Kulturë
Flora Sela - Kastrati: Poezi nga libri ''Vazhdoj ta kërkoj të nesërmen'' (Parathënie nga Kalosh Çeliku)
E hene, 14.09.2009, 07:13 PM

Më datë 29 prill 1992 në Universitetin e Zagrebit (Kroaci), me sukses e mbrojti temën e magjistraturës “Pikëpamjet e Korshit mbi historinë” dhe fitoi titullin Magjistër i shkencave shoqërore-humanitare nga filozofia bashkëkohore.
Flora Sela - Kastrati gjatë vitit akademik 2000 –2001, ka kryer specializim në Institutin Ndërkombëtar për administratë publike në Paris (Francë) në lëminë e administratës publike dhe diplomacisë.
Më datë 13 qershor 2007 e mbrojti tezën e doktoraturës në Universitetin “Shën Cirili dhe Metodi”, në Institutin për kërkime Sociologjike Politike e Juridike, në temën: Zhvillimi i demokracisë lokale dhe bashkëpunimit ndërkufitar sipas standardeve të Këshillit të Evropës.
Flora Sela - Kastrati e zotëron rrjedhshëm gjuhën angleze dhe gjuhën frënge, ndërsa në periudhën prej vitit 1982 – 1992 ka punuar si asistente, e më vonë si ligjëruese në Fakultetin Filozofik, Universiteti i Prishtinës.
Nga viti 1994 – 1997, Flora Sela - Kastrati ka punuar si mësimdhënëse e filozofisë në Universitetin e Tetovës, Fakulteti Pedagogjik.
Prej vitit 1999 – 2005 ka punuar në Ministrinë e Pushtetit Lokal në Shkup, në pozitën e Shefit të kabinetit dhe ka ushtruar detyrën e udhëheqësit të Sektorit për bashkëpunim ndërkombëtar dhe ka qenë përfaqësuese e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë në Komitetin e përhershëm për demokraci lokale dhe regjionale si dhe përfaqësuese në Paktin për Stabilitet në kuadër të tryezës së parë të rrumbullakët: Demokracia dhe të drejtat e njeriut.
Flora Sela - Kastrati ka publikuar artikuj të ndryshëm shkencorë të fushës së filozofisë si dhe një numër të punimeve të ndryshme që prekin tema aktuale si dhe ka marrë pjesë në seminare dhe konferenca të ndryshme ndërkombëtare duke patur paraqitje rreth temave që lidhen me demokracinë dhe reformat e pushtetit lokal. Përveç botimeve shkencore, ka botuar edhe tre libra me poezi, njërin edhe në gjuhën frënge: Entre l`amitie et l`amour i përkthyer edhe në gjuhën shqipe ( 2003 ), Heu po më çmend ky infuzion ( 2007 ) dhe Vazhdoj ta kërkoj të nesërmen ( 2009 ).
Aktualisht punon si mësimdhënëse e lëndëve filozofike dhe sociologjike në Universitetin Shtetëror të Tetovës, Fakulteti Filozofik dhe në Universitetin Ndërkombëtar të Strugës.

DASHURIA HYJNORE DHE DEHJA
E MISTIKËVE
Nga Kalosh ÇELIKU
Poezia është shprehje e artizmit poetik, lojë fjalësh, burimisht që kanë qëllim magjik, është thirrje hyjnore, arrin në qiell dhe hedh fuqinë e vet dhe bëhet e fuqishme duke pasur edhe shpirtin e tyre, Hyut Nuk është ajo e përshkrimeve, përkushtimeve prijësve të partisë, parullave të thata patetike. Rreth nesh çdo gjë është poezi: toka, qielli, dita, nata, lindja, vdekja, ringjallja, rrugët, era, zogjtë, lumi… Vetëm, duhet një sy i mprehtë për t’i hedhur në letër emocionet, idetë dhe imagjinata duhet shkrirë në indin poetik me mjeshtri të jashtëzakonshme.
Dhe, novatorizmi që sjell në këtë libër Flora Sela - Kastrati i ka rrënjët te lirika popullore, që e ka tejkaluar moti pjesa më e fuqishme e poezisë shqipe, lirika e dashurisë. Dhe, jo rastësisht Lasgushi është poet i madh. Serembe, Frederik Rreshpja, Dritëro Agolli, Hida Halimi, Azem Shkreli, Mimoza Ahmeti, Mirko Gashi etj.
Poezia shqipe është lëruar dhe zhvilluar brenda kufijve politik: Shqipëri, Kosovë, IRJ e Maqedonisë, Mal i Zi dhe Diasporë. Dhe, për çudi, përderisa në Shqipëri ajo është lëruar përkrah poezisë patriotike edhe poezia e dashurisë, në Kosovë, Mal të Zi dhe IRJ e Maqedonisë është lëruar poezia patriotike. Realitet, që do të thotë se, një popull e manifeston atë që nuk e ka, i mungon me vite, liria. Risi në poezinë shqipe, sot është kombinimi i dashurisë me patriotizmin. Poetët që e lërojnë këtë lloj poezie numërohen në gishta. Megjithatë, kjo është poezia e ironisë, sarkazmës dhe protestës artistike.
Motivet e poezisë erotike te ky libër janë të njohura: besnikëria, tradhtia, ndarjet, xhelozia, malli, sëmundja nga dashuria, mirëpo edhe ëmbëlsia nga dashuria dhe bukuria e trupit të zhveshur. Është interesante se në rolin e subjektit lirik paraqitet në këto poezi, njësoj shpeshëherë gruaja sikur edhe mashkulli. Për më tepër, mes këtyre faqeve është e përbashkët tema: jeta pas vdekjes. Ringjallja. Dhe, raporti midis jetës dhe vdekjes. Edhe pse, në kohën e sotme ende vazhdon të shkruhet poezia patriotike, ku gjakohet pas lirisë dhe luftohet robëria.
Poezia e Florës në gjirin e vet e ka edhe tipin e poezisë profetike. Zakonisht, këtë lloj të poezisë e kanë shkruar poetë-profetë, që letërsia shqipe i ka pasur edhe para kohës së Romantizmit. Stili i poetes është i përsosur, nuk vajton për të kaluarën, po për të sotmen dhe të nesërmen. Vargu i kësaj poezie e lufton hipokrizinë, koprracinë dhe grykësinë. Një spektër më i gjerë objektesh paraqitet në poezinë erotike, e cila dallohet fare lehtë nga poezia patriotike. Kështu që mjeshtëria e poetes shprehet me kërkimin e forcave të reja, përsosjen e figurave ekzistuese dhe të proçeseve stilistike duke lejuar shtimin dhe zhvillimin e temave.
Poezia e këtij libri e ka gjakun dhe shpirtin, që i ecin nëpër damarë. Një përzierje të së resë: dashurisë me patriotizmin. Gjuha e thjeshtë dhe me stilin e qartë, po të thellë është përsosur me imagjinatën e pasur dhe gjuhën e stolisur. Këndimi i poezisë të “Borës në mars”: Pas borës së acart – Ti vjen si pranverë/ E nesërmja do të vij/ me Ty!/ dhe asaj erotike: Shijen e buzëve Tua/ do ta marr me vete. – Po, kam frikë se ma zbulojnë -/ Në kufi...!/ Vdekjes dhe Lindjes. Ringjalljes…
Dhe, për mua si poet, poezi e fuqishme është ajo që i qarkullon nëpër damarë gjak dhe shpirt, i ka rrënjët në poezinë popullore. Dhe, i japin gji Tri Zana të maleve. Fuqi për luftë si Mujit dhe Halilit…
Ikja nga parullat e thata, patetika patriotike është risi e plotë në poezinë e poetes, sikur është ruajtja dhe ndikimi i poezisë popullore. Poezia e mirë duhet të ketë edhe filozofinë jetësore plot figura poetike. Poetja hedhë farën në tokë pjellore, ashtu si bujku me hebet në krah drithin në ara, kështu që frutat e pjekur, poezitë i lulëzojnë në libër, bregliqen…
Armë e fuqishme është edhe lirika satirike, ku poetja përqesh momente njerëzore, politikën me prijësit e tyre, madje edhe vetë fatin e një populli: I flet zemra – zemrës të ruhet prej mërive/ Se bota më shumë kurtha ngriti se liri!.../ Origjinaliteti i poetes, fatkeqësisht ende është në kundërshtim me dukuritë imorale dhe idetë e kohës, në të cilën jeton brenda kufijve politikë.
Poezia e Flora Sela – Kastrati sa vjen e më shumë demokratizohet dhe misticizmi depërton në art. Dashurinë ndaj lirisë e paraqet me shprehje plot figura dhe me gjuhën erotike të lirikës së dashurisë. E zhvesh nga trupi ferexhen patetike dhe parullat e thata dhe i vesh rrobat e nusërisë: E, Ti më ke zili,/ për vetminë time./ Është e rëndë ajo/ por/ më i rëndë je Ti!/ Në poezinë e saj, nganjëherë është shumë vështirë të dallohet deri ku shkon alegoria e ku fillon shfaqja realiste. Vetë gjuha shqipe, gjuhë e poezisë ka disa veçori të saj poetike, e përshtatshme në paraqitjen e dy-tre dykuptimësive të vargut. Megjithatë, në këtë poezi ekziston edhe një rrezik stereotipash, sepse ajo bazohet në disa tema të përsëritura: dashuria, vera, bukuria. Që, poetja e ka tejkaluar me sukses dhe pasuruar me Senën, Gruan, vetminë, Varkën e Noes, Burrin, Engjëllin mbrojtës, Nimfën. Qiririn, Natën e gjatë: Nuk jam në gjumë! Jam në udhëtim!/ Pas këngës dhe vargut kam hap duel!/ etj.
Inspirimi i poetes është i sinqertë dhe i thellë duke u shërbyer me shprehje të larta poetike. Formën e një vargu mes legjendave, porosish dhe alegorish: Në bregun e arritjes jam diçka unikate/ Në varkën e Noes – risi!.../ Ose: Rrëzëllima vrazhdësie më dalin në prita./ Vetmia durtrokitë pandalë!.../
Tendencë kjo, për të krijuar një rrymë të re letrare me shumë vazhdues dhe përkrahës. Poetja rebele është e gatshme të rroket fytas edhe me Zonjën Vdekje. Ringjalljen. Lindjen. Robërinë. Lirinë. Shkurt, ballafaqohet me misteriozen: dashurinë qiellore dhe tokësore.
E di se, rrezik për poetët e talentuar me dhunti nga Zoti, janë poetët e rrejshëm të oborreve të partive politike. Poetë pa talent, po të shkathët t’u vihen pas partive politike në pushtet, si dhelpra pas dashit, me shpresë se mos i bien udhës. Poetë të këtillë vetëm për një përdorim, letërsia shqipe ka me bollëk, sa kanë të hanë edhe qentë e rrugëve…
Herët a vonë, këta poetë do të dështojnë në poezi. Rrugën do t’ia lëshojnë poetit-profet, lirikut me mendime të thella dhe me talent të madh vrojtues, kur është fjala për situatat e përgjithshme njerëzore, i cili ka qëndruar, në të vërtetë, mjaft indiferent kur është fjala për ngjarjet politike të kohës së tij.
Vargu i saj luftarak, përjeton një lulëzim të ri të lirikës shqipe. I lëshon paragjykimet, maxhen, burgun shtëpiak… Ferexhen e hudh në përrua… Robërinë... Shkolla është shtegu i saj drejtë Lirisë… Universiteti… Biblioteka… E nxjerrë vargun nga brezi: Filozofinë e jetës sime e ndërtoj mbi Ty.../ Poete me shpirt krenarë dhe e vetëdijshme në paraqitjen e realitetit shoqëror, kështu që për këtë poete rebele jeta e varur nga partitë politike është e huaj. Tentim ky, i komunizmit që tërë jetën e shoqërisë ta ketë nën kontroll. Hap i gabuar ideologjik me të cilin dështoi në parashikime. Tashti e kanë radhën partitë politike “demokratike”, shkaku se poetët bëhen edhe më të fuqishëm. Stili i tyre është sakrificë, ndjeshmëri e poetit dhe sinqeriteti. Përsëri do të vdesë dhe ringjallet, por kurrë nuk do t’u bie duarve dhe këndojë arritjeve të tyre demagogjike.
Shkëputja e poetes nga format klasike poetike nuk qe proces i lehtë, me vete mori edhe viktima. Nuk është punë e lehtë t’u ikësh ndikimeve nga letërsia ruse ( Shqipëri ) dhe sllave ( Kosovë. Mal i Zi e IRJ e Maqedonisë ).
Poezia shqipe moderne sot ka një rrezik nga poetët e oborrit të partive politike “demokratike”. Fatkeqësisht, falë Zotit, në përgjithësi janë poetë të dobët dhe pa talent. Megjithatë, poezia e ardhmërisë do të jetë poezia e verës dhe e dashurisë, që alegorikisht të paraqesë dashurinë hyjnore dhe dehjen e mistikëve...
Ardhmëria e poezisë shqipe qëndron në traditën e poezisë popullore, Rilindjes, duke u pasuruar me rrugë të reja, për të hipur në Baba Tomorr. Atdheun e Perëndive. Tyrben, ku pihet vera, shkruhet poezia. Dhe, bëhet dashuri…

FLORA SELA - KASTRATI
VAZHDOJ TA K?RKOJ T? NES?RMEN
(Lirika me borë)
Biblioteka: MJELLMA
Redaktor letrar: KALOSH ÇELIKU
Redaktor gjuhësor: VJOLLCA RRAPI
Ballina: LAURA ÇUKA
Lidhja e Shkrimtarëve Shqiptar
Shkup, 2009
Unë s`të fal idenë sepse atë e krijon Ti
Shpirt asaj nuk mund t’i japë asnjë njeri…
Pluhur t’shndërrohesh do të thotë mos ekzistosh
E në të njëjtën kohë gjithë botën ta pushtosh…
Flora Sela - Kastrati
ISBN 978-9989-931-13-0
COBIS.MK-ID 79106826
FLORA SELA - KASTRATI
VAZHDOJ TA K?RKOJ T? NES?RMEN
Botues: Lidhja e Shkrimtarëve Shqiptar
Korrektore: FITORE DERALLA
Tirazhi: 500 kopje
U shtyp në shtypshkronjën: “ Tringa Desing “ Tetovë, 2009
Botimin e këtij libri e ndihmoi materialisht edhe Ministria e Kulturës në Republikën e Maqedonisë.
TË PAGËZUAN : GRUA !
Të pagëzuan :Grua!
Kush ishte ai që kështu të pagëzoi?
A e dinte kush je, çka do të jesh ti?
Më shumë apo, më pak - se njeri!?
Shekujt rënduan mbi ty,
Ti e fjetur, e kënaqur me pak,
“Është fati im thoje” e flije rehat.
Të tjerët filluan ta shkruajnë historinë
Të shpallën “moll sherri” që luftëra shkakton.
Pandora nga ana tjetër e hapi Kutinë,
Për çdo gjë të keqe fajtore të bënë.
U fshehën pas teje, pas shpine ta punuan
Në margjina të vendosën nga jeta të larguan
Në labirinth bridhje, rrugdalje kërkoje
Atë që të bëri grua, në vete mallkoje.
Një ditë u zgjove nga “gjumi dogmatik”
Por ishe ajo në çka të shndërruan,
“Flokëgjata e mendje shkurtëra”, kështu të vlerësuan.
Perëndia e as natyra këtu nuk kishin gisht
Mashkulli ishte që shtonte nga një bisht!
Nuk ishe ti vetëm shtyllë e familjes
Nënë dhe grua që çdo gjë sakrifikon
Qenie e madhërishme, shtyllë e njerëzisë,
Që në emër të dashurisë dhe jetën flijon.
E domosdoshme, e pazavendsueshme në dimension
Njeri! Më shumë se njeri! Ndaj, respekt meriton.
Dhurove aq shumë e pak të dhuruan
Vazhdove ta kërkosh atë që të takon
Atë që ta vodhën e ta uzurpuan
Dinjitetin njerëzor dhe një jetë për të qënë.
Ti grua e di, kthim prapa nuk ka,
Mëkatet e kohës janë shumë të mëdha!
Borxhi ndaj teje a do të lahet ndonjëherë?
Pas dimrave të acartë - Ti vjen si pranverë...
I E PRES TË NESËRMEN
E PRES TË NESËRMEN
E nesërmja do të vijë,
Së bashku me të kaluarën,
Me Ty!
Me Vitin 2000
I imi Bel Ami,
E di!
Tani në perëndim të rinisë sime,
Njeriu dashuron vetëm njëherë në jetë.
Të tjerët, kalimtar të rastit, e aq shumë desha,
Edhe njëherë të dashuroj…
Prill i Vitit 2009,
Ditë e natë, natë e ditë,
As njëra-tjetrës vendin s`ia lëshon.
Kryeneqësi!
Për dikë - dallim mes të dyjave nuk ekziston.
E nesërmja do të vijë,
Do të trokasish në portat e hapura të shpirtit tim,
Ti i imi Bel Ami,
E kaluara, e tanishmja e nesërmja ime je Ti…
LAPIDARI
Lapidar do t’i ndërtoj dashurisë sonë,
Lapidar me tinguj muzikor e me vargje!
Pranvera Ty të solli dhuratë!
E vjeshta plot zili ma grabiti!
Lapidar!
Lavdi pastë -
Një dashuri pa ardhmëri!
Unë dhe Ti, të shndërruar në lapidar!
Le të prehet në qetësi,
Mashtrimi, tradhëtia,
E së bashku me ta edhe poezia –
Që po ta kushtoj Ty…
TË SHKRUASH POEZI
Shkruaj poezi më thonë
Po ku t’i gjej vargjet?
Ata m’i vodhe Ti
Së bashku me atë që isha e që jam!
E humba veten e aq shumë desha të besoj,
T`u them të tjerëve, heeeu!
- U gjeta përsëri!
Prit pak, ma kthe të kaluarën,
Në rrugëtimin e gjatë,
Merre një frymë.
Nëse je lodhur të jap infuzion…
Grabite kohën - çastin, eja te unë,
I trazo edhe njëherë ndjenjat e mia!
Në fund të oqeanit të gjërë,
Mos u fundos, duhet larë një borxh!
M’i kthe vargjet që dashuri kundërmojnë,
Sa më detyrohesh Ti,
M’i kthe vargjet e mia,
Ti e ti “i imi “ Bel Ami….
POEZI LUM SI TI DHE E MJERA TI
Dikush shkruan poezi,
Sa për të shkruar diçka,
Epilogu:
- Letër e pashkruar që nuk thotë asgjë…
SIKUR TË ISHTE AI
Heeeu!
Pëllëmba e dorës tënde nuk është në eksurzion.
Përkëdhelja e brisht aq shumë më rëndon,
Ti je rastësisht këtu, e rastit edhe unë,
Më duhet Ai t’i japë kuptim çastit!
Kësaj nate me shi që në pranverë kundërmon,
Ti je me mua, e Ai është atje
Sepse edhe determinimi ekziston!
Sikur Ai të ishte i rastit,
E di!
Do të isha mbytur nga përqafimi i tij!
Fund më i ëmbël a ekziston,
Ta lësh frymëmarrjen në përqafimin e dikujt,
Të cilin as vet nuk e di, se sa shumë e do…
GJITHÇKA VARET PREJ MEJE
I madhi Osho,
Nuk varet gjithçka nga unë,
Po thua jeta është pëlhurë,
Pikëllimi e lumturia është zgjedhja jonë.
Kush të lë të zgjedhësh,
Fati nuk është në duart e mia.
As pikëllimi e as lumturia.
Osho!
Ndaj jemi gjysma e një tërësie,
Qenie racionale, por emocionet nuk kam ku ti flak,
Janë përditshmëria ime.
Racionalen e dëbojnë nga pak…
Osho!
Në gjithçka përgjigje pate, e t’u drejtuam ne që
Të përkohshëm jemi.
Por, një gjë nuk ma the,
Ku qëndron sekreti i lumturisë?
Recetë nuk ka - i preferuari im Osho,
S`do të ekzistonte njeri,
Veç Perëndia, mbi fatkeqsinë tonë të ndërtojnë,
Kultin e sajë të harmonisë.
I madhi Osho ma zbulo recetën e lumturisë…
Jam e lodhur nga pikëllimi, OSHO…
NË MES TË KOHËS NJË POEZI
Një natë të padefinuar,
Unë dhe koha kuvenduam,
Mos u lodh kaq shumë më tha,
Unë pas meje fshijë, çdo gjë.
Më erdhi për të qeshur, e cila je ti
Nga ajo që jam të ma vjedhësh një njeri?
Jo ka kaluar një shekull i tërë,
Nuk mund të ma marrësh është më i fortë se ti.
Ej kohë ti lind e njerëzit i plak,
Por dashurinë e vërtetë, s`ke fuqi,
Të ma marrësh e të ma kthesh përsëri,
Ti je e kalueshme e Ai përjetsi,
I imi Bel Ami…
U RRËZOVA POR NUK U VRAVA
Rrëzohem e rrëzohem,
Flej, ëndërroj, në agim me mëngjesin ballafaqohem,
Unë jam ajo edhe kur terri bie mbi dhe……
Mëngjesi kërkon që të luaj role,
Ta humbas veten time
Më pëshpëritë: ka dy pole.
E unë jam ajo që jam,
Njerëz hipokritë agimin e keqkuptuan…
NATË E GJATË
Qiriri po shuhet,
Deshe atmosferë, e kapluar nga një mister,
Deshe e çka nuk deshe ti,
Misteret e natës i kam ndarë veç me një njeri,
Më fal, por s`mundem me ty.
E sa e gjatë mu duk ajo natë,
Pa fillim e pa mbarrim,
Unë e ti të huaj,
Në një natë prilli,
Pikat e shiut më shurdhojnë,
E ti, si gjete fjalët e duhura,
Që do të mashtrojnë…
DHIMBJA
Dhe përsëri kthehet ajo,
Dhimbja…
Ti nuk je pranë meje, e di se më do,
Vitin 2000, Senën e sytë e mi,
Përqafimin tim për të kaluar një shekull aty,
Kohën, largësinë kush ish ai gjeni,
T’i shpik e të më largoj nga ty,
E në çka, në hiç i shndërroi,
E di se më do,
E dhimbja më kaloi…
II TI MË KE ZILI
EJA! SE DO TË VIJ!
Eja! Se, do të vij aty
Ku Ti ishe unë – e unë isha Ti.
Eja! Se, do të vij
Filozofinë e jetës sime e ndëtroj mbi Ty.
Eja! Se, do të vij
Për një puthje të vjedhur
Si atëherë dikur.
E pastaj do të shkoj
Do të shkosh edhe Ti.
Shijen e buzëve të tua
Do ta marr me vete.
- Por kam frikë se ma zbulojnë –
Në kufi …!
U VONOVA
U vonova!
U vonove dheTi!
Treni shkoi
Aeroplani fluturoi!
S’të pashë!
E, as që më pe!
Lamtumira jonë –
U ngjitë mbi re!
U vonava!
U vonove!
Gisht këtu fati ka!
Nuk të krijuan për mua
Njerëzit bëjnë padrejtësi.
Por Zoti?
- Përse nuk na kuptoi ne të dy?!...
GABIMI YT
Kaluam një sprovë nëpër katandi
Gabimi yt isha unë në çast!
Në lakuriqësi - jeta tregonte largësi.
Për të - të flasim, do të kemi rast?
Do të vij ai çast, patjetër të vij!
Se gabimi im - ishe vetëm Ti…!
SHPIRTI IM
Shtatëmbëdhjetë vjet shpirt i ke ti
Syri i nënës –
Të shikon si foshnjë
Kur të mbaja në gji!
Të përkundja në djep
Derisa engjëlli mbrojtës
Të merrte në krahë të tij.
Shpirti im
Shtatëmbëdhjetë vjet je ti
Derisa të vështroj se si fle
E frymëmarrjen ta dëgjoj
Më kujtohet viti 1991.
Ti je bërë burrë e ke hedh shtat
Valmira – si kanjushë
të ndjek në çdo hap.
Unë çka ndjej nuk e di
Të vogël të ëndërroj në gji…!
Dashuri në përjetësi!...
TË NGADHËNJESH
Ai që i tejkalon dilemat e vështërësitë
Dykuptimësitë e dihotomitë,
Është ngadhënjimtarë!
Alternativës ia vë një pikë
Kur vetja i ndjen zjarr
Gjithkund mbjell mirësi
Gjithmonë rilind behar!
Kacafytet me jetën
Të ndjejnë gëzim të tjerët.
Përballet me përbindëshin –
Që mendjen dhe shpirtin
Ua mjegullon brezave.
Se shtrembërime djalli -
Ngarkon nëpër teza!
Ngadhënjimtarë është ai
Që mbi jetën dhe vdekjen
Rimbetet njeri.
PËRDHUNIM
Si përdhunojnë vargjet?
S’më dëgjojnë, s’më kuptojnë!
- Më kundërshtojnë!
- Më përdhunojnë!
Një varg!
Shumë vargje!
I përgjëroj tek më sakatojnë!
Por unë: depërtoj deri tek Ti!
E të të çoj një porosi:
- Sa shumë të kam dashur!
Të dua!
Dhe, do të të dua Ty!…
MOS MË THUAJ
E dëgjova porosinë
Fjalët që s’i dua!
Mos thuaj: më vjen keq!
- Se, më shqetëson mua!
Cili është dallimi mes brengës
Ç’do të thotë lumturi?
Mos më thuaj kurrë:
- Më vjen keq për Ty!
Sepse, në çdo segment
Unë jam në ndjesi.
Jam horizont gjërësie -
Gurrë për dashuri!...
NATË PRILLI
Harrove të tanishmen
Pjesë e së cilës jam edhe unë.
Më fute në sirtarë
Frymën e fundit më more.
Ashtu gjithmonë je
Asgjë nuk kuptove!
Këtë natë të lagur prilli
Histori më shndërrove!...
MA JEP …
Ma jep çelsin e parë
Të hap kullën e fildisht!
Se është mbyllur porta
Për shpresë dhe gjallëri.
Ma jep çelsin e dytë
Të vërshojnë vargjet!
Zanoreve qyshkur u ra zëri
Heshtja jehonë shëmtie valon!...
Ma jep çelsin e tretë
Të rikthehen pjesët në terësi!
Në ugarin e këngëve të rritet
Bima e jetës - dashuri!...
TI MË KE ZILI
E, Ti më ke zili,
Për vetminë time.
Është e rëndë ajo
Por,
Më i rëndë je Ti!
Jam e lumtur me vetminë time
E Ti!
Vazhdo të humbish veten
Te ata që s’te kuptojnë!
Si kupton as Ti!
Gjithçka nuk është dashuri.
Atë –
Moti e humbe Ti!...
III E VËRTETA E VRARË
LËNGON NË MISTER
E NISIM NGA FILLIMI
Në pikëtakimin e jetës pa gjuhë
Thyejmë binarët e heshtjes me heshtje.
Shkëmbinjtë ringriten në brendi
Në shpirt errësirë dhe rrjedha gjaku!
Dëshirat tona plot zgavra.
Në pikëtakimin e ditëve kotësi
Humbellat zgjohen domethënie për shpalimin
E verteta e vrarë lëngon në mister!
Gëzimi i mbetur pezull në çaste
Për një emblemë të buzëqeshjes së shpërndarë
Për një mirupafshim pa lamtumirë
E nisim nga fillimi!...
NË DRITËN E PAMJES - BLERIMI
Në dritën e pamjes - blerimi
Shtrohet në syrin e përlotur
Pa lamtumirë dalin ndarjet e largohen shpirtat
Vetëm kujtimet qëndrojnë në ngujim!
Në pritje mbesin përshëndetjet me lahuri dashurie
Gjithçka lëviz, tronditet toka nën këmbë
Se shkojnë vërdallë të ndeshen e të përqafohen
Shpresat e vrara të jetës!
Një muzg si vel shekullor duket në pamje
Edhe kështu ishim të lumtur në qëndresë!
Në interpretimin e rolit aktori pa fjalë
Përkulet për ndodhinë.
Largësia ia qartëson pamjet e një vallëzimi!...
NUK JEMI AS DETËRA
AS SHKRETËTIRA RËRE
Copa - copa pamjet e mjegullta të qiellit, ecin
Në rrjedhën e rrugëtimit diktojnë
Se sytë e lagët me lot lëvarur për qerpikësh
Rikujtojnë dashurinë.
As kështu nuk arritëm tek niveli i harresës,
Në pranim të ndodhisë gjithmonë kujtimi
Me detin e mallit kurorëzon pikëllimin në shpirt.
Nuk jemi as detëra as shkretëtira rëre
Por lindim e ngrisim frymëzimet në këngë agimesh.
Unë dhe Ti dy plagë kohe për të shëruar zemrat
Pas dhimbjes që kanë veç e veç!...
NË MESJETËN TONË
Në mesjetën tonë blerimi i përgjakur
Nuk është pikëndalim i synimit për mposhtje!
Nuk mjafton kjo rënie por duhen rënie serike
Për të gjetur shtegun që shpie rrugës së dritës?
Patjetër të nisin udhëtimet, të arrihen synimet
Dashuria ia ngjesh skeletit gjithë trupin blerim!...
E NISNI NGA FILLIMI
Në vështrim të yllësisë jam
Edhe diellit ia shikoj mangësitë.
I shterron energjia dhe rënkon në vetëmi
Sa herë që kërkoj unë prehje për këngë drite!
Brënda kafkës më mungojnë telat e zgjimit,
Mbështillen lëmsh idetë dhe dalin fjalët,
Të krijojnë oqeanin e mendimeve në skuta
Ku rrijnë e mendohen të dashuruarit!
Edhe portreti i gjyshes, i gjyshit - bëjnë hije,
Si dinosaurë kohe kanë lanë amanetin:
- E nisni gjithçka nga fillimi!...
KUR AI ËSHTË I QETË
Edhe në shtratin e vdekjes përjetuam parajsën
Shekujve kënduam me shpresë.
E pritëm çastin për njeri - tjetrin
U pamë ndonjëherë? S’kujtohem!
Megjithatë, endem shtratit të butësisë
Me dënesje: Të dua!. Pranë gjithçka e drobitur.
Idila e pritjes është harku ku gjithësia
Ka kuadrin e shëmtisë së bardhë.
Vështrimi më bën të vij me këngë!
Kur Ai është i qetë thellë brënda meje -
E ndjej një hark,
Veç tokës e hapësirës…
KRIZANTEMAT E DIMËRIT
Nganjëherë bëhem pre e buzëqeshjes!
Përndriten pamjet se dua t’a shoh
Të flas për gjëra që vrasin shqetësimin!
Rrëzëllima vrazhdësie më dalin në prita.
Vetmia duartrokitë pandalë!
Jemi bërë qenie të kthyera shpinë më shpinë
Me fytyrat që s’e shohin njëri-tjetrin.
As zëri i lotit, prej syrit nuk ka jehonë
Mbi çarçaf të jastëkut nuk ujit lule pranvere.
Krizantemat e dimërit mbjellin acar!
Jam unë që rikujtoj dhe harrohem.
Do të zgjohem sërish e ndritur në legjendë!...
GJUHA JOTE BRENDA SHPIRTIT TIM
Ndonjëherë, si asnjëherë!
Përkulem siç paloset një letërkujtimesh në arkë.
Është heshtja e zambakut që e ruan një plagë.
As gjuha jote brenda shpirtit tim
Nuk ia prish kuadrin botës që shpotit
As zëri i bilbilit se ka tingullin që duhet
Se çelësi i notave nuk ka nota të tilla!
Në bregun e arritjes jam diçka unikate
Në Varkën e Noes – risi!...
NË ENHALLON …!
Në Enhallon riciklonim pijet si ditët e jetës
Duart e shtrënguara në sofër sa pak i mbajtëm!
Në shfrim ankthi sërish aty ripërtrihej premtimi
Se koha që na vrau njëherë nuk e gjykoi krimin.
Nëpër shtëllunga tymi dhe zëri i binjakëve
Me petën e jetës ngritej mbi dheun e hijes erëmirë!
Ia marrim nga pjesa e saj për një ardhmëri.
Kudo që të jemi, të flasim gjuhën e urtisë,
Mos bëhet shkarje përmes kufirit ndarës!
Ajo bëhej vetëdie, trupat tanë mbërtheu.
Unë Euridika e Ai Orfeu!...
ATY MBILDHEN PLAGËT…
Mos pandehni se ngjyrat e jetës i lexoni
Derdhen hapsirës se shpirtit krijojnë oqeane!
Aty mblidhen plagët, dhe njollat e gëzimeve,
Nuk vdesin! Por mbesin në kujtime!
Kur e shoh shfaqjen si dëborën e brishtë,
Më dalin yjet që enden lartësive!
Jeta rënkon unë përjetoj habi!
Shkronjat e saj - akoma nuk i di!...
IV NË ZEMËR KA GJITHMONË VEND
ÇASTE VETMIE
Eh! Çka desha unë ato çaste vetmie
Zemrën të mbërtheja me dashurinë!
Sikur të permbysej bota e asaj stuhie
Nuk do të kishte lot që derdhin breshërimë!...
NË ZEMËR KA GJITHMONË VEND
Më duhet të ik! Jam vonë!
Vargjet i lë të flasin për mirësinë!
Nuk janë pikat dhe presjet jehonë
Që e ndajnë dhe e nisin mërinë!
Janë bërë heshtje në pritje e takime.
Të ftojnë të vish, mos u hamend!
Se ka gjithmonë edhe grindje, si mirëkuptime
Se në zemër ka gjithmonë vend!...
JAM NIMFA E PËRLOTUR…
Më duhesh! Tek Ti dua të mbështetem!
Mos e rrëno veten nuk je gur i thatë!
Se unë nuk jam shteg që gjithmonë të tretem
Të bëj lot vetmie të përjetoj mandatë!
Nuk i dua trillet që krijojnë mistere
Kam ngritur në jetë qiparisë lartësie.
Unë jam më e forta edhe kësaj here
Jam Nimfa e përlotur me sy dashurie!...
MBI VARGJET E MIA
Mbi vargjet e mia erërat le të fryjnë
Nga shtigjet e jetës të oshëtijë jehona!
Sheshazi le të dalin lumenjtë të shfryjnë
Mjaft nga nëntoka mistere - të vrasin ditët tona!
Nuk dua të bëhem një rreng i pengesës
As zjarr që djeg e kthen gjithçka në hi!
Me rimat që përputhin zemrat e pendesës
Kurorëzoj zhgënjimin të ndjej lumturi!...
SHTATORE GURI
Kujtuat se jam njeri - shtatore guri
Ku zbardhin agimet e zverdh blerimin vjeshta!
Ashtu siç ngritet me tulla e llaç në Kala - muri
Të ngritet pikëllimi në rreshta!
Rikthej frymëzimet, kush m’i mbolli lotët
Janë gjyle që bijnë e shkatërrojnë gëzimin!
Gjithmonë në shënjestër i marrin botët
Të flasin se janë forcë që mposhtin pikëllimin!
I FLET ZEMRA - ZEMRËS
Nuk jam në gjumë! Jam në udhëtim!
Pas këngës dhe vargut kam hap duel!
Kudo nëpër shtigje me trishtim
Koordinoj një zë kënge për tel!
Ultravalët zgjasin diametrin e shpotive
Del nga errësira ajo që ishte në robëri!
I flet zemra – zemrës të ruhet prej mërive
Se bota më shumë kurtha ngriti se liri!...
HIJE
Hije që bëjnë pamje
Për shkarrje imazhesh
Zbardhen në frymëmarrje
Dhe, frymëzime këngësh!
Zhvendosen pamjet
Në skenën e hapur të cirkut
Zbehen ideogramët
Për të shkruar epitafë!...
NGRICAT E SHËTISË
Nga heshtja mortore - jehona pamore
Në horizontin e shtigjeve krijon bardhësi!
Janë tretur në oreksin e drekës
Ngricat e shemtisë!
Një krizantemë zgjimi në përballim
Ka dalë me këngë në Kullën e heshtjes!
Edhe valët e liqenit ia nisin tronditjes
Për ritmin që jeta ka humbur!...
ME AROMËN E KËNGËS
Më mbushen damarët me aromën e këngës
Kur gjëmon gryka e pushkës për liri!
Gjithçka ringritet e nuk fundoset si Barka
Që Noe ia fali Rilindjes nga rrëmeti!
Çka të jap në këtë hapsirë mbijetimi
Pos vargut që rrezaton mirësi!...
MË MIKLOJNË PAMJET
Jam në suprinën ku meridianët mbështjellin
Varganin e gjatë të kalorësve të fatit!
Në tatuazhe të ngritura që vënë në kornizë Diellin
Mbështes një qëndrim që ia kuptoj shpatit!
Miklojnë pamjet. Hije m’bën pëlhura e mëndafshit
Ashtu si në Parajsë. Ku kërkojnë devotshmëri.
Jam e trazuar në horizontin e afshit
Ku jeta kërkon nivelin e njeriut për njeri – UNË!
V BORË NË MARS
N?NA MA P?RKUJTON KOH?N
E GEORGE ORWELLIT
Nënë, nuk jam çupëlinë e vogël
Kur më këshilloje që të mos vonohem.
Terri mos më përbijë në rrugë
E ti të mbetesh pa fëmij.
Nënë, sa herë më përcjellë te porta
Më thua: mos pi lotët e Shën Mërisë!
Mos rri me poetë të çmendur Natën
Shkaku: se ata mund të të tjetërsojnë
E ta humbish veten ti.
Nënë, më ke thënë: dhe çka jo
Të kam police që më kontrollon
Ma përkujton George Orwellin: 1984.
Megjithatë, nënë unë mbeta fëmij
Kam nevojë për ngrohtësinë tënde
Të më vësh në gjumë si dikur
Kur isha fëmij...
BOR? N? MARS
Borë e pazakonshme në Shkup
Heu, bie borë!
Nuk kisha ombrellë, e bleva dikund
Të më mbroj nga moti i lig.
E ombrellat gjithmonë i harroj. Humb.
Po strehohemi diku në një Bohemi
Pimë gjakun e azreti Aliut me pomfritë.
Kohë gjaku. Dhe, lotëve të Shën Mërisë?!
S’kam kohë të them unë:
Furgoni më pret
E për ku?!
Për në vendin ku borë s’ka
Ka breshër.
Atje, ku nuk jam Vetvetja...
DHE ZJARRI DO T? SHUHET
N? SHKRUM E HI
Date, ha speca djegës
Të kam ngjarë ty.
Përvëlojnë. Djegin, por
Ja, që unë si ndjej.
Date, e shi më djeg shpirti
Thellësia e qenies time.
Jo specat djegës, por zakoni
Që e trashëgova nga ti.
Ti s’do të pajtohesh. E di...
E pi gjakun e azreti Aliut.
Dhe, zjarri do të shuhet
Brenda meje në shkrum e hi...
U LODHA ME VITET
E MIA NË SHPINË
Më thua: lehtë e ke ti
Unë jam Pandora, s’e kam
Ditur çka fshihet në atë kuti.
Herë Helena e Trojës pas së cilës
Lë kokën Ti.
Por, edhe Nefretiti, që i
Duhej kohë të dashurojë
Një njeri...
A e di?
S’e di, as unë. E si mund ta
Dish Ti?!
Jam Eva që nga Parajsa
E dëbova çdo burrë.
Përjetshmëri. U lodha me vitet
E mia në shpinë
Më lini të prehem në qetësi!...
MOS M? POROSIT FURGON
Mos më porosit furgon
Dua të rri këtu me Ty
E të shkruaj poezi!
Frymën e vargut
Ta grabisim që të dy.
Më përcjell në shtëpi
E, mandej çka do të bësh
Pa mua “Katastrofën”?!
“Qerren me ferra” rrugës
Që ngec dardhave gorrice
Dhe, për Ty ndez qiri.
Në ëndërr do të të vij. Përqafoj
Aq fortë, do ta mbys Natën.
Shkaku: më përcjell në shtëpi...
VI DHE NË FUND
PËR VETEN DHE VETËM
PËR VETEN
Derisa agimi zbulonte bukurinë e Qytetit të
poezisë
Lexoja vargjet e Fadil Bekteshit « Dashuri qyqare »
Në çdo varg të gjeta Ty e ditët e kaluara të rinisë
Fjalët e tua, zërin e shpirtit tënd që i gjuajta me revolt
e sharje
Nuk e di pse gjithmonë mes rreshtave dëshiroj
të gjej diçka të kuptimtë e në pakumtësi ta shndërroj
mazohizëm?
dënohem nga vetëvetja, mëkatet e dikujt i pastroj? …
Dhe e di këtë betejë me veten e humba, unë dorzohem
Miku im i dashur s’mund të të gjuaj ashtu kot më kot
Nga e nesërmja që do të ngjall përmallim dëshiroja të mbrohem
S`kam mburojë veç vuajtjes sime që si hije më ndjek pas,
E natën më futet në shtrat.
Vuajtja,
Në esencën e sajë unë gjej lumturinë
Jam grua e dashuruar në Dashurinë.
TE unë mos kërko azil,
E unë, unë,
Pa të pyetur pse dhe si,
Nga vjen e çka do ky Poet?
U përvodhe m`u fute nën lëkurë, u bëre i padukshëm,
Hije, pjesë e qenies sime, por vetëm për një çast,
Bëra shpejt një dush, pastrova lëkurën deri në dhimbje, e asht
Kërko një strehim te ndonjë tjetër grua,
Më mjafton vetëvetja, vuajtja, lumturia e alter egoja
Unë jam DASHURI…
BALADË PËR VETEN DHE
ENGJËLLIN E BARDHË
QË E DËBOI DREQI
Jam apo nuk jam
Fare nuk ka rëndësi
E më së paku për Ty
Si më shohin të tjerët as që dua t`ia di
Vullneti i Zotit ishte që të jem
Ta kryej misionin tim në këtë botë të rreme.
Bota e secilit e varfër është
Sepse gjithmonë jemi në kërkim
Posa ia arrim një qëllimi
Pas dere pret një sfidë e re
E pangopësia jonë për të pushtuar horizonte
E gjithësinë, është lojë kjo që ka fillim por jo
Edhe përfundim
Vullneti për fuqi, i rrënjosur në thellësi
Për tu dëshmuar në çdo pore të jetës për ta kënaqur
sedrën deri në pakufi…
A është Engjëlli Bardhë që roje prore më bënë
Ose Dreqi Zi i shndërruar në engjëll që triumfon…
E shpirtin ta trazon, gjithçka nga ajo që jam unë më alienon.
Rrugëtimi në ëndërr është shum i gjatë deri n’amshim
Nuk i takon tokësores, veçse ngjallë mashtrimin e iluzoren
E në endacak të pakuptimt të shndërron ....
Deri tek rrezja e Diellit nuk mund të arrish
Acar e furtunë e Ti do të ngrish nga ëndrra jote
E shndërruar në ankth e në neveri
Ti e unë afër por aq shumë larg do të jemi përsëri…
Koha e tretë një dimension
E aty, unë e Ti të shndërruar në të kaluar
Të çveshur nga çdo ardhmëri
Yjet janë pranë nesh por kush dot si prek
Se të djegin të shndërrojnë në pluhur e hi
Ata xhelozojnë e s`paradurojnë t’i posedoj njeri…
Vargu nuk mund të vritet e as Poeti që atë krijon
Ai të merr e në rrjetin e tij të robëron
E ti mbi frymëzimin e tij lundron e lundron
Mbi valët e Liqenit që jetë frymojnë….
E unë jam ajo që jam
Mëkatare si çdo njeri
Nuk dua të më çveshin nga çdo pafajsi...
Unë jam ajo që njëmijë herë kam parë vdekjen me sy
Ajo që për çdo ditë i them jetës PO
Sepse ç`kuptim do të kish ajo pa mua…
Ti udhëton, udhëtoj edhe unë
E nëse dikund rrugët na kryqzohen
S`do të thotë që jam duke të të ndjekur dhiareve
Ndjeki yllin polar që ndoshta e ndjek edhe Ti
Por a e ka arritur atë dikush deri më tani?
Ndaj dinjitetin ma ruaj, o Mik
Mua mos më kujto se gjumin nuk dua të ta prish
Xhelozia është atribut e të dobtëve
Ti vazhdo rehatinë, i qetë flejë me Poezinë…
Po, mos e mashtro veten se mund ta ndalosh fluturimin
E pulëbardhës mbi Liqe
T`ia ndërpresësh këngën bilbilit, ai nuk këndon për ne
Ngjyrat e ylberit nuk mund t’i zbehësh, veten e mashtron
Ylberi paraqitet pas shiut, zhduket e përsëri kthehet
Të na dënojë, ai i cili me ngjyrat onorike të verbon…
E në shpirtin tim ka aq vrragë që reflektohen edhe në sytë e mi
E Ti s`ke qenë e as që do të jesh i imi ndonjëherë
Të takova në kohë dhe vend të gabuar
Të njoha shumë vonë…
E çka nëse do të të kisha takuar më herët
Edhe ne do të ishim si gjithë të tjerët…
Dhimbjen e trishtimin nga shpirti im ta çrrënjosish
Nuk mundesh as Ti
Ndaj shko mos u shndërro në dhimbje të re
Si ata para e pas Teje në mesnatë
Ninulla nuk këndoj as për Ty e askujt në këtë botë
Dua të udhëtoj në mesnatë në ëndërr ku prehje kërkoj
Të të harroj, të harroj gjithçka që më ngulfat
Me vite të tëra më ndjekin ditë e natë…
Unë nuk kam kënd ta pres as në Dimër e as në
Vjeshtë të vonë
Ta ndez kandilin e shpresës dhe dashurisë që
është pjellë e imagjinatës sonë
Për mua lindje nuk ka, ka vetëm perëndim
E aq shumë do të dëshiroja t’i shoh fjollat e borës në
Vallëzim
Përsëritje e së njëjtës sillem në një rreth marramendës
E sa për lotët e mi, kush ata i meriton?
Apo. Ose, ndoshta……..Ti!...
Komentoni
Artikuj te tjere
Dy poezi Kundër Gjakmarrjes nga Nehat Jahiu
Cikël poetik nga Lulzim Logu
Luan Çipi: Përsihatje
Fjala e Asdrenit me rastin e varrimit të Arhimandrit Harallamb Çalamani në Bukuresht
Beqir Cikaqi: Cikël poetik (I)
Suzana Kuqi: Fqinjësia
Bilall Maliqi: Kujtesa për kohërënën (Nexhat Rexha, “Dhembja kujtesë”)
Halit Bogaj: Seriali turk ''Lugina e ujqve''
Aleko Likaj: Zemër Trimi
Skender Zogaj: Libër që meriton epitetin e librit të dalluar
Nexhat Rexha: Monografi me dritare të hapur
Poezi nga Blerim Rrecaj
Cikël me poezi nga Përparim Hysi
Poezi nga Alma Papamihali
Kadri Sherifi: Ku është Iliri? (Këngë kundër gjakmarrjes)
Sejdi Berisha: Ujëvarë stinësh (Poezia fituese e Çmimit ''Ora e Tahir Deskut'')
Sokol Demaku: O, unë e punojë, por drojë se nuk na vyen
Mehmetali Rexhepi: Enigma e burimit magjik
Cikël poetik nga Vedat Memedaliu
Kalosh Çeliku: Hoxha kur thërret në minare