Speciale » Basha
Sabile Basha: Naser Hajrizi - Republikë Kushtetutë - Ja me hatër ja me luftë
E premte, 29.03.2024, 08:59 PM
T'I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:
NASER
HAJRIZI- REPUBLIKË KUSHTETUTË- JA ME HATËR JA ME LUFTË
(1962-e
vranë më 2 prill 1981)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Në kohën kur u lind Naser Hajrizi, më 07. 07. 1962, nga i ati Beqiri dhe e ëma Fatimja, Kosova ende ishte e robëruar. Shqiptarët, ende
qëndronin dhe rezistonin. Edhe më tutje
në rend të obligimeve historike mbeti obligimi dhe qëllimi suprem i lëvizjes
ilegale-çlirimi i trojeve të mbetura nën sundimin e huaj dhe bashkimi i tyre me
shtetin amë.
Ndër sfidat më të mëdha ishte viti l945, dhe periudha që
pason. Ishte koha kur shqiptarët, pa dëshirën e tyre, mbetën në kuadër të
Serbisë e të ish-Jugosllavisë. Andaj, rezistenca ishte fati ynë historik. Periudha nga pas lufta (1945) e deri në vitin 1974 llogaritet njëra ndër
periudhat më të vështira të shqiptarëve në Ish- Jugosllavi. Në këtë periudhë
ilegalja shqiptare kishte filluar të bënte përgaditje për tu riaktivizuar pas
burgosjeve e torturave të shumta që pati gjatë viteve 1945-1948.
Babai i Naserit, Beqir Hajrizi, ishte lindur më 1933
në Strofc të Vushtrrisë kurse nëna, Fatime Saliu-Hajrizi ishte e lindur më 1935,
në Gradicë të Drenasit. Naseri u rrit dhe u edukua në një familje e cila ishte
e njohur për atdhetari e bujari shqiptare. Kjo familje fillimisht ishte
shpërngulur në Vrellë të Magurës, e
pastaj nga këtu ishte shpërngul për Prishtinë. Familja kur u vendos në
Prishtinë, po atë vit Naseri i kishte mbushur shtatë vjet, dhe filloi mësimin
në shkollën fillore. Familja e Naserit, nga ana e babait njiheshin në këto anë,
si atdhetar të mëdhenj që luftonin dhe mbronin tokat shqiptare. Zymber Hajrizi (xhaxhai i Beqirit), dhe
kushërinjtë Hajrizi e Osmani ishin vrarë nga forcat serbe më 1921. Se ishin
angazhuar dhe ndihmuar luftën e çetave të Azem Galicës. Po ashtu edhe familja e
nënës ishin ndër të parët që u bënë digë kundër sistemit okupues komunist.
Xhaxhai i nënës (daja i Naserit), Milazim Saliuka-Hyseni, më 1949, pushteti
komunist e kishte dënua me shtatë vjet burg, se kishte vepruar dhe ishte anëtar
i Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare. Po ashtu Zenel Hajrizi, i biri i
Zymber Hajrizit, kishte luftua me brigadat shqiptare për ruajtjen e kufirit
etnik shqiptar, dhe kishte marr pjesë në Luftën e Drenicës të udhëhequr nga Shaban
Polluzha. Veç kësaj, më 1960 Zeqir
Hajriz, (axha i Naser Hajrizit), dhe daja i babait të Naserit, Banush Ademi, kishin
formuar dhe ishin anëtar të Organizatës Revolucionare për Bashkimin e Kosovës
me Shqipërinë, të udhëhequr nga Kadri Halimi e Ali Aliu. Më 1961, organet e
UDB-es zbuluan veprimtarin e tyre, të cilët më vonë iu shqiptuan dënime
marramendëse burgu. Pastaj dënohen edhe
Jahir e Ahmet Hajrizi, anëtarë të familjes së Naserit. Po ashtu duhet
përmendur axhën e Naser Hajrizit, atdhetarin e njohur- Mehmet Hajrizin i cili
mbi dhjetë vjet ka qenë i organizuar në Lëvizjen
Kombëtare ilegale të Kosovës. Nga gjysma e vitit 1974 deri në fund të vitit
1981, kur arrestohet, ishte kryetar i njërës nga organizatat e Lëvizjes
Kombëtare, fillimisht të quajtur Grupi Revolucionar i Kosovës, dhe më vonë
Organizata Marksiste-Leniniste e Kosovës, si dhe Kryeredaktor i organeve të saj
klandestine, “Zëri i Kosovës”, “Pararoja” dhe “Liria”.
Më 1979 arrestohet me dyshimin për
organizim ilegal, mbahet në burg hetues për dy muaj, por në mungesë të fakteve,
dënohet vetëm për propagandë kundër regjimit pushtues. Më 1981, arrestohet
sërish dhe dënohet me 12 vjet burg për veprimtari politike, të cilësuar
kundërrevolucionare.
Sipas të dhënave që na i ofron Mehmet Hajrizi, në librin e tij ”Bir i atdheut
(Dëshmor i Kombit, Naser Hajrizi)“-. Botuar më 2019, në
Prishtinë,
në mes tjerash thuhej se ”Naser Hajrizi që në
moshë të re ( 11-12 vjeçare) bashkë me Jahir Hajrizin ishin angazhuar nga disa
anëtarë të “Grupit Revolucionar të Kosovës”, kjo organizatë ishte vazhdimësi e
grupeve të mëhershme ilegale patriotike në Kosovë që u formua në vitin 1972,
nga patriotë të njohur në jetën ilegale, siç ishin: Kadri Osmani, Binak Ulaj,
Xhafer Shatri, Jashar Alijaj, Metë Shatri e patriotë të tjerë. Naser Hajrizi u
angazhua për të ruajtur dhe për ti përcjell tek anëtarët e
tjerë të organizatës materiale të rëndësishme ilegale. Është befasuese, se sa
shpejt piqeshin fëmijët nën okupim. Naseri ishte fëmijë kur hyri në radhët e
ilegales. Që në fëmijëri tek ai vërehej kujdesi, qëndresa, besnikëria ndaj shokëve
dhe veprimtarisë ilegale por në të njëjtën kohë dallohej edhe urrejtja dhe
përbuzja e
madhe ndaj okupuesit.
Vitet kalonin, e bashkë me to rritej e burrërohej edhe
i riu Naser Hajrizi. Naseri pas përfundimit të shkollës fillore me sukses të
shkëlqyeshëm, regjistrohet në shkollën e Mesme
Elektroteknike në Prishtinë. Në mësime ishte i dalluar dhe çdo kund
linte përshtypjen e një djali mirë të edukuar. Në shkollën e mesme veç mësimit,
ai ishte pjesë e pandarë e lëvizjes. Bashkë me punët konspirative që kryente,
ky kishte marr përsipër që të angazhonte edhe shokët te të cilët kishte besim
të madh. Bashkë me shokun e klasës Asllan Pirevën nga Prishtina, Sylë Loshin nga
Padalishta e Drenicës, Isuf Hajrizin nga Hajvalia, kishte formua një grup
ilegal që vepronte në kuadër të – Grupit Revolucionar të Kosovës. Gjithashtu ky
grup shpërndante literaturë të ndaluar dhe shtypin e ilegales. Shkruanin
parulla të ndryshme që ishin kundër sistemit jugosllav. Me një mençuri të rrallë
bënte hulumtimin dhe hetonte profesorët e tij se cilët ishin kundër okupuesit,
dhe tek ata që kishte fitua besimin i furnizonte me materiale të ndaluara. Profesorët
si: Ahmet Qeriqi , Zenun Gjoca e të tjerëve, iu dërgonte literaturë dhe shpesh
bisedonte me ta për mundësin e angazhimit të tyre në radhët e ilegales.
Kosova
mezi kishte ecur e hyrë në vitin 1981. Dhe, pas lajmit se në mensën e
studentëve ka demonstrata, punëtorët politik të Kosovës ishin sensibilizuar dhe
një grup i madh i tyre si të KK të LK të
Prishtinës, të KK të LK të Kosovës dhe të Universitetit ishin futur në radhët e
studentëve me qëllim që me mjete politike, me veprime ideopolitike t’i bindnin
studentët që të shpërndaheshin, të kthehen në Qendrën e studentëve dhe atje të
bisedojnë konkretisht në lidhje me kërkesat për përmirësimin e kushteve dhe të standardeve të studentëve në
përgjithësi. Pas bisedave që kishin zgjatur gati një orë, studentët ishin pajtuar
që të shkonin deri në mensën e tyre. Si shkak i drejtpërdrejtë i këtyre
trazirave ishte, gjoja, pakënaqësia e
një grupi studentësh për shkak të ushqimit që konsumonin në restorantin e tyre,
pritjes së gjatë, shërbimit jo efikas, dritës së dobët etj. Pas kësaj grupi i
përmendur doli jashtë restorantit, u tubua para tij dhe u drejtua nëpër rrugën
“Ramiz Sadiku” në drejtim të Fakultetit Teknik. Në atë moment në grup ishin
rreth 200-400 studentë. Në raportin
që japin organet kompetente të KK të
LKK-së thuhej se më vonë këtij grupi iu bashkuan edhe 100 studentë të tjerë.
Studentët duke parakaluar pranë ndërtesës së KK të LK të Kosovës, thirrën
parulla në një zë “Kushte”, “Kushte”, kurse para ndërtesës së KK të LKK-së
lëshuan parullën “ushqim”. Sipas informatës së KK të LKK-së, edhe pas orës
22.00 grupet e shumta të studentëve u
takuan para mensës. Para demonstruesve dolën dhe folën 3 studentë, të cilët duke kërkuar disiplinë
theksuan se qëllimi i tubimit të tyre
ishte të kërkonin të drejta dhe përmirësim të kushteve të jetës dhe të punës, e jo të çrregullojnë
rendin publik dhe qetësinë. Mirëpo ata njëkohësisht i ftuan demonstruesit të qëndronin të tubuar dhe të jenë kompakt në
mbrojtje të kërkesave të tyre.
Naser
Hajrizi ishte aktiv e pjesëmarrës në të gjitha demonstratat që ndodhën gjatë
muajit mars e prill, 1981. Më 26 mars 1981, në orën 6.00 të mëngjesit, një grup
studentësh kishte bllokuar hyrjet në tri konvikte të studentëve në Prishtinë. Ata kishin kërkuar të bisedonin me personalitete të caktuara të
Universitetit dhe me disa funksionarë krahinorë, duke theksuar se- në rast të
kundërt- nuk do të dalë askush jashtë konvikteve dhe të gjithë masivisht do të
dalin në demonstrata.
Organet
e Sigurimit thuhej në një dokument,
kishin informata se studentët në konviktet e Prishtinës po përgatiteshin për
demonstratat jo më me karakter social, por tani me kërkesa politike. Në ora 12
e 40 minuta studentët shpalosin parullat me karakter politik si: ”Trepça punon
për të tjerët”, “Bashkim”, “Rroftë klasa
punëtore”, “Kushte më të mira”, “Duam republikë”, , “Jemi shqiptarë e jo
jugosllav”, “Kosova është e jona”, “Kosova kosovarëve”, “Bashkimi
i viseve shqiptare”, “Të dënuarit politik të kthehen në Kosovë”, “I kërkojmë
shokët e burgosur”, “Republikë” etj.
Më
31 mars dhe më tej situata politike në
Prishtinë ishte e nderë. Bojkotimi i mësimit në fakultete vazhdonte. Një numër
i madh i studentëve dalëngadalë kishte filluar të manifestonte, gjithashtu edhe
shkollat e mesme në qytet. Në mësime mungoi edhe kuadri arsimor të cilët ishin
urdhëruar që nga ora 7.00 e mëngjesit e deri në ora 19 në mbrëmje, të ishin në
fakultete. Duke e parë se situata po u ikte nga dora, organet kompetente të
Kosovës morën vendim që në të gjitha fakultetet të organizoheshin kujdestaritë.
Po atë ditë në Qendrën e Studentëve u shënuan trazira, kurse rreth orës 11.00
para dite një grup i madh i studentëve në oborrin e konvikteve lexuan një letër dhe më vonë ia shpërndanë
studentëve.
Më
1 prill 1981, në orën 12.30 minuta në Prishtinë shpërthyen demonstratat më
masive deri më atëherë. Në ditën e
parë të demonstratës gjithë popullore të organizuar në Prishtinë, Naser Hajrizi
bashkë me anëtarë tjerë të familjes ishte i pari në radhët e demonstruesve. Një grup nxënësish
të shkollës së mesme ekonomike dhe të shkollës bujqësore, por edhe studentësh u
nisën nga oborri i shkollës në drejtim të qytetit, duke thirrur parullën
“Republikë”. Për ta penguar hyrjen e grupit në qytet, forcat e Sigurimit e
kishin bllokuar dhe i ndanë demonstruesit në shumë grupe të vogla. Në ecje e
sipër atyre iu bashkuan me mijëra studentë, qytetarë e nxënës, kështu që deri
në orën 15, grupi numëronte mbi 5000 veta. Policia kishte marrë urdhër nga lart
që të ndërhynte, gazi lotsjellës me një shpejtësi të paparë u hodh ndaj
demonstruesve. Turma nuk shpërndahej. Ata vazhduan marshimin deri te ndërtesa e
Këshillit Ekzekutiv, e pastaj u drejtuan para ndërtesës së KK të LKK-së. Rinia
studentore e shkollore nuk ndalej dot. Pa ndërprerë dëgjoheshin parullat. Për
herë të parë u dëgjua parulla “Rroftë Adem Demaçi” kurse para KK (tani ku
ndodhej Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve), u shkrua në pllato “Rroftë
Adem Demaçi”, “Duam Republikë”, “Kosova Republikë”, “Të lirohen shokët” etj.
Pas
përhapjes së lajmit se në rrugët e Prishtinës kishin dalë tanket, drejt qytetit
ia mësyn nga çdo anë qytetarët e Kosovës.
Rreth orës 11 një grup qytetarësh afër fshatit Devet Jugoviq, sulmuan
forcat e Sigurimit. Po ashtu një grup tjetër qytetarësh ishte nisur nga Obiliqi
për në Prishtinë duke u përleshur me forcat policore. Pas këtyre ngjarjeve që patën jehonë të madhe në
vend dhe në botë, Kryesia e RSJ dhe Kryesia e Komitetit Qendror të LKJ-së, më 2
prill 1981, mbajti një mbledhje urgjente me të gjithë anëtarët e saj lidhur me
gjendjen e krijuar në KSA të Kosovës. Në këtë mbledhje u mor vendimi për
shpalljen e situatës së krizës në territorin e KSA të Kosovës dhe për aplikimin
e planit për të tejkaluar këtë situatë; vendimi për shpalljen e gjendjes së
jashtëzakonshme në territorin e komunës së Prishtinës; dhe vendimi për
aplikimin e masave të gatishmërisë. Në harmoni me këtë vendim, Komiteti i
Mbrojtjes së Përgjithshme Popullore dhe i Vetëmbrojtjes Shoqërore të KSA të
Kosovës urdhëroi aktivizimin e planeve për situatën e krizës. U dha urdhri për
aktivizimin qind për qind të njerëzve, për organizimin e luftës të organeve të
Punëve të Brendshme në KSA të Kosovës. Sekretariati Krahinor i Punëve të
Brendshme, gjithashtu lëshoi urdhër për ndalimin e lëvizjes së personave në numër
të madh në vende publike. Ky urdhër hyri në fuqi menjëherë. Këshilli
Ekzekutiv i Kuvendit të KSA të Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 2 prill 1981,
mori vendim që, me qëllim të eliminimit të rrethanave të jashtëzakonshme dhe të mbrojtjes së rendit
publik, të kufizohet ose të ndalohet lëvizja e njerëzve në vendet e caktuara publike dhe në ato vende
në të cilat, me veprimin e individëve
apo të grupeve, mund të cenohej
rendi publik dhe qetësia ose të rrezikohej rendi publik. Me vendim u urdhërua
kufizimi i qëndrimit në vende të caktuar për ata persona, për të cilët ekziston
dyshimi i arsyeshëm se me veprimin e tyre do të mund ta rrezikonin rendin
publik. Po atë ditë Këshilli Ekzekutiv i Kuvendit të komunës së Prishtinës
urdhëroi që të ndërpritet mësimi në shkollat fillore, të mesme, të larta dhe në
fakultete, të mbyllen konviktet e studentëve
dhe internatet e rinisë së shkollave të mesme në Prishtinë. Më vonë këto masa u aplikuan edhe në organet
krahinore dhe në komunat e tjera të krahinës.
Me
kërkesën e udhëheqjes së krahinës iu dërguan përforcime organeve të Punëve të
Brendshme të KSA të Kosovës nga efektivët e Federatës dhe të të gjitha
republikave socialiste të KSA të
Vojvodinës, të cilat veprojnë në bazë të urdhrave të Kryetarit të Kryesisë së
KSA të Kosovës.
Më 2 prill 1981, megjithëse ishin marr masa të rrepta
kundër studentëve e nxënësve, Naser Hajrizi bashkë me Asllan Pirevën ishin
organizatorët kryesor të demonstratave të nxënësve në shkollën Elektroteknike. Megjithëse,
pas urdhrit që kishin marr nga organet e Komitetit Krahinor të LKK-së, dyert e
shkollës i kishin mbyllur, por nxënësit dolën nga dritaret. Në përleshje me
kordonin policor, Naseri plagoset, por masa demonstruese marshon drejt qytetit
(shkolla ndodhej afër parkut Gërmia, në periferi të Prishtinës). Ai shkon në
familjen e Adem Kurteshit, lidh plagën dhe pasi i zë kolegët, vihet në ballë të
demonstratës në qendër të qytetit. Pas ndërhyrjes së forcave serbe,
demonstruesit ndahen në grupe, njëri prej të cilëve ishte në sheshin midis
Bankës Popullore (sot Kryeministria) Shtëpisë së Mallrave dhe Postës, të cilit
i prinin Naser Hajrizi dhe Asllan Pireva. Dy të rinjtë, rreth orës nëntë
paradite, ranë dëshmorë me flamurin lart dhe me moralin e pathyer të
luftëtarëve të lirisë. Mbi ta shtinë me armë zjarri oficerë ushtarakë të
vendosur në objektin e Bankës Popullore të Kosovës.
Sipas kujtimeve të axhës së Naser Hajrizit, Mehmet
Hajrizit, ai thotë se : ”Më 2 prill rreth orës tetë para dreke, ndodhesha
bashkë me vëllain tim, Zeqir Hajrizi, midis demonstruesve para teatrit të
Prishtinës. Para se të grumbulloheshim aty, na kishin kërcënuar me tyta armësh
oficerë ushtarakë rreth ndërtesës së Kuvendit, por demonstruesit i injoronin
duke vazhduar marshimin. Edhe objekti i sotëm i Qeverisë, atëherë i Bankës
Popullore, ishte i mbushur përplot ushtarë, të cilët kishin mbërritur gjatë
natës. Unë kisha qenë rreth këtij objekti në orën gjashtë të mëngjesit dhe
kisha parë ushtarakë të zdërvajur në sallën e madhe të objektit, rrethuar me
xhama. Pas gjysmë ore thirrjesh e brohoritjesh të demonstruesve, filluan
krismat ngjashëm me mbrëmjen e kaluar, kur na kishin shpërndarë me tym
ngulfatës dhe krisma nga të gjitha anët. Por tashti përdornin edhe plumbat,
sepse dalloheshin krismat. Një pjesë e demonstruesve u tërhoqëm përgjatë lumit,
Vellushës, nga lindja dhe te teatri i sotëm „Dodona“, me alarme dhe në
shpejtësi kaluan dy makina, jo të policisë siç menduam në fillim, po të ndihmës
së shpejtë. Shkonin në drejtim të spitalit. Pak minuta më vonë thanë se i
kishin vrarë dy të rinj në ballë të demonstratës, në sheshin midis Shtëpisë së
re të mallrave, Postës së vjetër dhe Bankës Popullore. Kishin shtënë nga
objekti i Bankës. Edhe sot duken shenjat e plumbave në shtëpinë dykatëshe
kundruall këtij pallati. Më vonë morëm vesh se ishte vrarë Naser Hajrizi dhe
bashkëveprimtari i tij, Asllan Pireva”.
Lidhur me ceremoninë e varrimit të dëshmorit Naser
Hajrizi, Mehmeti shkruan: „Me shumë peripeci arritëm që më 3 prill të nxirrnim
kufomën e Naserit nga Morgu i Spitalit të Prishtinës, kurse më 4 prill bëmë
homazhet dhe ceremoninë e varrimit, duke u betuar të gjithë të pranishmit para
trupit të tij lapidar. Betimin po e udhëhiqja unë, pasi kisha thënë disa fjalë
për dëshmorin. Vetëm njëri nga të pranishmit, derisa bëhej betimi, thërriste me
shqetësim, „amani lëreni këto se po rrezikohemi“. Ato ditë nuk lejonin të
shkohet në grup prej tre vetash, kurse në varrim lejonin vetëm katër përcjellës
të kufomës. Ne kishim siguruar një kamion të mbuluar, me të cilin shkuam te
varrezat e qytetit mbi njëzet vetë. Të tjerët individualisht shkuan drejt
varrezave…“
Pas demonstratave të vitit 1981, në vendin ku u vranë
heroikisht dy dëshmorët Naser Hajrizi dhe Asllan Pireva, regjimi komunist për
ti fyer sa më shumë heronjtë, në atë vend kishte ngritur një nevojtore publike
me dy hyrje. Me kohë, vendi u pastrua, por tek në vitin 2008, me 2 prill u
vendos një pllakë përkujtimore, si kujtim i vendrënjes së tyre.
Duhet përmendur edhe këtë se vetëm gjatë vitit 1981 në
Prishtinë e gjithandej ku jetonin shqiptarët në Ish-Jugosllavi, ranë dëshmorë: 1. Naser Hajrizi (20), Prishtinë 2.Asllan Pireva, (20), Prapashticë, (Podujevë), 3. Ruzhdi Hyseni, (27), Kollë, (Vushtrri), 4. Riza Matoshi, (26), Nekodim, (Ferizaj), 5.
Ibrahim Krasniqi, (27), Sllatinë, (Lypjan), 6. Xhelal Maliqi, ( 1957 ), Prishtinë, 7. Sherif Franku, (l9), Ferizaj, 8. Salih Zeka – Mulaku, (72), Vushtrri, 9. Salih Abazi, (28), Vushtrri, 10. Nesim Dana, (27), Gjakovë, (u mbyt nga eprorët e APJ-së), 11.
Tahir Meha (1943- e likuiduan me 13
maj 1981), Prekaz i Poshtëm, (Skënderaj), 12. Nebih Meha, (1910- u likuidua më 13
maj 1981 ), Prekaz i Poshtëm, (Skënderaj), 13. Sinan Bajrami, (18), Dedi, (Mitrovicë), 14. Asllan Ukë Gashi,(1961), Suharekë, 15. Besim Xhemë Bajraktari, ( 1958), Junik, 16. Shaban Sadik Prushi, ( 1961 ), Prush i Gjakovës, 17. Islam Bajram Morina, ( 65 vjeç ), Loxhë, 18. Qerim Abdyrrahman Aliu, ( 1961
), Kumanovë, (kazerma në Viroviticë ), 19.
Rizah Vehbi Matoshi, ( 25
vjeçar), Ferizaj.
Lavdi të gjithë dëshmorëve të Kombit që ranë në mbrojtje
të ATDHEUT!
Literatura:
Mehmet Hajrizi, Biri
Atdheut, Prishtinë, 2019
Mehmet Hajrizi,
Historia e një organizate politike dhe demonstratat e vitit 1981, Tiranë 2008
Bajram Kurti, Gjaku i lirisë V/VI, Prizren, 2003, f. 151
Sabile Keçmezi- Basha,
Organizatat dhe grupet ilegale në Kosovë
1981-1989, Prishtinë, 2003
Sabile Keçmezi- Basha,
https://pashtriku.org/mehmet-hajrizi-bir-i-atdheut-deshmor-i-kombit-naser-hajrizi-ii/
https://klankosova.tv/ne-36-vjetorin-e-renies-perkujtohen-deshmoret-naser-hajrizi-dhe-asllan-pireva/
https://gazetainfokus.com/perkujtohen-deshmoret-naser-hajrizi-dhe-asllan-pireva/
https://www.gazetadirekt.com/lajme/nderohen-deshmoret-e-81-es-naser-hajrizi-dhe-asllan-pireva/
https://gazetalevizja.com/mehmet-hajrizi-heroi-i-pranveres-shqiptare-81-naser-hajrizi/