E shtune, 04.05.2024, 03:46 PM (GMT+1)

Kulturë

Mazllum Saneja: Poet i epokës

E merkure, 09.09.2009, 07:25 PM


POET  I  EPOKES

Nga Mazllum SANEJA

         Kur u lind Çesllav Milloshi (më 1911 në Shetejnjama, nënprefekturë e Kiedanit në Lituani) u regjistrua në librin e ofiqarit  me alfabet rus, sepse Principata e dikurshme e Madhe e Lituanisë ishte atëherë provincë e Perandorisë Ruse.Asokohe perandori rus sundonte pjesën më të madhe të Polonisë, ku një pjesë e mbante nen sundimin e vet Gjermania dhe një pjesë Austria.
        Në veprën e tij „Evropa e Lindjes“ që u botua në shumë gjuhë të botës me një titull tjetër „Evropa tjetër“, Çesllav Milloshi përpiqej që t’i thoshte diçka njerëzve të Evropes Perëndimore për vendet dhe njerëzit e Lindjes,që në të vërtetë i përkasin Evropes, që edhe sot e gjithë diten nuk dinë as nuk dëshirojne t’i kuptojnë.
        Ja, kjo ishte dhe është ajo vendlindja e poetit, Lituania. Në shtetin e përbashkët polak-lituan, ajo që është konsideruar si aristokraci ishte polake, derisa gjuha polake ishte gjuhë e kulturës. Në qytete gjuha e folur ishte polonishtja, gjermanishtja, hebraishtja, ukrainishtja. Stërgjyshërit e poetit qysh në shekullin  XVI e flisnin polonishten.
      
Çesllav Milloshi
Çesllav Milloshi
Çesllav Milloshi studioi në Vilnë, në Universitetin e famshëm „Stefan Batori“, që ishte njëri nga universitetet më të lashta në këtë pjesë të Evropes. Asokohe Polonia ishte e rindërtuar,nderkaq, e rindërtuar dhe e pavarur ishte edhe Lituania, po rrethi i Vilnes i takonte Polonisë. Në Lituani, ndërkaq, u lind edhe prijësi dhe rindërtuesi i shtetit të Polonisë, Juzef Pilsudski. Asokohe Vilna përjetonte një lulëzim të jashtëzakonshëm, e veçmas Universiteti i Vilnës. Nuk duhet harruar se, në këtë universitet studiuan poetët e mëdhenj polak të shekullit XIX: Adam Mickieviç, Jul Sllovacki,Juzef Krashevski,Vincenti Pol e shumë të tjerë.

       Ndërkaq, në mes të dy luftërave, në Vilnë, veprimtarinë e vet letrare e zhvilluan grupi mjaft i talentuar i poetëve të rinj, ku shquhet Çesllav Milloshi. Ishte kjo një kohë e lulëzimit të bujshëm e avangardes poetike si Çesllav Milloshi, Juzef Çehoviçi, Jezhi Zagurski e ndonjë tjetër.
       Çesllav Milloshi kohën e okupimit  e kaloi në Varshavë, duke marr pjesë në lëvizjen e rezistences.Asokohe ilegalisht botoi antologjinë „Poezitë e pavarura“. Gjithnjë shkruante. Asokohe ai boton vëllimin poetik „Shpëtimi“(1945) dhe, me këtë vëllim do të rradhitet ndër poetët e parë më të mirë polak. Është pritur se vëllimi poetik „Shpëtimi“ do të ngërthej poezitë me motive politike dhe antiluftarake. Ndërkaq, poeti nuk shtroi këtu vetëm këtë tematikë .Këtu duhet vënë në spikamë se poeti u rrit dhe u edukua në një mjedis, ku kultivohej mirëkuptimi dhe toleranca.Çesllav
Milloshi – dëshironte qysh në vitet e luftës t’i kundërvihej urrejtjes. Kështu më 1943 krijoi ciklin e poezive lirike „Bota“, njëra nga veprat poetike me mahnitëse në poezinë polake.
         Tmerret e luftës dhe urrejtjen, Çesllav Milloshi i mposhti me liriken e vet të butë dhe magjepsëse dhe dashurinë.Errësiren e okupimit  të këtyre poezive e mposhtin idila arkadike e fëmijërisë së lumtur dhe peizazhet e bukura të natyres lituane. Çesllav Milloshi , sipas programit nuk deshi të shkruajë lirikë luftarake në kohen e luftës. Disfatat në luftë që pësonin polakët në muajt e parë, lënë gjurma në shpirtin e shqetësuar të poetit. Tragjeditë e luftës sa vinin e shumezoheshin. Kështu ndodhi që para festës së Pashkëve, më 1943, fillon kryengritja e Hebrenjve në geton e Varshaves. I gjithë ky imazh i tmerrshëm  do të përfundojë me masakrën e tmerrshme, derisa getoja e dikurshme mbeti një grumbull i gërmadhave. Poeti do t’i kushtojë një poezi tronditëse  kësaj tragjedie të jetuar. Është kjo poezia „Campo die Fiori“, ku djegien e Xhordano Brunos  në turrë drush në Fushën e Luleve në Romë, poeti e krahason me shkatërrimin dhe asgjësimin e Hebrenjve të rebeluar në zemër të Varshaves, i cili me hidhërim vështron indiferencën e njerëzve të rëndomt kundruall vdekjes së huaj.
         Ndërkaq, një vit më vonë, në gusht të vitit 1944, shpërthen kryengritja e Varshavës, ku një rini e tërë heroike polake do të bien në luftë karshi një makinerie të armatosur gjermane, ku Varshava do të shndërrohej në një gërmadhë të madhe. Karshi kësaj tragjedie Çesllav Milloshi pacifist nuk mund të hesht. Atëherë ai do të shkruaje poezinë  programatike:“Shpëtimi“ :
         
Ty që nuk munda të shpëtojë
         Dëgjomë
 
         Çfarë është poezia që nuk shpëton
         Popujt as njerëzit ?

         Poezinë e mirë që e dëshirova duke mos ditur
         Se vonë e kuptova aktin e saj shpëtimtar,
         Vetëm kjo është shpëtimi.

Atëherë do t përfundojë edhe ciklin e poezive tronditëse „Zëra të njerëzve të mjerë“ që është një dëshmi e hidhur e atyre viteve të vdekjes dhe krenarisë, po edhe të një dobsie dhe pafuqie njerëzore. Dhe me të drejtë shkruan kritika letrare polake  se, vëllimi i parë poetik „Shpëtimi“ deri më sot mbetet një nga monumentët më të ndritura të artit poetik.
             Ndërkaq, në vitet e pasluftes, Çesllav Milloshi ishte në shërbime diplomatike të Polonisë së re deri më 1949 në Vashington, pastaj deri më 1951 në Paris. Më vonë, Çesllav Milloshi ndërpren marrdhëniet me qeverinë e vet dhe, kalon në emigracion. Një kohë ishte i angazhuar gjallërisht në luftë kundër stalinizmit, shkroi polemika dhe pamflete të ndryshme. Librat më të rëndësishëm nga kjo fushë janë romanet „Mendja e robëruar“ (1953) dhe „Pushtimi i pushtetit“(1953). Këtu vlen të theksojmë se, kalimi në emigracion i solli Çesllav Milloshit ndërlikime të mëdha , sepse qarqet intelektuale të Evropës Perëndimore e priten me një mosbesim ekspresiv , madje dhe me urrejtje, duke e konsideruar kinse si agjent të Stalinit dhe renegat.Kështu me vonë derisa ishte në Francë (1948-1956) tërhiqet krejtësisht në vetmi dhe, i përkushtohet letërsise. Nuk  deshi  të vë kontakt as me formacionin nacionalist të emigracionit polak. Në këtë periudhe ai shkruan veprat: „Lugina e Isses“)1955), „Traktati poetik“(1957), „Vendlindja e Evropes“ dhe vëllimin poetik „Mbreti Popiel“ si dhe përkthen veprat e Simon Veil-it (1958). Me kalimin e tij në Shtetet e bashkuara të Amerikës(1960), do të vendoset në qytetin Berkeley, në anën perëndimore të Kontinentit të Amerikes, ku në Universitetin e Berkelejit do të ligjërojë letërsitë sllave .Në të vërtetë, këtu në Berkeley do të shkruajë dhe botoj veprat më të rëndësishme, që do t’i sjellin Çesllav Milloshit shpërblimet më prestigjioze në fushën e letërsisë, deri te Çmimi Nobel (1980).
          Derisa fama e tij si shkrimtar bëhej gjithnjë më e zëshme në botën e jashtme e veçmas në Amerikë, në atdheun e vet, në Poloni konsiderohej si shkrimtar i ndaluar përplot tridhjetë vite.
          Së këndejmi, kur në Poloni filluan  kohë të reja, të rinjt zunë të rishtypnin dhe të botonin tëë gjitha veprat e Çesllav Milloshit si dhe, librat e shkrimtarëve të tjerë polak të ndalauar si të Vitold Gombroviçit, Jezhi Andzhejevskit, Tadeush Konvickit , Marian Brandisit etj.
          Ndërkaq, lexuesit tonë do t’i bjerë në sy se, në poezinë  e poetit        nuk ka elemente te surrealizmit.Vërtet poezia polake as ne mes dy luftërave nuk pati surrealizmin e vet. Kritika letrare polake , Çesllav Milloshin e radhit në të ashtuquajturën  „avangarda e dytë“, për ndryshim nga e para,avangarda e Krakovit, ku përfaqësuesi më i theksuar ishte Juljan Pshibosh.
           Qysh kur ishte në Vilnë, do t’i vihej me ngulmë gabimeve moderniste të moshatarëve të vet, të cilët guxonin ta quanin vetveten poetë pa kurrëfarë vizioni dhe pa asnjë çikë prirje poetike.Që kur ishte nxënës, Çesllav Milloshi ishte i mbërthyer me mendimet e gnostikëve dhe manikejëve të hershëm krishterë. Duke kërkuar përgjigje  në pyetjen e filozofisë gnostike „prej nga buron e keqja“. Ai tashmë , në vitet e pjekura do të studiojë mendimin dhe vepren jo vetëm të mendimtarëve të lashtë, po edhe të Dostojevskit, Shestovit dhe të Simon Veilit. E gjithë kjo do të lë gjurmë dhe, do të ndikojë drejtpërdrejt në gjuhën e tij, vargun, poetikën dhe mendimin.
         
Njohësit e poezisë së Çesllav Milloshit do të mund ta vlerësojnë ndikimin e fuqishëm të letërsisë amerikane në gjuhen dhe stilin e Çesllav Milloshit . Jo një herë ai do të flasë me një antuziazem të veçant për Uollt Uitmenin, kur për herë të parë zuri ta lexojë, ku më vonë me një dashuri dhe besnikëri  do të perkthej të gjitha veprat e tij në polonisht.
           Sot në shkencën polake të letërsisë mjaft shkruhet mbi poetiken e Çesllav Milloshit dhe, kërkohen rrënjët dhe fillimet  e botëkuptimëve  të tij. Për poezinë tij është shkruar se, është edhe klasike, edhe romantike e edhe simbolike.Në tërë poezinë e Çesllav Milloshit zënë vend poezitë e fuqishme refleksive , që kur i shkroi në vitet e hershme rinore. Po, poezitë e reja më të fuqishme  filozofike, metafizike ai i shkruan  i tërhequr tërësisht në vetmi, larg atdheut, kur ka mundur të bisedojë  me natyren dhe librat.
          Poezia e Çesllav Milloshit vetëm në vështrim të parë është e thjeshtë, e lehtë dhe e kuptueshme. Në të vërtetë, në këtë thjeshtësirë iluzore fshihet një begati e papërshkrueshme poetike.Mirëpo, ajo që i bie në sy lexuesit, është niveli i ngritur  i poezisë së Çesllav Milloshit, sepse në poezinë e tij gjejmë tërë dramen, tërë tragjiken e shekullit njëzet, përplot tronditje dhe drithma të mëdha, të cilat i di historia.
             Çesllav Milloshi si poet i epokes – ky profet i kataklizmave të medha historike, dëshmitar dhe, nga shumë pikëpamje  - që mund të themi – vëzhgues i vitëve të stuhishme të luftës dhe okupacionit, analitik dhe moralist i paepur dhe i papërkulshëm i vitëve të bujshme të stalinizmit, që mund të themi  si një tërësi  sub ëspecie e historisë, si një „vazhdimësi e gjatë“ e qytetërimit si qytetërim i tërë planetit.
             Njëri prej njohësve më të mirë të artit poetik të Çesllav Milloshit është padyshim eseisti dhe kritiku i madh letrar Jezhi Kvjatovski, i cili me të drejtë shkruan:“Në poezinë e Çesllav Milloshit është i pakrahasueshëm dramatizmi dhe tragjika, që rrjedh nga antinomitë e saja të brendëshme: ndërmjet ndjenjës së detyrës ndaj shoqërisë, ndërmjet klerkizmit dhe angazhimit, ndërmjet ëndrrës mbi lumturinë  dhe bindja që atë ëndërr duhet pridhur, ndërmjet dallgëve të fuqishme të ngashërimit, forca e së cilës ndihet në çdo varg të poetit dhe, bindja që këtë ngashërim duhet frenuar…“ Pastaj, të kujtojmë vargjet nga vepra poetike „Kur lind dhe perëndon dielli“ :
       
           Duke kaluar rrugës u takova në këtë
           Dhe m’u duk si fati i zbuluar njerëzor.

           Po nuk pati emër
           Dhe më është kujtuar një tjetër çast i tillë
           Për të cilin kërkova fjalë
           Derisa i gjeta pas njëzet viteve.

            Tani do të filloj përsëri
            Dhe do të përpiqem në zgjëndërr
                                            Dhe në ëndërr,
            veçse këtë herë, ashtu mendoj
            se stop do të thotë koha e pakryer.
                                     (U takova në këtë)

            Lexuesi i vëmendshëm e ka vështirë të lirohet nga fuqia e tonit profetizues të poezisë „Oeconomia divina“, në të cilën poeti jep vizionin e shkatërrimit të botës, që tashmë ka ndodhur:

            Nuk mendova se do të jetoj në një kohë të veçant
            Kur Zoti i lartësive dhe rrufeve shkëmbore ,
            Zoti mbi njësitë ushtarake, kirios Sabaoth,
            Aq fort i poshtëroi njerëzit
            Duke lejuar të bënin çfarë dëshironin,
           Të lëshonin konkluzione, duke mos folur asgjë“
                                                 (Oeconomia Divina)                   
            
       A nuk është kjo një sintezë e madhe e epokës sonë, e shprehur me gjuhën e katastrofizmit, të analizës së zbrazëtisë dhe të paarsyeshmërisë të qytetërimit bashkëkohës. Vetëm se duhet thelluar në njohjën e poemës së madhe „Kur lind dhe perëndon dielli“. Tërë jetën është dashur  ta përjetojë, që kjo poemë të formohej në imagjinatën e poetit , që jo rastësisht ishte e frymëzuar nga psalmet, që më vonë do t’i perkthej me aq përkushtim në polonisht.
       Sikundër në shumë vepra të tjera, Çesllav Milloshi edhe në veprën poetike „Kur lind dhe perëndon dielli’ është një novator, që shemb format ekzistuese dhe, sjell forma dhe ide te reja. Kështu në këtë poemë, e cila është si një dëshmi lirike , në të cilën janë të krijuara suazat kompozicionale  të poemës . Po, Çesllav Milloshi, nuk shërbehet vetëm  me vargje, po edhe me prozë, shpjegime si dhe me citate të futura në vargje. Në tërësi vepra poetike e poetit të mahnit me rezultatet novatore poetike.
       
Duke qenë vite të tëra në emigracion, Çesllav Milloshi do të botojë një sërë veprash në poezi, prozë dhe eseistikë si veprat „Kontinentet“, „Evropa e dytë“, „Toka Ulro“ apo „Kopshti i shkencës“, që është një autobiografi intelektuale e poetit. Veçmas do të veçoja nga libri „Kontinentet“, vëllimin poetik „Esse“, që sikur të mos ekzistonin këto poezi, opusi poetik i poetit do të ishte vërtet i varfër, sepse ky vëllim poetik është një ndërlidhje e mrekullueshme e lirizmit dhe e mendimeve , që me fjalë të shprehet vëzhgimi  tërë gjakim si një poezi e vërtetë.
      Ndërkaq, vepra poetike „Himni për perlen“ është përplot hulumtime , që poeti i bëri në vitet e hershme .E botuar tetë vite më pas veprës poetike  „Kur lind dhe perëndon dielli“, kjo vepër në vështrim të parë, është si një përmbledhje e formave të ndryshme  të dëshmisë poetike, që sjell më vete poezitë antologjike  çfarë janë : „Pylli magjik“, „Studimi i vetmisë“, „Rënie“, „Provë“, „Dëshmi“, Admirim“, „Duke kaluar rrugës së Dekartit“, „Lumejt“ janë krijimet më të arrirë  poetike të këtij poeti. Vërtet vepra poetike „Himni për perlen“ lexohet si një libër i drejtë i llojllojshmërisë, që lexuesit i sjell një surprizë të veçant. Në këtë vepër poetike poeti ia arrin me sukses të pajtoj Metafiziken me Etiken dhe Politiken, duke qëndruar në një radhë me poetët metafizik si Shazinjskin dhe Leshmjanin. Vepra poetike „Himni për perlen“ sjell shumë poezi të reja, mendime dhe dije të reja, iu ofron lexuesve emocione të papërshkrueshme dhe, zbulime të vërteta, sikundër e bën këtë në fund të poezisë „Duke kaluar rrugës së Dekartit“:
 
            „Dhe nga mëkatet e mia të rënda
                                      më së miri një e mbaj mend:
             se si njëherë duke kaluar shtekut malor
                                      pranë përroit
             Hodha gurin e madh në gjarprin e ujit
                                      Të mbështjellur në bar.
              Dhe ajo që më ngjau në jetë ishte
                                       dënimi i drejtë
              i cili herët apo vonë e godet
                                        atë që shkel ligjin.“
     
              Për fund është e udhës të vëmë në spikamë se Çesllav Milloshi në vitet e pleqërisë së thellë shkroi dhe botoi veprën poetike „Poezitë e fundit“(2003) e cila lexohet si një testament i poetit, si një katarzë shpirtërore, si një porosi e tij që të ruhen dhe, të mbrohen vlerat humaniste dhe universale çfarë janë : e Vërteta, e Mira, e Bukura dhe Drejtësia.

           Si poet i epokës dhe moralist i saj, Çesllav Milloshi përkon me Norvidin, si poet profet me Mickieviçin, sepse si krijues i rallë i pati të gjitha vetitë e profetit dhe të bardit kombëtar të popullit të vet, i cili ia ktheu poezisë statusin e saj të lartë, e ndryshoi rolin e poetit në shoqëri, në një shoqëri, e cila vetëdishëm apo pavetëdishëm, poetë të tillë gjakon, poetë të tillë pret.
           Si përfundim, me të drejtë mund të themi se Çesllav Milloshi zë një vend nderi dhe prestigji në radhën e poetëve të mëdhenj të gjuhës polake, në radhën e poetëve të medhenj të epokës sonë…

Varshavë,
fundi i tetorit 2007


(Vota: 8 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora