E shtune, 27.04.2024, 04:43 PM (GMT+1)

Kulturë

Cikël poetik nga Sabit Idrizi

E merkure, 16.09.2009, 12:58 PM


Sabit IDRIZI

I SHKAPËRDERDHUR

Shpesh e më shpesh më ndodh
Të zgjohem krejtësisht i shkapërderdhur
Brenda vetvetes

Ku t’i zë fijet e mendimeve
Cilit kujtim t’i vardisem më parë

A t’ia nisi e ta dashuroj marrëzisht
Këtë grua “mollë” të (Mes) jetës sime
A t’i kthehem sërish flokëverdhës së dikurshme të buzëlumit

Në barkun e kalit antik a ta vras gjarprin
E të vdes ëmbël për këtë qytet
A t’i hap portat e përbirimit
E të jetoj përdhunshëm përtej dashurisë

Shpesh e më shpesh më ndodh
Të zgjohem krejtësisht i shkapërderdhur
Brenda vetvetes

DRUAJTJE E PAKUPTIMTË

Të gjithë mbështetemi në dashuri
E dashurisë i druhemi
Si gjarprit

Pse kaq pamëshirshëm e ndrydhim në vete
Këtë zjarr
Këtë dalldi kaq të fisme

Mos vallë kemi filluar të vdesim përbrenda
Si guacat
E nuk po e shohim

SHALJANËT E MI

Dikur
Me strajcat e tyre të dhirta
Përditë zhdirgjnin nga pak bjeshkë
Në qytetin tim të verdhosur

Dhe kur i shteronin ato pak ëndrra të brishta
E fusnin sërish në kraharor nga një grusht kollë të thatë
Dhe u syheshin lartësive

Tash
Me bagazhet e tyre të hekurta
Përditë bartin e bartin diçka
E s’di kush se pse
E s’di kush se kah...

METEORËT

Shikoni sa teatralisht bëjnë vetëvrasje
Sa etshëm digjen shqim
Këta narcisë të vdekshëm

Në bukurinë mahnitëse të rënies
Sa tmerrshëm e kafshojnë vetveten
Nga kënaqësia e çastit

Në zhdukje
Përherë në zhdukje
Kjo botë yjesh të rremë
Që bien

LULJA ADAM

Kjo lule
Nuk mund të jetë Adam
Po s’e polli nga brinjët e veta
Një grua

Një mëkat
Po s’e polli një mëkat
Nuk mund të ekzistojë më
Kjo botë prej vazoje

POETËT DASHUROHEN NATËN

(Poetët, si kalorësit e arratisur, po s’e patën, duhet ta trillojnë një dashnore)

Nga palca e territ i nxjerrin
Dashnoret e veta të krisura

As si gra të pabesa
As si zana që shitojnë

Nuse të epshta
Që veç sa s’pëlcasin
U duken

I shtrijnë në shtretërit e tyre të pagjumësisë
Dhe deri në agim
I shterin me të puthura

ENIGMATIKE

O ende e palindur
O kaherë e perënduar
Fshihet diku koha ime

Unë nuk shkoj derisa të mos vijë
Ajo nuk vjen derisa të mos shkoj
Dhe...

Hajt tash qëlloja
A veja
A pula

KUNDËRSHTUESE

E projektoj një epokë që s’është vetëm e imja
Ma shëmtojnë me djallëzi që është vetëm e tyre

E kush më mirë se poeti di t’i projektojë
E kush më keq se demoni di t’i shëmtojë
Do kohë të ëndërrta që s’po lindin

JAM

Jam plot e përplot Dashuri
Plot e përplot Atdhe
Dhembje e pambarim jam krejt

DËSHIRA E FUNDIT

Ma bëni një varr prej gjoksit tim të shtrydhur
Që t’i përngjajë ëndrrës sime të ndrydhur

Më lani me qumështin e gruas së murosur
Që të bëhem tokë kurrë më e përdhosur

Më mbuloni me pak dhé të dashurisë
Që kujtimi për mua t’i ngjajë ardhmërisë

Dhe më lini të qetë në vetminë time të madhe
Që ta projektoj ringjalljen për një botë pa halle


(Vota: 8 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora