Kujtimet e Panajot Plakut...
| E Diel, 19.04.2009, 09:54 AM |

Enver Hoxha: Bedri Spahiu, fashist dhe bektashi

Kujtimet e Panajot Plakut hedhin dritë mbi të tjera ngjarje që kanë bërë bujë gjatë viteve të diktaturës. Pas dënimit të Tuk Jakovës dhe Bedri Spahiut, një tjetër ngjarje është Konferenca e Tiranës në vitin 1956, që shënoi një revoltë nga ana e komunistëve të Tiranës. Të gjitha këto e shumë të tjera tregohen nga ish-ministri i Enver Hoxhës, Panajot Plaku në librin e tij me kujtime “Vite që rrëzohen – Dhuna ndaj revolucionit shqiptar”, botuar nga shtëpia botuese “55”

Panajot Plaku

Dyfytyrësia e Enver Hoxhës

Mirëpo, Pleniumi i ri mbajti mbledhje jo më parë se pas gjashtë muajve, megjithëse ekzistonte obligimi që ai të mbahej më së largu brenda afatit prej tre muajve. Referatin në këtë Plenium e paraqiti në emër të Byrosë Politike, vetë Enver Hoxha. Gjatë plot një ore, e madje edhe pak më shumë, ai e sulmoi Tuk Jakovën me fjalët më të rënda, duke thënë se gjithherë ka pasur orientime të djathta dhe ka qenë oportunist. Mirëpo, theksoi Enver Hoxha, paraqitja e fundit e Tuk Jakovës kufizohet me tradhtinë. Sepse, Tuk Jakova kërkon, jo vetëm revidimin e historisë, por edhe revidimin e politikës, e madje edhe të tërë udhëheqjes së partisë. Megjithëse Tuk Jakova ka hequr dorë deklarativisht prej qëndrimeve të veta, Byroja Politike nuk është e bindur se ai ka ndryshuar, dhe, për këtë arsye, mendon se ai nuk ka vend në një organ aq të lartë, sepse është Komiteti Qendror. Mirëpo, kur merren parasysh meritat e tij, Byroja Politike propozon që Tuk Jakova të përjashtohet nga KQ, por të mbetet anëtar i partisë, me kusht që të mendojë mirë për çdo gjë, dhe të përpiqet të përmirësohet. Me kaq i dha fund fjalës së vet Enver Hoxha. Mirëpo, vetëm gjashtë vjet më parë, në Kongres të njësimit të rinisë së Shqipërisë në Shkodër, më 16 shtator 1949, Enver Hoxha për Tukun tha: “Edhe këta heronj i ka lindur populli i varfër, i ka edukuar dhe i ka lindur Partia Komuniste heroike, i ka organizuar dhe i ka frymëzuar për këto heroizma me shembullin e vet organizatori i Luftës Nacionalçlirimtare në rajonin e Shkodrës, heroi i popullit, Tuk Jakova, bir i dashur i popullit të Shkodrës dhe të mbarë Shqipërisë, një nga organizatorët dhe prijësit më të spikatur të Partisë Komuniste, një nga prijësit më të urtë të shtetit tonë. Në beteja të përgjakshme, punëtori Tuk Jakova e organizoi partinë në këto vise, organizoi çeta guerilje, organizoi sabotime, atentate. Atë shpesh e rrethonin fashistët dhe tradhtarët; ai luftonte si luan në rrethimet e armikut dhe i shpërthente, e ngrinte lart ndjenjën e patriotizmit të popullit të Shkodrës dhe të rrethinës; i kreu të gjitha detyrat që i parashtroi partia në rrethana tejet të vështira”.
Diçka e ngjashme i ndodhi edhe Bedri Spahiut. Enver Hoxha tha për të në Plenium se është bektashi i dikurshëm (pjesëtar i një sekti mysliman), e madje edhe se është, fashist! Sipas fjalëve të Enverit, Byroja Politike e kishte të qartë pse ka pasur Bedri Spahiu edhe më parë qëndrim oportunist, dhe përse ka qenë kundër dënimit të Koçi Xoxes me vdekje. Renditeshin njëra pas tjetrës akuzat kundër Bedri Spahiut dhe në fund, u propozua që ai të përjashtohet nga partia. Mirëpo, pak kohë më parë, vetë Enver Hoxha fliste me një gjuhë e ton krejt tjetër për personalitetin dhe për meritat e Bedri Spahiut. Në biografinë e tij, të cilën e lexoi vetë Enver Hoxha në Kongresin e parë të PKSH, shkruante sa vijon: “Bedri Spahiu e filloi punën e vet revolucionare qysh në rini të hershme, si aspirant në ushtrinë shqiptare të paraluftës. Në atë kohë e formoi grupin komunist të oficerëve dhe e udhëhoqi një kohë bukur të gjatë. Pas kryengritjes në Fier, në vitin 1937, ky grup u zbulua, e anëtarët e tij u arrestuan. Pasi doli nga burgu, Bedri Spahiu, shkoi në Gjirokastër, ku i shkoi për dore ta formojë grupin e parë komunist. Që nga formimi i partisë në vitin 1941, Bedri Spahiu organizoi celula të partisë në këtë rreth. Me këtë punë ai bëri që qarku i Gjirokastrës të bëhet vatër e lëvizjes Nacionalçlirimtare dhe bijtë e popullit të këtij qarku t’i plotësojnë radhët e brigadave të LNÇ. Për aftësitë e tij komuniste dhe për meritat e tij, në Konferencën e Parë Nacionale, në vitin 1943, u zgjodh anëtar i Shtabit të Përgjithshëm Qendror. Po atë vit u zgjodh anëtar i Shtabit të Përgjithshëm dhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Antifashist të Çlirimit