Speciale » Basha
Sabile Basha: Heroi i Kombit Prof. Xhemajli Berisha
E enjte, 29.02.2024, 09:24 PM
T'I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:
PROF. XHEMAJLI BERISHA- E KEMI PËR DETYRË QË
PIKËRISHT NË PENGESA E VËSHTIRËSI TË DALIM NGADHËNJIMTARË, E KEMI TRADITË QË NË
TË PAMUNDURËN TA GJEJMË TË MUNDURËN, NË TË KEQËN TA NGJALLIM TË MIRËN, NË TË
ULËTËN TA NGREHIM TË LARTËN”
(1958- e mbysin me 6 prill 1989)
Nga Prof.
Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Presioni, dhuna e terrori serb ndaj
shqiptarëve në përgjithësi, e i atyre të Kosovës në veçanti, ka rrugë të
gjatë, laramani të shumëfishtë veprimi e forma të veçanta aplikimi, gjithnjë
duke iu përshtatur rrethanave të mundshme të zbatimit. Në këta shekuj të gjatë,
shqiptarët përjetuan dhunë politike, dhunë shpirtërore e dhunë materiale. Të
gjitha këto forma të dhunës barbare serbe, kishin objekt
represionin fizik e shpirtëror, kishin shtypjen e substancës shqiptare,
ndjenjave kombëtare dhe vlerat shpirtërore e njerëzore të tyre, me të vetmin
qëllim përmbajtjesorë, dëbimin dhe pastrimin etnik të shqiptarëve nga këto
troje. Shumë programe e elaborate serbe kundër shqiptarëve e Shqipërisë ishin
shkruar në kohët më të hershme të periudhave historike, por duken gjithmonë aktuale, nëse e gjykojmë në
çka ka ndodhur në Kosovë dhe në Jugosllavi përgjithësisht duke u nisur
nga 1991, në mos po nga viti 1981, po
ashtu edhe nga viti 1941. Megjithatë aplikimi i tyre vjen në dukje sidomos pas
Luftës së Dytë Botërore në shtetin e “Ri” socialist duke bërë gjenocid dhe
krime të papara. Programet antishqiptare jo vetëm që u aplikuan në mënyrat më
perfide, bile urrejtja shkoi edhe më larg sa që në to u përfshi edhe Akademia e
Shkencave e Arteve Serbe, duke shkruar dhe specifikuar si dhe në çfarë mënyre
duhet të eliminohen shqiptarët nga trojet e tyre. Kështu shkruhet në të gjitha
programet e elaboratet serbe të kohës.
Për copëtimin, uzurpimin, shpërnguljen,
eliminimin e shqiptarëve është shkruar shumë, nga ana e intelektualëve të
njohur serbë, por edhe tani shkruhet akoma më shumë. Por, pas përfundimit të
LDB-së, me aneksimin e Kosovës Serbisë, programet serbe në mënyrë institucionale u futën në sistem dhe
tërësisht u legalizuan. Më vonë, çdo gjë që u punua dhe trazirat që përjetoi
populli shqiptar në Jugosllavi ishin prodhim i programeve
antishqiptare. Me anën e këtyre programeve, politika serbe e hegjemoniste
kishte për qëllim realizimin e parashikuar në vazhdimësi historike në projektet
e përgatitura nga politikanët si Garashanini,
Çubrilloviçi, Andriçi, Vukotiçi, Jankoviçi e deri te frymëzuesi shpirtëror
i urrejtjes të të gjithëve që nuk janë serbë, Memorandumi i Akademisë Serbe të
Shkencave në fundshekullin XX-të. Pas vitit 1945 filloi të aplikohet masa e
kolonizimit, sikurse në vitet 1913-1941, që zgjati gjer më 1966. Këto tendenca
u manifestuan edhe pas vitit 1981. Shqiptarët u akuzuan në procesin e montuar
të Prizrenit. Kundër një numri të madh të kuadrove politike, e në veçanti kundër
intelektualëve, janë zbatuar masat e ndjekjes, përgjimit dhe përpunimit, kurse disa të tjerëve u visheshin
“fakte të caktuara armiqësore”.
Këtë më së miri e dëshmon “Procesi i montuar
i Prizrenit”. Në mesin e shumë rasteve të montuara, ky është shembulli më
eklatant i një sistemi dhe i një periudhe të caktuar. Në këtë proces të montuar
politik që u mbajt në vitin 1956 u akuzuan: Njazi Maloku, Sedat Dida, Shani Hoxha, Demush Canhani, Brahim Moni, Rexhep Muhadri, Hasan Bajrami, Muhamet Emini dhe Sali Mehmeti. Shkas
kryesor ishte: spiunazhi dhe përkrahja e personit që ka kryer vepër penale
kundër popullit dhe kundër shtetit nga neni 126 i LPJ-së. Më vonë, më
14.3.1968, pas Plenumit të Brioneve, shumë të vërteta dolën në shesh
nga vetë ata që e montuan, që e realizuan dhe që në fund, përsëri, vetë e
shpallën si të pabazë këtë proces. Në Plenumin VII të LK të Kosovës e tërë kjo u quajt vepër e
armikut, u quajt me emrin e vërtetë proces i montuar politik, qëllim kryesor i
të cilit ishte të njolloseshin sa më shumë kuadrot shqiptare.
Aksioni për mbledhjen e armëve, sipas
Plenumit VII të KK të LKS-së, u organizua pa dijeninë dhe pa
pëlqimin e Komitetit Krahinor. Me gjithë faktin se ky aksion ishte i vetmi i
këtij lloji në Jugosllavi, Komiteti Krahinor dhe organizatat e tjera i kanë dhënë përkrahje vetëm
mbledhjes së armëve jo legale. Mirëpo, metodat me të cilat u zbatua ky aksion i
kaluan të gjitha normat normale, kompetencat dhe të drejtat e organeve të
Sigurimit Shtetëror.
Aksioni i mbledhjes së armëve kryesisht u
përgatit dhe u aplikua gjatë vitit 1955 dhe vazhdoi deri në fillim të vitit
1956. Në këtë aksion u përfshinë të gjitha fshatrat e qytetet e Kosovës dhe në
mënyrë kolektive e gjithë popullata
shqiptare gjatë represionit.
Gjatë kësaj periudhe u bënë torturat e
keqtrajtimet më të mëdha që do të mbahen
mend. Torturimi u bë forma më e preferuar e udbashëve serbë. Ai
përsëritej nga java në javë e nga muaji në muaj. Fillonin nga hetuesia, kalonin
në rrahje e deri te masat më drastike të mundimeve. Dhuna individuale me
likuidime ishte një praktikë e vazhdueshme e njohur dhe traditë në organizatat
terroriste serbe, vetëm se në këtë rast UDB-ja i kthen ato në një praktikë të
re në situata të reja. Gjatë kësaj
periudhe Sigurimi Shtetëror në Kosovë hapi 22.038 dosje personale, prej
të cilave 240 për personalitete politike shqiptare. Me atë rast nuk u kursyen
as edhe 4 anëtarët shqiptarë të KQ-së të LKJ- së, 16 anëtarë të Komitetit
Krahinor, një numër i madh punëtorësh politiko-shoqërorë që nga sekretarët e
organizatave punuese deri te deputetët e të gjitha kuvendeve. Në këtë aksion,
veç tjerash, u rrahën mbi 30.000 shqiptarë dhe nga torturat vdiqën mbi 100
veta. Gjatë kësaj periudhe burgjet ishin mbushur plot me shqiptarë. Sipas një
të dhëne, vetëm në burgun e Nishit mbi 2000 shqiptarë të burgosur,
në atë të Mitrovicës së Sremit mbi 700 të tillë. Gjendja nuk ishte aspak më e
mirë edhe në Idrizovë të Maqedonisë, në Prishtinë, në Goli Otok e vende të tjera anembanë
Jugosllavisë.
Shqiptarët mbushnin burgjet ish jugosllave.
Ata qëndronin në to pa pasur ndonjë status të definuar të të burgosurit. Për ta
nuk ka të dhëna se janë llogaritur si të dënuar politikë. E vërteta është se
çdo aksion i këtij karakteri ka pasur
prapavijë politike, që sa më shumë shqiptarë t’i braktisnin vatrat e tyre dhe
të kërkonin shpëtim jashtë Kosove dhe jashtë kufijve të ish Jugosllavisë.
Gjatë kësaj periudhe shqiptarët pushoheshin
nga puna, ngarkoheshin me taksa, trilloheshin hasmëri personale,
diskreditoheshin. Arrestimet dhe torturat masive janë përdorur si mjete efikase
për t’i detyruar të braktisin vendin e tyre. Sipas statistikave jugosllave,
vetëm në Kosovë në vitin 1954 ishin të gjykuar 2.
981 shqiptarë, kurse në vitin 1956, 3.213 të tillë. Arrestimet, gjykimet dhe
torturat gjithmonë kanë pasur për qëllim shkombëtarizimin e popullsisë
shqiptare. Edhe në çështjet e rëndomta prapavija ndaj shqiptarëve ishte
politike.
Në Kosovë, Maqedoni, Serbi e Mal të Zi aplikoheshin forma të ndryshme
dhe bëheshin përpjekje për asimilimin, shkombëtarizimin e shqiptarëve dhe për ndryshimin
e strukturës kombëtare të popullsisë, qoftë duke bërë presion mbi njerëzit që
të regjistroheshin si turq, myslimanë, “maqedono-myslimanë “, jugosllavë e çdo
gjë tjetër. Për të shtuar presionin mbi shqiptarët vendës filluan të sjellin
kolonistë të rinj nga vise të ndryshme të Jugosllavisë e madje edhe nga diaspora.
Organizatat ilegale patriotike shqiptare
gjatë kësaj periudhe u fuqizuan dhe u masivizuan duke inkuadruar në radhët e
veta forca të reja. Me arrestimet e njëpasnjëshme që bënte UDB-ja, lëvizja
ilegale përfitoi terren. Ndonëse u dëmtua një numër i konsideruar
intelektualësh shqiptarë, mbetën të paprekura forcat e organizuara dhe u shtua
urrejtja ndaj atyre që e shtypnin dhe e arrestonin popullin e pambrojtur. Ky
popull u bind edhe një herë se pa shkëputjen nga Serbia nuk mund të ketë liri të
mirëfilltë. Si rezultat i kësaj erdhi duke u përforcuar edhe ideja për formimin
e Republikës Shqiptare në Jugosllavi. Duke u nisur nga fakti se forcat patriotike kanë qenë dhe ishin
udhërrëfyese të popullit nga i cili edhe dolën, ato e përqafuan kërkesën për
Republikë dhe u angazhuan pa u kursyer për realizimin e saj.
Në këto kushte të rënda për shqiptaret dhe
për Kosovën, në fshatin Brestov të Rahovecit, lindi atdhetari e profesori
Xhemajli Berisha, më 17 prill 1958. Ai ishte i biri i Reshit e Mihrije
Berishës. Që në vegjëli ishte i zgjuar dhe i vendosur në qëndrimet e veta.
Skajshmërisht ishte i drejt dhe i dashur për familjen dhe me shokët që e donin
shumë. Pas përfundimit të shkollës fillore, shkollën e mesme e mbaron në
Prizren. Pas një kohe, varfëria ishte e tejskajshme andaj për kushte më të mira
jetese, familja e Xhemajliut shpërngulet nga Brestova dhe vendoset në fshatin
Arbanë (Dushanovë) , në afërsi të Prizrenit.
Por me kohë gjendja ekonomike deri diku
përmirësohet, ngase vëllai i madh i
Xhemajlis hynë në punë në fabrikën e tekstilit “Printeks” të Prizrenit. Po në
atë vit ai regjistrohet në Akademinë Pedagogjike. Pra ishte viti i parë që shkolla
kalonte prej ish- Normales në Akademi Pedagogjike. Po në këtë vit, djali i ri
nga Dushanova, pasionohet pas leximit, ashtu edhe siç dëshmon vet se vetëm brenda katër viteve kishte lexua 250 vepra të
autorëve shqiptar e të huaj. Por në mesin e kësaj literature nuk mungonin edhe
librat e ndaluar që vinin nga Shqipëria që sistemi jugosllav rreptësishtë i
kishte ndaluar. Ishte i ri dhe me plotë elan rinor. Ishte pjekur para kohe dhe
situatën politike dhe zhvillimet në vend i kuptonte dhe shpesh bisedonte me
shokë dhe në mes veti kërkonin një zgjidhje. Jeta nën okupim ishte e rënd e
Xhemajliu ishte shpirt poeti e krijuesi, nuk e duronte dot okupimin.
Edhe pse kishte tentuar që të regjistrohet në
Fakultetin e Mjekësisë, nuk ia arrin, andaj regjistrohet bashkë me shokun e vet
Nazmi Morinë në Fakultetin Juridik. Pasi përfundon vitin e parë, megjithatë ai
e regjistron edhe Fakultetin Ekonomik në Prishtinë. Ishte student i mirë dhe me
kohë përfundon fakultetin dhe në ndërkohë fillon të punoi më 1982, në gjimnazin
e Prizrenit “J.R. Kica”, sot gjimnazi “Gjon Buzuku”.
Siç dihet, më 25 mars të vitit 1981, nga ora
11 e 50 minuta në oborrin e përbashkët të Shkollës së Lartë Pedagogjike dhe të
Akademisë Pedagogjike në Prizren kishte ardhur një grup prej 20- 30 nxënësish të shkollave të mesme e
studentësh dhe ishte futur në ndërtesën e Shkollës së Lartë Pedagogjike, duke
thirrur parullën “Kushtetutë”. Me këtë rast ishin thyer dy dritare të shkollës.
Grupit në fjalë i ishte bashkangjitur një grup i konsideruar i studentëve dhe
nga aty kishin vazhduar rrugëtimin nga Akademia Pedagogjike, para së cilës
kishin dalë forca të shumta të policisë. Pastaj grupi i shtuar kishte vazhduar rrugën nga gjimnazi
duke iu bashkangjitur shumë nxënës, dhe nga këtu demonstruesit kishin vazhduar
rrugëtimin drejt shkollës së Mjekësisë dhe Konviktit të studentëve. Numri i
demonstruesve tani ishte shumë më i madh
dhe me kërkesën e shumicës së tyre vazhduan rrugën për në qendër të qytetit. Në
qytet demonstruesit i pritën forca të mëdha policie që pa paralajmërim kishin
intervenuar dhe me përdorimin e forcës i kishin shpërndarë rreth orës 12.20
minuta. Gjatë intervenimit të policisë ndaj studentëve në rrugët e qytetit u
thyen dritaret në tetë shitore, një xham në një automjet dhe një automobil
ishte rrokullisur. Atë ditë të organizimit të demonstratave në Prizren ishte
ditë tregu dhe një numër i konsideruar i qytetarëve iu kishte bashkangjitur
demonstruesve. Policia i shpërndau demonstruesit me ç’rast u lëndua një polic.
Pas demonstratave, organet komunale ishin shumë aktive dhe nxitonin se cila do
të bënte e para vlerësimin e tyre duke informuar dhe thirrur kuadrot nga KK i LKK nga Prishtina.
Duhet cekur se Xhemajli Berisha ishte ndër të
parët që merrte pjesë në demonstratat studentore. Asnjëherë nuk u nda nga
shokët dhe nxënësit e vet. Dhe ishte krejt normale që një figurë emblematike e
arsimit të Prizrenit t’iu bie në sy organeve të sigurimit të Prizrenit. Atë e
përcillnin dhe mjaftonte një gjest i vogël atdhetar që atë ta hidhnin në burg.
Ai e dinte këtë dhe e ndjente se ishte nën survejimin e hetuesve udbash,
megjithatë nuk e ndërpreu veprimtarin e tij ilegale.
Bilanci i të gjitha demonstratave ishte
tragjik: në anën e demonstruesve pati 8 të vrarë dhe 130 të plagosur, prej të
cilëve 55 të plagosur me armë zjarri. Në
anën e forcave të sigurisë 1 polic i vrarë dhe 135 të lënduar, 4 prej tyre
rëndë. Organet e Sigurimit kishin arrestuar përkohësisht dhe kishin proceduar
956 veta, ishin dënuar për kundërvajtje 219 veta, dhe me procedurë ndjekjeje
penale ishin 45 veta. Ndërsa në një mbledhje tjetër të Kryesisë të KK të
LKK-së, 5 ditë më vonë thuhej se “prej 11 marsit deri më 10 prill, janë marrë
një varg masash parambrojtëse për 1.500 veta”. Në fusnotë të dokumentit jepet
edhe kjo e dhënë se prej 1500 vetave, 460 prej tyre janë të dënuar për kundërvajtje, procedurat penale kanë filluar
ndaj 90 personave, ndaj 160 vetave ashtë aplikuar masa e izolimit për arsye të
ndryshme dhe 743 janë marrë nga organet e SPB-së, me të cilët është biseduar
dhe janë liruar. 700 veta janë në burg për këto shkaqe: kundërvajtje, procedurë
penale dhe izolim. Struktura kombëtare e të dënuarve për kundërvajtje është: shqiptarë 419, serb
37, malazez 1, mysliman 1. Struktura
sociale: studentë 70, nxënës 132, punëtorë 164, punëtorë të arsimit 27, bujq
21. Struktura sociale e personave kundër të cilëve zhvillohej procedurë penale është: studentë
13, nxënës 27, punëtorë 23, punëtorë të arsimit 10, nëpunës 1, bujq 7 dhe të tjerë 8 veta.
Më 9 gusht 1985, Xhemajliun e thërrasin në
shërbimin ushtarak dhe fillimisht e dërgojnë në vendin e quajtur Tolmin
(Slloveni) e pas një kohe e kalojnë në Shkofija Lloka, po ashtu në Slloveni.
Gjatë shërbimit ushtarak përjetoi shumëçka, shihte se si ushtarët shqiptar
ishin të diskriminuar dhe i detyronin që të kryenin punët më të rënda dhe më të
pistat. Udhëheqësve ushtarak e që
shumica prej tyre ishin serb iu pengonte jashtë mase shqiptari i shkolluar,
andaj ndaj Xhemajliut kishin shtua presionin. Sa ishte në ushtri ai shpesh iu
thoshte shokëve “E kemi për detyrë që
pikërisht në pengesa e vështirësi të dalim ngadhënjimtarë, e kemi traditë që në
të pamundurën ta gjejmë të mundurën, në të keqën ta ngjallim të mirën, në të ulëtën
ta ngrehim të lartën”. Kjo fjali e tij, sa ishte praktike ishte edhe
filozofike, sa ishte aktuale ishte edhe historike, sa ishte e përhershme aq
ishte edhe domosdoshme. Ishte koha kur shumë ushtar shqiptar ktheheshin para
kohe në shtëpitë e tyre në arkivole, duke thënë se kanë bërë “vetëvrasje”, e
populli këtë asnjëherë dhe në asnjë mënyrë nuk e kollofit.
Atë, atdhetarin e madh përsëri e gjejmë,
profesor në gjimnaz dhe përsëri e gjejmë entuziast dhe të devotshëm në mësimdhënie.
Nxënësit e donin dhe në të kishin besim se në të veç profesorit kishin gjetur
mikun , prindin, shokun i cili ishte me ta në çdo kohë dhe i përkrahte në
qëllimet e tyre.
Më 23 Mars 1989, Serbia me trysninë e tankeve
të ushtrisë jugosllave dhe terrorin e tejskajshëm të policisë, suprimoi
autonominë e Kosovës të garantuar me Kushtetutën e vitit 1974 me të cilën
shqiptarët kishin fituar statusin më të lartë politik e juridik deri atëherë në
kuadër të federatës jugosllave. Parlamenti i Kosovës ishte i rrethuar me tanke
dhe ushtri, dhe nën një shtetrrethim, Serbia dhunshëm ia mori Kosovës
autonominë. Nga 190 delegatët e pranishëm në Kuvend, 10 prej tyre, edhe pse nën
presionin e shtetrrethimit të hekurt, kishin votuar kundër këtij suprimimi, e
në mbrojtje të pozitës kushtetuese të Kosovës.
Nën masat e “gjendjes së jashtëzakonshme” në
të cilat gjendej Kosova, një masë e cila ishte vendosur nga organet më të larta
partiake e shtetërore jugosllave, pas grevës historike të minatorëve dhe protestave
masive të shqiptarëve në mbrojtje të kushtetutës, Kuvendi i Kosovës më 23 Mars
1989, me shumë parregullsi procedurale e përmbajtjesore, miratoi amendamentet
kushtetuese të Kushtetutës së Serbisë. Me këtë akt, dhe me miratimin e amendamenteve
edhe nga Kuvendi i Serbisë, de facto dhe de iure Serbia okupoi Kosovën. Shqiptarët,
u ngritën në demonstrata të fuqishme kundër këtyre ndryshimeve kushtetuese dhe
në mbrojtje të të drejtave e lirive kombëtare. Protestat u shtypën në mënyrën
më barbare nga policia federative duke vrarë 21 shqiptarë, shumica e tyre të
rinj nën moshën madhore, madje edhe fëmijë.
Duhet përmendur se me 20 mars të vitit 1989,
rrethohej me policë shtëpia e familjes berisha, dhe më vete marrin dhe arrestojnë
dy vëllazëritë e Xhemajliut. Arrestimi i
tyre ishte edhe një mesazh të cilin shumë mirë e kuptoi Xhemajliu por edhe familjaret
dhe të afërmit. Udbashet donin dhe kërkoni që ta arrestonin profesorin e
nderuar-Xhemë. Gjatë kohës sa jetoi
ishte arrestua vetëm dy herë. Për herë të parë ishte mbajtur vetëm një
natë, dhe për herën e dytë u mbajt tri natë. Për këto tri natë, hetuesit ndaj
tij përdorën të gjitha metodat më shtazarake të dhunës. I thyen kokën, i thyen
kraharorin, i dërmuan trupin ia gjakosën fytyrën, e fyen deri ku nuk durohej
duke kërkuar që të tregoi shokët dhe organizatën ilegale që i takonte. E ai,
profesori, i shikonte me përbuzje, i injoronte pyetjet e tyre dhe nuk e qeli
gojën deri sa u alivanos. Udbashët i qitnin ujë për ta kthjellur dhe vazhdonin
me të njëjtin avaz, edhe profesori qëndronte përball tyre i paepur. Dhe, më
vonë kur u binden se profesori kishte dhënë shpirt, ata, e marrin nga dhoma e
torturave nr. 35, nga kati i tretë i burgut të Prizrenit, në ora 14 e 55 minuta
e hedhin trupin e heroit në tokë duke thënë se ai bëri “Vetëvrasje”, ngase këtë
metodë të “vetëvrasjes” e kishin aplikua edhe ndaj të riut Afrim Abazit në
burgun e Ferizajt.
Më 6 prill 1989, policia
serbe e dërgon trupin e pa jetë të Prof.Xhemajli Berishës në Spitalin e
Prizrenit, te doktor Halil Berisha duke e urdhëruar që vdekjen e tij në certifikatë
ta shkruaj si rast “vetëvrasje”. Doktori atdhetar, Halil Berisha, nuk kishte
pranuar për asnjë çmim ta bëjë një gjë të tillë. Dhe këtë vepër dinjitoze,
udbashët nuk ia harruna dhe me 3 qershor 1989, doktorin e helmoi sigurimi serb!
Qoftë i përjetshëm kujtimi për
heroin e kombit Prof. Xhemajli Berishën
Literatura:
Bajram Kurti, Gjaku i lirisë
V/VI, P
https://insajderi.com/xhemajli-berisha-shpallet-hero-i-kosoves/
https://prizrenpress.com/31-vjet-nga-vrasja-e-heroit-te-kombit-xhemajli-berisha/
https://pashtriku.org/sheradin-berisha-profxhemajli-berisha-ne-30-vjetorin-e-renies-u-be/
https://ekonomiaonline.com/tag/xhemajli-berisha/
https://pashtriku.org/ismet-sylejmani-profxhemajli-berisha-atdhetari-emblematik-i-shqiperise-natyrale/