E hene, 29.04.2024, 04:16 AM (GMT+1)

Kulturë

Nexhat Rexha: Monografi me dritare të hapur

E hene, 14.09.2009, 03:10 PM


Monografi me dritare të hapur

(Ukshin Zajmi: Halil S. Fejzullahu- Monografi,  Dardanë, 2009)

Nga Nexhat Rexha

Autori në hyrje të veprës ka përshkruar pjesë biografike, të cilat flasin qartë, jo vetëm për përjetimet dhe shqetësimet e Halil Fejzullahut, por është më rëndësi të madhe, se përmes kujtimeve të tija është ruajtur trashëgimia autoktone e banorëve të Tygjecit dhe kësaj treve të Dardanës. Përmes kësaj monografie, janë ndriçuar edhe shumë çështje të tjera historike të jetës së kryeprotagonistit, përmes të cilit janë shpalosur pjesë sa të panjohura, po aq edhe me interes për fatin e familjeve shqiptare, sidomos ato të periudhës në mes dy luftërave botërore.

            Njëherit përmes kësaj monografie kuptojmë për së afërmi fatin e familjeve shqiptare si dhe shpërnguljet e tyre nga toka e vet, për të shtegtuar për në shkretëtirat e Anadollit si dhe peripecitë e tyre gjatë këtij rrugëtimi sa të dhembshëm, po aq edhe të kobshëm, e këto skena janë shfaqur shpesh herë, e në mënyra të ndryshme nëpër kohë e fate të njerëzve.

Këto fate janë të veçanta për njerëzit e këtij trolli, përmes këtyre ngjarjeve e bredhjeve, kuptojmë se çdo familje shqiptare në periudha të ndryshme gjatë okupimeve sunduese, ka përjetuar dhëmbje të shumta. E kjo dhembje e ka përcjellë edhe familjen e Halil Fejzullahut nga Tygjeci nëpër Bujanoc, Shkup, Selanik e deri në Stamboll, si dhe kthimi i paparashikuar për në Fier. Një insert i shkurtër, por i rëndësishëm shfaqet në jetën e familjes së Halilit përmes Qeverisë së Mbretit Zog në Stamboll. Pra, pse Fieri ky qytet në Shqipëri ka vluar nga shqiptarët e Kosovës. “Fshatari kosovar, për një shkallë më tepër ka qenë i djegur dhe i përvëluar, i dëbuar nga trolli i vet dhe pastaj i zhgënjyer nga shpresa e tij e madhe. Pra, rruga jetësore e Halil Fejzullahut, i njohur në popull edhe si Halil Tygjeci, është rrugë e vështirësive, dhe nga rrëfimët e tija, të cilat i ka shkruar në monografi Ukshin Zajmi del se ai dhe njeriu ynë, gjithnjë ka qenë në kërkim të vazhdimësisë së fatit për të mirën e atdheut. Kthimi i Halil Fejzullahut për në vendlindje është domethënës dhe sikur hapë një rrugë që ka një parandjenjë se pas gjysmë shekulli mund të ndodh diçka pak më ndryshe si ky i Luftës së vitit 1999. Por, dallimi ekziston, se ai e mori rrugën e rikthimit në vendlindje krye në veti, me një qëllim dhe bindje se do të bëjë diçka të rëndësishme, e krejt kjo ka lidhshmëri me dashurinë që e ruante dhe me at pjesë të shkollimit që e kishte bërë në Shqipëri.

Ardhja e tij në Gjilan dhe kontakti me Kadri Halimin, Ramadan Agushin etj., tregon qartë fillimin e mirë për çlirimin e Kosovës. Mirëpo, Lufta e Dytë Botërore dhe rruga e lirisë, ka pasur shumë ndryshime në fate të njerëzve me ideale të përbashkëta, e që përfundimi i saj mori një rrjedhë krejt ndryshe. Pjesëmarrja në luftë dhe aktiviteti i Halil Fejzullahut ka domethënie të rëndësishme, por ajo që dallon rrugëtimin e tij gjatë luftës dhe sidomos pas përfundimit të saj  e zbërthejnë deri në thellësi karakterin e fortë të një njeriu, që ka ideal dhe qëllim, e që nuk u mposht deri në frymëmarrjen e fundit.

            Aktiviteti i Halil Fejsullahut në Luftën e Dytë Botërore është shkruar me korreksi dhe ajo peshon shumë bukur kujtesën e njerëzve e të ngjarjeve historike, për këtë pjesë të luftërave që bëri populli ynë. Mirëpo, aktiviteti i Halil Fejzullahut, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ka një domethënie tjetër, sepse ai tani ishte njeri ndër protagonistët e rëndësishëm, për ndërtimin e vendit dhe sikur gjithnjë e ndjekte rruga e dashurisë për vendlindjen. Por, tani me një mënyrë krejt tjetër, ai e donte Dardanën, Anamoravën dhe Kosovën më të zhvilluar, më të ndertuar e më shumë e donte zhurmën e punës ku do që ishte ai. Këtë qëllim ai e realizoi për aq sa mundi e pati fuqi. Prandaj kontributi i tij në ndërtimin e institucioneve të para të komunës së Dardanës (Kamenicës) ka peshë të rëndësishme për vetë ekzistencën e banorëve të kësaj treve.

Ukshin Zajmi përmes kësaj monografie, kushtuar përsonalitetit të Halil Fejzullahut, ka arritur të shpalosë e ndriçojë jo vetëm rrugën jetësore të kryeprotagonistit të kësaj vepre, por përmes tij ka arritur të pasqyrojë edhe ngjarje epizodike të disa decenieve të shekullit XX. Konsideroj, se Ukshin Zajmi, përmes kësaj monografie ka hapë një dritare edhe për hulumtime të reja, të ngjarjeve që ka ruajtur në memorien e tij kryeprotagonisti i kësaj vepre Halil Fejzullahu, përmes të cilit është shfaqur jeta e njeriut tonë dhe është realizuar me sukses ajo pjesë e ngjarjeve që është përshkruar në libër.

Hartimi i kësaj monografie tregon verdiktin e njeriut tonë me ecjet e tij nëpër rrjedhat e ngjarjet që i prodhon jeta.

Shkrim i botuar në Revistën “Gallapi” nr. 4. 2009, faqe 67


(Vota: 2 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora