E diele, 28.04.2024, 10:29 AM (GMT+1)

Kulturë

Agron Tufa: Një letërsi e dënuar me vdekje

E marte, 15.09.2009, 04:41 PM


Një letërsi e dënuar me vdekje

Nga Agron TUFA

Para disa ditësh, në fund të gushtit, kam përcjellë një debat polemik në shtypin tonë, midis prof. Rexhep Qoses dhe disa shkrimtarëve shqiptarë. Thelbi i debatit nëse e skematizojmë, ka qenë dilema “Është apo jo letërsia shqiptare europiane”.

Nuk kam pikën e dëshirës për t’u rreshtuar në debate të këtilla pro njërës anë e kundër tjetrës apo anasjelltas. Sepse fryma molepsëse e debateve të nxitura nga mediat tona janë në thelb tërësisht konjukturale dhe shkojnë në dobinë e paramenduar të atij klani që e provokon. Prandaj dhe nuk jam rreshtuar kurrë me Korin, sepse qysh në krye të herës kam vënë re jo shqetësimin e sinqertë, por hipokrizinë e përllogaritur, prodhimin virtual të debateve, replikave e polemikave, si me thënë, në epruvetë, dhe se çka do të flasësh, në një mënyrë a në një tjetër totalizohet dhe i shkon shëndet njërës prej palëve, me të cilën s’të lidh asnjë shqetësim.

Edhe një pakënqësi tjetër: më pikëllon pa masë solidariteti dhe rreshtimi në anën e më të fortit, jo për shkak të pranisë së argumentit dhe logjikës, por për shkak të mitit të më të fortit në modë. Së këndejmi vjen dhe reagimi kolektiv për linçimin publik të tjetrit, pavarësisht nëse ka apo jo të drejtë. A nuk është kjo një reminishencë e shoqërisë tonë totalitare dhe e zbatimit të vijës së masave?

Po jua ilustroj konkretisht me rastin e linçimit publik që iu bë Boris Pasternakut në fund të viteve ’60. Kam parë kronika të panumërta televizive dhe radiofonike, se si procedohej për dënimin kolektiv dhe deklasimin e shkrimtarit në shoqëritë komuniste. Siç dihet, linçimi publik i Pasternakut në Rusi, nisi fill pas botimit të kryeveprës së tij “Doktor Zhivago” jashtë BRSS-së, më saktë, me rastin e botimit të romanit nga shtëpia e mirënjohur botuese italiane “Feltrineli”.

Pasternaku ua kishte dërguar romanin disa revistave të mëdha moskovite dhe të gjitha ia kishin refuzuar botimin. Por një vit pas botimit të romanit në italisht, Pasternakut iu dha çmimi “Nobel” për Letërsinë. Këtu nisi dhe fatkeqësia e veprës dhe fatit individual të autorit. Presioni dhe kërcënimet qenë aq të frikshme, sa me pahir e detyruan autorin ta refuzonte nobelin. Lidhja e Shkrimtarëve sovjetë e përjashtoi nga rradhët. Ishte pikërisht kjo atmosferë që përcillnin kronikat me anketimet e tyre nëpër rrugë. Duke i ndjekur këto kronika e intervistime të njerëzve në mes të rrugës, më ka lënë përshtypje fakti se me sa lehtësi populli me ndërgjegje të manipuluar e bën kurban shkrimtarin, po atë shkrimtar, me të cilin po ky popull, disa dhjetëvjeçarë më vonë krenohet. Pyetja standarte e anketimeve ishte pak a shumë kjo:

- A e keni lexuar romanin e Boris Pasternakut “Doktor Zhivago”? (Një absurditet, sepse romani nuk u lejua të botohet).

- Jo, nuk e kam lexuar, po ja ku po ua them, se ai është një roman tejet reaksionar, që mohon frymën e revolucionit tonë të madh të Tetorit, hedh baltë mbi Leninin e madh dhe idealet bolshevike, duke e parë Revolucionin si një tragjedi vëllavrasëse, luftë civile. Si ka guxuar ky agjent i borgjegjezisë! Jemi shumë të revoltuar dhe e dënojmë me forcë autorin e atij romani të poshtër.

