E diele, 28.04.2024, 03:43 PM (GMT+1)

Kulturë

Kujtim Agalliu: S t a n d b y (Tregim)

E enjte, 17.09.2009, 05:06 PM


AGALLIU, Kujtim (15 korrik 1949 -). U lind në fshatin Bardhaj të Beratit, ku kreu edhe arsimin shtatëvjeçar. Gjimazin e mbaroi në Berat. Më pas hyri në punë në Uzinën Mekanike të Naftës në Qytetin Stalin (Kuçovë). Filloi edhe studimet e larta pa shkëputje nga puna në fakultetin Inxhinieri Mekanike, në filialin e Beratit, por për arsye të gjendjes politike të familjes e ashtuquajtura “luftë klasash” ia hoqi këtë të drejtë pas një kohe. Filloi kështu kalvari i vuajtjeve për të riun. U end punëtor sa nga një ndërmarrje në tjetrën: në Parkun e mallrave të Urës Vajgurore (Berat) (1973-’76), në Fermën Bujqësore deri në vitin 1978, në Uzinën e baterive Uznovë (1979 -’90). Së fundi, në Uzinën e Nikel-Kobaltit të Kombinatit Metalurgjik – Elbasan (1990-’93). Disa vjet qe emigrant në Turqi. Jeton në qytetin Elbasan. Hobi i tij ka qenë letërsia dhe kjo ëndërr e ndoqi këmbakëmbës gjithë jetën.

Përveç veprimtarisë letrare në periodikët e kohës si “Yllka”, “Fatosi”, “Hosteni” etj., Me ardhjen e demokracisë botoi romanin e parë: “Jetë e Mjegullt”

Punët e tij janë:

1. Jetë e mjegullt – roman – 2001
2. Rrëkeza të Hazdisura – Haiku – 2006
3. Dashuria prapa perdes - roman – 2009

Për fëmijë:

Zogu pendkuq – përralla – 2009

Përkthime:

Anglisht shqip:
1. Velebit – haiku – Tomislav Marjan Bilisniç – 2006
2. Maçoku dhe shokët e tij të fortë – përralla afrikane – 2007
3. Aventurat e Tom Sojerit – roman për fëmijë – 2007
4. Tri princeshat – përralla – 2009
5. Motra ime e vogël e prapë – Tregime- 2009  

Shqip anglisht:
 
1. Koral – Milianov kallupi - haiku – 2007
2. Rruga për nesër Lida Lazaj – haiku – 2007
3. Një fjalë dhe një Hënë- Elisabeta Tafa – haiku - 2007
4. Pezull – Gjon Neçaj – haiku – 2007
5. Horizont i brishtë – Ferit Fixha – haiku – 2009
6. Puhizë Zemre – Halil Haxhosaj –haiku – 2009
7. …Shi përtej – Milianov Kallupi – haiku – 2009
8. Teleggramet e gjetheve – Muharrem Gazioni – haiku – 2007, etj

Kujtim Agalliu

S t a n d b y
Tregim

Ideja për të shkruar një tregim kishte kohë që më vërtitej në mendje. Doja që tregimi të ishte edhe i veçantë, por edhe modern e i kohës: larg stilit klasik e të kapërcyer. Çdo ditë, si ai gjahtari që zë pusinë në shtegun e pyllit për të pritur prenë, edhe unë zhbiroja e vrojtoja çdo gjë që më shfaqej para syve, dëgjoja të gjitha ngjarjet që tregoheshin nëpër tavolina me shokë e miq, mbaja shënime, ndërtoja skena të ndryshme në kokën time e bëja lloj - lloj planesh se si do ta realizoja një tregim të tillë. Shkurt, nuk më shpëtonte asgjë pa vëzhguar. Synoja për një tregim që do t’i linte pa mend të gjithë lexuesit.
Dhe rasti erdhi. Çfarë rasti pa. Një rast ideal.
Miku im, Sifi, ra në dashuri krejt pa pritur e pa kujtuar. Epo mirë, çfarë ka këtu ndonjë gjë interesante e të pa dëgjuar? Dashuria ka lindur që me Adamin dhe Evën e nuk priti ta zbuloje ti. Pastaj sa e sa romane e tregime, drama e poezi janë shkruar për dashurinë?
Edhe unë jam plotësisht dakord, por duroni pak.
Së pari, miku im është në atë moshë kur vezët fillojnë e ftohen. Kur femrat, aq të dëshiruara një herë e një kohë, të duken si disa qenie të pafajshme që  mbushin rrugët plot e përplot pa të shkaktuar as dhe një ngacmim ndjenjash e interesi. Ose siç thotë një miku im shpesh herë: “I kemi bërë gratë motra”, por unë edhe jam edhe s’jam dakord me fjalët e mikut tim. Nuk pajtohem, natyrisht, se kam parasysh që dashuria nuk shuhet kurrë në shpirtin e njeriut, se ajo vdes së bashku me të pa marrë parasysh moshën. Dhe këtë mendim timin e vërtetoi miku im, Sifi.
Ajo nisi si një lojë, lojë për të shtyrë kohën nëpër klubet e mbushura me tym dhe me çmime të lira, që frekuentojnë njerëzit si ne, me xhepa të shpuara. Dhe shkak për këtë rrëfim e për këtë aventurë u bë po një mik tjetër yni, prifti. Është e drejta ime të them edhe dy fjalë për priftin. Ai është i veçantë. I dashur, i pandjeshëm ndaj  thumbave e fjalëve cingëruese. Tipi i tij babaxhan dhe sidomos dashuria që ka për birrën, e kanë bërë mjaft të dashur e të mirëpritur për ne. Por ai ka edhe një zakon tjetër: nuk mund të nisë një bisedë ku në të të mos ketë protoganiste një femër.  Femrat janë dobësia e tij. Janë apo s’janë të vërteta ato që tregon për aventurat e tij me femrat për ne pak rëndësi ka. E rëndësishme është se ne na pëlqejnë këto biseda dhe sikur freskohemi edhe vetë pak, sikur rinohemi. Por ai edhe të nxit: “Ja, thotë, shihe atë sa e mirë është dreqi. Epo nuk ta bën borxh, hë!?” dhe koka e tij e rrumbullakët me një kurorë flokësh përreth rrotullohet mbi qafën e trashë si të demit dhe ndjek nga pas gruan apo vajzën që kalon pranë, apo kamerieren që vete e vjen për të marrë porositë e klientëve.
Por unë nuk kam punë me priftin. Vetëm se i lutem Zotit çdo ditë që ta shpëtojë nga mëkatet shpirtin e tij bujar. Megjithëse ai një ditë si me të qeshur më tha në rrëzë të veshit: “Budalla, të shkosh me një femër nuk është mëkat, por sevap, është mëshirë për shpirtin vetmitar të saj. Prandaj turru dhe mos e vra mendjen. Zoti është Mëshirë Madh!”
Siç thashë, tregimin tim do ta shkruaja posaçërisht për Sifin, i cili nuk i shpëtoi dot këtij kurthi mëkatar. Ai u dashurua marrëzisht me banakjeren, Merin, zeshkanen që nuk i reshtte kurrë buzëqeshja. Ajo buzëqeshje desh na përcëlloi të gjithëve, madje edhe mua, por unë ndryshe nga të tjerët mendoja se ajo nuk ishte e çiltër: ishte thjeshtë një buzëqeshje profesionale, që këto kohët e fundit po manifestohej te të gjitha kamerieret bukuroshe dhe banakieret për të thithur klientë. Ky është talent mjaft fitimprurës që e shfrytëzojnë më së miri pronarët e lokaleve e kafeneve.
Pra, me mendimin se tani kisha një lëndë mjaft të mirë për të bërë një tregim që do të çudiste botën letrare, u ula një mbrëmje përpara kompjuterit për të shkruar. Nuk kisha pse të prisja. Subjekti gati, planin se si do ta shtjelloja ngjarjen gati, frazën e parë, pra, themelin e tregimit, që do t’i hapte rrugë tërë atij lumi fjalësh që do të radhiteshin pas saj, gati.
Kështu mendoja para se të filloja, por kur po përpiqesha ta realizoja në praktikë, hë, hë, puna po më dukej edhe më e vështirë. Tregimi që më kishte frymëzuar për dashurinë e Sifit, po më dukej i zbehtë, pa emocione, pa ngjyrime artistike, i thatë e i rëndomtë. “Eh, kokë, o kokë, i thashë vetes, ti ke harruar për vete të dashurosh dhe kërkon të shkruash tregim për dashurinë. Punë e madhe se Sifi ka rënë në dashuri. Po pastaj? Po banakierja  zeshkane me atë buzëqeshjen e stampuar në buzë a ju përgjigj ndjenjave të tij? Ajo luante si macja me miun me të. Herë – herë tregohej e dashur e gjithë naze, herë – herë indiferente dhe e ftohtë akull. Por kulmi arrit kur Sifi, i ndërsyer nga avujt e rakisë dhe të birrës u ngrit e i shkoi në banak. Ai u përpoq ta kapë për krahu e ta tërheqë drejt vetes, por ajo, gjithmonë duke qeshur, dëgjuam që i tha: “Mirë  e ke ti, xhaxho, por është konkurrencë e fortë sot!” O Zot, si u bë i mjeri Sif. Ai u kthye nga ne që të sigurohej nëse kishim dëgjuar gjë, por ne ulëm kokën e bëmë sikur të mos kishte ndodhur asgjë.  Vetëm prifti ktheu kokën dhe ia bëri me shenjë sikur t’i thoshte: ”Hë, jepi se i ka naze ato ajo, e di unë, e di.”
 Ne na vinte keq kur e shihnim fytyrën e ligështuar të Sifit, me sytë e pafajshëm të perënduar e të mjegulluar nga birra.
Thashë, që u ula e ta shkruaj këtë viran tregim, por ngeca që në fillim. Mendimet më gumëzhinin në kokë dhe nuk po i organizoja dot që t’ia nisja siç e kisha planifikuar qysh më parë. Jo, se nuk dija ç’të tregoja për Sifin dhe dashurinë e tij fatkeqe, por të tjera mendime ogurzeza më vinin në mendje, ndryshe nga sa kisha menduar para se të filloja këtë tregim. Një herë më shfaqeshin para syve gishtat me unaza të Lirës, kur e kisha pyetur se si kishte mundësi që me një rrogë të vogël kameriereje t’i kishte mbushur plot me flori, ajo më ishte përgjigjur troç fare: “Si ta ha mendja se m’i ka blerë ai humbamenoja im? I dashuri m’i plotëson të gjitha dëshirat. Burrin e kam vetëm sa për të plotësuar numrin në shtëpi.” Po ç’hynte kjo puna e Lirës këtu? Unë sonte kam punë me Sifin dhe dashurinë e tij të pafat. Po eja  e të hyje në brazdë se... U përpoqa përsëri se mos lidhja të paktën nja dy fjalë, por e pamundur. Qëndroja si i mpirë e i shushatur  përpara monitorit të kompjuterit pa ditur se si të vazhdoj më tej.
Se kush ma kishte mbushur mendjen top se shumë shkrimtarë të famshëm, për të kapërcyer çaste të tilla ngërçi krijues, pinin nga një teke raki që t’u kthjellohej truri. Kështu bëra dhe unë. Në çast i thirra gruas që erdhi menjëherë dhe i kërkova të më sjellë një gotë raki. E ktheva eksi për të më bërë efekt të menjëhershëm dhe mbështeta fytyrën mbi pëllëmbë me sytë nga monitori. Bëra të gjitha përpjekjet për ta rifilluar edhe njëherë nga e para tregimin tim. E solla dhe e stërsolla nëpër mend të gjithë ngjarjen me të gjitha hollësitë. Por...,sapo bëhesha gati për të shkruar, mendimet përsëri më hallakateshin rrugë më rrugë si udhëtarë të humbur natën. Në vend të zeshkanes, Merit, më dilte, për çudinë time, fytyra e fqinjës. Familje e varfër tek zoti. Kisha dëgjuar që shkonte me një burrë të moshuar vetëm për pesëqind lekë. Më këputej shpirti tek i mendoja të gjitha këto hollësi për jetën e saj, por ky ishte tjetër problem. Mbase ndonjë ditë do të bëja ndonjë tregim edhe për të, por sonte unë kisha punë me Sifin, për dashurinë e tij në këtë moshë të thyer, kur dielli ka kohë që ka kthyer nga perëndimi. Gota e rakisë, në vend që të më ndihmonte, më hapi avaze të tjera. Tani në mendjen time gëlonin mijëra e mijëra mendime, mijëra e mijëra probleme që na kishte hapur kjo koha e lirisë së mendimit, e lirisë së individit, e lirisë së ndjenjave. S’më mbeti rrugë tjetër veç t’i bëj zë gruas të më bjerë edhe një gotë tjetër me raki. “Mbase më  çbllokon, thashë me vete, ku i dihet efektit të saj? Epo budallenj nuk kanë qenë shkrimtarët e mëdhenj që pinin para se të uleshin për të shkruar. Kur e bënin ata këtë punë, po unë që jam një grafoman i thjeshtë?”
E ktheva edhe gotën e dytë dhe po prisja sa të mblidhja pak veten e t’ia nisja më me vrull e ta mbaroja tregimin tim me një frymë.
Por mendimet venin e vinin e nuk përqendroheshin atje ku më rrihte mendja mua. Më kujtohej miku im Valeri. Ai është një burrë rreth të pesëdhjetave, me flokë të gjatë si gratë e i shëndoshë, pa një dhëmb në gojë. E njohin të gjithë dhe e nderojnë. Valerit i kanë mbetur nga e kaluara, kur ishte ashik djalë, vetëm aventurat e dashurisë. Kohë pas kohe ai do të hidhet në krahët e ndonjërës. Mua nuk më çudit shumë kjo se sa fakti se çfarë ka ky njeri që i ndërron të dashurat si mbreti gratë? Edhe unë burrë jam dhe jo ndonjë burrë si do kudo, por këtu nuk më ecën fare. Një ditë e pyeta nga kurioziteti: “More çfarë ke të veçantë ti që i ndërron të dashurat muaj për muaj?” E dija se nuk do të ma merrte për të keq këtë pyetje, se tek e fundit jemi shokë për kokë, por edhe ai pasi u mendua pak m’u kthye:
“Së pari po të pyes unë ty: A ke para?”
“Jo.”, i thashë.
“Së dyti, ke ndonjë post me rëndësi nëpër zyrat e qeverisë?”
“Jo.”, i thashë përsëri.
“Për të bukur nuk të pyes, më tha, se të kam parasysh dhe të shoh çdo ditë. Pra, sot, po nuk pate së paku ato dy të parat, hiqe nga mendja. I dëshiruar do të vdesësh. Kurse unë çdo gruaje që ka kaluar nëpër duart e mia ia kam mbushur qafën dhe krahët me byzylykë e gjerdanë.”
“Dreq!”, thashë me vete. Po ky djall Valeri ç’më doli si fanti spathi përpara sonte. Çfarë halli kam unë, çfarë pjell fantazia ime. More, unë, ja do të shkruaj këtë dreq tregimi për Sifin, ja sonte do ta gdhij. Haja veten me dhëmbë që s’po më ecte e s’po më ecte, kjo punë, kur kisha javë e ditë të tëra që e kisha sjellë e përsjellë në mendje me qindra herë.
Kur e kisha menduar që t’i hyja kësaj pune më ishte dukur goxha e lehtë. Madje, mendoja edhe çastin e suksesit tim. Si do t’i shtangia nga habia të gjithë shokët e mi dhe ata që më njihnin me këtë tregim mjaft interesant. Por ç’e do. Sonte më paskan bërë magji e fjala më ngecka ndër gishtërinj. Mendjen e ndjeja të bllokuar. Sytë po më erreshin: ca nga inati e sedra ime e fortë, ca nga rakia që tek unë po bënte efektin e kundërt nga ai i shkrimtarëve të famshëm.
S’më mbeti rrugë tjetër veçse të kërkoj edhe një gotë tjetër.
Dhe gruaja ime e mirë dhe e papërtuar ma solli në çast. Dëshirës sime ajo nuk i rezistonte dot. Mjaft të hapja gojën e të kërkoja. E ktheva edhe atë me fund. Në pritje që të më çbllokohej truri e t’ia nisja tregimit për atë djall Sifi, sytë po më rëndoheshin. Tani as truri s’po më punonte më. Edhe kujtimi i bisedës me Valerin po më fshihej nga koka. Gjithë ato mendime që nuk u jepja duhmë pak më parë kishin avulluar. Si i topitur i ngula sytë mbi monitor e ato sa vinte e më bëheshin xixa –xixa deri sa të gjitha xixat u bashkuan në një masë të vetme e u zëvendësuan me një njollë të kuqe, të kuqe, të kuqe...
Koka më kishte rënë mbi tastierë dhe kisha humbur në një gjumë të rëndë.
Në mëngjes kompjuteri kishte mbetur më standby dhe ekrani i tij i errët fshihte të gjitha përpjekjet e mia për tregimin që nuk u shkrua kurrë.


(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora