E shtune, 27.04.2024, 06:11 PM (GMT+1)

Kulturë

Luan Xhuli: U takova përsëri me Zef Lekën...

E enjte, 17.09.2009, 06:48 PM


U TAKOVA PËRSËRI ME ZEF LEKËN...

(Mbas leximit te një monografie për Të )

Nga Luan Xhuli

....Vetëm jo si atëherë, adoleshent, kur artisti shkodran punonte në shtëpinë e Pionierit Kuçovë, ku unë vazhdoja gjimnazin....Takimet, përherë kanë jo vetëm të pa pritura, por shpesh shoqërohen me ndjesi të tilla, sa mbytesh prej mallit dhe vetëm me vargjet e heshtjes, mund të thuash të pa thënat....Ashtu më ndodhi me monografinë e shkruar prej shkrimtarit Leon Lekaj ....një nga shokët moshatarë të asaj kohe....
...E shihja çdo mëngjes atë njeri, që asnjëherë se kuptova atëherë se me ç’të veçanta ngjyra kisha bërë portretin e tij. Kishte shumë të tilla, aq sa një herë i kisha thënë motrës sime, që ishte mësuese, se atë njeri më duket se e njoh, dhe se më tërheq qenia e tij. Motra kishte buzëqeshur, duke më shpjeguar se ai ishte një artist dhe mësues i veçantë...Me  mënyrën e saj pedagogjike, më tha, se njerëzit që janë artistë në shpirt, duken dhe jetojnë jo vetëm në të gjitha moshat, por edhe në të gjitha kohërat...
I buronte një mirësjellje nga sytë, që i kishte si dy diej të vegjël...Ballit të tij të lartë, i jepnin hijeshi flokë të dendur e të dallgëzuar, që ngjasonin me tallazet e lumenjve, kur futen në det...Fliste ngadalë, me një qetësi që fshihte energji dhe të bënte që ta besoje....Fjalën e kishte plot  pasion dhe magji, që ngjasonin me rima të ëmbla poetike, e që dyshoje nëse dilnin nga një njeri me trup mesatar..si i tija. Portreti i artistit, se ç’kishte një lëng ngjitës që s’të linte të shkëputeshe lehtë....
Duart i kishte aq të shkathëta, aq sa një herë u afrova krejt afër s’munda  t’ia dalloja gishtat e dobët e të gjatë të tij, nga tastiera e gjatë e pianos....Kur bisedoje, ndjeje se kishe afër shokun, babanë, prindin që sheh fëmijën si rritet dhe që i gëzohet diellit. Ta jepte respektin, me filozofinë e asaj çka  thoshte dhe mënyra e sjelljes të bënte ta dëgjoje me vëmendjen e një nxënësi të zellshëm.
Me pak fjalë...Zef Lekën, mësuesin tonë të muzikës, e njohëm si sinonim të cilësive, që përherë kishim ëndërruar t’i kishim tonat... pronë apo dhuratë prej më të rriturve...
Pastaj, koha përpjesëtoi takimet, shumëzoi ndarjet dhe vuri në rrënjë katrore miqësi dhe sinqeritete të heshtura. Veç ai portret, ajo fytyrë, mbeti tek unë një shëmbëlltyrë e veçantë, jo e një artisti të thjeshtë, e një poeti popullor dhe lirik, por e një gjiganti të mirësjelljes, të një prindi pasion-rritës, të një mësuesi, që lodhjen e tij e shikonte tek sukseset e të tjerëve. Asnjëherë s’u fashit ai portret i dashur  nga kujtesa e dhimbjes....

***

Libri monografi “Një artist në pentagrame të kryqëzuara”, që qarkulloi kohët e fundit nga shtëpia botuese “Camaj-Pipa”, shkruar nga Leon Lekaj është një paraqitje sintezë e jetës së një artisti, konturuar vetëm në dy elementë; talent dhe cilësi. Autori, nuk bie ne “kanapenë” e të birit, pa fshehur dhimbjen dhe gjakun, që e ka magnetizuar qysh të vogël, si baba dhe si artist. Veç këtë dhimbje e ka larguar duke çngjyrosur nostalgjinë, me thjeshtësinë e njeriut të zakonshëm e të përditshëm...Me një mënyrë koncize të shkruari  dhe me profesionalizëm ,të studiuar dhe pa komplekse madhështie, L.Lekaj na jep një monografi me përmasa Mith-Historie. Mithet, burojnë nga traditat dhe traditat ushqehen nga historia...Një binom i tillë, të krijon bindjen se shkrimtari shikon veprën dhe jetën e babait të tij nga një pozicion krejt i veçantë studiues dhe analitik. Një substancë e tillë e përbërë, pavarësisht nga elementët integral familjarë, ka PH-në normale, e përthithur lehtazi nga mjedisi ku jeton dhe punon. Me detaje të panjohura dhe të papritura, libri të magnetizon dhe të bën të ndjesh dridhje, tërmete, korrente, historira, ëndrra, dashurira, gëzime, dëshpërime, që do apo nuk do, të rrëmbejnë e të bëjnë t’i përjetojë dhe lexuesi në shkallën  dominuese, ashtu siç edhe janë shkruar.