E solla këtë model masiv të reagimit në shoqëritë totalitare, për ta përqasur jo me reagimet analoge të shoqërisë së djeshme staliniste shqiptare, por me reagimet e sotme, të cilat, asgjëmangut, vazhdojnë të jenë të tilla, apriori.

Tani i rikthehem edhe njëherë tymnajës që u bë për fjalët e Rexhep Qoses, të perceptuara në mënyrë aberrative (të përthyera) sipas citimeve të shkëputura nga konteksti. Pohimi i Qoses (në një kumtesë të seminarit të përvishëm të studimeve albanologjike që mbahet çdo vit në Prishtinë) se, “Letërsia shqiptare nuk është ngjitur në nivelet europiane”, përbën, padyshim, një provokim. Por në vend që të kërkohet konteksti si është përdorur (Qosja me nivel europian në kumtesën e vet nënkupton Xhojsin, Prustin, Kafkën, Tomas Manin etj.), shkrimtarët tanë turravrap u sulën me çomange e sakica, duke bërtitur se s’është e vërtetë, se ne jemi më të përkthyerit në Ballkan (çka s’është aspak e vërtetë), se Qosja është një mohues i madh i vlerave tona europiane et, etj.

Epo këtu ia vlen të ndalemi pak dhe të mbushemi me frymë, d.m.th., me arsye. Së pari, a ia vlen të pronohet një formulim i tillë i çështjes, siç e shtron Qosja – “a është letërsia shqiptare europiane”? Ç’do të thotë për letërsinë të jetë ose jo euripiane? Kjo është një marrëzi. Sepse nëse gjërat funksionojnë me mastarin “europian” në ekonomi, politikë apo struktura sferash të tjera, atëherë për letërsinë ky mastar nuk funksionon aspak. Çështja shtrohet a kemi ne letërsi të madhe, të fuqishme, emancipuese, me nivel të lartë artistik? Sepse çfarë do të thoshim për disa letërsi të mrekullueshme që nuk janë “europiane”? Përshembull, çdo të thoshim për letërsinë e begatë latinoamerikane? Për Hulio Kortasarin, H.L Borhesin, Adolfo Bioj Kasaresin, Ernesto Sabaton, Silvia Okampon, Karlos Fuentesin, Migel Anhel Asturiasin, Vargas Maria Ljosën, Alejho Karpentierin, Pablo Nerudën, G.G. Markezin etj? Po për amerikano-veriorët? Po për Jukio Mishimën, Jasunari Kavabatën, Akutagavën, Kenzaburo Oe, Haruki Murakamin e shkrimtarët e mëdhenj japonezë? Po për letërsitë kineze dhe gadishullit të Indokinës, apo për letërsitë arobo-perse dhe turke? Sa më shumë të thellohemi, aq më absurde tingëllon pyetja.

Megjithatë edhe nga parashtrimi i gabuar i pyetjes mund të ishin nxjerrë mjaft përfitime, nëse debati nuk do të ishte inicuar sall për të krijuar përplasje antagoniste palësh. Për shembull, shkrimtarët tanë kishin rastin ta shfrytëzonin këtë debat për të ngritur një diskutim të frytshëm mbi mënyrën se si funsionon letërsia sot. A është në gjendje letërsia shqipe sot të ketë auditorin e saj? Sepse thembra e ndjeshme e çështjes është pikërisht kjo: shkrimtari shqiptar sot nuk mund të krijojë urën e tij me lexuesin, jo se shkruan keq, jo se nuk është i aftë e interesant, por atë e kanë prerë nga lexuesi, e kanë privuar rëndë nga e vetmja lidhje e tij natyrale.

Pyetjes së Qoses mund t’i përgjigjeshim kështu: po, letërsia shqiptare është e denjë si për nivelet europiane, ashtu edhe botërore. Po sa e njihni ju, z. Qose? Në përgjithësi, sa e njohim ne letërsinë e sotme shqipe? Nuk flas për njerëz si puna ime apo ndonjë pasionanti që hyn çdo javë nëpër librari, por për informacionin dhe punën që bëjnë shtëpitë tona botuese. Kur them se shkrimtarin shqiptar e kanë prerë dhe izoluar nga lexuesi, kam parasysh se veprat botohen në tirazhe aq të pakta, sa jo vetëm nuk u bëhet shërbimi minimal i kritikës recensionale, por as nuk shpërndahen nëpër librari. E nëse libri nuk shkon në librari, do të thotë nuk e lexon kush, por jo se nuk ka shkrimtarë shqiptarë me nivel të lartë. E nëse librin nuk shkon në librari, nuk e lexon kush, atëherë çfarë ndryshimi ka në është botuar apo jo vepra? Sepse nëse vepra nuk shkon te lexuesi, është njësoj sikur shkrimtari ta ketë atë në dorëshkrim, në kompjuter. Së këndejmi shkrimtarët shkrimtarë e përdorin librin në trajtën e kartëvizitës kur takohen me kolegët e tyre.

Si duket Qosja ka arritur të lexojë vetëm ato vepra, ato raste përjashtuese kur libri, edhe duke shënuar në vetvete një nivel artistik të neveritshëm, i është imponuar lexuesit në sajë të fushatave zhurmëmëdha nga shtypi i shkruar dhe ekrani, duke provokuar “boom-in” artificial. Më konkretisht Qosja është mahnitur, sikundër është shprehur vetë, nga niveli “europian” i Rudina Xhungës dhe Ben Blushit, ngase ata i kanë rënë në dorë.

Në kujtesën e lexuesit vazhdojnë të mbeten vetëm emrat e shkrimtarëve e poetëve që kanë xhirruar emrin ne diktaturë. Infrastruktura komuniste ishte aq e fuqishme dhe imponuese, sa e shpërndante veprën jo vetëm nëpër të gjitha libraritë dhe bibliotekat, por e fuste librin në njëmijë mënyra, sigurisht, populiste, në të gjitha ndërmarrjet, uzinat, kantieret, shkollat, gjimnazet e universitetet. Një dendësi e tillë e qarkullimit dhe imponimit të librit ka arritur të ngulitet në kujtesë. Po të pyesësh tani për po ata shkrimtarët të botuar para vitit 1991, do të të kujtojnë vetëm veprat e botuara para këtij viti dhe aspak për një mori të tjerash të botuara pas vitit 1991. Nuk të jep kush përgjigje për veprat e reja letrare të Agollit, Arapit, Spahiut, Londos, Çelës, Koreshit, Laços etj, të botuara këto 17 vitet e fundit. Përjashtim bëjnë veprat e Kadaresë e ndoshta të Kongolit, vetëm në sajë të propagandimit dhe shpërndarjes. Po ky fat i situatës izolacioniste ka dënuar veprat e shkrimtarëve të rikthyer apo të dënuar, nëse ato nuk përfshihen në programet shkollore-universitare. Lexuesi i para viteve ’91 nuk ia ka idenë veprave të Koliqit, Camajt, Trebeshinës, B. Xhaferrit, Arshi Pipës, etj. Por orientohet për bukuri, nëse e pyet, për veprat e reklamuara fort, të R. Xhungës, B. Blushit, D. Çulit, B. Zllamit etj., dhe sigurisht, të Kadaresë.

Asnjë, absulotisht asnjë botues shqiptar, me përjashtim të Fatos Kongolit (edhe këtë pasi e botuan në Francë), nuk ka arritur të shërbejë e të nxjerrë një autor të ri shqiptar, që pas rënies së komunizmit. Dhe kur një shtëpi botuese nuk arrin të nxjerrë një shkrimtar, nuk merr përsipër riskun me shërbimet e veta, do të thotë se nuk ka kryer mision tjetër, përpos tregëtisë së ulët të matrapazëve. E vërteta është mjaft e pikëllueshme. Nisur nga përvoja e lëkurës sime pohoj, se nga shtatë librat e mi, romane dhe vëllime poetike, nuk arrij të gjej asnjërin, në asnjë librari të Tiranës, jo më të themi të ndonjë qyteti tjetër, e mos o Zot, në Prishtinë, Tetovë, Vlorw apo Sarndë. Të njëjtën gjë e them dhe për kolegë të mi si Arian Leka, Romeo Çollaku, Virion Graçi, Ervin Hatibi, Balil Gjini, Ardian Christian-Kyçyku, Alban Bala, Henrik S.G, Ritvan Dibra, Ramiz Gjini, etj.

Në këto kushte ka një letërsi bashkëkohore që krijohet në izolim, e shkëputur nga komunikimi me lexuesin dhe nuk është faji i mosnjohjes as i autorit, as i lexuesit, por i ndermjetsuesve të tyre, i infrastrukturës inekzistente, çka përbën dhe plagën më të madhe të procesit letrar tek ne. Sepse para se të ngrihesh në nivel “europian” si letërsi, duhet më parë të njihesh nga lexuesi yt, gjë që është bërë një mision i pamundur tek ne.

Por edhe nëse i kalon këto rrathë të hadit të këtushëm, edhe nëse, fjala vjen, befas shkrimtarëve që përmenda më sipër (e mjaft të tjerëve që s’i përmenda), pra, nëse autorëve tanë u bëhet një shërbim i ngjashëm me Xhungën, Blushin, Diana Çulin, Elvira Donesin apo B. Zllamin, atëherë prapëseprapë, kalimi në një njohje “europiane” është edhe më i pamundur, tashmë në rrafshin teorik. Sepse, siç e kam përsëritur edhe në shkrime të mëparshme, letërsia shqipe përveçse zhvillohet e prerë e në izolacion nga lexuesi shqiptar, ajo s’ka shans të depërtojë në Europë, për shkak se letërsia shqiptare nuk ka përkthyes. Madje nuk ka përkthyes as për Kadarenë, i cili në anglisht përkthehet nëpërmjet frengjishtes. Çfarë të themi për të tjerët?

Por nëse në këtë vendin tonë që e ha haseti për Europën dhe integrimet, do të ishte zbatuar ndonjë platformë kombëtare e kulturës mbi perspektivën e një letërsie pa përkthyes, atëherë zhbllokonimi i saj do të ishte i mundshëm kësisoj: duke dhënë çdo vit 4-5 bursa për studentë të huaj të kulturave të ndryshme. Atëherë ky “rreth vicioz” mund të kapërcehej. Përveç kësaj, shumë krijues të talentuar që jetojnë tash sa vjet në kulturat e huaja mund të përfshiheshin në një projekt kualifikimi e bashkëpunimi për të plotësuar boshllëkun e mungesës së përkthimeve nga gjuha shqipe. Por jo! Letërsia shqipe është e mallkuar të ngallmohet njëlloj si gjuhët e vdekura. Më keq se latinishtja. Ne nuk arrijmë të bëjmë as sa çereku i Maqedonisë në këtë drejtim. Një letërsi që nuk ka përkthyes, që nuk përkthehet, do të thotë se është e dënuar me vdekje.

Vetëm pasi të kemi shëruar plagët e një procesi të sëmurë me letërsinë shqipe dhe lexuesin e saj, vetëm pasi ta kemi nxjerrë nga paraliza e komunikimit dhe të kemi fituar një njohje të saj të natyrshme, vetëm atëherë pra, mund të ngriheshin edhe çështje të tilla të shqyrtimit të raporteve krahasimore me nivelin “europian” apo dhe botëror të letërsisë shqiptare. Përndryshe çdo anashkalim i kësaj plage do të thotë, asgjëmangut, veçse hipokrizi.

P.S; sot, pas disa ditësh leximi të ngadaltë e të ëndshëm, mbarova së lexuari romanin e Bashkim Shehut “Moxart, me vonesë”. Një roman i mrekullueshëm e rrënqethës nga të gjitha pikëpamjet. Një letërsi menjëmend e rrangut botëror, e mjeshtrave të penës. Një botë individuale e kolektive e shtypur dhe e asfiksur, e më në fund e përçudnuar nga pesha e dhunës dhe terrorit psikologjik totalitar. Sa do të kisha dashur që këtij romani, i cili shpëton nderin tonë faqe botës, t’i bëhej një reklamim i bujshëm multimediatik, siç iu bë, fjala vjen, veprave të Rudina Xhungës apo Ben Blushit, të cilat, të marra së bashku, nuk vlejnë as sa një fjali e këtij romani.



(Vota: 5 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora