E shtune, 27.07.2024, 03:13 AM (GMT+1)

Speciale » Basha

Sabile Basha: Atdhetari i madh Azem Marana

E premte, 08.09.2023, 09:10 PM


T’I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:

AZEM MARANA, KTHIM PRAPA NUK KA, SHKOJMË DERI NË FUND, PRA LIRI OSE VDEKJE

(1923- u pushkatua më 19 maj 1947)

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Atdhetari i madh Azem Marana, u lind më 25 mars 1923, në fshatin Maranë të rrethit të Draqevës, nga babai Idriz dhe nëna Hatixhe. Në kohën kur u arrestua ishte mësues. Ishte i martuar, pa fëmijë. Në familje, gjendjen materiale nuk e kishte të mirë. Fliste gjuhën shqipe, serbe dhe turqishten. Kishte të përfunduar 5 klasë të medresesë “Isa Begu” në Shkup, dhe klasën e pestë të gjimnazit. Gjithashtu kishte të përfunduar një kurs tre mujor në Prishtinë, në vitin 1942. Asnjëherë më parë nuk kishte qenë i dënuar dhe as i përndjekur.

Çlirimi dhe bashkimi kombëtar si i vetmi synim jetësor e shpirtëror dëshmohen edhe nga jeta dhe veprimtaria e Azem Maranes. Me luftën kundër robërisë dhe për çlirim u edukua dhe u arsimua nga të vjetrit dhe nga rrjedhat historike të cilat i përjetoi dhe në të cilat mori pjesë. Azem Marana iu bashkëngjit forcave demokratike të ONDSh-së,  të udhëhequra nga prof.. Ymer Berisha, Halim Orana, e shumë patriot të tjerë. Mirëpo, siç dihet kjo lëvizje nuk e përjetoi plotësimin e dëshirës për çlirim dhe bashkimin e tokave shqiptare. Azemi dhe shokët e tij nuk u gjunjëzuan ngase konsideronin se vetëm të bashkuar dhe të organizuar në rezistencë të hapët do të realizonin qëllimin suprem të shumë gjeneratave. Andaj, këta atdhetar të devotshëm që në fillim të vitit 1945 filluan luftën politike dhe ushtarake kundër ripushtimit jugosllav dhe vendosjes së sistemit socialist me formimin e Organizatës së Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare (OLDNSH), njëri nga themeluesit e së cilës ishte edhe Azem Marana.

Azem Morana posa kthehet nga Prishtina, menjëherë ndërmori aktivitete për hapjen e shkollës shqipe në fshat, edhe pse pushtuesi bullgarë një të tillë nuk e lejonte. Përkundër ndalesës, Azemi e hapi shkollën e parë shqipe në Maranë, e cila në historikun e shkollës shqipe do të njihet si e para në rrethin e Shkupit. Mësimi në shkollë zhvillohej në ilegalitet dhe do të vazhdojë deri në fillim të vitit 1943, atëherë kur forcat bullgare e rrethuan shkollën, duke dashur që ta arrestonin edhe mësuesin Azem. Mirëpo, bullgaret nuk arrin që ta arrestojnë dhe ai nga aty kalon në Tetovë. Azem Morana punoi gjatë kohë si mësues në fshatra të Tetovës e Shkupit, si: në Gajre, Çegran, Reçan, n’Obri të Pejës e fshatra të tjera.

Sa herë sjellim ndër mend zhvillimet e ngjarjeve historike në trojet shqiptare në ish Jugosllavi gjatë Luftës së Dytë Botërore, kujtesa historike na ngulitët thellë në përpjekjet e mëdha të intelektualëve, atdhetarëve, mësuesve dhe nxënësve, të cilët në këto troje, mes rrebesheve të kohërave, kanë ruajtur përherë identitetin e tyre kombëtar.

Sipas njohësit të mirë të biografisë së Azem Maranës, prof.dr. Qerim Lita, thuhej se në shtator të vitit 1944, me kërkesë të Shuaip Kamberit, Azem Marana nga Gajra kaloi në Tetovë, ku u inkuadrua në gazetën “Zani i Sharrit”, që ishte organ i Lidhjes së Dytë të Prizrenit, me detyrë që t’i kundërvihej propagandës komuniste, e cila në atë kohë propagandonte me të madhe “bashkim-vëllazërimin” e popullit shqiptar me popujt jugosllavë. Shkrimet e tij ishin shumëdimensionale, në të cilat prekej politika, kultura, tregimi, folklori, poezia, informatat për ngjarjet aktuale komentet etj.

Me ndikimin e angazhimin e madh të patriotit Azem Maran dhe shumë intelektualve të tjerë, më 1 dhjetor të vitit 1944, hapet shkolla e parë shqipe në Shkup, e cila mori emërin “Liria”. Që në fillim në të u regjistruan 362 nxënës, të shpërndarë në gjashtë paralele. Në këtë shkollë që në fillim u angazhuan Azem Marana, Hasan Bilallit, si dhe Mahmut Dumani, Anica Lora, Bajram Bajrami, Franjo Sopi, Hajrie Kokoboko dhe Halil Bejta. Dhe duhet përmendur se drejtor i parë i kësaj shkolle u emërua atdhetari Azem Marana.

Azem Morana veç që ishte mësues i devotshëm, ai duke e parë se situata politike antishqiptare po përshkallëzonte, filloi të merrej edhe më çështje madhore kombëtare. Kishte njohuri për formimin dhe veprimtarin e organizatave ilegale në Kosovë, andaj ishte krejt e natyrshme se edhe ky patriot me shpirt prej kryengritësi  do të bie në kontakt me atdhetar të tjerë dhe do ndërmarri  aktivitete kundër pushtetit dhe kundër okupuesit. Në veprimtarin e vet patriotike ishte i patrembur. Ra në kontakt me Hasan Bilallin, Hysni Rudin, Jonuz Ballën, Halim Oranën, Gjon Serreqin, Hilmi Ejupin, Rexhep Bunjakun, Avdullah Musliun, Sefedin Shabanin e me shume patriot të tjerë..

Situata politike, kur u mbajt Kongresi i Katërt i KQ të LNDSH-së, ishte edhe më e rëndë se ndërkohë u zbuluan dhe u arrestuan anëtarët e KQ të NDSH-së në Prizren, dhe njëherë kjo, edhe ishte shkaku që kushtëzoi që të merren masa paraprake, ngase në Kosovë ishte instaluar pushteti administrativo-ushtarak dhe çdo veprim ilegal ishte i vështirësuar, kjo ndikoi që, në çështjen e organizimit të merren masa urgjente. Në punimet e kongresit Azem Maran ishte shumë aktiv dhe mori detyra të shumta për ti përfunduar

Nga ky kongres doli një udhëheqësi e re e NDSH-së. Kryetar u zgjodh patrioti dhe veprimtari i dalluar Halim Orana nga Gjilani, Qemajl Skenderi u zgjodh zëvendës-kryetar dhe Azem Morana, sekretar i organizatës, ndërsa anëtarë të KQ të NDSH-së u propozuan dhe u zgjodhën Hamdi Berisha, Mehmet Bushi, Hysen Rudi, Januz Balla, Mahmut Dumani, Hasan Bilalli, Haki Efendi Sermaxhaj, Osman Cani dhe Mitat Tershana. Kongresin e kishte përshëndetur edhe Luan Gashi. Që kastile kishte ardhur nga Perugji i Italisë.  Kongresi gjatë punës që zhvilloi, miratoi një serë dokumentesh që më vonë patën një rëndësi të madhe historike. Delegatet me aklamacion miratuan “Skemën e organizimit” dhe “Programin e Lëvizjes për Lirimin e Tokave Shqiptare”. Dokumentin e parë, që e miratoi kongresi ishte “Skema organizative”, që në të vërtetë në të përfshihej struktura organizative e organizatës si në terren, po ashtu edhe në vetë komitetet e tyre. Në çdo qytet dhe në çdo fshat propozohej nga një skemë identike për formimin e komiteteve të vendit, për lirimin e tokave shqiptare. Koordinimi i të gjitha punëve  ndërmjet komiteteve duhej të bëhej përmes “Komitetit Epruer”. Ndërsa, Komiteti Epror të jetë i varur nga Komiteti Qendror i NDSH-së. Dhe çdo komitet, pa marrë parasysh se është i qytetit, fshatit, rajonit apo i komunës, duhet të ketë strukturën organizative ose udhëheqësin e vet, e cila përbëhet nga kryetari, sekretari, anëtari i parë, anëtari i dytë dhe anëtarë të tjerë të kryesisë, që do të caktohen sipas nevojës. Punën e organizimit dhe përgjegjësin për të e mban kryetari. Ai , ndër të tjera organizon dhe zbaton urdhëratë e Komitetit Epror. Sekretari në bashkëpunim me dy anëtarët, kryejnë shërbimet e propagandave të lajmeve dhe si detyrë kryesore  kanë të bëjnë ndërlidhjen ndërmjet shërbimit politik dhe atij ekonomik. Sipas “Skemës organizative” llogaritej se shërbimi më i ndjeshëm dhe më i nevojshëm ishte shërbimi politik i komitetit, dhe anëtarët e këtij shërbimi ishin të obligueshëm që t’i kushtonin rëndësi të posaçme.

Nga “Skema e organizimit” propozohej, që çdo komitet në kuadrin e vet të formonte një trup, i cili do të vepronte nën emrin “SIP” që do të thoshte Sigurim Politik. Sigurimi Politik kishte për detyrë mbledhjen e informatave për personat e ndryshëm dhe të hetonte sigurimin e mirëvajtjes së veprimtarisë së komiteteve.

Duhet përmendet se, edhe pas përfundimit të LDB, organizatat ilegale të cilat filluan të vepronin në Kosovë karakterizohen me programet e tyre që kryesisht kishin mbështetje në kërkesat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Pas zbulimit të anëtarëve të ONDSH-së në KQ të ONDSH-së në Prizren, Azem Marana thuajse kishte një parandjenjë se diçka e rëndë do të ndodhte dhe një ditë në një shëtitje buzë lumit Iber, i kishte thënë shokut të idealit- Qemal Skenderit “Kthim prapa nuk ka, shkojmë deri në fund, pra Liri ose vdekje” duke vazhduar “OZN-a zuri pjesën dërmuese të udhëheqësisë në Kosovë, po duhet ditur se ata nga torturat e rënda do të tregojnë edhe për të tjerët, por ne s’duhet frikësuar. Ne mund të na likuidojnë, por populli shqiptar do të jetojë i lirë”.

Organet e ndjekjes jugosllave i ranë në gjurmë atdhetarëve dhe ata përcilleshin në çdo hap. Dhe nuk shkoi gjatë shumica nga ata u arrestuan. Në procesin gjyqësor, që u organizua në gjykatën e Qarkut në Shkup, më 26 janar-7 shkurt 1947, shpalli vendimin kundër 19 të akuzuarve. Prej tyre katër u dënuan me dënim maksimal – vdekje-pushkatim: Azem Marana, Qemal Skënderi, Hysni Rudi dhe Mehmet Bushi, ndërsa të tjerët u dënuan me burg të rëndë në kohëzgjatje nga 2 deri më 20 vjet heqje lirie.

Më 19 maj 1947, në ora 23.00 u ekzekutua s’bashku me Hysni Rudin dhe Mehmet Bushin, nga regjimi komunist jugosllav. Ndërsa Qemal Skënderit dënimi me vdekje iu zëvendësua me 20 vjet burg të rëndë. Edhe sot nuk dihet se ku u varrosën këta heronj të kombit shqiptarë.



(Vota: 130 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora