Speciale » Basha
Sabile Basha: Shaban Polluzha – Simbol i Qëndresës Gjithëkombëtare
E diele, 08.10.2023, 07:59 PM
T'I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:
SHABAN POLLUZHA- SIMBOL I QËNDRESËS
GJITHËKOMBËTARE
(1871- e vranë më 17 shkurt 1945)
Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Shaban Mustafë Kastrati, ose Shaban Polluzha, siç
njihet në popull, kishte lindur në fshatin Polluzhë, më 1871, nga babai Mustafë
dhe nëna Hamide. Shabani kishte edhe një vëlla, të quajtur Dervish. Shabani
vinte nga një familje mesatarisht e kamur. Duhet thënë se njëra ndër figurat më
të rëndësishme që zë vend në historinë e Luftës së Dytë Botërore, pa dyshim se
është atdhetari i madh Shaban Polluzha. Ai gjatë jetës së vet nuk kishte
mbarua ndonjë shkollë, por jeta e odat e Drenicës i kishin dhënë shkollën më të
mirë të jetës. Ishte i dalluar me guximin për të marrë vendime të
rëndësishme, dhe kishte një inteligjencë që e dallonin nga të tjerët, për të
zgjedhur rrugën më të mirë dhe më të ndershme në situata të ndera për vendin
dhe për popullin. Kjo edhe ndikoi që të siguronte respektin e krerëve dhe të
masave të gjëra. Odat, ishin ato, të cilat e burrëruan dhe i dhanë dashurin e madhe për atdheun. Ai edhe më herët
ishte përball si gjatë Luftës së Parë Botërore me bullgar e me austriak, e më
vonë edhe me pushtetin e Jugosllavisë së vjetër. Edhe gjatë rinisë ai ishte
ndesh me luftën për ekzistencë.
Pas përfundimit të L.P.B. popullata e kësaj ane Shaban Polluzhën e zgjedhin
si përfaqësuesin e kësaj ane për të mbrojtur interesat e tyre. Shabani i ri,
nuk u kënaqte vetëm që të kujdeset vetëm për popullatën e Drenicës, ai me një
trimëri të jashtëzakonshme kalonte kufirin dhe kujdesej edhe për shqiptaret në
zona tjera të Kosovës. Bullgaret duke e parë aktivitetin e tij patriotik e dënojnë
s bashku me gruan dhe tre fëmijët duke i dërgua në burgun e Prishtinës.
Më 1920 bie në kontakt me Azem Bejtën dhe merren vesh për veprime të përbashkëta
kundër okupuesve. Po në këtë kohë Shaban Polluzhën e zgjedhin kryetar komune në
Polac. Lëvizja çlirimtare në këtë kohë kishte marr përmasa të mëdha në fshatrat
e Drenicës në veçanti dhe në Kosovë në përgjithësi. Regjimi serb duke e parë se
situata po iu ik nga kontrolli, fillojnë të marrin masa të shpejta për shuarjen
e kësaj lëvizje. Shaban Polluzha gjatë kësaj periudhe kishte zënë miqësi me
shumë atdhetarë të njohur të kohës si : Miftar Bajraktarin e Llaushës, Mulla
Ibrahimin e Polacit, Sadik Zenelin e Abrisë, Isuf Gradicën, Tahir Berishën,
Ramadan Shabanin, Beqir Vicën e shumë të tjerë. Këta, patriot si: Sadiku,
Isufi, Shabani, Miftari, Sadiku e Isufi, gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore,
pikërisht në Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës, në Luftën e Shaban Palluzhës dhe
në Lëvizjen e Rezistencës së NDSH-së, u bënë komandantë ushtarakë e udhëheqës
politikë në përpjekjet për çlirimin e Kosovës dhe ribashkimin e Shqipërisë
Etnike.
Mu nga këto ndryshime që
u bënë në kreun ushtarak në Kosovë, del se në riorganizimin e ri nuk u emërua
asnjë nga shqiptarët, vetvetiu kuptohet edhe qëllimi i administrimit ushtarak.