***

Magjia e librit ka emocionet e reve rrufe-mbajtëse. Ndjen boshllëk shpirt kur mbaron çdo fletë dhe kapitull, të shpejtohen rrahjet e zemrës dhe pa dyshim tensioni arteriar të jep marramendje..I gëzohesh një qëndrese, mbushesh me krenari dhe mediton, reciton vargje që të mallëngjejnë dhe të zgjojnë, këndon pa zë refrene të gjalla... dhe të afrohet pa u ndjerë një figurë që e njeh, që e do e që s’ke dëshirë të jetë e largët...Është artisti i pentagrameve të  kryqëzuar, në pa kryqëzim..
Sa e sa herë mblodha grushtet duke lexuar paragrafë të tërë, edhe pse shkrimtari me mjeshtëri është përpjekur t’i largohet ndjenjës “hakmarrje” në skaje të padukshme. Nuk përjeton vetëm jetën e një artisti, por jetën e një populli, nuk përjeton jetën e tjetrit, por dhe tënden, flet dhe ndjen të djeshmen me sytë e verbërisë  se dikurshme.
E dritësuara, e forta, e zgjuara dhe e djeshmja e ndaluar, tonojnë në një shpirt të fosforizuar artisti, që mbijeton dhe kultivon ëndrrën dhe dashurinë, respektin dhe progresin,të bukurën dhe të shëndetshmen....
Përsëri madhështor Zef Lekaj !
Një monografi me copëza jete të elekrtrizuara..!
Përmasat e një epoke, shpesh i përkufizojmë me dimensionet e njerëzve që lëvizin në këtë hapësirë. Kur aludoj për një poet, një kompozitor si Zef Lekaj, që jetoi në një kohë kur sistemi kish për emërues partinë dhe për numërues shtetin partiak. Një thyesë e tillë gjithmonë ishte më e madhe se çdo ëndërr, se çdo ndjenjë, se çdo tregues, sado i avancuar dhe progresist dhe ARTISTIT i duhej të mbijetonte...
Sigurisht, që ti shërbente ardhmërisë, ëndrrës, brezit të ri, prandaj përgjohej dhe ndiqej. E dinte dhe këtë. Prandaj shpesh, notat dhe vargjet  s’kishin fuqinë e shpirtit të tij. I ulte zërin notave, mos dëgjonin ata që e përgjonin, i priste krahët vargjeve, mos të fluturonin larg dhe zgjonin komisarët sypafjetur, që mburreshin dhe çmonin veten me numrin e njerëzve që kishin denoncuar dhe burgosur, përpara “nënës” së tyre parti, që përkufizonte artistët si ndihmës besnikë  dhe revolucionarë të saj, me fjongon e kuqe të pseudo-komunizmit....
Përsëri madhështor Zef Lekaj...!
Kënga e tij, nuk kompozohej vetëm mbi bazën e pentagramit shtatë notash...Për të, zemrat dhe progresi kishin të tilla hapësira frymëzimi, sa shpesh krijimet e tij kishin përmasa të pa arritshme. Realiteti, nevoja, ëndrra dhe e ardhmja, ishin rezet e një rrethi të paanshëm qytetërimi..Këngët e tij preknin dhe shëronin. Energjia krijuese kishte ylbere të tillë ardhmërie, sa ishte e vështirë të dalloja ngjyrat përbërëse. Dhe të gjitha i bënte për mos u qërruar e ardhmja, për mos të fshehur ëndrrat e fëmijëve, nën hijen e pankartave lyer me të kuqen e zhgjëndrrës..!

***

E takova dhe artistin poet....Më recitoi pa zë vargje dhe strofa për të bindur përgjigjen time të frikshme dhe memece....Natyra fliste si njeri dhe njerëzit qanin të heshtur si ajri.. Metafora dhimbjesh në kafaze shpresash, mendime ëndrrash në thirrje majëkrahi, dashuri mëngjesesh në agime resh me lagështirë...Shpresë që sheh me sytë e diellit...
Metaforat kanë për shtrat qëndresën dhe idetë për krahë hua morën rezet...
                            “... Andërr nuk jam
                              por andrrës i jap jetë..
                              Ajo pa mua mbetet e shkretë
                              Vegim i zbehtë, që avullon e tretë...”
Poezia e tij nuk është vargëzim metaforash, është një mendim i ratifikuar me figuracion dhe simbolikë mahnitëse. Hiperbola shndërrohet në qëndresë dhe dhimbja transfuzon në krahët e shpresës. Vargjet e tij janë pyje  të pa prerë  ku freskia çlodhëse të ngop e të qetëson, ...e s’të le të largohesh pa marrë dozën e nevojshme të kënaqësisë... E ardhmja nuk kryqëzohet, edhe pse mes kangjellash. Idetë nuk mund ti thajë tufani i diktaturës, edhe pse mbytës lagështira e rritjes. Ta tregon jeta e artistit....
    
***

Për mua ky libër, mit dhe histori më solli dhe një herë të gjallë mësuesin aq të dashur, qe më mësoi të dalloj dhe  të këndoj notat. Zërin dhe fjalën e tij, i kam aq të gjalla dhe të freskëta sa shpesh besoj tek një ringjallje. Po, po tek një ringjallje mitesh, me fytyrën e se sotmes së ndryshuar. Koha kërkoi heronjtë e saj, dhe artisti Zef Lekaj ishte ushtari më besnik dhe i pa zë e asaj epoke.
Le të merren kritikët me strukturën e një libri të ri, nuk jam xheloz...I tillë mbetem për vlerat dhe ushqimin qe më dha ky libër i ndjeshëm, njerëzor dhe gjithë forcë. Dhurata e këtij viti me këtë libër shkrim-histori, do të mbetet pa më të voglën shtirje, një freskim ndjenjash dhe moshe, një vaditje kujtimesh me erë qytetërimi dhe një vlerësim rritjeje të disa cilësive, që asnjëherë nuk dekoruan veten me heshtjen martire..
U çmalla , por nuk u ngopa me poetin tim mësues.. Sytë do t’i kem përherë të vesuar nga ndjeshmëria për veprën e tij dhe gjithnjë  në buzë do të më këndojë ajo melodi që nuk vyshket.. “Pash dy sytë e tu si drita”
                              
Luan Xhuli
Xhulil@yahoo.com
Athinë-4 janar -2009


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora