Speciale » Basha
Sabile Basha: Tahir Meha - Pushteti jugosllav nuk është i imi dhe nuk e pranoj kurrë si të tillë
E shtune, 10.02.2024, 09:04 PM
T’I KUJTOJMË ATDHTARËT TANË:
TAHIR
MEHA - PUSHTETI JUGOSLLAV NUK ËSHTË I IMI DHE NUK E PRANOJ KURRË SI TË TILLË
(1943-
e likuiduan me 13 maj 1981)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Tahir
Meha u lind nga babai Nebi dhe e ëma Fazë, më 10 tetor 1943, në fshatin Prekazi
i Ulët, Komuna e Skenderajt, ku përherë kishte jetuar. Ishte i papunë. I
martuar, baba i 5 fëmijëve me bashkëshorten Shefkije e lindur Hoti. Për organet
e UDB-es nuk ishte emër i panjohur. Si i ri ishte angazhua në organizatën
ilegale “Vuajtjet”, me ç ‘rast i kishte ndihmua vëllait Beqir, për të marr një
pushkë nga shkolla e Prekazit të Epërm, për organizatën qysh më vitin 1959.
Qysh atëherë ishte marr në pyetje dhe ishte malltretua shumë nga hetuesit. Por,
përveç se kishte pranua që ai kishte qenë roje gjatë grabitjes së pushkës,
udbashët asgjë tjetër nuk kishin mundur me zbuluar nga ai. Që, nga kjo ditë po
edhe më herët familja Mehaj kishte qenë shënjestër e udbashëve. Tahiri në asnjë
kohë dhe në asnjë moment nuk e kishte pranua pushtetin jugosllav si të vetin.
Në çdo kohë dhe në çdo moment iu kishte kundërvu në mënyra të ndryshme. Kurrë
nga brezi nuk kishte hequr armën. Nuk kishte lejua që organet e policisë ta
kontrollonin. Kjo kishte ndodhur një here por edhe atëherë kishte ndodhur në
mënyrën ma tinëzare siç kanë dit vetëm frikacakët.
Nga
të dhënat që m’i ka dërgua nipi i Tahir Mehës- Ilir Meha, ai më informonte se
Tahir Meha kishte tri gra. Por, siç dihej në traditën e malësorëve, thuhej se
dikush në familje duhet ta trashëgoj pushkën, andaj dëshira më e madhe e trimit
ishte që të kishte një pasardhës mashkull. Zoti nuk deshi që Tahir Meha të
kishte djalë, dhe atij i lindin pesë fëmijët, të gjitha femra. Tahir Meha ishte
i martuar me gruan e parë, Hyra Osmanin,
e cila ishte nga Tërsteniku i Drenasit dhe më te kishte lindur një vajzë të
shëndetshme e të bukur- Zade Tahir Meha. Por, gjatë sulmit në Kullën e Mehajve,
ajo ishte 15 vjeçe, dhe mori pjesë aktive në mbrojtjen e gjyshit e të babait
duke i ndihmuar ata në qëndresën e tyre. Duhet cekur se në këtë sulm Zadja edhe
ishte plagosur rëndë.
Për
herë të dytë u martua me Shefkije Hotin, nga fshati Polac, komuna e Skenderajt.
Gjatë kësaj jete bashkëshortore atyre iu lindën dy vajza. Vajzën e parë e
kishin pagëzuar Antigona, dhe kur kishte ndodhur sulmi në Prekaz, Antigona
kishte vetëm pesë vite, dhe vajza e dytë me gruan e dytë ishte Sofija, dhe
ishte dy vjeçe kur u sulmua kulla e Mehajve. Pasi se edhe me gruan e dytë nuk
lindi djali i shumë pritur, Tahir Meha u martua edhe për të tretën herë me Haka
Avdiun, nga fshati Mikushnicë e Skenderajt. Po ashtu edhe me te pati dy vajza:
Bukurinë, e cila në kohën e sulmit pati katër vjet dhe Salën e vogël, e cila
gjatë sulmit kishte vetëm nëntë muaj.
Iliri
tregon se, nëna e tij apo kunata e Tahir Mehës, Qama, ishte kujdesur për një
kohë të gjatë, qysh nga nusëria, për Tahir Mehën i cili kishte mbetur shtatë
vjeç pa nënë dhe për motrën e tije- Shefkijen e cila kishte vetëm 4 vjet. Po
këtë fat, zonja Qamë e kishte pas edhe më vonë, pas vrasjes së Tahir Mehës, kur
iu desh që të kujdeset edhe për pesë vajzat e Tahir Mehës, që i deshi dhe u
kujdes për to sikur të ishin bijat e saja të vërteta. E mos të flasim për
kujdesin e treguar nga ana e xhaxhait të tyre-Beqir Mehës për mirëqenien e
tyre.
Qysh
më herët, dihej se familja Mehaj mund të qëndronte pa bukë e pa ujë por pa një
armë nuk mendohej dot jeta e tyre. Ata ishin të vetëdijshëm se ishin halë në sy
të pushtetit dhe në çdo kohë e moment ishin të përgatitur që të mbroheshin nga
pushtuesit. Gjatë historisë shumë herë familja e tyre kishte qenë cak sulmi.
Disa herë familjaret e tyre ishin arrestua dhe ishin dënuar e burgosur me vite
të shumta burgu. Historia përsëritej dhe sulmet vazhdonin në mënyrë ciklike për
Mehajt. Të gjithë e njihnin trimërinë e Tahir Mejës e të familjes së tij.
Ndodhte shpesh kur pushtetarët e udbashët porositnin njerëzit e caktuar që të
provokonin familjen Mehaj që vetëm e vetëm të gjendej shkaku për tu hakmarrë
ndaj tyre. Më 1979, edhe pse Tahir Meha ishte i vetëdijshëm se me qëllim po e
provokonin, ai kishte kujdes që mos të bije në gracka të tilla. Një ditë duke
shkuar me një qerre në treg të Skenderajt, vëllai i kryetarit të komunës me një
traktor e shtynë nga rruga dhe vetëm fati kishte dashur e ai kishte shpëtua nga
më e keqja. Pasi se kishte shpëtua, Tahir Meha ishte kacafytur me ngasësin e
traktorit dhe i kishte dhënë një leksion të mire duke e përgjakur. Për çudi
policia kishte heshtur. Por heshtja e tyre ishte me prapavijë. Nga ajo ditë
Tahir Meha përcillej hap pas hapi. Më 28 prill 1980, Tahir Meha del në qytet
për t’u furnizua për të mbjellat pranverore, por në ndërkohë e heton se dy
police po i afrohen pranë, por kishte edhe të tjerë që po i mbyllnin rrethin.
Aty, atë e arrestojnë, duke e rrahur publikisht dhe duke e dërguar në stacionin
e policisë në Skenderaj. Pas pesë muajsh hetime, duke e rrahur, malltretuar e
torturuar, me ç ‘rast ia kishin thye dy brinjë. Pas gjashtë muajve të kaluara
në qeli e shpallin fajtor për ta dënuar me një vit burg, të cilat duhet ti mbaj në një kohë tjetër po tani për
tani duhej të lirohej nga burgu. Udbashët e kishin pas porosit në dalje nga
burgu, se kurdo që të thërrasim duhesh të vish këtu. Tahir Meha, më vonë iu
kishte thënë familjarëve, kurrë më nuk dorëzohem i gjallë” dhe ashtu kishte
ndodhur.
U
tha edhe më herët se demonstratat studentore të vitit 1981, i kishte përkrahur
haptas edhe familja Mehaj. Andaj, mllefi
i pushtetarëve ishte i madh dhe mezi pritej një shkas për të sulmua ata.
Policia
e Skenderajt ishte njoftua se Tahir Meha ngado që shkonte, haptas e mbante
armën. Pas këtij njoftimi, policët ishin mobilizua që ta kapnin Tahir Mehën,
mundësisht në befasi dhe ta arrestonin. Dhe, kjo kishte ndodhur, një ditë
tregu, në mënyrë tinëzare e zënë dhe e dërgojnë në stacionin e policisë. Aty,
Tahir Meha kalon një torturë të tmerrshme nga ana e policëve. Në stacion e
rrahin aq shumë sa disa herë alivanosej dhe tek pas këndelljes e vëren se i
kishin thye ca brinjë. Po ashtu, armën që mbante me vete ia konfiskojnë dhe po
atë ditë e dënojnë me 6 muaj burg duke e dërgua në burgun famëkeq të
Mitrovicës. Katër muaj qëndron në burg dhe dy muaj të tjerë i thonë se kurdo që
të thërrasim duhesh të vish që ti mbash... Pas daljes nga burgu Tahiri iu
kishte tregua vëllait dhe babait se çfarë maltretime kishte përjetua sa kishte
qëndrua në burg, dhe iu kishte thënë, “më kurrë nuk dorëzohem tek ata, fundja
edhe luftën kam me e nisur por në dorën e tyre nuk bie...”. Por, provokimet
ndaj familjes Meha asnjëherë nuk pushuan.
Një
ditë i kishte ardhur thirrja që të shkoi dhe të paraqitet ne polici dhe duhet
t’i mbaj edhe dy muaj burg që i kishin mbetur më herët. Asnjëherë Tahir Meha nuk
iu përgjigj ftesës. Më 28 prill të vitit 1980, Tahir Meha kishte dal në qytet
për të blerë ca gjera elementare për familjen, por në ndërkohë ishte njoftua
stacioni i policisë se Tahir Meha është në qytet dhe duhet arrestua. Disa
policë i zënë rrugën duke e urdhëruar qe menjëherë të shkoi me ta, në stacion.
Tahiri iu thotë se me ju punë nuk kam dhe fillon me u tërheq ngadalë pa
shkaktua ndonjë tollovi, policët në ndërkohë nuk guxojnë të afrohen ngase e
dinin se ai çdoherë kishte me vete armën. Por jepet urdhri që të shtien me armë
në drejtim të Tahirit, me ç’rasët ai plagoset në bel në anën e djathtë të
trupit. Po ashtu edhe trimi nuk qëndron duarkryq dhe shtien me revole duke e
plagosur një policë në këmbë dhe tërhiqet në drejtim të fshatit Qubrel, ku i kishte
edhe miqtë e vëllait Beqir. Në shtëpinë e Osman Malajt pritet nga e zonja e
shtëpisë siç është më së miri. Iu tregon se për të qëndrua aty nuk kishte
mundësi ngase policët i kishte pas vete dhe nuk do që miqtë të kenë probleme
për hir të tij. Iu tregon se ishte i plagos dhe rripin e pantollëve që e kishte
në trup ia kishte këput plumbi kur e kishte marr. Gruaja e Osmanit –Vasa, i
lidh plagën, i qep rripin dhe e me kërkesën e tij largohet nga aty. Zekë
Fazlija dhe Osman Mala tentojnë ta ndalin por ai nuk lejon se iu thotë që nga
sot jam kaçak në vendin tim. Nuk do të dorëzohem kurrë po pa e nis luftën me
Jugosllavi”.
Pas
largimit nga fshati Qubrel, Tahir Meha bie në kontakt me familjaret, të cilët e
ndihmojnë me ushqim e barna dhe i sigurojnë strehim në vende të ndryshme si në
malet e Prekazit, të Kodralive derisa plotësisht iu shërua plaga. Për qëndrimin
e Tahir Mehës askush nuk dinte asgjë, veç babë Nebiut dhe vëllait Beqirit.
Në
mënyra të ndryshme bënin presion pushtetarët mbi familjen e Tahir Mehës, duke
iu thënë që ta dorëzojnë atë, ngase ata do ta pësojnë edhe më keq poqese
zbulohet që ata po e fshehin. Ndërsa Nebih e Beqir Meha thoshin se ju na e keni
vra burrin e shtëpisë e për këtë do të përgjigjeni para gjyqit të popullit
shqiptar. E herë iu thoshin policëve, po edhe të ishte gjallë Tahir Meha, ai
neve nuk na dëgjon dhe se nuk do të dorëzohej kurrë.
Tahir
Meha si kaçaku i fundit, shëtiste maleve të Drenicës duke u strehua tek shokët
e miqtë e besueshëm, të cilët nuk ishin pak. Mbi dy muaj kishte qëndrua në
Vërbofc, te Jonuz Shala, gjatë ditës strehohej në tavan e natën flinte në odën
e burrave. Pas dy muajve kishte ndërrua qëndrimin, por policët kishin
kontrollua shtëpinë e Jonuzit duke mos len skutë pa kontrollua. Në tavanin e
shtëpisë kishin gjet shumë duq të cigareve, ku më herët kishte pi duhan Tahir
Meha, dhe në pyetjen e policisë se kush është ky që ka pi duhan këtu, duke u
çirr ndaj plakut, plaku i urtë e i mençur i Drenicës iu përgjigjet “po çfarë
Tahir Meha do të vinte tek unë- varfanjaku, po e dini ju se axha ka shumë
fëmijë, e njëri nga ata e pi duhanin fshehtas nga unë dhe tani e kuptova qe
këtu po e pika”. Dhe, pas kësaj deklarate, ata ikin me bishtin ndër shalë duke
pësua edhe një dështim të radhës.
Ishin
të shumtë jatakët që donin të strehonin Tahir Mehën. Ai po ashtu ishte strehua
edhe në familjen e Heset Ismaili, nga Loxha e Dushkajave të Prekazit. Nga kjo
strehimore, Tahir Meha kishte mundësin që nga aty të përcillte edhe lëvizjet se
kush hynte e delte në Kullën e Mehajve. Po ashtu Tahir Meha ishte strehua edhe
në malin e Ahmet Kodrës, në fshatin Vojnik, në Ernie, sepse edhe nga këtu
shihej kulla e tij. Për të jetua në këto male kishte kushte të mira për jetë
ngase ishin të pasura me burime, dhe vështirë vendosnin policët që të hynin
maleve. Tregon nipi i tij, Iliri se si shpesh kur ishte i vogël, babagjyshi e
kishte dërgua që të blinte nga 5-6 bukë të nxehta dhe nga 2-3 kg suxhuk, por ky
si fëmijë nuk e dinte se ku treteshin ato, e tani tregon se ato gjera ushqimore
ia kishin dërgua axhës së tij që jetonte maleve.
Jeta
në ikje ishte e lodhshme për trimin, dhe pas gjashtë muajve e kishte vendosur
që të kthehej në shtëpi dhe aty të qëndronte pa frikë e droje, edhe pse e dinte
se në çdo hap do i ketë prapa forcat policore. Pas ardhjes në shtëpi, Tahir
Meha filloi që të jetonte e të vepronte normalisht. Punonte arat dhe e
ndihmonte familjen e vet. Ama armen asnjëherë nuk e largoi nga brezi. Zakonisht
thoshte, armikut besë nuk i zihet, ai të pretë aty ku më së paku e shpreson.
Çdo herë ishte i armatosur me revole; pushkë mamzerkë, 48, me vete mbante një
qante me fishekë, dhe çdoherë kishte edhe bomba dore. Shpesh kishte thënë se
nuk dorëzohem, pa e paguar veten dhe shumë trima. Për mua do të shkruajnë të
gjitha gazetat në vend dhe në botë. Do të nisi luftën, kishte bë be Tahir Meha.
Kur kishte bisedua me nipat e tij: Ilirin, Naserin e Enverin iu kishte thënë:
Shikoni ju nipat e mi, kur të luftojë axha i juaj me shki, ju keni me mbledh
shusha e shlema të policisë me krah, se mixha Tahir nuk do të dorëzohet pa i
vra të gjithë” .
Ajo
ditë kishte ardhur dhe me 13 maj 1981, forca të mëdha policore kishin rrethua
fshatin, lagjen dhe kullën e Tahir Mehës. Nuk lejonin askënd të lëvizte dhe të
delte nga shtëpia. Në shtëpinë e Beqir Mehës, kishte ndodhur hataja. Gruaja e
tij Qama kishte zbulua se policët e kishin rrethua shtëpinë e kunatit Tahir,
por ishte e pamundur që të depërtohej deri aty.
Me ankth të pa përshkruar pritnin fshataret se çfarë do të ndodhë ndërsa
Beqiri, vëllai i Tahirit duke e ditur vendosmërinë e vëllait e të babait e
dinte se do të fillonte lufta me ta. Disa herë tentoi që të delte fshehurazi
për t’iu ndihmua, por ishte e kot, policët e diktonin lëvizjen dhe ishte i
detyruar që të kthehej në shtëpi. Fillimisht, policët filluan që ta lusin për
t’i dorëzua, por ishte e kot. Pastaj Tahir Meha nga dritarja filloi që t’i
kërkonte disa persona që e kishin
malltretua në burg, me gjase vetëm për t’i vrarë. Pas një kohe, policët i quan edhe disa
fshatar që ta bindin për me u dorëzua. Ata shkuan dhe e luten që të dorëzohen,
por Tahiri në mënyrën më të qetë i pyeti ata, po mirë pa më thoni o vëllazën se
a i besohet armikut, fshataret shikuan njëri tjetrin, rrudhën krahët dhe nuk u
përgjigjën. Atëherë Tahiri i pyeti se a keni cigare me veti, ata i lanë një
pako duhan dhe y kthyen tek policët duke iu thënë se Tahir Meha nuk dorëzohet
dhe iu porosit që të shkoni kah keni ardhur se po thotë se nuk iu ka kurrë far
borxhi.
Pasi
përfundoi biseda tinëzare nga ana e organeve policore, në mënyrë të furishme
kishte fillua sulmi ndaj Tahir e Nebih Mehës.
Aksionin
për rrethimin e shtëpisë të familjes Mehaj e kishte udhëhequr komandanti i
stacionit të policisë së Serbicë- (S. H.) Por, pas ardhjes së forcave policore
nga Prishtina dhe të Njësive Speciale policore nga Beogradi, komandën e kishte
marr komandanti – Franc Kosi. Pastaj në orët e pasdites në ndihmë kishin
arritur Njësit Speciale të policisë të SPB-së nga Prishtina, të cilat i ka
udhëhequr komandanti i njësitit (B. A.)
Në
dosjen e Tahir e Nebih Mehës ndodhet edhe dokument tjetër i quajtur “Informatë
për vdekje”, Kri.nr. 56/81, më 15 .05.1981. Informata në bazë të dhënave vije
nga Gjykata e Qarkut në Mitrovicë e cila i dërgohet Zyrës Lokale, në Prekazin e
Ulët KK-Serbicë.
Me
këtë dokument gjyqtari hetues, Rexhep Kaçaniku, njoftonte se me 13 maj 1981, në
orët e paradites për rreth shtëpisë së Nebih Mehajt kanë vdekur:
Pejoviq
Millanko nga babai Millani i lindur më 20 janar 1956 në fshatin Dumnjani-
komuna e Prijepoljes RS e Sërbisë.
Tubiq
Vojo nga babai Milloradi i lindur më 2 qershor 1953 në fshatin Donja
Breznica-Komuna e Lubovacit, RS Bosna e Hercegovina.
Hasanoviq
Salih nga babai Muhamedi i lindur më 20 janar 1953, në fshatin Krivaçe, Komuna
Hanipjesak, RS Bosna e Hercegovina.
Muhamet
Selmanaj nga babai Muharrem dhe e ama Ajmonja i lindur më 31 mars 1947, në
fshatin Radishevë- Komuna e Serbicës, ku edhe ka jetuar, i martuar, baba i 6
fëmijëve.
Në
orët e pasdites kanë vdekur:
5.
Tahir Meha nga babai Nebihu dhe e ëma Hanifja i lindur më 10 tetor 1943, në fshatin
Prekazi i Ulët, Komuna e Sërbicës ku edhe përherë ka jetuar, i martuar, baba i
5 fëmijëve me bashkëshorten Shefkije.
6.
Nebih Meha nga babai Lata dhe e ëma Faza 70 vjeçar, i martuar, baba i 4
fëmijëve- bashkëshortja Hanifja.
Pasi
kishte përfundua sulmi dhe pasi ishin
mbledhur kufomat e policëve dhe të plagosurit, i lejuan fshatarët që të marrin
edhe kufomat e Tahir e Nebih Mehës. U urdhërua që varrimi të mbahet pa asnjë
ceremoni mortore, ndërsa vëllain e Tahirit, Beqirin dhe axhën- Mehmetin i morën
në stacion të policisë në Skenderaj gjëja se vetëm për nga një deklaratë. Por,
ndodhi e kundërta, ata nga stacioni i policisë ku dhanë deklaratat, i arrestuan
dhe i dërguan për gjashtë muaj në Mitrovicë. Për vrasjen e Tahirit e të Nebiut,
nuk pati të pame, ngase familjaret ishin të arrestuar, dhe për gjashtë muaj
rresht policia ruajti kullën e shkatërruar të Tahir Mehës. Shumë herë gërmadhat
e kullës dhe dhomat e saja i rrotulluan duke i kontrollua se mos ka armatim të
fshehur dhe mos kishte ndonjë tunel apo bunker. Ku ka mundur me pas edhe
persona të tjerë që pas sulmit kanë mundur të arratisen.
Pas
vdekjes së Tahir e Nebi mehës, tregojn familjarët :“Miqët e dashamiret vinin me
na shprehur ngushëllime, natën ose kur vërenin se policët nuk ishin aty. Frika
ishte e madhe se njerëzit që vinin pastaj merreshin në pyetje që mund të
ndodhte edhe të arrestoheshin. Pas
sulmit, burrat ishin në burg shtëpia ngeli në duart e fëmijëve e grave,
varfëria ishte e pa përshkruar. Fshatarët na ndihmonin por, fshehurazi duke na
sjell veshmbathje e ushqime, por pas daljes nga burgu veprimtaria patriotike në
familjen e Beqir Mehës u intensifikua edhe më tepër. Ai me një guxim të pashoq
u fut në radhët e celulave të para të UÇK-së, për të luftua deri në fund për
çlirimin e Kosovës. Beqir Meha u vra në pritë në fshatin Qubrel më 24 mars
1999, për të mos vdekur kurrë as ai e as Tahir e Nebih Meha.
Literatura:
Sabile Keçmezi-Basha,
Qendresa shekullore e Familjes Meha- Tahir Meha, Prishtinë, 2015
Prof. Nikolla Kosta,
Shqiptarët nga Nju Jorku dhe SHBA,Nju Jork, 31.05. 1981
Sami Repishti, Fryma e
LSHP dhe evolucioni politik i Kosovës në LSHP, Romë 1978, f. 127
Sabile Keçmezi-Basha,
Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë (1945-1947), Prishtinë, 1998, 23
Sabile Keçmezi-Basha,
Organizata dhe grupet ilegale në Kosovë 1981-1989,Prishtinë 2003, 230
Muhamet Mjeku, Lufta e
Drenicës, Prishtinë 1991, f. 7-8
Hetem Çeku, Kosova, në
sfondin e diplomacisë Jugosllave dhe të Shqipërisë 1945-1981, Prishtinë, 2009,
303.
Sabile Keçmezi- Basha,
Organizatat dhe grupet ilegale në Kosovë 1981-1989, Prishtinë 2005, 297.
Sabile Keçmezi-Basha,
Programet politike të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare 1878-1990, Instituti i
Historisë, Prishtinë 2013, 24
Mehmet Hajrizi,Histori e
një organizate politike dhe demonstratat e vitit 1981, Toena, Tiranë 2008, 75
Sylë Ukshini, Lufta për
Kosovën, Prishtinë 2008, 14
Gazeta Rilindja,
Prishtinë, 3 prill 1981
Broshura, Shtypi i huaj
për ngjarjet në Kosovë, Tiranë 1981.
Kadri Rexha, Fati i
luleve (Rruga jetësore e shkrimtarit e atdhetarit Jusuf Gërvalla), 180, Prishtinë, 1993
Shemsi Reçica, 20 vjet
nga Demonstratat ’81, Pasqyra nr. 4, 1-15 mars 2001. Po aty, Organizatori
anonim i Demonstratave të ’81- shit.
Arif Molliqi, Liria e sotme ka ngjyrë edhe të pranverës
së përgjakshme shqiptare të vitit 1981,
Bota sot, 8 mars 2001
Broshura, Shtypi i huaj
për ngjarjet në Kosovë, Tiranë 1981, 45
Platforma politike e
LKJ-së për çështjen e Kosovës, Beograd 1981
“Zëri i popullit “ ,
Tiranë, 28 prill 1981
Gazeta gjermane “
Frankfurter Alemajne “, Frankfurt, 27
prill 1981
Kërkesa për t’i njohur
Kosovës statusin e Republikës është e drejt, Zëri i popullit, 17 maj 1981
Dokument : Sekretariati
Krahinor i Judikaturës, Gjykata Supreme e Kosovës, Prokuroria Publike e Qarkut,
Sekretariati Krahinor i Punëve të Brendshme, INFORMATA, Mbi planin e mbajtjes
së seancave kryesore në Gjykatat e Qarkut lidhur me lëndët e
kriminalitetit politik, përkatësisht
veprave penale kundër bazave të rregullimit shoqëror socialist vetëqeverisës dhe
të sigurisë të RSFJ, Prishtinë, 8 qershor 1982.
Tanjugu, Beograd, Agjencion i lajmeve jugosllave, 6
korrik 1981
“Masa të egra shtypëse
kundër shqiptarëve në Kosovë e në vise të tjera në Jugosllavi”, Tiranë , 7
korrik 1981
Deklaratë e
Sekretariatit Krahinor të Punëve të Brendshme në Kuvendin e Kosovës
Deklarat nga Prof.dr.
Murat Meha, 20 prill 2014
Selman Mehaj, Kushtrim
lirie, Prishtinë 2011, f. 63.
Sabile Keçmezi-Basha, Të
burgosurit politik shqiptar në Kosovë 1945-1990, Prishtinë, 2009, 371.
http://www.epokaere.com/index.aspx?SID=13&PMID=7&LID=2&ACatID=6&AID=37396&Ctype=1
http://www.yasni.info/ext.php?url=http%3A%2F%2Fpashtriku.beepworld.de%2Ffiles%2Fdeshmoret%2Fmehmet_bislimi_kulla_e_tahir_mehes_17.8.08.htm&name=Emin+Lati&showads=1&lc=en-us&lg=en&rg=de&rip=rs
Dibran Fylli, Tahir
Meha, Pushkë lirie, Prishtinë, 2013, 24