E shtune, 27.04.2024, 07:56 PM (GMT+1)

Kulturë

Njoftim për shtyp - Takim në Asti (Itali) me shkrimtaren Elvira Dones

E merkure, 16.09.2009, 12:42 PM


Njoftim për shtyp

Takim në Asti (Itali) me shkrimtaren Elvira Dones

Elvira Dones: Unë, si Neruda, rrëfej se kam jetuar.

“Unë, si Neruda, rrëfej se kam jetuar”. Me këto fjalë, të huazuara nga
titulli i librit autobiografik të poetit të madh amerikano-latin, e
nis Elvira Dones paraqitjen e saj përballë publikut të shumtë e të
përzgjedhur Italjan dhe Shqiptar, që mbushi të Hënën, 14 Shtator 2009,
sallën kryesore të Bibliotekës së qytetit të Astit, në Itali.

“Edhe unë, si protagonisti i shquar i këtij libri,” thotë Dones, “kam
jetuar në mënyrë shumë intensive. Kam bërë edhe gabime, më shumë se
një herë edhe jam rrëzuar, por përherë jam ringritur.”

Kjo, natyrisht edhe falë pasionit të thellë për letërsinë.

“Letërsia është për mua si një besim fetar, ajo është vetë feja ime”,
shprehet shkrimtarja, autore e shumë romaneve, përmbledhjeve me
tregime dhe dokumentarëve, të realizuar, në gjuhë të ndryshme, në
Shqipëri, Itali, Zvicër e SHBA. “Nëse shkrimtarja Sibilla Aleramo
shkruan ‘Dua, pra jam’, unë, për veten, mund të pohoj pa frikë se
‘Shkruaj, pra jam’”, shprehet autorja Shqiptare, krijimtaria e së
cilës është vlerësuar me çmime prestigjioze ndërkombëtare, si Grinzane
Cavour-i i vitit 2008.

Shkrimtare, patjetër, por njëkohësisht edhe grua, bashkëshorte e nënë,
Dones flet gjatë edhe për vështirësitë, gëzimet dhe dhimbjet, e
lëvrimit të letërsisë për një grua të përkushtuar edhe ndaj familjes.
“Për të shkruajtur letërsi, diçka e cila i përket unit tim më të
thellë, kam nevojë për një hapësirë timen, të pacënuar nga asgjë
tjetër, që shpesh më mungon” thotë ajo. “Për një shkrimtare femër
krijimtaria është më e vështirë, pasi ajo duhet të përkujdeset edhe
për familjen. Në rastin tim, kohë nga krijimtaria letrare më rrëmben
edhe veprimtaria si gazetare dhe dokumentariste.”

Por, pavarësisht vështirësive, Dones duket se preferon të punojë
kështu, e impenjuar paralelisht në shumë “fronte”. “Më tmerron ideja e
të qënit vetëm shkrimtare,” thotë ajo. “Eshtë e rrezikshme të tentosh
të përshkruash botën pa lëvizur nga skrivania e studios tënde. Bota
duhet parë, duhet prekur, duhet njohur. Për mua shkrimi i një libri
është një moment i shenjtë, dhe gjatë atyre katër muajve që shkruaj
bocën e parë, jetoj vetëm për këtë gjë. Por kur përfundoj së shkruari
një libër, vijoj menjëherë me veprimtari të tjera. Puna si gazetare më
apasionon. Ajo që më intereson më shumë, si autore dokumentarësh, janë
të emargjinuarit. Ata më japin shumë, pasi kur përfundoj një
dokumentar kam grumbulluar edhe mjaft material për një libër të
ardhshëm.”

Nga ideja e një dokumentari ka lindur edhe suksesi i saj i fundit,
romani “Vergine Giurata” i botuar në Itali nga shtëpia botuese
prestigjioze Feltrinelli. Ky është edhe romani i parë që Dones ka
shkruajtur direkt në gjuhën Italiane. “E kam bërë këtë,” pohon
autorja, “pasi jo rrallëherë kam hasur vështirësi në përkthimin e
veprave të mia nga Shqipja në Italisht. Nganjëherë më është dashur
madje ti rishkruaj vetë, si në rastin e romanit “Ditë e Bardhë e Fyer”.

Projektet për të ardhmen janë të shumta. Një film fiction, një
dokumentar, një roman i ri, noir, i shkruajtur edhe ky në Italisht.
Por edhe një përmbledhje me tregime në gjuhën Shqipe, një projekt
televiziv mbi letërsinë, i realizuar në bashkëpunim me Top Channel, si
edhe ribotimi në Shqip i romanit “Yjet nuk vishen kështu”.

Pavarësisht përmasave të theksuara ndërkombëtare të jetës së saj – me
bashkëshort Zviceran, ajo jeton në SHBA dhe udhëton parreshtur për
arsye pune – Elvira Dones vazhdon të mbetet shumë e lidhur me vendin e
origjinës.

“Deri një, apo dy vite më parë, as që e mendoja të kthehesha në
Shqipëri,” thotë ajo. “Ndërsa tani tek unë po hedh rrënjë ideja, nuk
them e kthimit përgjithmonë, por e një vendosjeje të përkohshme, për
4,5 apo 6 muaj, në Shqipëri, për të punuar aty. Shqipërinë e kam
dashur dhe vazhdoj ta dua me shpirt. Jam edhe shumë kritike ndaj
vendit tim, por kjo vjen pikërisht sepse e dua. Sa herë kthehem në
Tiranë kam shumë emocion.”

Veprimtaria, e organizuar nga Biblioteka e Astit në bashkëpunim me
Shoqatën Vatra të Torinos, shënoi etapën e rradhës të projektit
“Festivali i Kulturës Shqiptare” i propozuar nga Vatra, me mbështetjen
e Rajonit të Piemontit. Ajo u pasurua nga buqeta muzikore e ofruar për
nder të Elvira Donesit nga këngëtarja lirike Lindita Hisku e shoqëruar
nga pianistja Kristina Gjonej.

Në kuadër të këtij projekti qytetarët e Piemontit, Shqiptarë, Italjanë
apo të kombësive të tjera do të kenë mundësinë të njihen me kulturën
Shqiptare përmes takimit me personalitete të spikatura të saj.

Takimi me Elvira Dones vjen pas një serie veprimtarish të ngjashme të
Vatrës, të cilat kanë sjellë në Piemont shumë artistë e studjues
Shqiptarë, ndër të cilët përmendim Ylljet Aliçkën, Anilda Ibrahimin,
Rando Devolen, Suzana Turkun, Gjergj dhe Luiza Xhuvanin, etj.

Shoqata Kulturore Italo-Shqiptare Vatra

Vatra është themeluar në Torino në vitin 2002 me nismën e një grupi
qytetarësh Shqiptarë dhe Italjanë. Ajo zhvillon veprimtari të cilat
kanë për qëllim integrimin sa më të mirë e më të shpejtë të qytetarëve
Shqiptarë në shoqërinë Italjane, duke vlerësuar njëkohësisht
identitetin kulturor të bashkësisë.

Falë veprimtarisë së saj të dendur kulturore dhe institucionale,
Torino është shndërruar këto vitet e fundit në një nga qëndrat më
mikpritëse ndaj artit dhe kulturës Shqiptare në Europë.

Benko Gjata

Associazione Culturale Italo-Albanese Vatra
Via Piazzi 12, 10123, Torino
Cel. +39 339 3376951
Fax +39 011 6060412
E-mail vatra@hotmail.it

Torino, 15.09.2009


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora