Kulturë
Baki Ymeri: Baladë e përflakur / Flammande ballad
E merkure, 09.09.2009, 07:56 PM
Baladë e përflakur / Flammande ballad
(Antologji poetike në gjuhën shqipe dhe suedeze)
Nga Baki Ymeri
Balada e përflakur është pregaditur në Suedi dhe e ka parë
dritën e botimit në Bukuresht, në sajë bashkëpunimit ndërmjet shqiptarëve të
Suedisë me Bashkësinë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë. Autor i antologjisë:
Sokol Demaku. Redaktor i lëndës në gjuhën shqipe: autori i këtij shkrimi. Redaktor në gjuhën suedeze:
Sven Esselius. Në bazë të parathënies (Ura e Shëndetit) kuptojmë se fjala është për një album i ri që lumturon
lexuesin dhe një grup autorësh që kanë fat ta dëgjojnë me zërin e shpirtit se
si tingëllon vargu i tyre në gjuhën dashurisë ndaj artit poetik! Balada e Sokol
Demakut është libri i parë i një zhanri të këtillë që del në gjuhën shqipe dhe
atë suedeze. Autori ka zgjedhur dhjetë autorë nga trojet etnike dhe diaspora
shqiptare, duke i rikënduar disa nga perlat e tyre edhe në gjuhën e një populli
të urtë e të mençur që ka hapur portat e mikpritjes edhe për etnosin shqiptar.
Duhet thënë në këtë kontekst edhe ajo që dihet, shihet dhe ndjehet: se lirika shqipe është shprehja e jetës
sentimentale, sociale, patriotike dhe mendimtare të një populli të lashtë që ka
ditur t’i bëjë ballë jetës dhe sfidave të saj.
Rëndësia
e përkthimit në gjuhë të huaja ka qenë, është dhe do të jetë nevojë permanente
për t’i treguar botës se jemi ata që kemi qenë, një popull fisnik që respekton
artin, gjuhët dhe popujt, një popull trim dhe besnik që din të krijojë edhe
vlera artistike. Përkthimi është një domosdoshmëri permanente që e përforcon
urën e shëndetit duke krijuar miqësi, duke afruar gjuhë, kultura, vende e
popuj. E kemi thënë dhe vlen ta
përsërisim se gjuha e Europës është përkthimi i gërshetuar me admirim dhe
dashuri. Balada e përflakur është drita e dashurisë, besa, qëndresa dhe
shpresa, dallgët e durimit dhe flatrat e fluturimit. Këtë do ta vëreni edhe
vetë duke fluturuar me kuajt e erës përtej detit, duke e përjetuar mërgimin si
një dhurratë ekzistenciale për ta mbajtur gjallë shpirtin tënd atje ku ke lerë.
Vargjet e zgjedhura në këtë album poetik janë perla lirike të mbrujtura me dritën e dashurisë. Fjalë të zjarrta, elegji të turbullta, ndjenja të çiltërta, ëndërra të paskajshme, betime hyjnore ndaj gjakut të kuq në flamur dhe shqiponjës së zezë në Kosovë. Kosova dhe flamuri i pavarësisë, guri dhe flamuri, besa dhe shpresa, fate të harruara, ëndërra të vrara, gjaku i lirisë, janë disa nga titujt dhe subjektet e kësaj vepre me vlerë. Autori ka zgjedhur një numër të përkufizuar autorësh, edhepse numri i tyre është i shumëfishtë. Kjo është e drejtë e çdo autori, siç është e drejtë e historianëve të letërsisë, për të krijuar projekte të ngjashme, për prezantimin e lirikës shqipe në të gjitha gjuhët e botës.
Struktura e librit
Kjo vepër e re e e Sokol
Demakut strukturohet në dy pjesë. Në kapitullin e parë jepet lënda me shënime
për autorët në gjuhën shqipe, ndërsa në kaptinën e dytë ajo në gjuhën suedeze.
Në faqet e saj defilon Adnan Mehmeti (Kosovë/SHBA) me Me kuajt e erës
përtej detit, Buzëqeshja e lumit Misisipi, Vjeshta në Lufkin, etj., Bahtir
Latifi (Kosovë/Suedi) me poezitë Për Ty,
Koha apo ne, Jeta, etj., Bajame
Hoxha (Shqipëri/Belgjikë) me vjershat Dy pika loti, Vargjet e mia, Dua, etj., Baki Ymeri (Maqedoni/Rumani) me
këngët Perla e poetit, Erotika, Mjaltë, etj., Bilall Maliqi (Lugina e
Preshevës) me poezitë Fjala e zjarrtë, Si në vargjet e poetit, Elegji e
turbullt, etj., Hamit Gurguri (Kosovë/Suedi) me këngët Guri dhe flamuri, Agu i
bardhë, Betimi i Kosovës, etj., Ibrahim Abedini (Maqedoni/Suedi) me poemat Ëndërr pa fund, Lutje erës,
Fate të harruara, etj., Nehat Jahiu (Maqedoni) me vjershat Tek kjo tokë, Gjaku i
lirisë, Ja këtu, etj., Sokol Demaku (Kosovë/Suedi) me poezitë Kënga shqip,
Nënëlokja, Jeta, etj., Shuquri Sejdijaj (Kosovë/Suedi) me këngët Ku ta gjej,
Gjurmë, Për liri, etj. Në fund jepet edhe një portret për redaktorin e lëndës
në gjuhën suedeze.
Sven Esselius (famullitar)
dhe admirimi i tij ndaj kombit shqiptar
Kam lindur më 1941 dhe jam rrritur në Borås. Që më 1958, pas punës
verore që kam bërë me leket e fituar, kam ble një radio dhe më 1959, edhe
një magnetofon. Këtu më lindi dëshira dhe hobi për muzikë dhe për jetën. Unë
tashmë kisha luajtur me piano dhe trombë për shumë vjet. Por jeta ime është
jetë prifti. Unë jam shugurue prift në katedralen Skara, më 1970, ku tërë jeten
kam punuar si prift, por nga këtu më ka lindur dëshira që të merrem me punë
radioamatori, respektivisht të punoj me radio lokale. Në atë kohë, unë dhe
gruaja ime kishim katër fëmijë. Ndërmjet viteve 1970-1988, vendin e shërbimit e
kam pasur në Borås, në vendin tim të lindjes. Më 1985, në Borås, në Famullin
Caroli, fillova të ndërtoj një studio për të transmetuar Tubimet Kishtare ne
radio. Në të njëjtën kohë, Kisha e Suedisë në Borås kishte një detyrë te
rëndësishme për të ndihmuar refugjatët dhe emigrantët. Gruaja ime punonte si
mësues e anglishtes me të huajt dhe kështu edhe u ndihmonim ne atyre në jetën e
përditshme.
Në këtë kohë, në studion e
radios së Kishës transmetonin programe në arabisht dhe në gjuhën asiriane, por
programet kryesore ishin në anglisht dhe në finlandisht. Kur unë, si i
sapopensionuar disa vjet më parë pashë një artikull në Borås Tidning, se si një
klub shqiptar kishte filluar emitimin e një programi radioje në gjuhën shqipe.
Në atë kohë, unë kisha gati 15 vjet përvojë si një gazetar i radios dhe një
inxhinier i tingullit në radio. Asokohe unë u njoha me shqiptarët e panjohur
për mua dhe menjëherë krijuam një kontakt të mirë. Për këtë them se ishte
lumturi për mua kur takova Sokol Demakun dhe miqët e tij, që edhe tani punojnë
në Radio Dituria. Së bashku punojmë dhe sajojmë një program relaksues për
shqiptarët në Sjuhårad. Kështu që unë kam mësuar shumë gjëra në lidhje me
shqiptarët, kulturën gjuhën, traditën, dhe kam marrë vesh se ata janë kudo, se
ata jetojnë në Shqipëri, në Kosovë dhe në të katër anët e botës.
Për mua ka rëndësi të veçantë përvoja e dhimbshme që shqiptarët kishin,
si në kohët e tashme, por dhe për disa shekuj më parë. Unë nuk flas shqip, por
tani unë e di se çfarë është gjuha që shqiptaret flasin. Takimi me
shiqptarët për mua është një kenaqësi e veçantë. Jam shumë i gëzuar që më është
dhënë rasti të bashkepunoj me këta njerëz të mirë, këtu në Radio Diturinë, por
edhe në manifestimet tjera të cilat i organizojnë në qytetin tim, që tani është
edhe i tyre. Kisha të cilën unë e kam
perfaqësuar, por edhe unë vetë, kemi qenë shumë të intersuar që të njihemi me
kulturën, traditën dhe ritet fetare të ketyre njerëzve shpirtmirë. Dhe
besoj se ia kemi arritur, gjë që dëshmon se ne sot jemi miq.