Kombëtar. Bedri Spahiu ishte komisar i Shtabit të Zonës së Parë (Vlorë-Gjirokastër) dhe, në Kongres në Përmet, u zgjodh anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Antifashist të Çlirimit Kombëtar, si dhe anëtar i qeverisë demokratike të përkohshme. Në Pleniumin e Beratit, Bedri Spahiu u bë anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror dhe u avancua në gradë të gjeneralmajorit”. Me atë rast, Enver Hoxha theksoi posaçërisht se Bedri Spahiu, si prokuror supreme, “I ka kryer detyrat e veta në lartësi të duhur”. Me zë dramatik përfundoi: “Ai ka mbetur përherë besnik ndaj partisë së vet, ndaj sekretarit të përgjithshëm, Enver Hoxha, ndaj Partisë Bolshevike, Bashkimit Sovjetik dhe Stalinit të madh. Kongresi i parë i PKSH e zgjodhi Bedri Spahiun sekretar të Komitetit Qendror dhe anëtar të Byrosë Politike. Shoku Bedri Spahiu është një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Sekretarit të Përgjithshëm, shokut Enver Hoxha, dhe sot ai është duke punuar pa u lodhur për konsolidimin e partisë sonë”. Dy udhëheqës, që deri para një kohe të shkurtër ngriheshin në lartësitë më të mëdha, tash ishin në bankë të të akuzuarve. Pas referatit të Enver Hoxhës, i cili nuk ndillte asgjë të mirë, së pari foli Tuk Jakova. Ai tha se pajtohet me propozimin e Byrosë Politike, por se në pleniumin e mëparshëm ka folur pa kurrfarë qëllimi të keq dhe se i ka parë gabimet e veta. Mirëpo Bedri Spahiu nuk u pajtua me vlerësimet në referat. Deklaroi se kurrë nuk ka qenë fashist, se prej ditëve të rinisë së vet ka qenë demokrat, dhe se gjatë kohës së mbretit Zog ka qenë në të gjitha burgjet e Shqipërisë, se ka marrë pjesë aktive në të gjitha lëvizjet përparimtare në Shqipërinë e vjetër, se i ka përvetësuar dhe ka propaganduar për idetë komuniste, në kohën kur nuk ka ekzistuar në Gjirokastër asnjë grup komunist. Shtoi se i vjen shumë keq pse e quan bektashi dhe fashist: “Ai, i cili e ka mësuar prej Bedriut a-bë-cë-në e komunizmit!”
Me lot në sy, Bedri Spahiu vërejti se kishte kaluar ajo kohë, kur ai zhvillonte luftë të ashpër kundër të gjithë reaksionarëve, kur e mbronte Partinë dhe vijën e saj duke mos i përfillur interesat e veta personale, e madje as kokën e vet. “Tani nuk është më kohë revolucionare, vazhdoi ai, tash e kam vështirë të dëshmoj se sa e dua Partinë dhe sa i jam përkushtuar asaj. Tani nuk ka luftë që, duke e flijuar jetën time, të mund të tregoj se sa e dua Partinë”. Duke i ngritur të dy duart, Bedri Spahiu iu lut anëtarëve të Komitetit Qendror që të mos e përjashtojnë nga radhët e anëtarëve të partisë, që për të, si theksoi ai, do të ishte shumë më e rëndë se sa t’i merrnin jetën kundërshtarët e Partisë. Propozimi i Byrosë Politike për dënimin e tyre u aprovua me një votë kundër dhe me një abstenim. Kundër votoi Bedri Spahiu dhe abstenoi Tuk Jakova. Menjëherë pas marrjes së vendimit, të dy u larguan nga salla. Në të dalë, Bedri Spahiu u arrestua, e Tuk Jakova më vonë mbeti në burg shtëpiak. Në lidhje me rastin e tyre, në këtë plenium u miratua një rezolutë e cila, për nga përmbajta, ishte e ngjashme me referatin. Pasi u bënë disa vërejtje gjuhësore, Byrosë Politike iu caktua për detyrë të bëjë redaktimin përfundimtar të tekstit të rezolutës. Më vonë, kjo rezolutë iu dërgua të gjitha organizatave të partisë, por përmbajtja e saj ishte ndryshuar mjaft. Në versionin e ri, akuzat ishin shumë e shumë më të rënda se në tekstin e parë, kështu që të gjitha organizatat propozuan që të përjashtohen nga Partia edhe Tuk Jakova, edhe Bedri Spahiu. Natyrisht u përjashtuan njëkohësisht nga Partia edhe bashkëshortet e tyre, megjithëse të dyja ishin partizane dhe komuniste të vjetra. Tuka Jakova dhe Bedri Spahiu u shkarkuan edhe prej të gjitha funksioneve shtetërore. Tuk Jakova u çua të punojë më vonë në Berat, si shef i repartit të një punëtorie të zdrukthëtarisë, kurse Bedri Spahiu, i cili u lirua nga burgu dhjetë ditë pas Pleniumit, u dërgua në Elbasan, ku punoi si sekretar teknik në një ndërmarrje. Pas një kohe të shkurtër, të dy u arrestuan. Qëndruan në burg disa vite. Atëherë u botua se Tuk Jakova ishte nxjerrë në gjyq dhe ishte dënuar me 10 vjet burg. Në kohë mjaft të gjatë pas kësaj, kur bashkëshortja e tij, në një rast, i solli në burg të Krujës një paketë me gjëra ushqimore, paketën e saj nuk e pranuan, që ishte një shenjë se Tuk Jakova nuk ishte më ndër të gjallët. Bedri Spahiu ende gjendej në burg, madje pa kurrfarë vendimi gjyqësor.
Konferenca
e Tiranës
Në mars 1956, pas Kongresit XX të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, u mbajt Konferenca partiake e Tiranës, në të cilën duheshin zgjedhur delegatët për Kongresin e Tretë të PPSH-së. Konferenca filloi sipas procedurës së zakonshme. Referatin kryesor e paraqiti sekretarja e parë e atëhershme e Komitetit të Partisë të Tiranës, Fiqrete Shehu. Si përfaqësues i KQ, në Konferencë mori pjesë anëtari i Byrosë Politike, nënkryetari i parë i qeverisë dhe Ministër i Mbrojtjes Popullore, Beqir Balluku. Në referat nuk kishte asgjë posaçërisht interesante e as nuk u fol për çfarëdo çështjeje delikate, e cila do të mund të sillte diskutime të ashpra. Mirëpo, pas referatit, kur e mori fjalën Fadil Paçrami, anëtar i KQ, i cili u dha përkrahje të plotë qëndrimeve të referatit, në sallë jehuan protesta masive. Kjo ishte shenjë se delegatët nuk donin, as nuk mundnin të dëgjonin më diskutime të tilla apologjete. Menjëherë pas Fadil Paçramit, fjala e të cilit, në të vërtetë ishte ndërprerë, kërkoi fjalë zëvendësministri i Industrisë, Pajo Islami. Ky ishte anëtar i partisë prej vitit 1942. Kishte marrë pjesë në Lëvizjen Nacionalçlirimtare prej formimit të saj. Ishte një nga luftëtarët më të vendosur për likuidimin e fraksionit në organizatën e Partisë në Vlorë në vitin 1943. Gjatë luftës ishte komisar i çetës, pastaj i batalionit, e më vonë zëvendës komisar i brigadës. Pas luftës ishte në detyra të ndryshme me përgjegjësi. Delegatët e dëgjuan me vëmendje diskutimin e Pajo Islamit. Ai foli për sulmet brutale të udhëheqjes së Shqipërisë kundër Partisë Komuniste të Jugosllavisë dhe kundër udhëheqjes së saj. Pastaj i përkujtoi marrëdhëniet jashtëzakonisht të përzemërta e vëllazërore, që ekzistonin midis dy vendeve dhe partive para Rezolutës së Informbyrosë. Me gabim të udhëheqjes së tashme, tha Pajo Islami, marrëdhëniet e bazuara në gjakun e bijve më të mirë të Shqipërisë dhe të Jugosllavisë, tash nuk janë madje as në nivel të tolerimit. E përmendi likuidimin e paarsyeshëm të tërë udhëheqjes se revolucionit popullor të Shqipërisë dhe shprehu mendim se këta njerëz duhet të rehabilitohen. Ai foli edhe për të metat dhe gabimet e mëdha në punën e Ministrisë së Industrisë dhe për marrëdhëniet e këqija ndërmjet komunistëve në ministri. Pajo Islamin u orvat disa herë ta ndërpresë Sekretarja e Komitetit të Tiranës Fiqrete Shehu dhe përfaqësuesi i KQ Beqir Balluku, me motivacionin se është duke fyer udhëheqjen dhe se sulmet e tilla nuk janë luajale. Të gjithë delegatët u ngritën unanimisht kundër këtyre intervenimeve, kështu që udhëheqja e Konferencës u detyrua të heshtë. Pastaj e mori fjalën koloneli i atëhershëm i Armatës së Shqipërisë dhe kryeshefi i shërbimit të prapavijës me Ministrinë e Mbrojtjes, Iljaz Ahmeti. Ai ishte pjesëmarrës i LANÇ-it prej fillimit. Anëtar i Partisë ishte bërë në vitin 1942 dhe ishte një nga udhëheqja ushtarake në rrethin e Gjirokastrës prej fillimit të LANÇ-it. “Në tubimet e këtilla të Partisë, tha ai, sidomos pas Kongresit XX të PK të Bashkimit Sovjetik, është e domosdoshme të analizohet në mënyrë të hapur Puna e Partisë sonë, të flitet me të vërtetë për gabimet, me qëllim që të mos përsëriten më. Ja, për shembull, një gabim. Unë kam bërë llogari precize se një anëtar i KQ i kushton popullit së paku 1 milion lekë në vit. Këtu po e abstraktoj përdorimin e automobilave, ushqimin që edhe për nga kualiteti, edhe për nga çmimet është privilegj i shkallës më të lartë, furnizimin special me tekstil dhe me të gjitha gjërat e tjera të nevojshme me kushte jashtëzakonisht të volitshme. Gjithashtu, nuk kam llogaritur se anëtarët e KQ nuk paguajnë qira për vilat e veta si në Tiranë, ashtu as në Durrës. Po theksoj posaçërisht se anëtarët e KQ jetojnë në Durrës më se gjashtë muaj në vit dhe shkojnë për çdo ditë në Tiranë me automobila të shtetit.
Të gjitha këtyre duhet t’u shtohet fakti se ekzistojnë edhe një varg privilegjesh të tjera krejt të paarsyeshme edhe në Tiranë, edhe në Durrës. A është kjo me vend kur merret parasysh fakti se një punëtor i kualifikuar nuk ka më shumë se 60 mijë lekë në vit. A nuk është ky një lloj izolimi i udhëheqjes së partisë nga masat e popullit? A mund t’i ndiejë ai anëtar i KQ problemet dhe nevojat e punonjësve dhe të jetë me ta në të njëjtën bazë? Por, jo vetëm kaq. Ne, në Armatë, deri tash nuk kemi mundur të thuash, as të hapim gojën para eprorëve tanë. Do të vë në dukje një shembull. Çfarë gabimi ka bërë Hamid Keçi, anëtar i partisë para Beqir Ballukut, i cili, sikurse edhe tërë familja e tij, ka dhënë çdo gjë për revolucionin tonë, të shkojë në burg, ku gjendet dhe tash? Unë mund të vë në dukje shumë gjëra të tilla. Por, secili prej jush i di dhe nuk dëshiroj t’ju humbas kohë. Në qoftë se duam të kemi parti të shëndoshë dhe t’i ndreqim gabimet e vjetra, mendoj se duhet të punoj në këtë drejtim jo vetëm kjo konferencë, por edhe Kongresi i ardhshëm”. Pas Iljaz Ahmetit kërkoi fjalën Shyqëri Këllezi, drejtor i Kombinatit të tekstilit “Stalin” në Tiranë. Edhe ai vuri në dukje një varg gabimesh në punën e Partisë, pozitën e privilegjuar të anëtarëve të KQ, likuidimin e bërthamës proletare të revolucionit popullor e të tjera. Delegatët e Konferencës e përshëndetën fundin e fjalës së tij si dhe diskutime të tjera, në aklamacione spontane, atmosfera ishte e atillë saqë udhëheqja e Konferencës aspak nuk dinte se si të sillej. Tërë tubimi ishte në këmbë dhe u duartrokiste me entuziazëm këtyre komunistëve guximtarë, të cilët flitnin të vërtetën për partinë e tyre. Pasdite, megjithëse ndërtesa ku mbahej Konferenca ishte e rrethuar nga disa kordonë policësh, diskutimet vazhduan në të njëjtën frymë. Kështu ishte edhe ditën e dytë dhe të tretë të mbledhjes së Konferencës, ndonëse ishin ftuar me ngut që të vinin në Konferencë, Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu. Dy ditët e para të Konferencës së Tiranës ishin, në të vërtetë, manifestim i protestës masive kundër politikës së udhëheqjes së partisë. Është karakteristike, për shembull, se gjatë këtyre dy ditëve, anëtarët e KQ, Kiço Ngjela, ministër i Tregtisë dhe Abdyl Këllezi, zëvendëskryetar i qeverisë, deshën të flasin. Por, as i pari, as i dyti nuk mundën ta marrin fjalën, sepse delegatët nuk dëshironin justifikim të gabimeve evidente. Ditën e tretë, pasi u ftuan me ngut, morën pjesë në mbledhje Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu. I pari e mori fjalën Enver Hoxha, me qëllim që ta qetësonte pakënaqësinë dhe rezistencën e delegatëve. Duke i kritikuar diskutimet e disa delegatëve, ai apeloi për një qasje më “konstruktive” ndaj problemeve të ndryshme dhe kërkoi që, në analizimin e dobësive, të mos flitet me një ashpërsi aq të madhe. Apeloi për pjekuri të organizatës partiake të Tiranës dhe për traditat e saj, duke theksuar se diskutimet gjatë dy ditëve të mëparshme nuk ishin në nivel të prestigjit, të cilin e gëzon ajo. Po atë ditë përsëri foli koloneli Iljaz Ahmeti. Në praninë e Enver Hoxhës i argumentoi qëndrimet e veta dhe i sulmoi ashpër përfaqësuesit e KQ, Niko Ngjelën dhe Abdyl Këllezin, të cilët u orvatën ditën e parë të Konferencës ta pengojnë manifestimin e revoltit të komunistëve të Tiranës. Iljaz Ahmeti i demaskoi energjekisht përfaqësuesit e KQ dhe i ilustroi të gjitha ato gjëra, që i kishte thënë ditën e parë. Derisa ishte duke folur, Enver Hoxha e ndërpreu disa herë, kështu që në fund folësi iu lut sekretarit të parë të Partisë që të mos e ndërpresë më, sepse është duke folur pikërisht për faktin që nuk ka barazi në parti. Përndryshe, tha Iljazi, kur foli Enver Hoxha, tha shumë gjëra me të cilat unë nuk pajtohem, por nuk ia ndërpreva fjalën. Pas kësaj, kolonel Iljaz Ahmeti pati mundësi t’i shprehë deri në fund pikëpamjet e veta. Pas tij e mori përsëri fjalën Enver Hoxha dhe tha se udhëheqja e PPSH, pas Kongresit XX të PK të Bashkimit Sovjetik, ka kuptuar disa gabime të veta dhe se këto gabime duhet të studiohen me qëllim që të mos përsëriten. Përsëri kërkoi prej komunistëve të pranishëm që të mos shkojnë në ekstremitet dhe të mos u qasen problemeve të ndryshme në mënyrë kaq të ashpër. Megjithëkëtë, debati zgjati edhe katër ditë. Tërë puna e Konferencës partiake të Tiranës kaloi në një atmosferë jashtëzakonisht të acaruar, ndonëse ishin ndërmarrë masa të jashtëzakonshme të sigurimit.

***

“Largimi i Enver Hoxhës do shpëtojë partinë”

Edhe sot vijon letra që ish-ministri Panajot Plaku i dërgon Hrushovit në vitin 1957. I rendit të gjitha problemet e partisë së tij, që nga marrëdhëniet e prishura me Jugosllavinë, kultin e Enver Hoxhës, mungesën e informimit, marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik dhe në fund, në mënyrë prekëse ai i lutet udhëheqësit sovjetik që të shpëtojë familjen e tij nga shfarosja e sigurt në kampet e internimit. Me këtë letër Panajot Plaku mbyll kujtimet e tij të shkruara në Beograd dhe të përmbledhura në librin “Vite që rrëzohen - Dhuna ndaj revolucionit shqiptar”, botuar nga shtëpia botuese “55”.  

Panajot Plaku

Të gjithë e dinë se një pjesë e strukturave udhëheqëse është vrarë në luftë, një pjesë ka qenë likuiduar në kohën e marrëdhënieve të çrregulluara me Jugosllavinë, e një pjesë pas kësaj. Të gjithë këto aksione mund të arsyetohen disi, por a mund të arsyetohet përjashtimi nga partia dhe likuidimi i udhëheqësve më të lartë të partisë pas Kongresit XX të PK të BRSS? Unë mendoj se kjo nuk është dashur të ndodhë kurrsesi, e çka ka rëndësi kryesore, në të ardhmen është e domosdoshme të mos lejohen aksione të ngjashme. Pas Kongresit XX të PK të BRSS janë likuiduar (përjashtuar nga partia dhe pushkatuar) më se 10 anëtarë të vjetër të partisë. Nuk mund ta lë këtu pa përmendur përjashtimin nga Partia të Tuk Jakovës, punëtor, një nga iniciatorët e themelimit të partisë; përjashtimin e Bedri Spahiut, një nga komunistët më me ndikim në qarkun e Gjirokastrës dhe të mbarë vendit; pushkatimi i Liri Gegës, njërës nga themelueset e Partisë; pushkatimi i Dali Ndreut, njërit nga komunistët më të vjetër të rajonit të Dibrës; pushkatimi i Petro Bullatit e të tjerëve. Gjithashtu, më duhet ta përmend patjetër arrestimin, përjashtimin nga partia e masa të tjera, që janë ndërmarrë kundër dhjetëra komunistëve të vjetër. Hulusi Spahiu, vullnetar i Spanjës dhe gjeneral i Armatës së Shqipërisë, është përjashtuar nga Partia, i është hequr grada dhe është bërë punëtor i thjeshtë, kurse Tahir Kadareja, ish-gjeneral dhe zëvendës i parë i ministrit të Mbrojtjes Popullore është emëruar kryeshef i depos. Shembuj të tillë ka shumë e shumë.
d) Lufta kundër kultit të personit në partinë tonë është kufizuar në pakësimin e parullave për Enver Hoxhën dhe në renditjen e fotografive të udhëheqësve sipas alfabetit. Tash në Shqipëri flitet më shumë për partinë sesa për Enverin, megjithëse në kohë të fundit, me pretekst se është e domosdoshme të ruhet autoriteti dhe me qëllim që të mos përsëritet Konferenca e Tiranës, si dhe me qëllim që të mos lejohet që të ndodhë në Shqipëri ajo që ndodhi në Hungari, prapë kanë filluar t’ia veshin Enver Hoxhës, të gjitha sukseset e partisë sonë dhe të popullit tonë. Ja një shembull tipik nga koha e fundit. Në një film dokumentar, që u  xhirua me rastin e kthimit të delegacionit tonë të qeverisë dhe të partisë nga BS, në vend që të tregohet tribuna në të cilën mbajtën fjalime Enver Hoxha e Mehmet Shehu dhe ku ishin anëtarët e KQ dhe të qeverisë, u treguan vetëm Enveri dhe Mehmeti. Mund të përmenden me qindra raste të këtilla. Në qoftë se studiohet mirë jeta e PPSH-së nga aspekti i fjalimit tuaj në mbledhjen e mbyllur të Kongresit XX të PK të BRSS, atëherë do të shihet në mënyrë të qartë se në Shqipëri ka sunduar dhe ende sundon me metoda staliniste vetë Enver Hoxha. Ju e dini se Tuk Jakova u kualifikua si armik i Partisë. Kjo ndodhi për shkak se ai, në diskutimin e KQ, foli për meritat që kishte Milladin Popoviçi për formimin e partisë sonë, e sidomos për shkak se u ngrit kundër katër dokumenteve në lidhje me identitetin e personalitetit të Enver Hoxhës, të cilat prezantohen në të gjitha muzetë si dokumente të vetme për formimin e partisë sonë. Tuk Jakova u ngrit kundër Kultit të personit të Enverit, e këtë diskutim të tij të drejtë e shndërruan në akuzë kundër vetë Tukut. A nuk u përngjajnë këto veprime atyre të Stalinit ndaj Postishovit? Ndryshimi është vetëm në faktin se Postishovi është pushkatuar, kurse Tuk Jakova dhe Bedri Spahiu janë përjashtuar nga partia dhe i pari është bërë zdrukthëtar e i dyti kontabilist. Ndryshimi është edhe në faktin se për përjashtimin e Tukut dhe të Bedriut nga partia ka marrë vendim KQ dhe se ky vendim është marrë pas Kongresit XX të PK të BRSS. Duhet pasur parasysh se po ta përkrahnin Tukun shokët e tjerë në KQ, edhe ata do ta përjetonin fatin e tij, e ndoshta do të mund të ndodhte diçka edhe më e tmerrshme se kjo, sepse në atë rast do të lëshohej parulla “Armiku është në ballë të partisë”, dhe do të formohej kundër anëtarëve të tillë të KQ, të cilët do ta përkrahnin Tukun, i njëjti gjyq në të cilin u dënuan Liri Gega, Dali Ndreu dhe Petro Bullati. Kjo quhet në Shqipëri demokraci e brendshme partiake pas Kongresit XX të PK të BRSS. Në kushte të tilla nuk mund të gjendet një njeri, i cili do mund të shtronte për diskutim probleme me rëndësi vitale, sidomos në qoftë se këto probleme e prekin në çfarëdo forme Enver Hoxhën. Në kushte të tilla nuk ka njeri që do të mund të luftonte për drejtësi.