Komandës së Administrimit ushtarak iu dhanë autorizime të plota, ndërsa për të
gjitha veprimet ajo jepte përgjigje
vetëm para Komandantit Suprem. Me fillimin e veprimit të pushtetit ushtarak në
Kosovë, gjenocidi ndaj popullatës së pafajshme shqiptare, mori formën e jetës
së rëndomtë, populli filloi të jetojë në ankth, për ditët që do të vijnë.
Pas kapitullimit të Jugosllavisë, Shaban Polluzha, më 1941
formon Brigadën e Drenicës për të mbrojtur Kosovën nga sulmet serbo-çetnike. Dhe
sipas disa të dhënave, ai kishte rreth 5000 veta të armatosur, me të cilët mori
pjesë në mbrojtje të Sanxhakut dhe të viseve tjera shqiptare. Duhet theksuar se
kah fundi i LDB, Shaban Polluzha angazhohej në anën e partizanëve, por nuk u
pajtua kurrë me vrasjet që i bënin brigadat serbe e malazeze dhe OZN-a, ndaj
popullatës shqiptare në Drenicë, andaj edhe doli dhe nisi luftën kundër tyre.
Trimi i popullit shqiptar, në të gjitha periudhat e jetës njihej si njeri i
cili mbronte popullin dhe kujdesej për mirëqenien e tij. Ai për popullin e vet
nuk kurseu asgjë, madje as jetën, pasurin, familjen dhe kullat e veta.
Shaban Polluzha, kur
hetoi se çka po i përgatitnin komunistët jugosllav Kosovës së tij që aq shumë e
deshi, ai vazhdoi rezistencën ndaj ushtrisë jugosllave në Drenicë, në Shalë të Bajgores
e gjetkë. Gjatë tërë kësaj periudhe, ai plisin e vet të bardh e mbështillte me
flamurin kombëtar dhe çdo kund ishte me të pa u ndarë kurrë nga vetja e vet, se
fundja për të jetoi dhe për të dha jetën.
Pas një hileje, që
mundohen t’ia bëjnë komunistët jugosllav- Shtabi Qendror Ushtarak i Kosovës e
Mertohisë, ku praktikisht nga ai kërkohej ti kthehej shpina vendit dhe të shkoi
në veri. Posa kupton dredhin, kundërshton ashpër dhe fillon luftën kundër
pushtimit me forcat ushtarake serbe, malazeze dhe maqedonase.
Në gjysmën e dytë të vitit 1944, derisa forcat aleate përparonin në të
gjitha frontet e luftës kundër ushtrisë hitleriane, Titoja do t´i shfrytëzojë
këto rrethana, për luftimin e forcave të mbrojtjes kombëtare shqiptare dhe
ripushtimin e Kosovës. Për t´i realizuar më lehtë synimet e saj ,udhëheqja
jugosllave, në fillim të janarit 1945 urdhëron mobilizimin e “brigadave të
Kosmetit” për t´i dërguar në Frontin e ashtuquajtur të Sremit-në Serbi. Ndonëse
qendra e rezistencës shqiptare në gjysmën e dytë të dhjetorit 1944-janar 1945
ishte përqendruar në Drenicë, ”Shtabi Operativ i Kosmetit”,urdhëroi Shaban
Polluzhën që ta lëshonte Drenicën dhe të nisej në drejtim të Podujevës, për t´u
bashkuar me Brigadën VII, e cila po marshonte për Serbi.
Shtabi i Brigadës së Drenicës largimin nga Kosova do ta kushtëzojë me
ndërprerjen e vrasjeve dhe të plaçkitjeve mbi popullsinë civile nga ana e ushtrisë
jugosllave, mirëpo pas dështimit të nënshtrimit të Shaban Polluzhës më 25 janar
nisin operacionet ushtarake në shkallë të gjerë për asgjësimin e Brigadës së
tij. Vërtet, nga ditët e para të formimit,
Brigada e Shaban Polluzhës shfaqi indinjatën dhe revoltën ndaj vrasjeve pa gjyq
të personaliteteve shqiptare në Drenicë dhe në Kosovë. Brigadat partizane të Jugosllavisë
dhe të Shqipërisë, që morën për detyrë të “spastronin terrenin nga bandat
fashiste” u treguan antishqiptare dhe të tërbuara ndaj popullatës së pafajshme
shqiptare. Këto mjaftonin, që komandantët dhe ushtarët e njësisë së Shaban
Palluzhës të reagonin ashtu edhe siç vepruan. Së këndejmi, nga mesi i janarit
1945, Brigada e Shaban Palluzhës shpalli mosbindjen ndaj urdhëresave të
Shtabit Kryesor të UNÇ të Kosovës-Metohisë dhe nga Podujeva u kthyen, më 24
janar 1945, për në Drenicë, duke bërë rezistencën kundër ripushtimin komunist
jugosllav të Kosovës. Por, duhet të theksohet fakti se Revolta e “Brigadës së
Shaban Palluzhës” në themele të Luftës së Drenicës 21 janar –21 shkurt 1945,
nuk mund të shikohet vazhdim, as korrigjim, i Mbrojtjes Kombëtare Shqiptare të
Kosovës, as i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare Shqiptare, por si
fill i qartë i një epoke të re, të përpjekjeve me të gjitha mjetet të
popullit shqiptar për të zgjidhur çështjen shqiptare mbi parimin universal të
demokracisë – me vetëvendosje.
Në Shtabin
Drejtues të Luftës së Drenicës, komandanti Shaban Palluzha, i përcjellë nga
bashkëfshatari besnik, Hamëz Hetem Istogu, ka pasur rreth vetës, personalitete
popullorë e luftarakë të shquar, intelektualë e ushtarakë të kohës. Në Shtabin
Drejtues merrnin pjesë si: Imer Fazliun nga Radisheva, profesor Ymer Berishën,
Osman Bunjakun nga Samadrexha, Azem Aruçin nga Makërmali, Bajram Bajraktarin
nga Drenasi, Sadik Lutanin nga Turiqeci, Isa Zymerin nga Prekazi, Miftar Bajraktarin
nga Llausha, Ramë Sejdiun nga Llausha, Hazir Gjakjen nga Akrashtica, Mulla
Ilaz Brojen, Marie Shllakun, Rexhep Gjelin nga Likashani, Beqë Çubrelin,
Jetullah Muharremin nga Rrezalla, Sadik Zenelin nga Abria, Feriz Bojiqin nga
Kërnica, Adem Dushin, Shaban e Rifat Kotorrin, Istref Temën nga Dabrashevci,
Bedri Gjinaj e Abdyl Zhubin nga Mitrovica, Isuf Gjilanin, toger Mehmet
Gradicën, Brahim Lutën nga Gllanasella, etj. Të gjithë këta ushtar të Shaban
Polluzhës betoheshin me këto fjalë : ”„Betohem në Flamur,
Ungjill e Kuran, Që këtë tokë që kemi nën kambë, Pa u farue krejt, Kërkujt
s'kemi me ia lanë!“
Në këto operacione antishqiptare
morën pjesë shumë divizione të Serbisë. Divizionet 41 dhe 50 të Maqedonisë,
grupi i brigadave të Malit të Zi (brigada e I e Bokës dhe brigada e VI) 2 dhe
repartet speciale të OZN-s, të drejtuara nga Spasoje Gjakoviq. Ende pa
përfunduar lufta (1945), në Kosovë, Pushteti i
Administrimit ushtarak në Kosovë u vendos në kohën kur organet më të larta të PKJ-së dhe të
LANÇ-së, vendosën që Kosova, si njësi
autonome, t’i aneksohej Republikës së Serbisë. Kjo koincidencë nuk ishte e
rastit, ajo ishte e lidhur ngushtë me detyrat që qëndronin përpara tij.
Qëllimet e këtij pushteti ishin:
1. Administrimi ushtarak
synonte t’u mohonte shqiptarëve arritjet dhe të drejtat që kishin
realizuar gjatë luftës,
2. T’u impononte
zgjedhjet që ishin projektuar për ta në rregullimin federativ të Jugosllavisë
së pasluftës.
3. Ai kishte për detyrë
të pengonte me çdo mjet shpërthimin e pakënaqësisë tek shqiptarët, e cila mund të
çonte edhe në një kryengritje të përgjithshme popullore,
4. Të thyente
rezistencën e popullit shqiptarë që kishin filluar në anë të ndryshme të
Kosovës.
5. Në rast nevoje, të
pengonin ndërhyrjen e Ushtrisë Shqiptare që do ti vije në ndihmë Kosovës, dhe
6. Administrimi
Ushtarak, justifikohej me pretekstin se gjoja ishte vendosur për luftimin e
forcave “kundërrevolucionare “ shqiptare në Kosovë.
Administrimi ushtarak në
Kosovë u vendos me 8 shkurt 1945, me propozimin e J.B.Titos dhe e tërë kjo u
konceptua edhe si riorganizim i formacioneve
ekzistuese ushtarake në Kosovë dhe u shoqërua me formimin e brigadave dhe të divizioneve të
reja, ndërmarrjen e masave për thyerjen sa më të shpejt të rezistencës në Kosovë
në përgjithësi e në Drenicë në veçanti. Gjatë ekzistencës së pushtetit
ushtarak, vëmendja kryesore u përqendrua në largimin e kontingjenteve të të rinjve shqiptar nga
këto treva, të cilët për këtë shkak u dërguan në veri të Jugosllavisë, ose në
radhët e “brigadave të punës”. Rruga që përshkuan këta të rinj më 8 shkurt 1945, komandanti suprem i UNÇJ-së J.B. Tito me urdhër të
veçantë nr.31 vendosi administrimin ushtarak në Kosovë. Këtë vendim Titoja e
mori më 7 shkurt 1945 në Beograd, në një takim me ushtarakët serb: Savo
Dërleviqin, Gjuro Medenicën dhe Kërsto Filipoviqin. Me këtë urdhër , i tërë
pushteti në Kosovë do t´i kaloi një grupi të caktuar ushtarakësh serbo-malazez,
të cilët do të ushtronin pushtetin politik, ekzekutiv dhe atë gjyqësor.
Gjatë ndryshimeve në strukturën komanduese në krye të pushtetit ushtarak përkatësisht
të “Shtabit të Ri Operativ” u emërua ish-shefi i Armatës I-rë: kolonel Savo
Dërleviq, duke e zëvendësuar Fadil Hoxhën, i cili mbeti zëvendës i tij. Shef i
Shtabit u emërua nënkolonel Dushan Vukotiq (deri në atë kohë ishte
zëvendëskomandant i Divizionit 46 jugosllav), shef i prapavijës u caktua Stevo
Dobërkoviq (i dërguar nga Shtabi Qendror i Serbisë), ndërsa komisar politik u emërua
nënkoloneli Gjuro Medenica. Më 10 shkurt 1944 kjo komandë bëri riorganizimin e
tërësishëm të ushtrisë duke formuar Divizionin e artilerisë, të kalorësisë, të
ndërlidhjes, grupin operativ të brigadave, Divizionin 46,52...etj.
Kjo makineri ushtarake në Kosovë duke i marrë të gjitha masat gjoja për "spastrimin" e terrenit nga "mbeturinat e fashizmit" dhe "kundërrevolucionarët" vrau e masakroi pamëshirë mijëra shqiptarë gjithandej Kosovës. Në këtë fushatë të egër ushtarake sipas dëshmisë së djalit të Shaban Polluzhës që i kishte dhënë Muhamet Mjekut, kishte thënë se babai- Shaban Polluzha me Mehmet Gradicën ishin vrarë me 17 shkurt 1945, në kullat e Dvoranëve të Tërstenikut. Ndërsa më 21/22 shkurt 1945 u shua me gjak edhe kryengritja e Drenicës, duke lënë pas shumë të vrarë nga të dyja palët.