Speciale » Basha
Sabile Basha: Ukshin Kovaçica - Gjithmonë në mbrojtje të lirisë
E diele, 19.11.2023, 08:00 PM
T'I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:
UKSHIN
KOVAÇICA- GJITHMONË NË MBROJTE TË LIRISË DHE TËRËSISË TOKËSORE TË TROJEVE
ETNIKE SHQIPTARE
(1904-
e vranë më 19 shkurt 1947)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Atdhetari
shaljan, Ukshin Kovaçica, u lind në fshatin Kovaqicë të Shalës së Bajgorës, nga
babai Nuhë, në vitin 1904. Historikisht, Mitrovica e rrethina ishte njëra ndër
vendet më heroike të Kosovës. Shaljanet në çdo kohë dhe në çdo vend që janë
ndodhur, janë ngritur në këmbë kur atdheu ka qenë në rrezik, dhe ata kanë qenë
diga më e pathyeshme e bandave çetnike që ia kanë mësy kësaj toke të shenjët
shqiptare. Këta burra e gra gjithmonë janë dalluar me trimëri e me burrëri.
Nëpër kohë, dallohet kontributi i tyre që kanë dhënë gjeneratë pas gjenerate.
Si me pushkë si me pendë, si me gjake si me para, ata ishin aty kur e kërkonte
atdheu. Ishin dhe janë të njohura trimëritë e tyre, që edhe sot me krenari
folën në popull. Familja e Ukshin Kovaqices ishin kushërinj me Isa
Boletinin. I ati i tij u plagos dy herë në betejat në kullën e Isa Boletinit. I
lindur dhe rritur në fshatin Kovaçicë,
ai ishte pasardhës i një familje atdhetare e cila nuk e ka pushuar kurrë luftën
e saj heroike, si kundër pushtuesve turq ashtu edhe kundër atyre serbë. Babai i
Ukshinit, ishte një luftëtar i patrembur i cili gjatë tërë jetës së vet luftoi
kundër zaptuesve të tokave shqiptare. Ai luftoi pa u trembur si kundër turqve
po ashtu edhe kundër serbëve. Po ashtu edhe dha jetën në luftë kundër bandave çetnike. Andaj një
trimëri e rrallë pritej edhe nga i biri- Ukshin Kovaçica. Trimi i rrallë,
Ukshini i ri, e vazhdoi me përkushtim të madh rezistencën anti jugosllave edhe
pas vitit 1945, kur Kosova pa dashjen e saj u okupua nga Serbia dhe Jugosllavia.
Gjatë
Luftës Dytë Botërore udhëhoqi komandën e xhandarmërisë në Bare dhe iu priu
forcave vullnetare në luftë kundër sulmeve çetnike në veri të Kosovës, në
Pazarin e Ri etj. Pas përfundimit të LDB, dhe instalimit të regjimit komunist,
Ukshin Kovaçica formoi grupin e
rezistencës, duke iu bashkangjitur Ahmet Selacit.
Ishte
pjesëtar i Lëvizjes Çlirimtare ndërmjet dy luftërave botërore, i formacioneve
vullnetare që luftuan për mbrojtjen e trojeve etnike (1941-1944), ndërsa pas
vitit 1944, i qëndresës kundër aneksimit të Kosovës nga Jugosllavia.
Veç
këtyre detyrave që kishte Ukshin Kovaçica ishte komandant i grupit të tretë të
Divizionit të Ibrit, anëtar i Shtabit Suprem të Forcave Ushtarake të lëvizjes
për çlirim dhe bashkim kombëtar nën komandën e Shaban Polluzhës.
Më
27 janarit të vitit 1945, pas rrethimit të hekurt të Kovaçicës e të kullës së
Ukshin Kovaçicës, ishte zhvillua një luftë e cila zgjati mbi 11 ditë me
brigadat partizane të Jugosllavisë. Sipas të dhënave jugosllave, në betejën e
kullës së Ukshin Kovaçicës ishin vrarë 45 ushtarë, një kapiten dhe një major
ndërsa ishin shpallur të humbur rreth 200 ushtarë të tjerë, ndërkohë në
luftërat e zhvilluara në disa fshatra të tjera, si p.sh. në Bare dhe malet e
tjera të Shalës së Bajgorës, ishin vrarë edhe 120 ushtarë jugosllavë.
Luftërat
më të ashpra i kishte zhvillua në kullën e vet, pastaj në Vesekovcë, Firishte,
te Guri i Mullirit, në Barel, te Guri i Sokolit, në Batahir etj.
Duhet
cekur se me iniciativën e Ahmet Selacit, më 11 gusht 1946, në malet e lira të
Kosovës u formua Divizioni i Ibrit. Në
malin e fshatit Senjak të rrethit të Vushtrrisë ishin takua Ahmet Selaci, Hilmi Zariqi, Brahim Luta,
Istref Sheqa, Muhamet Meqa, Shaqir Zariqi e shumë të tjerë. Në këtë takim rol
shumë të rëndësishëm kishte pasur Ukshin Kovaqica, nga fshati Kovaqicë, rrethi
i Vushtrrisë. Po ashtu, në këtë mbledhje kishin marrë pjesë edhe anëtarët e
grupit të Ahmet Selacit si: Smajl
Jashari, Bajrami nga Selaci, Arif Selaci, Ymer Selaci dhe djali i Ukshin
Kovaçicës, Hashim Kovaqica.
Në
të ishin prezent udhëheqësit ushtarak të rrethit të Mitrovicës, të rrethit të
Vushtrrisë, të Llapit, të Skenderajt dhe të Novi Pazarit.
Në
mbledhjen e Senjakut, takimin e kishte hapur Ahmet Selaci duke iu drejtuar të
pranishmëve duke thënë se “Ne në këtë mbledhje duhet ta zgjedhim udhëheqësin e
divizionit dhe komandantët e batalionit dhe duhet menjëherë të kalojmë në
propozime konkrete”.
Nga
kjo fjalë e Ahmet Selacit të pranishmit i kanë propozua të pranishmit dhe janë
pajtuar që divizioni të ketë gjithsejtë 5 grupe dhe këto: Komandanti i grupit
I, u zgjodh Faik Boletini, ndërsa zëvendës i tij u propozua Bislim Bajgora,
ndërsa komandant të batalionit të këtij grupi u zgjodhën: Ali Ismaili, Arif
Selaci, Ziadin Ceraja dhe Nebih Zasella.
Për
Grupin e II-të, u zgjodh për komandant Osman Bunjakun, ndërsa zëvendës i tij u
caktua Hashim Basholli, komandant të batalionit ishin caktua Lah Cicilija, Aziz
Zhilivoda, Qerim Shahu dhe Bajram Tërbonja.
Për
Grupin e III-të, u caktua për komandant Ukshin Kovaçica, ndërsa zëvendës i tij
u zgjodhë Smajl Svarça, kurse komandant të batalionit Imer Selaci, Sherif
Tërstena, Mehmet Selaci dhe Rrahman Selaci.
Për
Grupin e IV-të, u caktua për komandant Avdi Halit Tashevci, ndërsa zëvendës i
tij u caktua Musli Dumoshi, ndërsa komandant të batalionit u caktuan: Aka
Marevci, Feriz Dobërdoli dhe Ibrahim Majanci.
Për
Grupin e V-të, u zgjodh komandant Ilmi
Zariqi, ndërsa zëvendës i tij u caktua Jetullah Rezalla, ndërsa komandant të
batalionit u caktuan Ymer Radisheva, Ibrahim Lutani, Hysen Lutani dhe Hysen
Bajraktari.
Ndërsa
komandant i Divizionit të Ibrit, u zgjodhe njëzëri nga të pranishmit Ahmet
Selaci dhe zëvendësi i tij u caktua Jusuf Boletini dhe epror i lidhjeve Ali
Potera (Hetuesia e Hilmi Zariqit, më 17.02. 1947, Shaban Bunjaku, shënime marr
nga fletorja e tij).
Të
gjitha këto grupe ishin të armatosur. Grupi i Ahmet Selacit posedonte 3
shmajzera dhe armatimi tjetër përbëhej prej pushkëve. Shmajzerin e mbante
zakonisht Ukshin Kovaçica, edhe atë të prodhimit bullgar, një person tjetër nga
Selaci, kishte një shmajzer të prodhimit rusë, dhe Arif Selaci e kishte
shmajzerin të prodhimit gjerman. Grupi posedonte edhe bomba dhe shumë pushkë,
kurse grupi i Osmanit e Shabanit kishte edhe mashinka. Të cilat ishin nga
prodhimi italian dhe ai bullgar. Hashim Ibishi e kishte mashingerin gjerman dhe
municion të mjaftueshëm për grupin.
Duhet
përmendur se gjatë takimit në malet e Senjakut, u bisedua edhe për qëndrimin
dhe kalimin e dimrit se ku do e kalonin ata ilegalisht. Aty ishte bisedua dhe
ishte vendosur se Osman Bunjaku me grupin e tij do ta kalonin dimrin në një
kasolle të cilën do e ndërtonin në malin e Senjakut. Për Ukshin Kovaqicën dhe
Ahmet Selacin me grupet e tyre u tha se ata do e kalonin dimrin me Boletinët në
rrethin e fshatit Selac.
Vlen
të ceket se, gjatë periudhës 1945 – 1948, Aleksandër Rankoviqi dhe OZN- a, e më vonë UDB-ja e tij , ishin mbi të gjitha:
edhe mbi ligjet; edhe mbi kushtetutën; edhe mbi vet Kuvendin Federativ, që e
kishte bë kushtetutën. UDB-eja zbatonte urdhra dhe jepte urdhëra për ndjekjen e
ilegalistve; për burgosjet e tyre; për hetuesi; për dënime marramendëse dhe për
likudime e pushkatime të shumta. UDB-ja me repartet e saja të ndjekjes dhe të
terrorizimit kishte fushë dhe dorë të lirë veprimi në veçanti në trevat
shqiptare.
Më
19 shkurt 1947, në luftë me forcat e OZN-es famëkeqe dhe ato ushtarake
jugosllave, e vranë Ukshin Kovaçicën, bashkë me të birin Hashimin dhe me Smajl
Sfarçën, që ishte bashkëluftëtar dhe mik i tij gjatë tërë luftës dhe i ilegales
e luftëtar të tjerë që rezistuan deri në frymën e fundit.
Edhe pse i vranë në tokën e tyre, pushtetarët e ndjenin frikën në asht nga ata edhe të vdekur. Donin me sjellje barbare ndaj popullatës shqiptare, të fusnin frikën tek ata. Donin ti tmerronin ata, dhe çfarë bëri okupuesi, para se ti varrosnin të vrarët, ata organizuan një ekspozitë tmerri. I ekspozuan trupat e martirëve të kombit, së pari në Mitrovicë (para postës) e pastaj edhe në Vushtrri (përpara Shtëpisë së Kulturës “Partizani”), duke i varrosur pa pranin e askujt tek Ura e Gurit. Por populli ndjehej krenar për ta, dhe i respektoi e i nderoi gjatë tërë kohës duke bërë parakalimin me koka të ngritura lartë para tyre.