e) Në kohën e Stalinit kanë ekzistuar në Partinë Komuniste të BS gjashtëshe, shtatëshe, etj., të cilat kanë likuiduar rolin e Byrosë Politike. Në Shqipëri kjo nuk ekziston, por ekziston e ashtuquajtura udhëheqësi, e cila zyrtarisht quhet Këshill i Mbrojtjes, i cili nuk është as byro politike, as sekretariat, por diçka që është përmbi to. Kjo udhëheqësi përfshin një pjesë të Byrosë Politike dhe në të komandon Enver Hoxha. Atje merren vendime a do të zbatohet Statuti i partisë apo jo, a do të sendërtohen ligjet e shtetit apo jo, etj. Kështu, për shembull, për likuidimin e vëllait tim, Koço Plaku morën vendim Enver Hoxha, Beqir Balluku, Mehmet Shehu dhe Hysni Kapo. Unë mendoj se Byroja Politike nuk ka qenë kurrë e informuar për këtë vendim. Mirëpo, edhe në ato raste kur ka qenë e informuar Byroja Politike, ajo nuk është në gjendje të ndërrojë asnjë vendim, të cilin e marrin të katër personat që përmenda më lart. Në të njëjtën mënyrë është marrë vendimi për të likuiduar edhe mua dhe për të pushkatuar Liri Gegën, Dali Ndreun dhe Petro Bullatin. Janë me qindra shembuj, që dëshmojnë se vendimet kolektive të qeverisë anulohen ose nuk zbatohen vetëm për shkak se nuk pajtohet me to Enver Hoxha. Për të gjitha këto arsye, unë mendoj se çështja e demokracisë së brendshme partiake për PPSH është problem serioz, aq edhe i atillë sa që vështirë mund të zgjidhet dhe se pa ndihmën tuaj direkte nuk është e mundshme të zgjidhet në mënyrë të drejtë kjo çështje.  Çështja tjetër shumë e rëndësishme për PPSH është çështja e informimit të partisë për të gjitha problemet politike. Jo vetëm organizatat themelore të partisë, por edhe KQ i saj janë informuar shumë keq për çështje të ndryshme të partisë. Ekziston një mosbesim jashtëzakonisht i madh dhe i çuditshëm i njerëzve udhëheqës të lartë të partisë sonë, jo vetëm ndaj komunistëve të thjeshtë, por edhe ndaj anëtarëve të KQ dhe të qeverisë. Burim kryesor i këtij mosbesimi janë mbeturinat e shumta të sjelljeve mikroborgjeze dhe pavendosmëria e Enver Hoxhës. Pikërisht ky është shkaku i ekskluzivitetet dhe ekstremizmit të tij. Pas Kongresit XX të PK të BRSS filluan t’u dërgojnë anëtarëve të plenumit të KQ procesverbalet e mbledhjeve të sekretariatit të Byrosë Politike. Sipas rregullit këta procesverbale dërgoheshin me vonesë të madhe, kështu që kur u arrinin anëtareve të KQ, vendimet që ishin përfshirë në ato procesverbale tashmë ishin në proces të realizimit. Mirëpo, pas një kohe të shkurtër, me pretekst se nuk po ruhet sekreti i atyre vendimeve, e ndërprenë dërgimin e procesverbaleve, duke thënë se ato mund të lexohen në aparatin e KQ. Por, meqenëse asnjëri prej anëtarëve të plenumit nuk vinte në aparat të KQ për t’i lexuar, përsëri vendosën t’i dërgojnë. Për të ilustruar se sa i dobët është informimi i partisë, do të vë në dukje një shembull. Jo vetëm organizatat themelore të partisë, por edhe KQ i partisë sonë jetojnë në bindje se jugosllavët janë agjentë të imperializmit, armiq të Shqipërisë dhe ata çuditen kur ju flisni për afrimin me ta, për konsolidimin e marrëdhënieve me ta, se nuk duhet bazuar në ato gjëra që na ndajnë, por në ato që kemi të përbashkëta me ta, etj. Edhe unë, para se të iki nga Shqipëria, gjithashtu kam shikuar dhe kam menduar se ju dhe partia juaj po përpiqeni t’ia afroni Jugosllavinë taborit socialist, të pengoni që ajo të bashkohet përfundimisht me imperialistët etj. Po të mos i kishit thënë ju delegacionit tonë të qeverisë dhe partisë, kur ai ishte në Moskë, se jugosllavët nuk janë agjentë, se Jugosllavia nuk do ta sulmojë kurrë asnjë nga vendet tona, se partia jonë nuk i shikon në mënyrë indiferente e gjakftohtë marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave, unë më parë do të lejoja që të më vrasin sesa ta kaloj kufirin. A është e mundshme në kushte të tilla, të pritet ndonjë përmirësim në marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Jugosllavisë? Sigurisht jo, e ja edhe për ç’arsye. Në një mbledhje informative të plenumit të KQ, që u mbajt me rastin e kthimit të delegacionit të qeverisë dhe partisë nga BS, Enver Hoxha tha se ju na keni kritikuar për shkak të ashpërsimit të marrëdhënieve me Jugosllavinë, për shkak të nervozës së tepruar rreth kësaj çështjeje, se na keni këshilluar që të bëjmë përpjekje për t’u afruar me Jugosllavinë, duke mos e ndërprerë luftën ideologjike kundër revizionizmit dhe kundër botëkuptimit të Jugosllavisë etj. Pas mbledhjes Enveri dhe disa shokë të KQ, ndër të cilat isha edhe unë, shkuam në Shtëpi të Partisë që të çlodhemi dhe atje biseduam rreth disa problemeve në lidhje me zhvillimin ekonomik të vendit tonë dhe me marrëdhëniet me Jugosllavinë. Atëherë Enveri tha ndër të tjera: “Sa naivë janë bolshevikët, për shkak se mua më është e qartë se jugosllavët bëjnë punë agjentësh, ata janë armiq të vendit tonë dhe kuptohet se nuk mund të afrohemi me ta”. Unë nuk e di se si i shikojnë jugosllavët marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë, por jam i bindur se nga ana e Shqipërisë nuk është bërë asgjë, e as sot nuk bëhet asgjë në interes të afrimit, madje, përkundrazi. Sigurimi shtetëror po i përcjell në mënyrë rigoroze të gjithë ata që thonë të paktën një fjalë të mirë për jugosllavët, i arreston dhe bën hetime ndaj tyre, ose i deporton në punë në skuta të largëta, ose madje edhe i likuidon krejtësisht. As nuk mund të flitet për ndonjë përmirësim të marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Jugosllavisë, kur ata, të cilët kanë qëndrim miqësor ndaj saj, mbyllen në burg si agjentë të Jugosllavisë, ose madje dhe i pushkatojnë, kur flitet se diskutimet në Konferencën e Tiranës kundër vijës së partisë dhe kundër udhëheqjes janë organizuar nga ana e jugosllavëve, megjithëse atje asnjë diskutim nuk ka qenë i tillë. Në lidhje me informimin e partisë dhe të popullit tonë vlen të përmendet se në Shqipëri nuk vjen asnjë gazetë, ose revistë e vendeve të jashtme, me përjashtim të atyre sovjetike; nuk importohet, as nuk shitet madje shtypi i vendeve të demokracisë popullore, e të mos flasim për organet informative të partive komuniste të vendeve të perëndimit. Persekutohen nga ana e sigurimit shtetëror si njerëz të padëshiruar të gjithë ata që dëgjojnë cilindo radiostacion tjetër me përjashtim të Tiranës dhe Moskës. Para plenumit informativ, një nga anëtarët e delegacionit të qeverisë dhe partisë më tregoi në lidhje me kthimin e delegacionit tonë nga BRSS, si ju keni thënë për Stalinin “Po të kishte jetuar edhe një apo dy vjet, ne do të mbaronim krejtësisht”. Mirëpo Enver Hoxha konstatoi me gëzim në plenum se ju paskeni folur për Stalinin me respekt të madh. Janë me qindra shembuj që tregojë se partia, jo vetëm që po informohet në mënyrë të dobët, por edhe po dezinformohet.  Çështja e fundit, e cila sipas mendimit tim po parashtrohet në mënyrë të gabueshme, janë marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Bs. Jam i bindur se qeveria sovjetike dhe PK e BRSS e parashtrojnë në mënyrë të drejtë çështjen e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona, por në këtë pikëpamje bëhen shtrembërime të mëdha nga ana e njerëzve kryesorë udhëheqës- Enver Hoxha, Mehmet Shehu dhe disa bashkëpunëtorëve të rëndësishëm të ambasadës sovjetike në Tiranë. Gjëja më e keqe në marrëdhëniet mes dy vendeve tona është fakti se sukseset e popullit të Shqipërisë i vishen ndihmës së BS. Kjo është bazë e pabarazisë në marrëdhëniet mes dy vendeve, ky është shkaku kryesor që Grigorjevi, Korostovi dhe disa ekspertë të tjerë ta ndjejnë veten në Shqipëri si padronë me privilegje të pakufishme, si persona të pacenueshëm që nuk durojnë kurrfarë vërejtjesh ose kritikash nga ana e punëtorëve shqiptarë, me përjashtim të Enverit, të Mehmetit dhe të ndonjë nga personat e tjerë udhëheqës më të lartë. Enver Hoxha po bën çmos për të dëshmuar besnikërinë e vet të pakufishme ndaj BRSS, për ta fshehur dobësinë dhe paaftësinë e vet për aplikimin krijues të përvojave të PK të BRSS dhe të marksizëm-leninizmit në kushte konkrete të vendit tonë dhe për të siguruar pozitën e vet. Në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe BS nuk shoh kurrfarë rreziku nga humbja e pavarësisë së vendit tonë, por shoh një rrezik tjetër, rrezikun e ngecjes dhe të parazitizmit, rrezikun e çrregullimit të marrëdhënieve më miqësore dhe me të vërtetë socialiste mes vendeve tona. Unë mendoj se vetëm ju jeni në gjendje t’i ndihmoni PPSH-së që të marrë rrugën e drejtë. Unë mendoj gjithashtu se demokratizimi i jetës së partisë është e pamundshme në qoftë se do të jetë në ballë të partisë Enver Hoxha, për shkak se edhe për të kaluarën e Enver Hoxhës si udhëheqës mund të shkruhet një referat i njëjtë sikurse lexuat ju në Kongresin XX të PK të BRSS për Stalinin.  Jam i bindur se, në sajë të masave që janë ndërmarrë në kohët e fundit dhe të asaj ndihme ekonomike, të cilën PK e BRSS dhe qeveria sovjetike kanë vendosur t’ia japin Shqipërisë, vendi ynë do të jetë në gjendje në kohën më të afërt të zhvillohet pavarësisht në pikëpamje ekonomike, por është e domosdoshme të eliminohen të gjitha ato shtrembërime që i kanë bërë dhe po i bëjnë faktorët e përmendur në jetën e partisë dhe në udhëheqjen e vendit tonë, me qëllim që në këtë mënyrë Shqipëria të mund të zhvillohet. PPSH ka në dispozicion forca jashtëzakonisht të mëdha, ajo është e lindur dhe farkuar në revolucionin popullor për çlirimin e vendit dhe në luftë kundër të gjitha vështirësive në ndërtimin e socializmit. PPSH dhe tërë populli i Shqipërisë do të jenë miq të BS. Këtë miqësi nuk e ka farkuar Enver Hoxha, por ajo është e farkuar në luftën bashkëkohore të dy popujve tanë. Unë jam i bindur se në Shqipëri nuk do të ndodhë asgjë që do t’i ngjante asaj që ndodhi në Hungari dhe për këtë arsye, mendoj se shtrembërimet e përmendura duhet të eliminohen në mënyrë më të guximshme dhe më të vendosur. Unë e di që ju keni bërë përpjekje që t’i ndihmoni udhëheqjes së partisë sonë duke dërguar në KQ, për një kohë një këshilltar, e gjithashtu edhe duke i dhënë mundësi Enver Hoxhës dhe udhëheqësve të tjerë që marrin pjesë në këshillimin e KQ tuaj, por unë po flas me bindje të plotë se të gjitha këto kanë ndihmuar fare pak për shkak se Enver Hoxha ka frikë prej demokracisë partiake si prej zjarrit. Duhet shtuar se Enver Hoxha nuk është i vetmi kuadër i partisë, i cili ka marrë pjesë në Luftën Nacionalçlirimtare; nuk është i vetmi mik i BRSS, ai nuk është themelues i partisë, si e quajnë. Për këtë arsye, largimi i Enverit nga udhëheqja e partisë do ta forconte partinë tonë dhe marrëdhëniet e saj me BS.  Më në fund ju lutem, sikurse i është lutur Kedrovi Andrejevit, shpëtoni nga vdekja e sigurt tre fëmijët e mi, bashkëshorten time, të cilët janë internuar dhe të cilët, në qoftë se i mbajnë atje, me siguri do të vdesin, sepse fëmija im më i madh është 5 vjeç e gjysmë, i mesmi më pak se 4 vjeç e më i vogli as dy vjeç. Ju lutem shpëtoni nënën time plakë, të cilën e kanë detyruar të nënshkruajë një deklaratë antinjerëzore, e cila tregon dobësinë e poshtërsinë e Enver Hoxhës dhe të agjentëve të tij, si dhe të sigurimit shtetëror. Ju lutem shpëtoni vëllain tim dhe motrat e mia, të cilët i përcjell Sigurimi Shtetëror dhe të cilëve u kanoset likuidimi. Unë jam i bindur se ju nuk do të lejoni që të bien mbi socializmin njolla të gjakut të fëmijëve të mi, të gruas sime, të nënës, të vëllait dhe të motrave të mia. Ju siguroj se për ikjen time nuk ka ditur kurrkush absolutisht asgjë, se kurrkush nuk më ka thënë asgjë në lidhje me vendimin për likuidimin tim. Për këtë arsye, ju lutem që të bëni çmos që keni mundësi që për këtë arsye të mos e persekutojnë asnjë anëtar të KQ dhe të qeverisë, ose cilindo tjetër. Duke përfunduar, e shpreh në dy rreshta përmbajtjen e kësaj letre: Shoku Hrushov, ju lutem studioni dhe shpëtoni Partinë e Punës së Shqipërisë. Ju siguroj se kurrkush nuk më ka bërë diktat nga përmbajtja e kësaj letre dhe se asnjëri nuk më ka shtyrë që ta shkruaj. Unë kam menduar t’ju shkruaj qysh kur isha në Shqipëri, menjëherë kur u informova për vendimin që të më likuidojnë. Të gjitha këto që ju shkrova, i kemi përjetuar unë dhe tërë partia ime. Jam i bindur se kjo letër imja do t’i japë kontribut normalizimit të gjendjes në partinë dhe në vendin tim.
Me përshëndetje komuniste.
Beograd, më 15. VI. 1957


Panorama 14-15/02/2009

(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: