E premte, 04.10.2024, 02:55 PM (GMT+1)

Kulturë » Berisha

Sejdi Berisha: Dashuro një minutë (Cikli: Pa vetveten)

E marte, 15.09.2009, 12:48 PM


Sejdi Berisha

DASHURO NJË MINUTË
- Poezi dashurie -

KATANDISJE ZJARRI

Pa u pjekur
Ndarja ka marrë dheun
Eja, pra
Me gjuhën time
Lidhu në përqafim
Do bëhem memec
Si nusja në natën e nusërisë
Nuk mund të të flas
Nuk mund të më flasësh
Vetëm rrëshqasim
Nëpër lëmashkun e zjarrit
Kështu do heshtim
Deri në mëngjes

NË DRITËN TËNDE

Vetëm buzëqeshjen ma fal
Dhe ik
Lodro nëpër dhomë
Si në fushën e mejdanit
Por më bë det në syrin tënd
Që të bëhem pikë loti
Ti laju në të
Ta preki sythin
Që të shkrihem
Lëshoje zërin e shfrenimit
Që të çmendëm
Ma lejo hyrjen në parajsë
Të digjem në zjarrin e ferrit
Qëndro ashtu, lakuriq
Nën dritën e lëkurës
Qiriu po fiket duke pritur
Atëherë do bëhet terr
Flaka na përfshinë në të katër anët

KJO LOJË FJALËSH

Prekur e kam zjarrin
Prej atëherë nuk bëj gjumë
Ç’është ajo që po e pres
Vjen apo nuk vjen
Më trego se po digjem
Në pritje të gjënë
Vetëm pleqëria para kohe
Ç’është kjo lojë fjalësh
Është poezi
Por edhe si mbarim stinësh
E ti, nëse do ligjëro
Për pleqërinë para kohe
Por, mos e lëndo
Gjuhën e zjarrit

VETËM ETJE

Shfletova faqen e parë
Rrugë dielli me lule
Mbarova faqen tjetër
Buzëqeshje në horizont
Eca në të tretën
Ngrohja në faqen e katërt
Libri ishte i trashë
Shfletova faqe e fletë
Vetëm pluhur e harresë
Vetëm etje për ty
Asnjëherë nuk u ngopa
Sërish shfletova faqen e parë
U dogja në takimin e parë
Në zjarrin e tokës
Nga puthja që nuk është

SHËTITJE NË TETOR

Nostalgjia motër loti
Dhembje shëtitjet në vjeshtë
Kur bie gjethi
Oshtimë ka pakthimi
Mbi gjethe të zverdhëta shkelim
Zërin lamtumirës ngrehin zvarrë
Gjithçka ndërrohet pamëshirshëm
Me etjen e stinëve
Në vjeshtën që vjen
Bijnë gjethet tjera
Ndoshta edhe akrepat e orës
Ngelin pa tik-takun e saj
Vjeshta eçtohet për stinët tjera
Që do t’i presim
Unë dhe Ti

TË MOS DIGJEMI

Në zërin tënd
Përgjigjem me dridhje zemre
Toka afrohet me qiellin
Vetëm të takohemi ne

Nëse të thërras
Mbylli veshët
Ktheji lotët në sy
Që të digjemi të dy

Mos hesht
Nëse zgjati dorën kah ti
Se bëhemi shtegtarë
Në rrugët që nuk ekzistojnë

Kështu do bëhemi
Dy vija paralele
Medet
Nëse nuk kanë takim

Edhe kur s’të kam
Pritja më ushqen

PËRQAFIM NË ERË

Pse rri sy shtangur
Pse nuk tregon
Për shkrumbin e shpirtit
Hapi krahët dhe përqafoje erën
Tani syri nuk ka lot
Lot jam unë e ti je krua

NUK E DIKTON DORËN TIME

Mos eja tek unë
Se më përcëllon
Ose
Pse më lëndon
Më përqafo nga larg
Shkriju në zjarrin e dhembjes
Nuk e dikton dorën time
Nëse jo
Vetëm buzët puqi
Me fjalën time
Kështu do ngelim
Lapidar në përqafim

SA ËMBËL KUR DIGJESH
DUKE DASHURUAR

Tash është ndryshe
Asnjëherë mos pyet pse
Askush nuk ta shpjegon
Drejtë askush nuk të tregon
Tash është ndryshe
Gjithnjë në flakë
Sa ngrohtë kur digjesh në te
Sa ëmbël kur ikën duke dashuruar
Edhe pse është ndryshe
Dashuria kjo lypse zjarri
Përherë mbetemi
Diçka duke pëshpëritur
Tash është ndryshe
Mëkat është ikja me lot
Kudo dhe kurdo
Përvoje dashurinë si ilaç
Ajo shëron edhe kur djeg

DO TË VIJNË STINËT TJERA

Do të dëshpërohesh
Nëse nuk e ke ledhatimin tim
Moj e çmendura ime
Por kujtimeve do t’ua heqësh pluhurin
Syri do të bëhet pikturë dashurie
Por asgjë nuk mund të prekësh
Unë jam larg
E ti shumë afër
Kështu nuk mund të takohemi
Ëndrrat vetëm na shkaktojnë dhembje
Luleve u ikën poleni
Do vijnë stinët tjera
Ndoshta atëherë takohemi pa lot

DERI NË MBARIM TË STINËVE

Nën urën
Që bashkon brigjet
Ikën jeta
Pritjet largohen duke pritur
Unë ikanak i përjetshëm
Nga jeta
Nga vdekja
Nga terri
Frikë në dashuri
Të gjitha më arritën
Në ditën e parë të stinës
Ndeza edhe një qirinj
Diellin ta shikoj
Ndoshta nuk do të fiket
Ndoshta nuk do të shkrihet
Deri në mbarim të stinëve
Deri në ditën e parë të pranverës
Lazdrakja ime

PASQYRË E THYER

Sa larg është deti
Për të na shpërlarë
Ku janë drenushat
Për të ma dhuruar bukurinë
Plagët për të m’i shëruar
Etja gjithmonë këmishë trupi
Gjuha histori e pashkruar
Sa zbrazëti pa vetveten
Pasqyrë e thyer jeta

ËSHTË SI ZËRI IM

Shiu
Tërë jetën të pikëllon
Kohën e bën rrugëtim
Syrin me shikim e ushqen
Shiu është si zëri im
Këmishë e frikësimit
Frymëzim për të vdekur
Vetëm në përqafim
Shiu e ka akëcilin
E pavdekësisë
Urrejtjen e etjes
Shiu e ka zjarrin
E përmallimit
Me gjethe vjeshte
M’i mbështjell lotët
Ç’kuptim ka kjo
O, zëri im i padëgjuar

PA ZË

Mos u pendo kurrë
Për kohën e shkuar
Nganjëherë ktheu pas
Fshije lotin
Se vjen loti tjetër
Ngrite zërin pa zë
Këndo për lëndimin
Me dashuri ngjitu lart
Deri në qiell të qiellit
Perandoria ime
Piramidë heshtjeje

HEU, RINIA IME...!

Heu, rinia ime
Po, shumë qenke kërrusur
Vjedhur ta paskan aromën e luleve
Gjethet t’u paskan bërë lulëse
Flladi i pranverës erë myku
Edhe erën e blirit
Ta paskan humbur
Rrezet e diellit
Me ethe t’i kanë mbështjell
Heu, rinia ime
Zjarrin nuk paskan mundur të ta shuajnë
Më dukësh pranverë pa gjelbërim
Shikim në ikjen e trenit
Lot që djeg vesën e vjeshtës
Pritje e syve all-ngjyrë tifusi

Heu, rinia ime
Sa shekuj ke
Po, ç’të paskan rënduar motet
Etja për fjalën e pastër
Frika për kuptimin e mbaruar
Heu, rinia ime
Po, sa shumë të paska gërryer
Gjelbësimi i lotëve
Sa të paska ngushtuar
Sëmundja e njeriut
Por, bëhu e fortë dhe qëndro
Përreth ke plot sytha që po rritën
Do mbetesh ekzemplar
I jetës meskine
Heu, rinia ime
Ç’të paska bërë peshë
Edhe pleqëria
Por, kurrë mos i mbyll sytë
Se pranvera po vjen
Heu, rinia ime
Tani po të shoh si kripën e plasur

(Pejë, 11 mars 2004)
 

E p i l o g

NËSE NDONJËHERË
KTHEHËSH
Të lutëm
Nëse do ndonjëherë
Të më takosh
Kthe në Pejë
Po të shkosh atje
Do hasësh
Frymën dhe hijen time
Do të lagësh me lotin tim
Mos harro
Në Pejë të shkosh
Të digjesh me etjen e buzëve
Edhe pse s’do të jam
Do të kesh
Më shumë mall
Për përqafimin
Kurse unë do të shkrihem
Në gjuhën tënde
Duke kërkuar zjarrin
Për ta ndalur etjen
Dhe do të kalërojmë
Pa ditur asnjë rrugë


(Vota: 24 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora