtë e Helen-usit
edhe ai Dhe është i shqipeve Çamëri
për ne tash vjen treni (ndoshta) i fundit
Unik në një Truall, ta bëjmë Shqipërinë-SHQIPËRI!
 
NUK DIGJEM
 
Mos ma prej gjuhën
Mos më kall ëndërrat
Mos më shaj gjakun
Mos më shkel pragun
Mos më fyej Nënën
Mos më vrit pas shpine
Kam betim në BESË

Nuk digjem kurrë...!
 
KOSOVË, FJALA IME E FUNDIT
 
Të takoj në Botën e Dreqit
Me samar të thyer
Flladit të mëngjesit
Ku mrizon Zanë e Malit
Kosovë: Histori në labirinth
Peng i dashurisë
Gaz i fëmijëris
Pshertimë e nusërisë
Ofsham e burrëris
Kosovë: fjala ime e fundit
Kosovë: Fjalë e bekuar
Burim i pashuar
Kullë, tirq e plis
Kronik e shkruar në fis
Kosovë: ftesa e unit
Kosovë: fjala ime e fundit.
 
NUK MË KUJTOHET
-nuk më kujtohet si vdes Njeriu-
 
Prehem në shtratin e Jusuf Gërvallës
Lexoj biografinë e popullit tim
Mësoj autoktonin e Fisit tim
Vasha bënë pajën e nusërisë
Mbyllë në Kullë
Pa e njohur fare Jusufin...!

Njëmijë përshëndetje shkarravit fëmiu
Nuk më kujtohet si vdes Njeriu...!!!
 
PENG DRENUSHE...
 
Më magjepsin sytë ngjyrë gri
Kur shëndrisin thyejnë kristal
Lisin çan dhe një shkrepti
Det as bjeshkë nuk më ndal!
S'jam langua,Satan nën urë
Hipokrat n'shkenca të mjekësisë
Varg Fishte, Curr n'shpell guri
Peng Drenushe pas magjisë...

Treten ndjenjat në vegim
plagë m'u bëre në shtegtim!
...dhe e thellë sa thellësi Deti
...dhe e rëndë sa peshë Kurbeti.
 
ATËBOT
(V.Zhiti)
 
Atëbot që Ti n'burg dergjeshe
Prangosej shqipja kosovare
Kur me miza dheu zgjoheshe
Kot të pres n'parvaz dritarje...
 
Të dallgëzonin muret e çelisë
Ku do varë shandanet mbrëmë
Kot i bie mbi bjeshkë borisë
Tej-këtej burg, kurrë s'u pamë!!!
              
-poezi nga përmbledhja "Robi i Lirisë"
 
NJOHJA ME ELIN NGA ÇAMËRIA
 
Jam molisur nga udhëtimet e gjata
N'pritje të këngës Çamëria shurdhër fle
Unë thyej kufi shtetesh e futem n'atllase
Më thuaj ku të lashë? Të pyes ku më le?
Me vizën e kuqe n'indexin e kaftë
Për disa muaj do të çmallemi në valë
Ty çame e njomë, heu vesa mos të raftë
Shqip kur më pyete:"Si të thonë, or djalë?"
Unë emër orienti,ti paksa Helenase
gjurmonim rrënjët në buzë të detit,
_Jam deg' e degdisur,-the,-s'jam Kretase
_Shikim' i parë si goditje e tërmetit.
 
Tok takuam Nolin në teatrin antik
dramë arvanitase luante çuditërishtë
loti i vakët mbi faqe të rreshqet
kodi i gjakut foli arbërisht...
 
U njohëm të vuajmë,apo kush na ndau
Ti ngele n'ishull, unë kthyer n'atdhe
U dogjën dhe letrat, syri shqip qau
S'më kujtohet ku të lashë, apo ku më le!?
Mbaje premtimin me forcën e dëlirësisë
Letrat malluar si rërë e zhuritur
Ruaje emrin tënd Eli e Çamërisë
E yllta ime, gjak e pashprishur!
 
Atje do të vi prapë në një ditë gushti
Trageti i fundit do më sjellë në Kretë
Do të gjej gjurmët në hirin nga prushi?
Apo vetmin të zgjoj në plazhin e shkretë!
Nëse më pret diku,pse këte s'ma the
Nuk di që të lashë,nuk di që më le
Nëse më lexon, të lus për një FTESË
Çamërishtë më fto kurrë të mos vdes!!!
 
BLIRËT E QYTETIT TIM
     -Prishtinës sime-
 
Në gjeth bliri thura ditarin
Tek nën hije prisja fatin
Me gjurmët e lëna në trotuar
 
Aty shkela në kalldrëmet e vjetra
aty shijova udhët e ngushta
aty u shoqërova nga dritat e neonit
dhe u përkdhela nga fjalët e Zotit.
 
Aty më shoqëroi bliri i qytetit tim
Prishtinës
Bliri i lashtësisë
Aty ndoqa rrënjët e gjuhësisë.
 
Mes blirit e territ
preka natën e tmerrit
zhgënjimin e shpresës
vlimin e damarit
nyjen e Besës
Në plisin e plakut
me një abetare
mbi kullën dardane
Qëndisje e flijim.
 
Unë e bliri i fatit tim
ruajmë një kujtim
Të zogut e të pushkës
Të zgjmit e të luftës.
 
Prishtina më pret
më zgjon
prapë me aromë bliri
edhe pse lodhur e tharë nga malli
frymova thellë
Thellë në Liri.
 
PREKJA E ËNDRRËS
 
Sot nuk kërkoj aromë lulesh
as lakmoj retë qiellore
as kërkoj ndihmë shenjtërish
 
Sot le të mos vijnë yjet,
as rrezet e hënës
se s'bie më terr në Kosovë
 
PREKËM
     ËNRRËN!
 
Sot Kosovë e Pavarur
është vet dielli i rilindur
dhe unë shtetasi i saj shqiptar.
 
Pavarësi e Kosovës
Prekja e ëndrrës së brezave
Qarkullimi i gjakut në deje.
                   
17.02.2008.

               - poezi nga përmbledhja "Prekja e ëndrrës"


(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora