Speciale » Basha
Sabile Basha: Ideologu i paepur i Lëvizjes Patriotike Ilegale Shqiptare Prof. Ymer Berisha
E premte, 11.08.2023, 08:47 PM
TI KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:
IDEOLOGU
I PAEPUR I LËVIZJES PATRIOTIKE ILEGALE SHQIPTARE PROF. YMER BERISHA
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Profesor
Ymer Berisha u lind më 1912 në Gjurgjevik të Madh, fshat afër Klinës. Shkollën
fillore e kreu në Krumë të Hasit, shkollën Normale e kreu në Elbasan.
Fakultetin e Shkencave Natyrore, dega e Historisë- Gjeografisë dhe Akademinë
Ushtarake e kreu në Romë- Itali. Pas, kryerjes së fakultetit, u kthye në
Shqipëri, dhe punoi si mësues në shumë fshatra të Shqipërisë Veriore. Më 1939,
kur Italia e okupoi Shqipërinë, ai së bashku me xhaxhanë e vet Sejdi Berishën,
kaloi në Kosovë. Më vonë, në Prishtinë filloi të punojë si profesor në
Gjimnazin “Sami Frashëri” (1941-1944). Pas pushtimit të Kosovës më 1944 u
arratis në malet e Drenicës dhe nga aty organizoi rezistencën e armatosur
kundër pushtuesve të rinj. Prof. Ymer
Berisha konsiderohet njëri ndër ideologët dhe krijuesit e platformës politike
për mbrojtjen e kufijve etnikë të trojeve shqiptare të Kosovës dhe bashkimin e
saj me Shqipërinë. Gjatë tërë jetës së vet ishte luftëtar i denjë kundër
fashizmit e komunizmit (të kësaj ideologjie sllave).
Ai
luftonte për Kosovës dhe për të gjitha
trojet shqiptare, që ishin të copëtuara padrejtësisht nga shovinistët fqinjë
dhe fuqitë e mëdha. Rrezikun kryesor e shihte tek shovinizmi serbomadh, që
mbante Kosovën dhe aspiratat e saja nuk përfundonin me aq. Të njëjtin rrezik e
shihte edhe në jugun e Shqipërisë, nga shovinistët grekë. Profesor Ymer Berisha
njihte vetëm një ideologji, ajo ishte ideologjia kombëtare shqiptare, idealet e
së cilës gjetën mishërimin e vet në Mbledhjen e Mukes dhe në vendimet historike
të Bujanit.
Mendohet
se iniciator dhe themelues i ONDSH-së ishte vet ai, po më 1945, në Kuvendin e
Dobërdolit formoi edhe organizatën tjetër ilegale “Besa Kombëtare”. Në emër të
kësaj organizate “Nga malet e lira të Dardanisë” i shkruan shefit të misionit
ushtarak britanik në Shqipëri, gjeneralit Hadson, një letër me të cilën e
njoftonte për terrorin sllavo-komunist mbi popullsinë shqiptare në Kosovë, dhe
duke kërkuar ndihmë e përkrahje nga aleatët anglo-amerikanë. Si patriot që
ishte, Ymer Berisha, do të angazhohet drejtpërdrejt në proceset e Kosovës, duke
mbajtur kontakte me masën e gjerë shqiptare. Profesori i Gjurgjevikut, në
vjeshtën e vitit 1944 do të vijë në Drenicë dhe do të bisedojë me Shaban
Polluzhën, Sadik Zenelin, Jusuf Gradicën Rexhep Vojvodën dhe me shumë njerëz të tjerë autoritarë të kësaj ane e të
Artakollit për fatin e Kosovës. Në Drenicë, me 28 nëntor do të mbajë një tubim
me fshatarët e kësaj ane dhe aty do të thotë “ Nuk ka besë më me serbë, prandaj
duhet të organizohemi dhe të luftojmë deri në bashkimin kombëtar”. Si
intelektual i formuar që ishte, ai ishte njohës i mirë i rrethanave politike
dhe qysh atëherë kishte shprehur dyshimin rreth realizimit të vendimeve të
konferencës së Bujanit. Duke i njohur mirë këto rrethana, ai bënte përpjekje të
vazhdueshme që shqiptarët në Drenicë, në Llapushë dhe në disa pjesë të
Dukagjinit t’i bind për t’iu kundërvënë politikës okupuese me të gjitha forcat,
madje së fundi edhe me kryengritje të armatosur.
Me
fillimin e kryengritjes në Drenicë, Ymer Berisha do të thoshte se suksesi i saj
do të varet nga zgjerimi i saj në të gjitha anët e Kosovës. Në Drenicë do të
sjell armë dhe si deklaron Hajriz Domaneku, në Obri kishte sjellë disa
automatikë me të cilët luftuan deri sa u shua rezistenca e Drenicës. Pasi
shuhet lufta e Drenicës, profesori prej këtu kaloi në ilegalitet dhe kaloi në
anën e Prizrenit, Podrimes dhe Rahovecit. Më vonë angazhohet në unitetin e
ilegales shqiptare, dhe në territoret e Dukagjinit formoi komitetet e rajoneve,
të rretheve e të komunave, që kishin të vyejtën strukturë si në NDSH-e.
Më
22 tetor 1945, ai e informoi shefin e misionit ushtarak anglez, gjeneralin e
zënë ngoje për përfundimin e luftës së Drenicës dhe për gjendjen në Kosovë. Por
ky raport kishte rënë në duart e OZN-es, sepse korrieri ishte bashkëpunëtor i
tyre e që nuk ishte hera e parë që një njeri i tillë ishte infiltruar në radhët
e lëvizjes. Profesori ishte i shqetësuar për situatën që mbretëronte pas
aneksimit të Kosovës Serbisë. Sepse për nga përmasat, qëllimet, metodat që
përdoreshin, propaganda që zhvillohej, dhuna që zbatohej mbi shqiptarët ishte e
njëllojtë me atë që ushtrohej dhe përdorej në vitet e sundimit të dinastisë
mbretërore të paraluftës. Përpara luftës shqiptarët ishin element destabilizues
për Jugosllavinë, ndërsa pas lufte ishin separatistë, e çka jo tjetër. Duke e
vërejtur pakënaqësinë e dëshirimin e popullit, Ymer Berisha vënë lidhje me të
gjitha organizatat ilegale, që vepronin në Kosovë dhe intensivisht punoi për të
bërë bashkimin e tyre. Sipas Gjon Serreqit, që i jep deklaratë hetuesit në
burg, thotë se “ Me organizatën “Besa Kombëtare” të Ymer Berishës kemi pasur
lidhje prej qershorit të vitit 1946, nëpër mjet të Rexhep Lushit, korrierit të
Hilmi Zariqit. Aksione të përbashkëta nuk kemi pasur. Ata kanë kryer aksione në
Dukagjin, kurse ne këtu. Ymer Berishën të gjithë ne e kemi nderuar si
organizatorin më të aftë. Ai na pat njoftuar se është i ndërlidhur me Muharrem
Bajraktarin me konsullin anglez në Tiranë, Hadsonin”, përfundon Gjoni para
organeve hetimore. Këtë deklaratë ai e jep diku në orët e hershme të mëngjesit.
Ymer
Berisha kishte lidhje të ngushta edhe me Ukë Sadikun dhe me të gjithë krerët e
shqiptarëve në ilegalitet. Pas një aktiviteti të dendur në fshatrat e Gjakovës,
dhe pas një konsultimi që pati me Ukë Sadikun, atë, profesorin e njoftojnë se
në malet e Lipovicës do të mbahet kongresi V i ONDSH-së, dhe ai ishte i ftuar
të marrë pjesë në të. Sipas të dhënave që i jep Gojko Medenica, me 10 korrik të
vitit 1946 në malet e Hereçit të Gjakovës, i rrethuar nga forcat e të
ashtuquajturës “Mbrojtja popullore dhe e milicisë jugosllave”, u vra në udhëtim
e sipër për në Kongresin V të ONDSH-së, që mbahej në Lipovicë. Së bashku me
përcjelljen bëjnë rezistencë, për të dalë nga rrethimi. Por prof. Ymer Berisha
vritet me 8 patriotë, dhe 12 të tjerë plagosën rëndë. Së bashku me ta vritet
edhe mësuesi Fehmi Kura.
Vdekja
e prof. Ymer Berishën dhe e bashkëluftëtarëve të tij do të mbahet fshehur deri
më 25 korrik 1946, kur do të mbahet Kongresi i Lipovicës. Atëherë zbulohet korrieri
i rrejshëm ( në të vërtet ishte spiun i Spasoje Gjakoviqit), Rexhep Alush
Carabregu, që një kohë të gjatë kishte luajtur lojën e korrierit duke bartur
letra nga Shtabi II( Organizata nr.2) në Drenicë dhe “Besa Kombëtare” në
Dukagjin. Nga trysnia që iu bë atij nga
gjyqi popullor i kongresit në Lipovicë, ai pranoi se Ymer Berisha me ndihmën e
tij kishte rënë në grackë dhe ishte likuiduar. Andaj gjyqi popullore e dënoi
aty për aty me pushkatim edhe Rexhep Carabregun aty afër, ku mbahej kongresi.
Kongresi
i Lipovicës i filloi punimet më 25 korrik 1946, dhe në këtë kongres u propozua
që komandanti i përgjithshëm i ilegales shqiptare u emërua prof. Ymer Berisha,
në mungesën dhe në padijen për vrasjen e tij për 15 ditë më parë. Pasi u zbulua
likuidimi i Ymer Berishës nga ana e UDB-es, shtypi i kohës bënte njoftimin e
shkurtër se u vra ballisti, antipopullori, antidemokratik Ymer Berisha, spiun
gjerman, i cili ka qenë i shtyrë dhe i përkrahur nga reaksioni i jashtëm, ka
qenë udhëheqës kryesor politik i të ashtuquajturës “Komiteti Nacional
Demokratik Shqiptar” me të cilat ishin bashkuar spiunët fashistë, zogistë,
irredentistë, ballistë dhe tradhtarët e tjerë, të popullit shqiptar, të cilët
ishin bashkuar spiunët fashistë, zogistë, irredentistë, ballistë dhe tradhtarët
e tjerë, të popullit shqiptar, të cilët ishin në shërbim të reaksionit të
huaj”. Pa fijen e turpit, shtypi i kohës i mëveshëte lloj-lloj epitetesh, duke
filluar nga ato më të çoroditurat e deri tek ato më fyeset për një patriot e
atdhetar siç ishte ai. Qëllimi i parë dhe i fundit i të gjithë këtyre të rënëve
kishte vetëm një emër dhe një synim që të gjitha trojet shqiptare të
bashkoheshin në një shtet etnik- Shqipërinë etnike.