E marte, 10.12.2024, 12:41 PM (GMT)

Speciale

Paulin Z. Zefi: Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, Lezha dhe Raguza (Dubrovniku), në rrugëtimin e hershëm të Gjuhës së shkruar Arbëre/Shqipe

E premte, 12.04.2024, 07:00 PM


"Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, Lezha dhe Raguza (Dubrovniku), në rrugëtimin e hershëm të Gjuhës së shkruar Arbëre/Shqipe”

Nga Paulin Z. Zefi

*Lidhjet e forta që Gjergj Kastrioti-Skënderbeu vendosi me shtete të ndryshme europiane, prodhuan jo vetëm një shkëmbim intensiv dërgatash, por edhe korrespondencash diplomatike. Nga zyra e tij dolën shumë letra të nënshkruara nga vetë Kryeheroi, por mjerisht pas pushtimit osman të vendit tonë shumica prej tyre janë asgjësuar ose kanë humbur. Mirëpo, për fatin tonë të madh, gjurmët e tyre i ndeshim në përgjigjet, që ai ka marrë nga destinatorët e këtyre letrave. Në shumë akte dokumentare rezulton se kancelaria e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut drejtohej nga pronoteri arbër, Petrus Smachi (Pjetër Smaçi), por në një letër që i ka dërguar Gjergj Pelinit më 1457, vetë Gjergj Kastrioti-Skënderbeu e quan atë “pronotar”. Letrat e nisura nga kjo kancelari, na ndihmojnë të krijojmë një ide të qartë mbi realitetin historik të kohës dhe dëshmojnë aftësitë e jashtëzakonshme diplomatike të Heroit tonë Kombëtar, por edhe zotësinë e klerikëve që shërbenin si sekretarët e tij. Letërkëmbimet në gjuhë greke u hartuan padyshim nga klerikët ortodoksë, kurse e gjithë pjesa tjetër, në latinisht, italisht etj., u hartuan nga klerikët katolikë. Krahas klerikëve katolikë që ishin të angazhuar në kancelarinë e tij, përpunimin e dokumenteve latine Gjergj Kastrioti-Skënderbeu ua besonte edhe noterëve venecianë kryesisht në Lezhë te kancelari i këtij qyteti, Giovanni de Parenzo nga Istria, por edhe në Durrës siç kemi rastin e vitit 1463, me Gjon Borik de Grillis, i cili ishte noter publik dhe meshtar i Dioqezës së Durrësit. Kurse dokumentet në gjuhë sllave për korrespondencën me Republikën e Raguzës, u hartuan nga kleriku katolik, Ninac Vukosaliç, i cili në disa burime dokumentare përmendet edhe si “nuncius” i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Po ashtu, si noter i tij, në vitin 1461 (26 prill 1461) përmendet edhe Radiç Hilihis (Radicii Hilihis). Duhet theksuar se marrëdhëniet politiko-ushtarake midis shtetit arbër të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe shteteve të tjera u zhvillua mbi bazën e formave dhe të praktikave të njohura të asaj kohe në fushën e diplomacisë, të cilat, siç konstaton me shumë të drejtë historiani J. Drançolli, kishin arritur një zhvillim mjaft të dukshëm në pragun e Humanizmit dhe të Rilindjes Europiane.

-Njëra nga letrat më interesante të dërguara prej tij, e cila është edhe objekti i këtij studimi, është hartuar e vulosur pikërisht në zyrën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në qytetin e Lezhës dhe drejtuar Republikës së Raguzës. Ajo është një prokurë ose diplomë e karakterit financiar, më saktësisht një shkresë atorizuese e lëshuar prej tij në vitin 1450 për kancelarin e vet, Ninac Vukosaliç. Letra është e shkruar në gjuhën sllave dhe ruhet në Arkivin Shtetëror të Dubrovnikut, e rradhitur në Fondin “Lj.Stojanoviç” me Nr. 794 dhe po ashtu, në Arkivin Shtetëror Austriak të Vienës me Nr. 149 (i cituar nga F.Miklošiç - P.Z.). Në këtë letër të pajisur me vulën e madhe, atë shtetërore të Kryeheroit, të cilësuar nga T. Geci, si “Sigillum maius solemne", shkruhet:

“Plem(e)nitim i mudrim i u svem(e) mnogopo?tenim(e) gspodam(e) gonu knezu i vlastel(e) samovladuštago grad Dubrovnika mnogo zorav(e)nje i hertisaninje de ma gosctvo vi kazaše mi njer(e) gred car(e) na nas(e) toga radi poslah(e) kan(e)žilera moga Nin(e)ca što ke govorit(e) s naše strane vašemu gsposctvom o v(e)svem da ga verujete i da mu daste i Bog umnoži gospc(e)tvo vi mesca ?erešinar 1450 u Leš [Zotërinj të ndershëm, bujarë dhe të ditur në të gjitha pikëpamjet, Zotit Knjaz (Dukë-P.Z.) dhe Vlastelës, sundimtarë të qytetit të Dubrovnikut, shumë shëndet… Zotërinj, më treguat… (?) për të cilën arsye e dërgova kancelarin tim, Ninacin, i cili do t’u flasë në emrin tonë, zotërinjve tuaj, dhe në tërësi duhet t’i besoni dhe t’ia jepni… (?). Zoti ua shtoftë (tokat/pasurinë – P.Z)!

Skënderbeu (Nënshkrimi).

Muaji Çereshinar, dita 7, 1450, në Lezhë].”

*Elementi më i veçantë i kësaj letre gjendet në fundin e tekstit të saj, ku Gjergj Kastrioti-Skënderbeu e shkruan muajin në të cilin e ka dërguar letrën, në gjuhën arbëre (shqipe): "cerešinar"=qershor.” Duke qenë se as në sllavishten e vjetër dhe as në atë të re (serbo-kroatisht) nuk ekziston ndonjë muaj me këtë emër, sepse në sllavishten mesjetare, fjala – Çereshinar/a)” lidhet pikërisht me “Pemën e Qershisë (sot: /Drvo trešnje – P.Z)”, kjo do të thotë se Kryeheroi, pavarësisht se letrat i shkruante në gjuhë të huaj, gjuha e tij amtare ishte gjuha arbëre. Duhet të saktësoj se në gjuhën latine, qershia emërtohet “Cerasus” dhe lidhet me vendin e origjinës së kësaj peme frutore, e cila ka nisur të kultivohet fillimisht në qytetin e lashtë, "Cerasus", në brigjet e Detit të Zi. Duke qenë se dokumenti në fjalë daton në vitin 1450, do të thotë se ky emër muaji u shënua në gjuhën arbëre 12 vjet më herët se "Formula e Pagëzimit (1462)" ose 12 vjet para se Pal Engjëlli të organizonte Koncilin Kishtar pranë Kishës së Trinisë së Shenjtë në Mat (Ecclesia santae Trinitatis de Emathia), ku ai paraqiti: "Constitutiones, ordinationes et statuta de Paulus Angelus, miseratione divina Archiepiscopus Durachiensis et Illiricae Regionis….In Ecclesia santae Trinitatis de Emathia. Anno Dei 1462, Indictione decima die vero lunae octava mensis Novembris." Prandaj, për këtë arsye, prokura e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut e lëshuar për kancelarin e tij të financës, në Lezhë, më 7 qershor 1450, kërkon një analizë të posaçme shkencore në kuadrin e historisë së gjuhës shqipe.

*Ky dokument, të cilit ende nuk i është kushtuar vëmendja e duhur, është botuar i plotë nga historianë si: P.Karanotvrtkovic në vitin 1840, F.Miklošic më 1858, Lj. Stojanovic më 1934 dhe J.Radonic më 1942. Dy të parët, duke mos mundur të dallojnë muajin "Cerešinar"= qershor", për të cilin bëhet fjalë, e kanë datuar këtë dokument në muajin korrik 1450 dhe ndërsa J.Radonic, në përmbledhjen e dokumenteve të botuar në veprën e tij monunentale, , e ka listuar gabimisht në muajin qershor 1459 (1459) ]. Dokumenti në fjalë është botuar i plotë edhe nga historianë shqiptarë si T.Geci dhe K. Frashëri, ku i pari e ka marrë nga Fondi "Lj. Stojanovic" dhe i dyti nga veprat e F. Miklošic dhe J. Radonic.

-Me pak fjalë, ky dokument kaq i rëndësishëm, që lidhet me Gjergj Kastriotin-Skënderbeun dhe me Lezhën e tij, duhet listuar në historiografinë tonë zyrtare si një ndër dëshmitë më të hershme të shqipes së shkruar.

Paulin Zefi

Lezhë: 11.04.2014.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Qazim Namani: Gjurmë të trashëgimisë kulturore në fshatrat Lladoc, Balloc e Herticës në komunën e Podujevës Qazim Namani: Kozmologjia Dardane Qazim Namani: Bartja e materialit arkeologjikë në vitin 1995 nga Muzeu i Mitrovicës në Muzeun e Prishtinës Milazim Zeqiraj: Dialogu i dëshmorëve më 13.4.1999 Qazim Namani: Bartja e materialit arkeologjikë në vitin 1995 nga Muzeu Arkeologjik i Prizrenit në Muzeun e Prishtinës Qazim Namani: Zanafilla e Kulturës materiale dhe historike në Kosovë Sabile Basha & Tefik Basha: Popullsia e Kosovës në dokumentet e Shqipërisë, 1958 Sabile Basha: Naser Hajrizi - Republikë Kushtetutë - Ja me hatër ja me luftë Sabile Basha: Asllan Pireva - Duam Bashkimin e Trojeve Shqiptare Sabile Basha: Sherif Frangu – Republikë e Kushtetutë - ja me hatër, ja me luftë Sabile Basha: Bajram Bahtiri - Jeta pa luftë nën robëri nuk kishte kuptim Jusuf Buxhovi: Konferenca e Rambujesë Sabile Basha: Afrim Abazi - Duhet ndryshuar kjo histori, Kosova e Bashkuar me Shqipërinë Xhemaledin Salihu: Perandoria Osmane nuk mundësoi arsimimin e shqiptarëve në Luginë të Preshevës Sabile Basha: Shaqir Ali Keçmezi - Kosova do të bashkohet me Shqipërinë Lutfi Alia: Eno Peçi, balerini dhe koreografi në Operan Shtetërore të Vjenës (II) Sabile Basha: Ali Ajeti – Dita për me vdekë për Kosovën Jusuf Buxhovi: Demonstratat e 11 marsit të vitit 1981 dhe dinamizimi i kërkesës për Republikën e Kosovës Sabile Basha: Afrim Zhitia - Do të punoj për Kosovën e Lirë deri në vdekje Sabile Basha: Fahri Fazliu - Bëni të fala nënës, i thoni se Fahriu po vdes për Kosovën

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora