Speciale » Basha
Sabile Basha: Adem Voca – Oso Kuka i Shalës së Bajgorës
E premte, 05.01.2024, 10:00 PM
T’I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:
ADEM
VOCA- OSO KUKA I SHALËS SË BAJGORËS
(1903-
u likuidua më 12 shkurt 1945)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Atdhetari
Adem Voca, u lind më 1903, në fshatin Pasomë, komuna e Vushtrrisë. Ademi ishte
djali i plakut të mençur, Beqir Voca dhe vëlla i Sherif Vocës. Sherif Voca
ishte i njohur si deputet në Parlamentin Mbretëror në Beograd. Shquhet fjalimi
i tij në këtë parlament kur u kishte ngritur zërin dhe kishte kundërshtuar
planin për shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi. Atdhetari Adem Voca ishte
djali i tretë, ndërsa fëmija i pestë i Beqir Vocës nga fshati Melenicë e Shalës
së Bajgorës. I rritur në një familje patriotike, ku për shkollë pati kullën e
babait ku mblidheshin burrat dhe krerët e fiseve më në zë, jo vetëm të Shalës,
por nga të gjitha trevat e Kosovës. Djaloshi nga Shala nuk kishte vijua asnjë
shkollë, por dëshira për të mësuar e ditur ishte tepër e madhe. Andaj, ai
shfrytëzoi këtë privilegj nga njerëzit e shkolluar që vinin në odën e tyre, nga
ata mësoi shkrim-lexim jo vetëm shqip por edhe serbisht. Për nga natyra, Ademi
dallohej për temperament të vrullshëm dhe ishte shumë i gjallë e aktiv me
shokët.
Siç
dihej, vëllai i Ademit, Beqiri, ishte i kyçur në “Islihat”, shoqatë kjo, për
pajtimin e gjaqeve, ngatërresave, hakmarrjeve e gjërave të tjera të kësaj
natyre. Ai ishte kryetar i kësaj shoqate. Sa ishte gjallë, me vete e merrte
edhe vëllain Ademin për ta shoqëruar. Kjo ndikoi shumë në jetën e Ademit. Takimi
me shumë personalitetet të kohës, njoftimi me shumëllojshmëri ngjarjesh, e bëri të durueshëm dhe çdo gjë përcillte me
shumë vëmendje. Më 14 prill 1941, Beqir Voca vritet nga çetnikët serb, ndërsa
për Ademin ishte humbje e dhembje e madhe. Pas kësaj tragjedie, Adem Voca
ndryshoi, shumë ndryshoi. Mbi të gjitha për të ishte e rëndësishme liria dhe
bashkimi i Kosovës me Shqipërinë. Ai, zuri vendin e vëllait në Islihat, dhe me
një mençuri të rrallë vazhdoi rrugën e tij. Me sukses kreu besimin që iu dha si
anëtar i Islihatit.
Adem
Voca bashke me Ahmet Selacin, Mulla Mustafë Fazliun-Barën, Ukshin Kovaqicën,
Bislim Bajgoren dhe të tjerë luftëtarë nga Shala e Bajgores, asnjëherë nuk u
pajtuan me sistemin komunist dhe idetë e saja. Ata kishin hetua tradhtitë e
tyre dhe për të penguar një ri okupim të serishëm, kishin dalë në mal dhe
kishin formua qeta vullnetare për ti
dalë zot atdheut. Morën pjesë në mbrojtjen e kufirit në Sanxhak, ku bandat çetnike kishin depërtuar dhe kishin
bërë një masakër të padëgjuar deri atëherë.
Me
depërtimin e forcave partizane në Kosovë dhe të përkrahura nga Ushtria
Shqiptare apo nga njësitet e LANÇSH, rezistenca në Kosovë u dobësua, sepse vet
komandanti i Brigadës së Drenicës- Shaban Polluzha kishte thënë publikisht se
“Na jemi dal të luftojmë me shkaun, por na nuk kemi plumba për vllaznit tonë,
edhe pse ata po e bajn yllin e “miskovit”, prapë se prapë na nuk i vrasim
vllaznit tonë se na vret zoti”. Duke u nisur nga kjo thënie, Adem Voca me
luftëtaret e Shalës së Bajgores, organizoi një qëndresë historike kundër
hordhive çetniko-partizane të Serbisë dhe atyre të Bullgarisë që ia kishin mësy
Shalës me qëllim që të shfarosin sa më shumë shqiptarë.
Më
22 janar 1945, në Vidishiq u mbajt kuvendi i ilegales shqiptare të Shalës së
Bajgores, në shtëpinë e Qerim Murtollit- Shalës, në të cilën morën pjesë: Adem
e Hetem Voca, Ahmet Selaci me qetën e tij, Bislim Bajgora me shokë, Ukshin
Kovaqica me shokë, Mulla Mustafa me të nipin Haredinin, Mon Ahmeti etj. Në këtë
tubim të rëndësishme u sollën vendime të rëndësishme për kohën. Adem Voca u
caktua Komandant i Brigadës së Shalës së Bajgores. Komisar ishte caktua Mulla
Hamdi Sejdiu nga Pakashtica e Llapit, ndërsa për sekretar ishte caktua Muharrem
Hoxha. Anëtar të Shtabit të Brigadës ishin emërua: Ahmet Selaci, Ymer Selaci,
Hysen Selaci, Faik Boletini, Mulla Dem Pakashtica, Bislim Bajgora, Ukshin
Kovaçica, Ukë Mavriqi, Avdyl Rëzhana, Sherif Tërstena, por në të kishin hy edhe
shumë të tjerë që ishin të rëndësishëm në luftën kundër okupatorit.
Duhet
theksuar se, të gjitha këto përgatitje ushtarake vinin si pasojë e revoltës
popullore. Brigada e Adem Vocës sikurse edhe Brigada e Shaban Polluzhës kishin
përcaktimin nacional dhe kishin karakterin mbrojtës nga depërtimet e sllavëve
të jugut partizan apo çetnik në Kosovë dhe viset e tjera shqiptare. Si pasojë
në Nacional Demokratikun e riformuar dhe riorganizuar do të gjenden së bashku
edhe nazifashisti e komunisti i deridjeshëm që shpresonte se Lëvizja
Nacionalçlirimtare do t’ua plotësonte ëndrrat e kahershme kombëtare. Të kësaj
natyre dhe këtë mbështetje e kishin edhe forcat politike e ushtarake kombëtare
të lidhura pas personaliteteve të shquara të kohës. Këta njerëz dhe këto forca
nuk ngurronin që të sakrifikonin edhe jetën për kauzën e tyre, ndërsa kur rrethi
u ngushtua nuk gjetën zgjidhje tjetër u
detyruan që të largohen nga Kosova dhe të merrnin botën në sy, me shpresë se në
një të ardhme të afërt, do të bëheshin ndryshime të rrjedhave politike
ndërkombëtare ashtu siç dëshironin dhe ëndërronin, ata do të ktheheshin për të
vazhduar aty ku e kishin lënë rezistencën.
Adem
Voca, ishte njëri ndër organizatorët e ruajtjes së kufirit në Rozhajë, por edhe
i mobilizimit të shqiptarëve në ndihmë të popullit të rrezikuar në Sanxhak dhe
Peshter. Pra, Adem Voca ishte njëri ndër ata patriotë që nuk mund të qëndronte
duarkryq përderisa vëllezërit në Sanxhak e Peshter dhe në vise të tjera
digjeshin dhe masakroheshin nga hordhitë çetnike dhe partizane. Ndikimi i
rrethanave, kryerja e këtyre detyrave ndikoi shumë në përcaktimin e Adem Vocës
për rrjedhat shoqëroro-politike. Si përgjegjës i këtyre detyrave, Ademi njohu
për së afërmi padrejtësitë e Mbretërisë së Jugosllavisë që i bëheshin
shqiptarëve dhe ai u bind se kundër këtij pushtuesi dhe kundër masave të cilat
i ndërmerrte ai duhej angazhuar deri në fund. Duke parë se për arritjen e
qëllimeve të tyre ata nuk zgjidhnin as mjete as forma, ndërsa preferonin
shfrytëzimin e armëve, Adem Voca u bind se atyre duhet kundërvënë vetëm me
armë. Ai me kohë do të bindet se arma ishte dhe mbeti i vetmi mjet i çlirimit
kombëtar, mu ashtu si ishte edukuar nga të parët e tij.
Duke
u nisur nga ky postulat, Adem Voca organizoi dhe udhëhoqi forcat vullnetare për
mbrojtjen e kufijve të Shqipërisë Etnike që nga Lumi i Cerajës në komunën e
Leposaviqit, deri në Sanxhak të Novi Pazar. Ai bashkëpunonte ngushtë me Ahmet
Selacin, Ukshin Kovaçicën, Bislim Bajgorën, Mehmet Gradicën dhe, përmes të
vëllait, Hetemit, edhe me Shaban Polluzhën etj.
Me
shpalljen e amnistisë, popullata filloi ti dorëzonte armët dhe të ktheheshin në
shtëpitë e veta. Amnistia në Kosovë
ishte thikë me dy tehe, e tëra ishte përgatitur me paramendim. E Para, ngase me
kthimin e popullatës në shtëpi, dobësohej rezistenca shqiptare dhe se nën dy,
të rinjtë shqiptar mobilizoheshin dhe dërgoheshin në brigada të ndryshme që të
luftonin jashtë Kosovës. Për ti ikur kësaj katrahure, Adem Voca kishte kërkuar
pëlqimin e organeve të instaluara komuniste për formimin e Brigadës, por
Komiteti i Qarkut të PKJ-së, nuk i kishte kthyer përgjigje. I bindur se
formacioni i tij ushtarak do tu shërbente interesave të popullit dhe se do të
shpejtonte çlirimin e Kosovës, e formoi Brigadën. Pas formimit të Brigadës,
Adem Voca me udhëheqjen e tij kërkon që të takohet me grupin e formacioneve
ushtarake të Kosovës të udhëhequr nga Spasoje Gjakoviqi, Milija Kovaçeviqi dhe
me Ali Shukrin. Takimi caktohet që të mbahet në restorantin e minierës
“Trepça”. Komunistët kishin kërkuar më parë besën nga Adem Voca, të cilën Ademi
iu kishte dhënë, por shtrohet pyetja po çfarë bese kishte Voca nga komunistët?
Megjithatë, edhe pse kishin besën komunistët, forca të mëdha partizane
delegacioni kishte marr me vete.
Në
takim, Adem Voca i kishte njoftuar delegacionin për qëllimin e formimit të
Brigadës. Me këtë rast ai kishte paraqitur edhe kërkesat e veta, e ato ishin:
1.
Kërkojmë nga udhëheqja në Prishtinë që Brigada e Shalës së Bajgores të marrë
pjesë në udhëheqjen e Mitrovicës e të Vushtrrisë;
2.
Kërkojmë udhëheqjen e minierës “Trepça” dhe fabrikën në Zveçan;
3.
Kërkojmë të marrim pjesë në ruajtjen e punëtorëve të Trepçës;
4.
Gjithashtu kërkojmë që mos të na dërgojnë në frontin e Sremit, sepse jemi më se
të nevojshëm këtu në Kosovë, që ta mbrojmë popullatën nga çetnikët e Zhika
Mitroviqit.
Takimi
i Adem Vocës dhe formimi i Brigadës
kishin një të vetëm qëllim: Çlirimin e Shalës së Bajgores, rrethinave të
Mitrovicës dhe të Vushtrrisë nga okupatori nazi-fashist dhe aradhet çetniko-
partizane të Zhika Mitroviqit; Krijimin e kushteve me anën e armëve për realizimin e lëvizjes
kombëtare të idesë për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë në bazë të së drejtës
mbi vetëvendosjen e popujve, duke u mbështetur në dokumentet e Kuvendit të
Bujanit.
Administrimi
i Kosovës nga shqiptarët, aty ku paraqesin shumicë, duke u mbështetur në
parimin e shumicës;
Shfrytëzimi
i natyrshëm i begative dhe rezervave natyrore nga populli, me vështrim të
veçantë, administrimi i “Trepçës” nga pushteti popullor, pa u vënë në shërbim
të forcave çetnike-partizane, etj. Me kërkesat e prezantuara të Adem Vocës, të
deleguarit e PKJ-së mbetën të habitur, dhe në një mënyrë ishin të shqetësuar
tej mase, ngase, nuk e kishin marr me mend se atdhetaret shqiptar kishin aq
shumë njohuri për të bëmat e çetnikëve që i kryenin me lejen e komunistëve.
Takimi mbyllej para kohe, ngase Spasoje Gjakoviqi kishte marr informatën se,
Shaban Polluzha me Brigadën e vet ishte kthye nga Podujeva për Drenicë duke
bërë rezistencë të madhe. Në fund, Adem Vocës i premtojnë se kërkesat e tij do
të shqyrtohen në organet më të larta në Prishtinë, por gjerë atëherë ai të ruaj
karakterin revolucionar të Brigadës.
Në
Drenicë, në Brigadën e Shaban Polluzhës fillon ploja komuniste. Duke e parë se
çfarë po ndodhë me fshatrat e Drenicës, Adem Voca më 24 janar 1945, lëshon
kushtrimin dhe shaljanët nga të gjitha anët i përgjigjen thirrjes. Në Bare dhe
në Pasomë grumbullohen mbi 650 ushtarë. Pas një fjalimi domethënës, Adem Voca i paralajmëron për
fillimin e luftës kundër bandave komuniste. Me një sulm të furishëm mendonte të
çlironte Mitrovicën, ndërsa përmes një sulmi të komanduar nga Ukshin Kovaqica
dhe Bislim Bajgora të çlironin Vushtrrinë. Brigadës së Adem Vocës i
bashkëngjitet edhe luftëtaret e Mehmet Gradicës. Më 26 janar 1945, Brigada e
Adem Vocës sulmohet nga të gjitha anët. Luftëtaret ishin të lodhur, nuk kishin
armatim të mjaftueshëm dhe ajo që ishte në disfavorin e tyre ishte dimri i
ashpër që fshataret nuk i bënin dot ballë. Duke i parë të gjitha këto, dhe duke
u mundua që ti kursente jetët e bashkëluftëtarëve, ai kërkoi që fshataret të
kthehen në shtëpitë e veta, ngase edhe dimri i vështir ishte kundër tyre. Me
vështirësi luftëtaret ishin larguar nga Adem Voca, ndërsa Mehmet Gradica nuk
kishte pranua që të kthehej në shtëpi por, edhe më tej më luftëtaret e vet
bënte rezistencë në fshatrat e Shalës.
Adem
Voca, pasi se ishte nda nga bashkëluftëtarët, vendos që të barrikadohet në
kullat e veta, dhe i edukuar në frymën e atdhedashurisë, ai donte se, po qese
duhet të vdes, do të vdes vetëm ai, e le të rrojë populli e Kosova. Partizanët
kishin marr informacione se Adem Voca do të strehohej në kullën e vet, në
Pasomë të Vushtrrisë. Fshati sulmohej më 10, 11, dhe 12 shkurt 1945. Sulmin e
kishte marr përsipër që ta kryente
batalioni i 3-të të Brigadës së 25 serbe. Partizanët sulmuan tri ditë pa
u ndalur, ndërsa në kullë luftonin trimat: Adem Voca, Hetem Voca, Jashari,
djali i Hetemit, nipi nga motra Avdullah Zasella, Man e Ferat Peci, nga
Stantërgu. Po aty ndodheshin edhe 17 anëtarë të familjes, që ishin gra e fëmijë
nën moshën 15 vjeçare. Ky edhe ishte grupi i fundit i Brigadës së Adem Vocës,
që luftonte në kullë me batalione, brigada e divizione, kundër topave e
tankeve. I tërë ky grup ishte likuiduar me 12 shkurt 1945, nga forcat
partizano-çetnike, përveç të vëllait Jasharit, që ishte i plagosur rëndë dhe u
zu nga forcat partizane. Tani në vendin ku pushon trupi i pajetë i Adem Vocës
është ngritur lapidari në shenjë respekti dhe përkujtimi.