Speciale » Basha
Sabile Basha: Musa Shehzade - Legjendë Trimërie
E marte, 31.10.2023, 09:05 PM
T'I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:
MUSA
SHEHZADE- LEGJENDË TRIMËRIE
(1870
– e ekzekutojnë më 28. XI. 1945)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Atdhetari
Musa Shehzade u lind më 1870 në Gjakovë, nga babai sheh Hyseni me origjinë nga
Bushatlinjët e Shkodrës. Shehzade kishte një biografi të pasur dhe të bujshme.
Mësimet fillestare i kishte përfunduar në vendlindje, i kishte vazhdua në
Prizren, më vonë kishte shkua edhe në Selanik. Pas përfundimit të studimeve, ai
kthehej në vendlindje dhe në Lagjen Marash të Prizrenit, ndërtoi objektin e
kultit bektashi, i cili u bë qendër e vendtakimeve të njohura kombëtare.
Duhet
thënë se Musa Shehzade ishte një figurë poliedrike mbarëkombëtare, që tërë
jetën ia kushtoi atdheut dhe luftës për lirin e popullit të tij. Si patriot që
ishte në veprimtarin e tij shoqërore, fetare e politike pati dhe kreu me sukses
shumë funksione të rëndësishme. Ishte shtyllë kurrizore për veprimtarin në
Lëvizjet Kombëtare Shqiptare në vitet e fillim shekullit 20. Më 1912, Shehzade
ishte komandant i forcave shqiptare kur morën Shkupin; ishte delegat nga
Prizreni në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912; Ishte
prefekti i parë i Prizrenit më 1941; ishte kryetar i parë i Kuvendit të Lidhjes
së Dytë të Prizrenit, më 1943; ishte nënshkrues i Memorandumit të Kuvendit të
Junikut.
Lufta
e Dytë Botërore dhe shpërbërja e ish-Jugosllavisë, tek shqiptaret zgjoi
shpresat për një zgjidhje të drejt të çështjes së tyre në rrethanat e reja të
krijuara. Një pjesë e lëvizjes politike e ushtarake, gjatë asaj kohe në
hapësirën gjeografike shqiptare ishte në krah të bllokut antifashist. Kjo
radhitje jepte shpresë për të drejtën e popujve për vetëvendosje. Se problemet
kombëtare të trashëguara nga e kaluar do të zgjidhen drejt, duke ua njohur edhe
popujve të mbetur nën pushtim të drejtën e vetëvendosjes, prandaj forcat e
LNÇ-së në Kosovë nxorën Rezolutën e Bujanit (31 dhjetor 1943-1,2 janar 1944),
ku vendosën bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Por ekzistonte edhe mendimi
tjetër ku merrnin pjesë të gjithë nacionalistët të cilët me kohë kishin hetuar
tradhtinë e madhe që po përgatitnin komunistet jugosllav, ngase përvoja
historike kishte krijuar bindje tjera, se bashkëpunimi i Lëvizjes Antifashiste
me LNÇJ dhe PKJ do të përfundonte me rivendosjen e pushtetit jugosllav në
Kosovë dhe në trevat shqiptare. Për këtë arsye, ata kërkonin të mbronin me
çdo mjet kufirin etnik nga synimet grabitqare serbo-malazeze-bullgare.
Përfaqësuesit e këtij grupimi, pas kapitullimit të Italisë, vunë themelet e një
organizate në shtator të vitit 1943 me angazhimin e 45 përfaqësuesve nga Ohri,
Struga, Gostivari, Dibra, Shkupi, Tetova, Prizreni, Sharri, Theranda,
Kolesjani, Rahoveci, Gjilani, Prishtina, Ferizaj, Mitrovica, Rugova, Peja,
Istogu, Drenica, Pazari i Ri, Senica, Rozhaja, Plava, Gucia, Gjakova dhe
Malësia e Gjakovës. Ata dolën me idenë për thirrjen e një Kuvendi kombëtar në
Prizren, i cili do të hidhte bazat për krijimin e një organizate
kombëtare, me mision të ngjashëm me atë të Lidhjes Shqiptare të
Prizrenit të vitit 1878.
Takimi
përgatitor për mbajtjen e Kuvendit Themelues për Lidhjen e Dytë të Prizrenit u
mbajt me 11 shtator 1943, në Prizren. Sipas Qazim Bllacës, Mbledhjen themeluese
të Këshillit organizues e kryesoi Asllan Boletini. Në takim kishin marr pjesë:
Xhafer Deva, Musa Sheh Zade, Sheh Hasani, Tahir Zajmi, Lukë S. Mjeda, Qazim
Bllaca e Pjetër Vuçaj. Në të dhënat autentike të pjesëmarrësve në Kuvendin themelues
ky Këshill quhet Grup nisjatuer i Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Në ditën e parë
këtë Këshill e përbënin patriotët: Sheh Musa Shehzade (kryetar),( i cili me
sukses e udhëhoqi komitetin Qendror të Lidhjes së Dytë të Prizrenit prej datës
26 shtator deri në Kuvendin e Dytë më 12 tetor 1943), Shefqet Shkupi, Sheh
Hasani, Asllan Boletini, Qazim Bllaca, Pjetër Vuçaj, Tahir Zajmi, Hevzi Meraku,
Luk Simoni, Qemal Balila, Haxhi Fahriu dhe Sokol Dobroshi (anëtarë).
Në
këtë takim u vendos që Kuvendi Themeluesi i Lidhjes të mbahet me 16 shtator
1943 dhe vendimet e marra nga ana e delegatëve në mbledhjen e datës 11 Shtatorë
1943, kishin rëndësi të madhe për zhvillimet e mëvonshme politike e luftarake,
që përmblidhen në këto pika: a) Thirrje e një mbledhjeje të përgjithshme
popullore me shpirtin dhe me frymën e Lidhjes së Prizrenit, në të cilën të
përfaqësohen të gjitha krahinat e Kosovës, të Dibrës, të Strugës, të Tuzit dhe
të Ulqinit, përmes delegatëve të zgjedhur nga ana e popullit; b) Për derisa të
themelohet e të caktohet një autoritet suprem nga mbledhja e përgjithshme dhe
për me mbajt qetësin dhe rendin publik, si edhe me i përgjigj kërkesave që
impononin rrethanat e interesat e atdheut; c) Me krijua këshille autonome-
ekzekutive ; ç) Ngarkim i këshillit ekzekutiv të Prizrenit me përgatitjen e
mbledhjes së Kuvendit, hapja e të cilit parashihej të bëhej më së voni,
deri me 16 Shtatorë 1943. Dhe menjëherë pas përfundimit të takimit të
parë iniciues, anëtarët e saj fillojnë përgatitjet për mbledhjen e Kuvendit. Konsultohet
populli dhe bëhen zgjedhje te rregullta. Gati në të gjitha trevat ku jetonin
shqiptarët u caktuan delegatet që të marrin pjesë në Kongres.
Kongresi
u mbledh ne Prizren, nga data 16 deri me 20 shtator 1943. Ne te morën pjese 45
delegate te zgjedhur nga Kosova dhe trevat e tjera shqiptare. Kongresi punimet
i zhvilloi në Shkollën “Bajram Curri”. Atë e hapi kryetari i Këshillit
organizues, Musa Sheh Zade. Në të
merrnin pjesë: 120 përfaqësues të popullit nga: Ohri, Struga, Gostivari, Dibra,
Shkupi, Tetova, Prizreni, Sharri, Theranda, Kolesjani (Luma), Rahoveci,
Gjilani, Prishtina, Ferizaj, Mitrovica, Rugova, Peja, Istogu, Drenica, Pazari i
Ri, Senica, Rozhaja, Plava, Gucia, Gjakova dhe Malësia e Gjakovës u vunë
themelet e Lidhjes.
Punimet
e Kongresit i hapi Musa Sheh Zade, duke tregua për arsyen e këtij tubimi, dhe
masat e nevojshme që duhet ndërmarr kundër okupuesve të atdheut. Në kryesi të
punës së Kongresit u zgjodhën: Musa Sheh Zade- kryetar, Aqif Blyta-Nënkryetar,
Prof. Rexhep Krasniqi- Nënkryetar, Bedri Gjinaj - Sekretar. Kuvendi vendosi
formimin e Lidhjes se Dyte te Prizrenit, organizatë politike kombëtare, e cila
do te angazhohej për bashkimin dhe mbrojtjen e trojeve etnike.
Dua
vetë pak të ndalem në fjalën e patriotit të madh Musa Shehzade, që e tha në
hapjen e kuvendit, citoi: “Tash që kemi të gjitha mundësinat e njij organizimi
të përgjithshëm të fuqinavet kombëtare, duhet që ta fitojmë, mbrenda nji kohe
të shkurtën, gjithë periudhën qi humbëm gjatë së shkuemes së afërt. Na duhet
t’i mendojmë dhe t’i parashikojmë të tana rasat dhe gjasat që mund të na
paraqiten gjatë të ardhshës s’onë t’afërt dhe të largtë. Kjo detyrë u bjen,
natyrisht në bashkëpunim të ngushtë me vllaznit e Shqipnis së Vjetër, të gjitha
Viseve të bashkueme atdheut shqiptar. Duhet të mendojmë, pra, masat dhe mënyrat
e mprojtjës s’onë për çdo gjasë dhe për çdo rrethanë. Qëllimi që do të
frymëzojë përpjekjen t’onë, nji përpjekje jetë a vdekje, do të jetë nji i
vetëm: Sigurimi i njisisë s’onë ethnike. Për këtë qëllim duhet të gatuejmë
krejt energjinat t’ona. Ky asht vullneti jo vetëm i popullsinave shqiptare të
lirueme dhe të palirueme, por edhe i të gjithë shqiptarve kudo qi janë. Na, po
e shpallim haptas, nuk kemi as ma të voglin pretendim mbi asnji cope tokë që
nuk asht e jona. Duem, pra, vetëm gjithëçka asht tokë arbënore, e banueme prej
njij popullsije shqiptare. Prandej, fqinjët t’onë, nuk kanë shka druejnë prej
nesh: Në qoftë se ata janë depërtuem tashma nga kuptimi i drejtësis së vërtetë
duhet të kërkojnë, ma parë se na, zbatimin e përpiktë t’asaj drejtësije:
Atëherë, dhe vetëm atëherë, ndërmjet nesh dhe atyne, do të mund të vendosen
marrëdhanje të nji përzemërsije të pandryshueshme. Na, atëhere, do t’u zgjasim
dorën e miqësisë së burrave shqiptarë që, kur apin fjalën, vdesin por nuk
zmrapen. Por, në qoftë se këto ndiesina t’ona, sidomos dashunija e jonë për
drejtësinë e vërtetë, nuk do t’i detyrojnë fqijt t’onë që të hekin dorë nga
pretendimet e tyne imperialiste mbi vendet shqiptare, na nuk do të ngurrojmë
asnji çast për të krye të vetmen detyrë që na imponon vetë ndërgjegja
kombëtare: Do të luftojmë me mish e me shpirtë për ngadhënjimin e të drejtave
t’ona”
Pas
4 ditë pune të madhe u propozua dhe u zgjodh
kryesia e Komitetit Qendror të Lidhjes së Dytë Prizrenit prej 7 vetave:
Rexhep Mitrovica (kryetar), Musa Sheh Zade dhe profesor Kolë Margjini
(nënkryetarë), Sheh Hasani, Asllan Boletini, Tahir Zajmi dhe Qazim Bllaca,
anëtarë. Pas përfundimit të kuvendit, lidhja filloi me aktivitetet e saja dhe
brenda një afati të shkurtër arriti që të themelojë në të gjitha rrethet
komitetet e rretheve, ndërsa nëpërmjet tyre edhe ato komunale dhe të fshatrave.
Atdhetari
Musa Shehzade dhe një kontribut të jashtëzakonshëm në vazhdimësinë dhe në
organizimin e veprimtarisë të Lidhjes. Më 17-20 janar 1944, u mbajt Kuvendit i
dytë i jashtëzakonshëm i Komitetit Qendror të Lidhjes II të Prizrenit, po ashtu
në Prizren. Në të u zgjodh udhëheqësia e
re: kryetar u zgjodh Bedri Pejani, dhe dy nënkryetar: Musa Sheh Zade dhe Kolë
Margjini, ndërsa anëtarët : Xhevat Begolli, Nexhip Basha, Esat Berisha, Asllan
Boletini, Muhamet Agolli, Ekrem Jegeni, Rexhë Meta, Mahmut Begu, Kadri Kupi,
Sylejman Ashqija dhe dy të tjerë.
Pasi
se më 8-10 korrik 1945, Kosova okupohej përsëri nga forcat jugosllave, Musa
Shehzade pasi se ishte në moshë, nuk pranon të largohej nga Kosova për Greqi,
andaj tjetër rrugë nuk kishte mbetur për të, veç që të kalonte në ilegalitet.
Nga forcat jugosllave (OZN-a), pa asnjë aktgjykim e ekzekutojnë më 28 Nëntor
1945, në grykën e Lumëbardhit në Prizren, në moshën 76 vjeçare. Më 4 shkurt 1946, Gjykata e Qarkut në Prizren me
vendimin nr. 55/46 e konfiskon tërë pasurin e patriotit të madh Musa Shehzades.